Bisedë me një killer serash që mbjell, korr dhe shet vdekje!

Bisedë me një killer serash që mbjell, korr dhe shet vdekje!

Foto ilustruese

Mbase ti nuk di mirë shkrim dhe këndim për të më lexuar drejt. Më saktë bën sikur je analfabet pasi frikesh të mësosh anën vrastare të punës që bën, ku në vend të gropave për të mbjellë fidanë, je shndërruar në varrmihës që hap tokën për të mbjellë kufoma.

Gjithsesi shpresoj që fëmija yt, ai për të cilin ti po punon dhe e sheh në dritë të syrit, të vijë aty tek sera e errët kur përgatit dozat e vdekjes, dhe me pafajësinë e një të mituri të t’i tregojë këto rreshta. (Uroj që ai mos të ta kuptojë kurrë maskarallëkun)

Dëgjo! Këtu nuk po flasim për një bujk të zakonshëm dhe as për një tregtar të rastësishëm, por fjala është për vrasës me pagesë… si ti. Po mor po, fiks si ti që ashtu pa kuptuar ke marrë tiparet e një dose nëntoke dhe në vend të rrënjëve të bimëve, po kafshon pamëshirshëm kapilarët e jetës së qindra njerëzve të pafajshëm që blenë prodhimet e tua.

Sot nuk mund t’i gjej dot më një emër profesionit tënd. Tashmë ti lopatën e ke zëvendësuar me shiringë metali, gërshërën me agë të mprehtë dhe ujin e vaditjes me lëngje të helmuara që pompohen orë e çast.

Ti mendon gabim kur thua se nëse lahen frutat dhe perimet, atëherëpesticidet zhduken. Ato janë aty, potencialisht toksike për ne konsumatorët. 

Qasja Ndërkombëtare Strategjike për Menaxhimin e Kimikateve (SAICM ), i ka të përcaktuara normat dhe standardet që duhet të ndjekësh, por ti s’ke faj që nuk t’i kanë sqaruar dhe ndaj konkurron kaq pandershmërisht tregun. E di ç’thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë në raportet e saj mbi pesticidet që media dhe  institucionet përkatëse përtojnë t’i përkthejnë?

Dhjetëra toksikologë kanë arritur në përfundime se shkaktojnë tumore të ndryshme, mutacione në gjene, sterilitet, dëmtime në tru, ndikojnë mbi sistemin imun, sjellin diabet, lindin autizëm dhe reflektojnë 1001 dëmtime të tjera në organizëm. Ke informacion për këto apo ke mësuar përmendësh veç ditët që i duhen një sallatori për t’u rritur shpejt?

Ekzistojnë, dhe ndryshe nga ti që gatuan lëngata për fëmijët e të tjerëve, askush nuk do që vogëlushi yt të kishte ndonjë nga këto sëmundje të tmerrshme. (Largqoftë).

Ne të gjithë e pranojmë me keqardhje që demek-demokracia jonë 28 vjeçare, historikisht ka hapur këmbët ndaj çdo politike bujqësore, duke e shndërruar këtë sektor në humnerë ekonomike. E dimë që edhe shtigjet e tregut janë kyçur babëzisht dhe djersa e fermerëve herë pas here përfundon nëpër ujëra kanalesh pa pasur mundësi të përkthehet në të holla.

Gjithashtu dimë për naftën, për ujin, farën, stërmundimin dhe vlerësimin që në fund prodhojnë veç hambarë të mëdhenj zhgënjimi. Këto i njohim mjaft gjerë, por ama as njëra dhe as tjetra s’janë justifikim që ti o katil i paditur të vrasësh nënat, baballarët, motrat, vëllezërit dhe fëmijët tanë që sot kërkojnë të hedhin shtat mbi tokë dhe jo të numërojnë centimetrat nën të.

Nëse je i zemëruar me “pushtet-tarët” tanë 28 vjeçar, (ashtu si unë) sille zetorin me prodhime dhe t’ia flakërijmë bashkë nëpër oborre. Silli këtu domatet e pashitura t’ipërplasim mureve tëkryeministrisë, patëllxhanin stok ta hedhim fasadave të Bujqësisë, kungullin t’ia derdhim Mjedisit, trangujt t’ia lemë në derë Infrastukturës dhe kalbësirat e djeshme t’ia vërvitim forcave opozitare që gjithashtu janë pjesë e skemës së falimentimit të fermerit.

Kjo formë proteste na nderon më tepër se sa rruga e skëterrshme ku ke zgjedhur të ecësh duke përfituar se agjencitë e paguara nga taksat tona s’kanë as kapacitete, as seriozitet dhe as vullnet për të të penguar.

Sot dhe nesër s’ka argument qëta justifikon mëkatin,pasi serën tënde dale-nga-dalë e ke shndërruar në një morg të kobshëm ku arkat që duhen mbushur me prodhime të freskëta bimore, i konsideron si arkë-morte bosh që do mbushen me njerëz prej gjaku e prej mishi.

S’ka arsye që të shpëton o i pangopur nga paratë, i babëzitur nga zilia dhe i pashpirt nga akti që kryen. Vendosa të të shkruaj këto reshta ku edhe pse mendoj që e ke helmatisur shpirtin tënd para se të helmosh organizmin tonë, besoj se do gjesh ndonjë grimcë përgjegjësie para fëmijës për të mos ja bërë tjetrit atë që nuk do dëshiroje të ta bënin ty.

Ndaj para se t’i skuqësh domatet artificialisht, mendo se po i skuq me gjak vogëlushësh dhe po i shpëlan me lot prindërish nëpër korridore spitalesh. Jepi fund marrëzisë, para se ajo të ulet këmbëkryq edhe në sofrën tënde!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ligor: 13/06/2018 12:31

    Bukur e ke thene, more gazetar, te lumte, por kaloja edhe z. Rama kete artikull, se a ka kohe ai ta dije kete fakt. Do te lutesha qe nje dite te investigoje edhe per sallamrat dhe produktet e mishit, qe rrine me muaj neper markete dhe kur u afrohet afati i skadimit, mbushen furgonat dhe kthehen ne baze per riciklim...

    Përgjigju
  • Fari Demnika: 13/06/2018 11:48

    Ne Kot flasim per keto vepra, kto ndalen vetem me veprime te organeve per mbrojtjen e njerzve,dhe shendetit te tyre,masat per mbrojtje te kesaj vepre nuk kushtojn shum vetem nje laborator per identifikim te helmeve apo kemikaljeve dhe ndeshkimin e ketyre veprimeve si vepra penale te randa dhe kaq.....

    Përgjigju
  • Bumerangu: 11/06/2018 21:48

    ..siguria ushqimore mbi te gjitha...,me mire pak me shtrenjte dhe me cilesi...,duke tentuar dhe Exportin..,sesa Kriminel..pa shpirt e ndergjegje..Fuck off! A

    Përgjigju
  • Luli: 11/06/2018 20:35

    .....me duket e vehtire te prekesh ndergjegjen e prishur te nje "krimineli",aq me teper kur terreni i gatshem e stimulues i ofrohet nga nje qeveri dhe sistem politik i zhytur ne nje anarki pseudo-demokratike,gati 30 vjecare...gjithsesi te shkruash o te flasesh eshte me mire se sa te heshtesh ...!!!

    Përgjigju
  • Arben Metani: 11/06/2018 06:02

    Te lumte o gazetar qe shkruajte mbi kete teme. Me qarte, thjeshte dhe hapur se sa kaq nuk mund te shkruhet. Eshte gjuhe gazetareske qe po te doje e kupton dhe fermeri ne fshatin me te thelle dhe te larget dhe ministri ne Tirane. FALAMNDERIM TE MADHE NGA NJE VIKTIME POTENCAILE E SE NESERMES.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Begaj vizitë në Urdhrin Sovran të Maltës, takohet me Fra' John Dunlap

Presidenti Begaj vizitë në Urdhrin Sovran të Maltës, takohet me Fra' John Dunlap