POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

FNSH e RENEA rrethon Niklën në Krujë, bastisen vilat e të ‘fortëve’, 11 të shoqëruar (Pamjet ekskluzive+Emrat)

FUSHE KRUJE - Nikla e ‘tritolit’ është rrethuar sot nga blindat e policisë. Fshati ku bënin ligjin ‘të fortët’ është gjunjëzuar që në orët e para të mëngjesit falë një operacioni të mirëorganizuar të forcave speciale, FNSH-së dhe RENEA-s, falë të cilit janë shoqëruar 11 persona, gjashtë prej të cilëve emra të njohura për policinë si pjesëmarrës në disa ngjarje kriminale, që nga gjobevënia, vjedhjet e atentatet me tritol. Vilat e të fortëve kanë qenë shënjestra e kontrollit policor në kuadër të operacionit “Forcva e Ligjit”, pjesë e të cilit në terren është bërë edhe vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Për t’i kapur mat brenda banesave policia ka përdorur një truk të vogël, duke lënë Niklën në errësirë totale, pasi kishte pikasur vilat ku do të ndërhyhej.

REPORT TV mëson se mes banesave të rrethuara dhe kontrolluara ishin ato të fisit të njohur në këtë zonë Haka. Vilat e Flamur Hakës i njohur me nofkën Tuku, Marenglen Hakës, Durim dhe Valter Bamit, Ylli Cangut etj.

Nga operacioni 11 persona u shoqëruan, ndërsa burimet thonë se për 2 prej tyre ka urdhër arresti, Durim Bamin dhe Flamur Hakën në kuadër të operacinit "Forca e Ligjit". Ndërsa të shoqëruar janë Marenglen Haka (nipi i Flamur Hakës), Lufti Haka (babai i Marenglen Hakës), Bedri Haka, Valter Bami dhe Ylli Cangu (kunati i Durim e Valter Bamit). 

Fillimisht pas nisjes së operacionit në orën 05:00  policia shoqëroi në mjet të blinduar Tukun, që njihet si më kryesori i Niklës, më pas personat e tjerë, të cilët dyshohen se janë përfshirë në disa ngjarje kriminale në këtë zonë. Shqiptarja.com dhe Report Tv mësojnë se RENEA ka sekuestruar edhe një automjet të blinduar tip "Jeep" në pronësi të Flamur Hakës.

REPORT TV siguron pamjet ekskluzive të momentit të shoqërimit të tetë personave në fshatin Nikël të Krujës, ndërsa policia do i dërgojë në Tiranë.  Në operacion morën pjesë mbi 20 mjetë të forcave speciale në aksion, autoblinda dhe furgona të FNSH dhe RENEA.

Në pikat kyçe u vendosën snajpera për të parandaluar ndonjë rezistencë me armë nga personat që u kontrolluan. Nuk dihet ende nëse kanë sekuestruar armë, mjete të blinduara dhe sa persona.

Operacioni u drejtua nga drejtori i policisë së shtetit Ardi Veliu. Por zona e Niklës njihet si një ndër zonat më të nxehta në Shqipëri ku kanë ndodhur një numër i madh ngjarjesh në të kaluarën, dhe grupi i Niklës është nga më të njohurit në vend. 

Në këtë zonë kanë ndodhur disa vrasje, i fundit Kejsi Hysa, që njihej ndryshe si “Tik Fajdexhiu”, pasi jepte para me përqindje, por edhe rrëmbime, rasti më i bujshëm ai i Enver Stafukës, personi që u vu nën akuzë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për grabitjen e BMË-së, nga ku u qëllua për vdekje komisar Dritan Lamaj. Kjo zonë njihet edhe për kultivimin e kanabisit dhe shpërthimet me eksploziv. 

Para dy ditësh iu vendos një sasi e konsiderueshme tritoli banesës së drejtorit të OSHEE-së për Fushë-Krujën, Besnik Masha. Shumica e ngjarjeve në këtë zonë janë të pa zbardhura. Ndërkohë që aksioni i policisë në këtë zonë vjen pas atij në Shkodër, ku u rrethua Kirasi dhe Dobraçi, ndërsa u arrestuan katër persona, por më pas njëri u la në arrest shtëpie nga gjykata.

Ora 10:24
Si i kapi mat policia të fortët e Niklës, detaji i pazbuluar nga operacioni

Shqiptarja.com dhe Report TV mësojnë detaje të reja për superaksionin e zhvilluar sot në Nikël të Krujës. Për të kapur mat 8 'të fortët', forcat speciale, RENEA dhe FNSH-ja kanë përdorur një truk të vogël. Që në orën 04.00 të mëngjesit në të gjithë zonën e Niklës janë fikur dritat. Kjo ka bërë që të fortët të izoloheshin në banesa e policia t'ju shkonte në derën e shtëpisë.

Nga operacioni 8 persona u shoqëruan, ndërsa 2 prej të cilëve kanë urdhër arresti Durim Bami dhe Flamur Haka. Ndërsa të shoqëruar janë Marenglen Haka (nipi i Flamur Hakës), Bedri Haka, Valter Bami dhe Ylli Cangu (kunati i Durim e Valter Bamit). 

Ora 09:13
Kontroll banesës së Durim Bamit, njeriu që trazoi politikën shqiptare (Akuzat)

Policia vijon operacionin në zonën e Niklës në Krujë, ndërsa aktualisht sipas burimeve të REPORT TV po kontrollohet banesa e Durim dhe Valter Bamit. Durim Bami është një person i njohur për drejtësinë. Bami është i njohur për atentatin e pretenduar nga Tom Doshi. Për këtë atentat të pretenduar në dyert e Prokurorisë përfunduan të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit. 

Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami u akuzuan për kallëzim të rremë për çështjen e atentatit të pretenduar ndaj Tom Doshit dhe deputetit të PD, Mhill Fufi. Doshi akuzoi në 2015-ën ish-kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, se kishte porositur një atentat për ta ekzekutuar përmes Durim Bamit, kundrejt pagesës 500 mijë euro.

Hetimi, që u udhëhoq nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, nuk mundi të provojë asnjëherë akuzat e Tom Doshit dhe, për pasojë, prokuroria ngriti akuzë “Kallëzim të rremë” për tre personat e sipërcituar.

Gjykata e Tiranës në datë 5 korrik vendosi të shpallë të pafajshëm deputetin e PSD në Shkodër Tom Doshi, të dënojë me 8 muaj burg ish-deputetin Frroku, një vit burg Durim Bamin, por asnjë prej tyre nuk do të qëndrojë në burg, pasi dënimi është konvertuar në shërbim prove.

d.ba./l.q.
Komento

Komente

  • ben: 12/09/2018 17:19

    Bravo Report TV bravo gazetarit qe ishte ne nikel. respekte

    Përgjigju
  • populli: 12/09/2018 15:37

    bravo ..bravo policise ky eshte flamure xhafa qe llamatite opozita

    Përgjigju
  • berti: 12/09/2018 12:22

    Bravo 1 milion here policise per kte pastrim te vendit

    Përgjigju
  • tonin: 12/09/2018 11:42

    o lexues qe sdi me lexu,,,show nuk ben policia.por gjyqsori

    Përgjigju
  • Fredi: 12/09/2018 11:33

    Te presim akuzat dhe denimin se me keto filma jemi ngopur. Ne 1999 gjate bombnardimeve ne kosove Nato leshoi disa bomba " gabimisht " duke shkatusr viktima te pafajshme, keto quhen deme anesore. Perse nuk leshoi " gabimisht " disa bomba ne Nikel, Lazarat, Malesite e tepelenes dhe Pukes. Do i kishin bere nder shqiperise.

    Përgjigju
  • Naimi: 12/09/2018 10:30

    Bravo policia Keshtu te vazhdoje deri ne asgjesimin e hajdutit dhe kriminelit te fundit

    Përgjigju
  • Lexues: 12/09/2018 10:22

    Kur do heqin dore nga show keta??? Te gjithe e dime si perfundojne keto..ne nje vrime ne uje...

    Përgjigju
  • Deputeti: 12/09/2018 10:17

    E shyqyr qe e i ra mendja Rames me thene qe ma i "Forti" jam une dhe nuk ka te forte qe te me sfidojne

    Përgjigju