Blloku dhe periferia, dy Tiranat e dëshpëruara të Shqipërisë

Blloku dhe periferia, dy Tiranat e dëshpëruara të Shqipërisë

Foto ilustruese

Ka të paktën dy Tirana në kryeqytetin e Shqipërisë.

Tirana e parë zgjohet herët. Përcjell fëmijët në shkollë. Nxiton në punë. Furnizon dyqanin apo ndez ekspresin e kafes duke dëgjuar çuna e goca që lexojnë shtypin të përditshëm në çdo ekran televizori.

Kjo Tiranë zgjohet duke shijuar pamjen e prezantueseve të motit, por jo parashikimin që ato bëjnë për motin.

Kjo Tiranë mëngjezesh vazhdon të grindet edhe pas kafes të tretë të ditës për opinionet e darkës tek Fevziu, Vasili, Zogaj, Balla, Rakipi, Zheji e të tjerë.

Kundërshton apo duartroket Minxhozin, Meron, Desadën, Ilvën, Çanin, Muçin, Lubonjën, Nikollë Lesin, Bushatin, Henrin, Hilën, Bollinon, Myftarin e të tjerë, në krah të Sandrit, Vjollcës, Irfanit apo Ndroqit.

Bëhet sy e vesh për të parë e dëgjuar se çfarë ka ndodhur me Ramën, Bashën, Monikën e të tjerë që diktojnë se çfarë do të bëhet me Tiranën dhe në Tiranë. Edhe njëri, edhe tjetri, në pushtet apo në opozitë, është më i aftë se prezantueset e motit; ata bëjnë edhe shiun, edhe diellin. Ata vendosin edhe për kursin e euros në Tiranë apo modën e atleteve.

Kjo Tiranë ha diçka shpejt e shpejt në drekë dhe nxiton në darkë të hapë televizorin për të parë me sytë e Ramës, Bashës apo Monikës nëse është ngrysur e lumtur apo është zgjuar fatkeqe.

Ka edhe një Tiranë tjetër.

Ajo shtriqet vonë. Më saktë shkon të flejë kur ka gdhirë.

Gjatë javëve të dimrit dreka është diku në ish-Bllok.

Gjatë javëve të verës dreka është para dhe mbas schiuma party-ve të pambarimta kur janë në breg të detit apo kur e shohin bregun nga bordet e jahteve.

Djemtë e kësaj Tirane i porosisin pijet me shishe, paguajnë me euro dhe dalin në instagram duke xhiruar gomat e makinave dy vendëshe në ish-Bllok.

Vajzat e kësaj Tirane jetojnë me rroba banjoje në Instagram.

Rrobat e banjos janë kostumi i tyre i punës, njëlloj si kominoshet për punëtorët e krahut. Vetëm se paguhen ndryshe për punë të ndryshme.

Drekat e dimrave të tyre i hanë sërish në plazhe, njëlloj si në verë kur jetojnë sërish nga plazhi në plazh.

Kjo Tiranë në faqet rozë të të shtypit të së shtunës. Janë të famshëm e të pashëm. I kanë të gjithë zili dhe xhelozojnë pafund Tiranën tjetër.

Tiranën e heshtur.

Dhe kështu ka vite që ndodh. Deri në darkën kur ata bëhen lajme të kronikës së zezë dhe subjekte të komunikatave të policisë. Dhe Tirana e parë, ajo që zgjohet herët, që mban shënimet e shpenzimeve të përditshme në fletore shkolle fëmijësh, jua ridëgjon emrat në darkë tek Fevziu. Kërkon dhe ju gjen miqësitë apo armiqësitë me Ramën, Bashën, Monikën apo dhe Doktorin me Ilirin dhe ju sheh shkëlqimin e tyre verbues prej qiriri në pasqyrën e shtypit të nesërm. I sheh dhe i dëgjon duke bërë shenjën e kryqit, duke ju falur Allahut apo duke ju lutur fatit që fëmijët e saj të mos kalojnë rastësisht andej nga jeton Tirana e natës.

Kjo është Tirana e Shqipërisë dhe kjo është Shqipëria e Tiranës.

Atdheu ku vetëm e përkohshmja është e përjetshme!

Kryeqyteti i shkëlqimit të artë dhe rëniës në humnerë të vanitetit kriminal që prodhon një shoqëri në krizë, një shoqëri në lakun e lakmisë dhe të dhunës./ Javanews

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • 111: 06/10/2018 08:01

    perfekt

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

‘Fshesa’ në Partinë e Lirisë, Elona Guri ‘ngushëllon’ Braimllarin pas largimit dhe i përgjigjet Metës: S’i kemi tradhtuar kurrë idealet tona

‘Fshesa’ në Partinë e Lirisë, Elona Guri ‘ngushëllon’ Braimllarin pas largimit dhe i përgjigjet Metës: S’i kemi tradhtuar kurrë idealet tona