Boldrini: BE të ndjekë shembullin
e Kukësit për refugjatët e luftës

Boldrini: BE të ndjekë shembullin<br />e Kukësit për refugjatët e luftës
Kryetarja e Dhomës se deputetëve të Italisë, Laura Boldrini gjatë vizitës së saj në Kukës ku u nderua me titullin "Qytetar Nderi" për rolin e saj humanitar në krizën e vitit 1998-1999 ka folur për kamerën e Report Tv rreth kujtimeve 18-vjet më parë, solidaritetin e treguar nga qytetarët e Kukësit për popullsinë e shpërngulur nga Kosova.
 
Sipas Boldrinit shembulli i solidaritetit treguar 18-vite më parë duhet të ndiqet sot nga BE në përballimin e krizës së refugjatëve.

Zyrtarja e lartë italiane ka folur dhe për rrezikun e rikthimit të luftës së ftohtë duke theksuar se e vetmja zgjidhje është dialogu.

Lexoni të plotë intervistën e Laura Boldrinit dhënë gazetarit Carlo Bollino në qytetin e Kukësit.
 
Presidente Boldrini, 18 vjet më pas riktheheni në një ish-front lufte, çfarë kujtoni nga ajo periudhë, 1998-1999?
Po kanë qenë dy vjet mjaft kritikë, në Kosovë ishte luftë, në fillim ishte një eksod që prekte kryesisht popullsinë shqiptare në jug të Kosovës dhe më pas erdhi konflikti i vërtetë. Si gjithmonë pasojat  rëndonin mbi civilët edhe për faktin se ne atë rast operacionet ushtarake ndërrmerreshin kundër civilëve.

Kështu në fillim të vitit 1998 erdhën këtu në Shqipëri mijëra refugjatë nga Kosova dhe vinin duke ecur për ditë të tëra nëpër male, bënte ftohtë, ishte mars binte shi , ishin të terrorizuar për atë që po ndodhte në Kosovë, në qytetet dhe fshatrat tyre.

OKB, UNHCR apo dhe organizma të tjerë të pranishëm por në një numër të vogël deri në atë moment,  po përpiqeshin për të gjetur disa vende për ti strehuar por ajo që ndodhi në atë kohë sidomos në vitin e parë ishte se këtu të gjithë hapën shtëpitë e tyre duke ofruar mikpritjen.

Në atë kohë ne përpiqeshin ti transportonim këta njerëz që vinin të rraskapitur pas tre ditësh  rrugëtimi ,  para komunave që shprehin gatishmërinë për ti strehuar por pas një ore nuk ndodhej askush para komunave, sepse familjet vendase i merrnin dhe i strehohin. Ishte një shembull i madh sesi mund të menaxhohej një krizë pa pasur akoma strukturat gati.

Në ate kohë kjo ishte një nga provincat më të varfëra të Europës dhe megjithatë ne ishim dëshmitarë të një shembulli të jashtëzakonshëm solidariteti.

Sot që më japin titullin e “Qytetarit të Nderit” këtu në Kukës, është e qartë se këtë titull duhet ta ndaj me të gjithë ata që vepruan në atë kohë për të menaxhuar atë krizë.

Ky titull nderi na thotë dhe diçka tjetër, që kur në momente krize bashkohen forcat, gjenden zgjidhje. Ky titull është një tjetër urë  mes dy vendeve tona Italisë dhe Shqipërisë, dy vende që kanë marrëdhënie të ngushta miqësie, por që të ardhmen do të kenë mundësinë të bashkëpunojnë edhe ne fronte të tjera në raport me të tashmen.

Autoritetet shqiptare na kërkojnë që të mbështesim përpjekjet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe Italia është e bindur për të shtyrë në këtë proces. Kemi pritur më kënaqësi faktin që po ndërmerren reforma në këtë drejtim, reforma kushtetuese në drejtësi miratuar me unanimitet dhe tani shpresojmë që e gjithë kjo të konkretizohet. Kjo është shumë e rëndësishme për procesin e afrimit me BE.

Dikush ka bërë një krahasim mes solidaritetit që treguan shqiptarët 18 vjet më parë dhe popullit të Lampeduzes sesi po reagon sot.  Po sot komuniteti ndërkombëtar a ka reaguar siç reagoi 18 vjet më parë?
Le të themi që në atë kohë komuniteti ndërkombëtar reagoi më mirë, sot jo të gjithë reagojnë kështu. Brenda BE sot ka vende që nuk duan ti përgjigjen detyrimeve që kanë, edhe në kuadër të emigracionit të detyruar .

E pamë seç ndodhi vitin e kaluar me të ashtuquajturën krizën e refugjatëve, rruga ballkanike, kanë ardhur në Europë rreth një milionë njerëz duke kërkuar azil por disa shtete e nxorën veten jashtë, refuzuan të bënin pjesën e tyre madje duke vendosur mure dhe pengesa. Kjo është e kundërta  e asaj sesi duhet trajtuar në mënyrë të mençur një fluks emigrantësh.

Europa nuk mund ta pranojë këtë sjellje, sepse kjo është e kundërta e DNA së Europës, që bazohet mbi respektimin e të drejtave themelore të njeriut.

Nëse Europa ka sot diçka ndryshe dhe më shumë se kontinentet e tjera është pikërisht kjo, është vendi i të drejtave themelore të njeriut, të shtetit të së drejtës dhe mos respektimi i këtij principi është diçka që dëmton rëndë reputacionin e kontinentit tonë.

Kështu unë shpresoj që Komisioni Europian të aktivizojë disa mekanizma që kërkojnë respektimin e obligimeve edhe ligjore të solidaritetit pasi nuk kemi të bëjmë vetëm me aspektin moral dhe etik por edhe atë ligjor përsa i përket këtij solidariteti.
 
Ju si grua keni qenë e para protagoniste e shoqërisë civile në një fushate të madhe humanitare, sot jeni protagoniste e një tjetër beteje ne fushën e politikës, Cila është më e vështirë sipas jush të përballesh më një emergjence humanitare apo të tejkalosh paragjykimet edhe të një vendi si Italia?

Një emergjencë humanitare mund të përballohet në shumë mënyra, dhe është politika që bën ndryshimin. Nëse politika është largpamëse ajo krizë zgjidhet në një mënyrë të caktuar, nëse politika nuk është largpamëse zgjidhet në një mënyrë tjetër që mund të kthehet në një shkatërrim të vërtetë. 

Kështu që është e rëndësishme që kjo temë të trajtohet në mënyrë sa më largpamëse sepse në botën e globalizuar sot është e pamundur të ngresh mure për të zgjidhur problemet sidomos kur kemi të bëjmë situata të detyruara.

Ndaj mendoj se roli i politikës është përcaktues për të dhënë përgjigjet e duhura dhe sipas meje përgjigjet e duhura vijnë nga bashkëpunimi i mirë mes shteteve, sidomos mes vendeve të Bashkimit Europian.

Tema e emigracionit është një nga ato tema ku nëse bashkëpunojmë të gjithë dhe me përgjegjshmëri do të arrijmë ti japim një përgjigje, në rast të kundërt ne do të humbim vërtet DNA tonë , identitetin tonë më të thellë, krahas faktit se nuk do ta zgjidhim këtë problem.
 
Meqënëse jemi duke folur për aktualitetin para se të kthehemi tek kujtimet, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s iu kthye apelit për riarmatim , për të rritur buxhetin për armatimet pasi fryjnë sërish erëra lufte, ndoshta të Luftës së Ftohtë, Ju si e shikoni këtë situatë ndërkombëtare?
Situata ndërkombëtare është padyshim shqetësuese, ka shumë tension, fryjnë erëra lufte në jug, në lindje, por për këtë unë mendoj shumë tek diplomacia dhe tek ‘soft power’, pushteti i butë, pra zgjidhja e problemeve nëpërmjet dialogut përpara se të jetë shumë vonë.

Kemi parë që luftërat kurrë nuk çojnë në zgjidhjen e problemeve, përkundrazi luftërat i përkeqësojnë problemet dhe krijojnë shumë vuajtje te popujt.

Kështu që unë uroj që edhe kësaj radhe të prevalojë buonsens i që vjen edhe për faktin se ne sot i përkasim familjeve më të zgjeruara dhe duhet  të mos kthehemi pas, sepse të qënurit aleatë ka qenë një mënyrë për të garantuar paqen.

Vetë Bashkimi Erupian ka lindur nga nevoja për paqe dhe stabilitet dhe për 70 vjet ne nuk kemi pasur konflikt në Europë, pikërisht sepse kemi qenë të bashkuar në një familje të përbashkët.

Sot mendoj se ne duhet përpiqemi të frenojmë tendencat nacionaliste, izoluese sepse është kjo që çon tek konflikti. Nacionalizmi sidomos kur është i dëshpëruar me tonë të nxehta është parakusht për përplasjen pasi ka gjithnjë një pretendim për superioritetin mbi tjetrin.

E kemi parë mirë këtu në Ballkan se çfarë ishte hyper-nacionalizmi dhe ne nuk mund të mos nxjerrim mësime nga kjo e kaluar shumë e afërt. 

Në këtë moment ajo që duhet të bëjmë është të punojmë për dialogun, për të zgjidhur ato nyje që ekzistojnë ende. Kryeministri Rama ishte në Beograd ku takoi kryeministrin Vucic.

Këto takime janë të rëndësishme për atë që ka qenë e kaluara por edhe për perspektivën. Kështu që të gjithë ne duhet të punojë në tryezat ndërkombëtare derisa të arrihet kapaciteti për tu njohur dhe respektuar me njëri-tjetrin.
 
Çfarë gjetët ndryshe në Kukës në krahasim me 18 vjet më parë?
Mbi të gjitha rruga, rruga për të ardhur këtu, më parë duheshin 7 orë rrugë torturuese, ndërsa sot është një superstradë shumë e bukur. Edhe këtu ku jemi, është e vështirë të gjesh sheshin e vjetër , kullën kushtuar pikërisht asaj faqe të dhimbshme.

Është e vështirë të njohësh atë qytet, që sot ka dhe një rol të rëndësishëm edhe administrativ në raport me atë që kishte në fund të viteve ‘90.

Kështu që unë mendoj se kjo rrugë dhe kjo reforme e re administrative territoriale të sjellë turizmin edhe në këtë rajon, sepse ky rajon është i pasur me bukuri dhe do ishte e rëndësishme të shfrytëzoheshin sa më mirë këto bukuri në respekt të natyrës sepse në fund të fundit turizmi lëviz kur është mundësia të shohësh vende të bukura dhe vendet janë të bukura kur respektohet esenca e tyre.

Më lejoni dhe një pyetje të fundit personale? Si e shikoni të ardhmen tuaj, një rikthim te angazhimet në shoqërinë civile apo sërish në politikë ku jeni? 
Unë mendoj se kur ndërmerr një rrugë është e rëndësishme të ecësh përpara dhe sot vlerat për të cilat unë jam e lidhur dhe kanë shënuar jetën time janë të rëndësishme të përkthehen në veprime politike dhe institucionale sepse sot këto vlera janë vënë në diskutim dhe unë do të vazhdoj të punoj që këto vlera të jenë esenciale për bashkëjetesën sonë civile

Punë të mbarë
Faleminderit


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Humbja e parë në karrierë, Florian Marku kërkon të përballet sërish me Chris Kongon: Po punojmë për këtë gjë, do fitoj

VIDEO/ Humbja e parë në karrierë, Florian Marku kërkon të përballet sërish me Chris Kongon: Po punojmë për këtë gjë, do fitoj