POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Bordet e administrimit të universiteteve publike duhen shkarkuar brenda ditës dhe të pezullohet sot funksionimi i tyre

Fakulteti Filologjik

Pse e argumentoj njerën nga 11 propozimet që kam bërë për zgjidhjen e krizës të rëndë të universiteteve shqiptare që po shfaqet, fatmirësisht, në këto ditë protestash studentore? Sapo studentë dhe organizata studentore më dërguan listën e personave që janë sjellë nga ana e dikasterit në bordet e universiteteve publike u ndesha para një të vërtete të hidhur. 

Shumica, pothuajse të tërë këta persona, me të cilët në vetvete nuk kam asgjë, janë ose nëpunës të Ministrisë të Arsimit, ose nëpunës të agjencive të saj (agjenci që mos qofshin) ose nëpunës të pushtetit lokal, apo figura politike të dorës së tretë a të katërt politike lokale të shumicës qeverisëse! 

Nuk është se nuk e dija këtë të vërtetë. Nuk ishte se e kisha lënë pa denoncuar këtë hidhërim, bashkë me kolegët e forumit të lirive universitare kishim kërkuar madje shkarkimin e përfaqësuesve të dikasterit në bordin e administrimit të Universitetit të Tiranës. Por, më kot! 

Por, kur pashë listën që kishte rënë në dorë të studentëve më erdhi një farë neverie. Si është e mundur bre! Si kemi arritur deri këtu? Çfarë turpi!!!

E para këta njerëz janë në konflikt të rëndë interesi. Këta duhen shkarkuar urgjent sot se nesër është vonë. Të shkojnë të bëjnë punën e tyre atje ku janë dhe të mos përzihen në administrimin e univesiteteve sepse mbajnë përndryshe përgjegjësi të rëndë. 

Një nëpunës ministrie edhe na qenka pjesë e bordit të një universiteti autonom edhe na qenka nëpunës i ministrisë apo i agjencive të saj (Agjenci që mos qofshin) që duhet të kontrollojnë apo vlerësojnë punën e këtyre universiteteve. 

Vetë ali dhe vetë kadi! Deri këtu që edhe nëpunës të ministrisë shkelin kodin etik minimal të nëpunësit duke pranuar privilegje të tilla monstruoze - nuk e kisha menduar. Ky është korrupsioni. Bashkë me korrupsionin universitar që përmend me të drejtë opinioni studentor. Ngjyerja e gishtit në mjaltin e korrupsionit filloka qysh te nëpunësit e agjencive dhe drejtorive të ministrisë. 

Çfarë duan pushtetarë lokalë nënkryetarë bashkish ta zemë si ai i Tiranës që të jetë në bordin drejtues të Universitetit të Tiranës. As në kohën e Enver Hoxhës nuk mund të ndodhte që nënkryetari i komitetit ekzekutiv që ta zemë merrej me ulluqet e qytetit të drejtonte edhe Universitetin e Tiranës. Deri në këtë poshtërim të UT nuk është arritur kurrë. 

Dhe pastaj terrenet e UT i përdor bashkia e Tiranës për parkingje!!! E kush do të ngrihet kundër kësaj? Antari i bordit që është nënkryetar i bashkisë!!! Cfarë komedie!!!

Pyes veten: Po këta nëpunësa ku janë marrë me administrim financiar universitetesh? Ku i kanë diplomat? Ku i kanë kompetencat? Për cfarë janë dorovitur për të qenë atje dhe për të na hypur mbi kokë dhe na lënë pa kokë financiare? Pse na kanë sabotuar? Për honorarin e majmë që marrin? 

Aman more ju ngelshin në fyt nuk u ngopët nëse vërtet merrni honorare dhe nga universitetet, merrni lekët e studentëve pa bërë asnjë punë? Lekë për mbledhje? 

Ku e gjetëm këtë model me borde? Po në universitetet e huaja ndodh të ketë borde por atje janë të besuarit e atyre që japin financime si privatë universiteteve, jo si këta tanët që vijnë me lugë në brez për të marrë! 

Konflikti i interesit si formë korruptive ja bën muuu !, pavarësisht se individi mund të jetë i pacënuar konkretisht në moralin e tij. 

Argumenti sipas të cilit ata qenkan garantët e mirëpërdorimit të parasë publike që i akordohet universiteteve ose është formë budallalliku mendor ose është djallëzi e madhe. Sepse shteti shqiptar ka agjencitë e veta që kontrollojnë financat e parasë publike dhe nuk e kontrollon ose e drejton apo e garanton politikën e vet financiare me anë individësh që nuk ka asnjë tagër, asnjë funksion, asnjë kompetencë për ta bërë këtë. Nëpunës që nuk kanë lidhje me financat në punën e tyre bëhen menaxher të financave të parasë publike!!!

Cfarë paradoksi që në mos qoftë një djallëzi që disa e kanë bërë ligjin për t'u shpërblyer vetë, ose si formë kontrolli e punonjësve të ministrisë ndaj universiteteve, është një keqadministrim që e prodhon ligji për arsim.

Ai ligj për arsim të lartë që është burimi dhe vegja e të gjitha të këqiave nga vuan arsimi shqiptar sot ose vegla që të gjitha horrlliqet ose dobësitë e tridhjetë vjetëve nuk i sheron dot, por i shton. 

Na ka marrë frymën ne universitarëve zonja ministre! Na ka bërë të bashkëjetojmë me paaftësi, korrupsion, keqmenaxhim dhe të kemi atë produkt që të gjithë e njohin. 

Duhen protesta studentësh që të dëgjohemi sepse kur flasim intelektualisht nuk mungojnë të na kundërvihen lloj lloj sahanlëpirësish që shpifin, ndyejnë nëpër gazeta, sepse po t'ua gërvisësh pak lëkurën gjen atje mashtruesin, hajdutin, spekulantin, trafikantin e titujve dhe gradave, përveç maskarain që në ditë të keqe të le edhe në baltë. 

Gjeni qoftë edhe një dokument strategjik për zhvillimin e universiteteve përkatëse në planin financiar që të mos jetë një pacavure, bërë nga këto bordet e administrimit! 

Do të gjeni vetëm raporte paçavuresh që të kallin datën! 

Kush e rrit cmimet dhe i vendos tarifat idiote që sapo u anulluan? Pikërisht këto borde! Këto borde nuk cajnë kokën për të ardhura tretësore, për rrogat mizerabël të pedagogëve, për gjendjen e varfër sociale të studentit në universitete, për infrastrukturën për ibret të universiteteve tona. 

Prandaj ligja që i ka konstituuar duhet të amendohet sa më shpejt. Shumë thellësisht. Këto borde janë sabotuesit e financave të univeriteteve publike! Që sot ato duhen suspenduar për t'u likujduar si të tillë në një kuadër tjetër ligjor. 

Niseni që këtj! Mos prisni kërkesa nga studentët zonja zëvendësministre që u bën thirrje në dialekt në televizion studentëve: Na sillni kërkesat tuaja! Merrni iniciativën jo si në një lojë pokeri, mos prisni sjelljen e atij përballë! Vetëm kështu studentët dhe universitarët do të besojnë në ndershmëri! 

Sa lekë u harxhuan nga bordet për ekipin anglez tejet të lodhur e të plakur që na monitoroi gjoja cilësinë? Cfarë cilësie seeeee! A e dini që janë lekë që dolën nga xhepat e familjeve shqiptare? Tregojeni sa lekë mori agjencia e huaj? Përse të mos bëhet transparente? Dhe çfarë rezultati ka sjellë kur studentët- sot janë në rrugë? 

Në borde janë edhe gjoja të dërguarit dhe përfaqësuesit e universiteteve! 

Një pjesë kolegë të nderuar! Por ata në vend të përcjellin në borde vullnetin e senateve universitare që u japin mandatet, pasi zgjidhen, jo që nuk pyesin për senatet, por kanë fuqi që edhe të refuzojnë vendimet e këtyre senateve! 

O Zot!!! Ata që kanë bërë ligjin a kanë bërë ndonjëherë ndonjë leksion teorie kushtetuese!!! A e dinë që ai që i delegon një mandat dikujt nuk mund t'ja delegojë atë në mënyrë absolute! Në vend të qindra kolegëve, tre ose katër syresh pasi zgjidhen antarë bordi nuk kanë më asnjë detyrë për të dhënë llogari dhe marrë mendimin e kolegëve apo senateve, por shprehin vetë vullnete individuale!!!

Një pedagog, se student po gjetët unë pres kokën, që të jetë pyetur nga bordelistët për strategjitë financiare, një sondazh të tyre po gjetët, një konsultim masiv në formë fushate po gjetët, do të më lumturonit! Dhe këto borde komandojnë gjysmën e administratës të universiteteve. Universitetet shqiptare janë bërë me dy administrata, njera drejtohet nga rektori e tjetra nga kryeadministratori që varet nga bordi. 

A keni parë institucion të çarë administrativisht më dysh?? Kjo është çudia e universiteteve dhe fakulteteve shqiptare publike një risi për të cilin Hobsi po ta merrte vesh do të ishte kthyer përmbys në varrin e tij. 

Pezulloni që sot funksionimin e bordeve zonja Ministre! Falenderoni anëtarët e tyre që përfaqësojnë dikasterin për punën e shkëlqyer që kanë bërë derisa ju sollën dhe na sollën këtu, në pikë të hallit, dhe futuni lehtë, fare miqësisht, sa për simbol, nga një shkelm në prapanicë dhe të ikin në punë të tyre!

Hapni dosjen për amendimin e ligjit për arsimin e lartë! Dhe do të gjeni mbështetje!

l.q.
Komento

Komente

  • Ilo: 10/12/2018 15:47

    Me nje fjale kur u bene zgjedhjet ne universitete perse nuk u degjua nje fjale per keta borde.

    Përgjigju
  • rezi: 10/12/2018 07:39

    Po mirë o Artan Fuga...ku ishe ti që 30 vjet që universitetet po degradonin nga dita në ditë? shumë mirë dhe tani, më mirë vonë se kurrë, por pse s'bëni dialog? Dialogu tek cadra sikur të pëlqente, por dialogu me qeverinë tani refuzohet. Nuk shkohet më me o realizo kërkesat ose hic. Ti ke mësuar Leninin prandaj thua o njëra o tjetra(kur them ti, them studentët) rrugë të mesme s'ka. Por Lenini fliste për pushtetin, jo për universitetet që janë kalbur, dhe ti s'je pak pa faj se ke vite që bën pedagogun që në kohën e socializmit. S'provove si bashkëstudentët e tu që shkuan nëpër rrethe, po direkt në katedër. Dialogu është mjeti më i mirë për të funksionuar demokracia, jo vetëm në mes pozitë-opozitë(opozitë i thënshin asaj në shqipëri) por në cdo marrëdhënje njerëzore dialogu ka rol të rëndësishëm. Edhe në familje, mes të rriturve e fëmijëve, në mes partnerëve. Dëgjohen palët, vendoset të zgjidhet ajo që vlen për familjen, dhe që nuk sjell pasoja negative. Dialektikën ti e di, ajo është e pranishme kudo, do apo s'do shoqëria shqiptare. sidomos parimi: ndryshimet sasiore cojnë në ndryshime cilësore, e këto ndryshime mund të jenë pozitive, por në rastin e studentëve janë negative. Atëherë? merr masa për t'i ndryshuar në të mirë të tyre. Por dialogoni o shqiptarë e mos shkatërroni!

    Përgjigju
    • Koment: 10/12/2018 20:28

      Problemi qe nge prof. Fuga, eshte mese i drejte. Keto borde jo vetem qe jane bere pengese per mirmenaxhim fondesh, por jane bere edhe burim konfliktesh me stafet akademike. Me e bukura eshte qe tentojne te marrin kompetenca qe nuk u takojne, deri edhe ne pjesemarrje projektesh, dhe mosperfillje te stafit akademik. Ky problem duhet zgjidhur menjehere..

    • neen: 10/12/2018 12:33

      Rezi, po te kesh qene i vemendshem, Artan Fuga, Marku dhe disa te tjere kane kohe qe flasin per keto probleme po nuk jane degjuar nga shumica. Kur ke shume halle ne vend, normalisht shume gjera qe thuhen kalohen pa i kushtuar vemendje. Kerko intervistat dhe ne A1 report ku flet Fuga per gjendjen e universiteteve muaj me pare. Shume gjera jane qe nuk funx po nuk jane degjuar!