POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Bota me sytë nga Torino, në 20:30 luhet derbi i Italisë Juve - Inter

Pamje nga ndeshja e mëparshme Inter-Juventus

Sonte bota e futbollit sytë i ka të drejtuara në Torino. Në 20:30 luhet derbi i Italisë Juventus-Inter. Një ndeshje që gjithmonë ka prodhuar spektakël, garë sportive dhe polemika pa fund ashtu siç u mbyll edhe dueli i fundit në prill të këtij viti ku Juvja fitoi 3-2 në “San Siro”.

Nuk është thjesht një Juve-Inter por edhe një sfidë brenda sfidës. Përballen për herë të parë me njëri-tjetrin Ronaldo me kapitenin zikaltër Mauro Icardi dy golashënuesit e skuadrave.

Bardhezinjtë kanë një ecuri perfekte deri tani me 40 pikë në 14 ndeshje 11 më shumë se zikaltërit dhe ndoshta për këtë fakt trajneri Max Allegri në njëfarë mënyre snobon sfidën e sotme: “Interi dhe Napoli mund të na konkurojnë për titullin pasi kampionati nuk është i mbyllur. Për mua më e rëndësishme është ndeshja në Champions pasi ndaj Interit luajmë thjesht një ndeshje ndërsa ndaj Young Boys shumë më shumë” e mbyll trajneri i kampionëve.

Sa i përket formacionit Alex Sandro mungon dhe do zëvendësohet nga De Sciglio ndërsa në sulm e sigurt është treshja Mandzukic, Ronaldo e Dybala.

Një test force është përballja e sotme për zikaltërit të cilësuar shpesh edhe si skuadra anti- Juventus. Trajneri Luciano Spalletti kërkon që zikaltërit të jenë skuadër për 90 minuta: ”Jemi një skuadër e fortë, për ne është një provë force. Juventusi nuk është vetëm Ronaldo pasi Chiellini mund të bëjë repart i vetëm” sqaron Spalleti.

Pritet Interi tipik i këtij sezoni ku Nainngolan nuk do jetë dhe mund të zëvendësohet me Joao Mario ndërsa Perisic, Icardi dhe Politano në sulm. Kompanitë e basteve favorizojnë dukshëm Juven por derbi i Italisë gjithmonë premton surpriza.

ke.mu.
Komento