Bujar Alimani rrëfehet pas triumfit në Varshavë: Çmimi, shpërblimi im për Tanin që s’jeton më

“Ky skenar nisi nga një regjisor, i cili tani nuk jeton më! Ne na bie kjo barrë e vështirë, për ta çuar amanetin e tij deri në fund. Jam shumë i emocionuar, por njëkohësisht edhe shumë krenar, që përballë veprës së Tanit do të punojmë të gjithë së bashku, që ta realizojmë këtë film me sukses. Kërkoj ndihmën tuaj! Jemi këtu për të bërë një punë fisnike, deri në fund. Fillim të mbarë…”. Këto ishin fjalët që regjisori Bujar Alimani mes emocioneve, tha në çak-un e parë të filmit “Delegacioni” në sheshin e xhirimeve në Mullez të Qafëmollës . Ne e takojmë sërish për kamerën e “Report Tv” kësaj here, si fitues të “çmimit të madh” në edicionin e 34-të të filmit në Varshavë.

Mendoj se ky triumf është shpërblimi më i mirë, që mund t’i bëj një koleg një kolegu tjetër, i cili tashmë nuk jeton më. Ky projekt përfundoi me shumë sukses. Ishte një gjë e jashtëzakonshme, nuk dija asgjë për çmimin, thjesht më telefonuan edhe më thanë se duhet që të shkoja direkt në Varshavë. Me një gëzim shumë të madh dhe me një ankth shumë të madh, se çfarë do të ishte ky çmim. Ishte e paimagjinueshme që të shkoja deri tek çmimi i madh, por anëtarët e jurisë ishin unanimisht për këtë film. Gjithë mënyra e trajtimit të kësaj teme i ka bindur ata. Mendoj se është një ngjarje e madhe për të gjithë ne, është një kthim koke, se kinemaja shqiptare ekziston edhe ekziston shumë e mirë.

Bujar Alimani, regjizor

 

Filmi ka në qendër ish të persekutuarit, por i flet edhe realitetit të sotëm...

Sigurisht që ne i jemi rikthyer skenarit, nisëm që ta qëmtonim, duke e bërë shumë më njerëzor, nisëm që të kërkonim se çfarë do të ishte më e mirë për të folur sot. Është pjesa e para ’90, edhe të rinjtë e lindur pas ’90-ës,që s’kanë asnjë lidhje me atë periudhë. Por unë mendoj se gjëja më evidente është mesazhi aktual që ka filmi. Kemi të bëjmë me një intelektual, që nuk bëhet vegël  pushtetit, por reziston deri në sakrificën kapitale. Mesa duket kjo flet. Përderisa populli vazhdon edhe jeton, nuk vdes as inteligjenca.

A vazhdojnë intelektualët shqiptarë, që të jenë të persekutuar?

E mendoj këtë! Duke biseduar me miqtë, pas ’90-ës një tenor i operës apo një aktor nuk kishin se çfarë të bënin. Prandaj inteligjenca jonë pas ’90 doli pothuajse jashtë loje, u desh pothuajse një periudhë e gjatë që ta rimerrte veten. Fakti që ne punojmë me buxhete kaq të pakta edhe arrijmë suksese kaq të mëdha, besoj akoma se inteligjenca shqiptare ekziston, nuk ka vdekur.

A është bërë sa duhet për këta ish të persekutuar?

Në planet e mija të filmit mbizotërojnë sekuenca ku të gjithë janë bashkë, në këtë mënyrë apo në tjetër jemi brenda dosjeve. Por mendoja që në vitin 1991 se kasta e të përndjekurve politikë do të merrte një rol shumë dominues në ecuritë sociale-politike, por nuk ndodhi kështu, ajo vazhdoi sërish që të jetë një elitë e persekutuar edhe e lënë në harresë, mendoj sërish se vazhdon që të jetë një kastë e persekutuar.

Pas çdo filmi është edhe bashkëshortja e Alimanit, por si producente..

Pas çdo projekti është producentja Tefta Bejko (bashkëshortja e regjisorit), mes nesh ka shumë diskutime, sepse është shumë kërkuese për filmin.

Si e ka ndihmuar Amerika, Bujar Alimanin, në punën si kineast?

Mendoj se më shumë ka ndihmuar vajzën tonë, e cila studion për regji. Ndërsa, ne vazhdojmë që të jemi emigrantë, nuk ka ndryshuar asgjë, përpiqemi që të kemi lidhje gjithnjë me Shqipërinë dhe me ëndrrat që kemi lënë. Vazhdojmë që të jemi emigrantë. Me Shqipërinë ruaj kontaktet, se këtu është nëna ime. Nëna është atdheu. Gjëja e parë që doja të bëja dje, ishte që të shkoja në Patos. Prandaj marrëdhëniet e mia me Shqipërinë, është mbi të gjitha marrëdhënia ime me nënën time.

E kur ministrja e Kulturës dhe Sporteve të Greqisë, Myrsini Zorba uron regjisorin Alimani për suksesin e tij në këtë festival të kategorisë A, ende nuk ka asnjë reagim nga ministrja jonë e Kulturës...

Kjo mbetet për të dëshiruar, sepse unë mendoj se për të qenë i vërtetë edhe për të mos u fshehur pas gishtit, mendoj se duke qenë aktiv në kauzën për mosshembjen e Teatrit Kombëtar ka ndikuar në këtë lloj ngrice mes meje edhe institucioneve përkatëse. Por kam pasur mbështetjen e jashtëzakonshme të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe të zotit Ilir Butka, i cili ka qenë gjithmonë në takimet që kemi pasur. Prandaj, çështja e institucioneve nëse të gjenden krah apo jo, nuk përbën ndonjë problem, se unë do ta vazhdoj që të bëj filma, qeveritë do të ndërrohen. Këto janë punët tona, unë kam rrugën time, ata kanë rrugën e tyre.

Por, cilat janë kërkesat për udhëtimin pasardhës të Bujar Alimanit?

Këto çmime të vënë edhe në një rrezik të madh, është e vështirë që të mbash stekën lartë, por qetësia edhe lumturia ime është që bind veten se: “Jam mirë deri tani”. Nuk kam rënë në një nivel që është shumë e lehtë që të biesh. Uroj që të mos ndodh! Shpresoj që të kem energji dhe të vazhdoj që të punoj.

Subjekti i filmit

Tetor 1990, regjimi komunist në Shqipëri po përpiqet të mbajë pushtetin. Një delegacion evropian vjen në Tiranë për të monitoruar zbatimin e reformave të qeverisë – një parakusht i madh që Shqipëria të pranohet në OSBE. Leo është marrë fshehurazi nga një burg i largët dhe është sjellë në kryeqytet. Ai ka qenë një i burgosur politik për 15 vjet. Tani ai është bërë jashtëzakonisht i vlefshëm për qeverinë. Delegacioni evropian udhëhiqet nga një shok i shkollës së vjetër të Leo’s. Detyra e tij është të kontrollojë progresin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Leo mund ta bindë atë se gjithçka është në rregull. Por asgjë nuk shkon siç është planifikuar.

Premiera e filmit “Delegacioni” do të jetë në muajin nëntor në Festivalin e Filmit në Tiranë ( TIFF).

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale