Gjatë takimit, dy ministrat konfirmuan vullnetin për të thelluar me tej marrëdhëniet dypalëshe si dhe për të dakordesuar një sërë marrëveshjesh që do të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për bashkëpunimin ekonomik dhe do të dinamizojnë ndërveprimin në fusha si turizmi dhe trajnimi profesional.
"Reformat tona shtet-konsoliduese kanë si fokus kryesor përforcimin e sundimit të ligjit në ekonomi. Ky është gur-themeli i programit tonë për më shumë zhvillim ekonomik, një klimë të përmirësuar për bizneset dhe një mjedis më të sigurt për investimet evropiane, përfshirë ato portugeze, në Shqipëri", u shpreh Ministri Bushati.
Bisedimet dypalëshe u ndalën edhe mbi ecurinë e proceseve integruese në Shqipëri dhe në rajon. Ministri Bushati e njohu homologun portugez mbi progresin e bërë nga Qeveria shqiptare në adresimin e pesë prioriteteve kyçe, ku finalizimi i reformës në drejtësi mbetet e një rëndësie parësore në funksion të hapit të radhës në procesin e integrimit të Shqipërisë. "Dëshiroj të falënderoj Qeverinë e Portugalisë për mbështetjen e pandryshuar në avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë ", tha Ministri Bushati.
Ministrat shkëmbyen gjithashtu mendime në lidhje me situatën në rajon, krizën e refugjatëve, efektet anësore të kësaj krize për BE-në dhe vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe sfidat e sigurisë, duke ndarë mendimin mbi nevojën për një koordinim edhe më të ngushtë në përballimin e tyre. Në këtë kontekst, Ministri Santos Silva u shpreh se "Shqipëria luan një rol kyç për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor".
Gjatë vizitës në Lisbonë, Ministri Bushati zhvilloi një takim me Kryetarin e Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme, Sousa Pinto ku pala portugeze u njoh me zhvillimet në vendin tonë, hapat e ndërmarra në procesin e integrimit evropian dhe kontributin e Shqipërisë në drejtim të forcimit të bashkëpunimit rajonal.
Një tjetër element i rëndësishëm i vizitës së Ministrit Bushati në Portugali ishte dhe ceremonia e inaugurimit të Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Rajonin e Lisbonës, e cila vjen të përforcojë rrjetin ekzistues të konsullatave të nderit në Porto dhe Madeira.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)