Buxheti i shtetit/ 9-mujori, investimet realizohen vetëm 88%, 30 mln € suficit

Buxheti i shtetit/ 9-mujori, investimet realizohen vetëm 88%, 30 mln € suficit

Ministria e Financave

Sipas ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të ardhurat e përgjithshme buxhetore si nëntëmujor këtë vit arritën në rreth 328.9 miliardë lekë, me një realizim në masën 97.9 për qind të planit të periudhës. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, ky zë ka rezultuar 2.8 për qind më i lartë, ose rreth 8.8 miliardë lekë më shumë.

Nga ana tjetër, në të njejtën periudhë të vitit 2018 shpenzimet e përgjithshme buxhetore arritën në rreth 325.2 miliardë lekë, me një realizim në masën 96 për qind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ky zë ka rezultuar 0.8 për qind më i lartë, ose 2.6 miliardë lekë më shumë.

Diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve ka qenë pozitive, duke bërë që buxheti të përjetojë një suficit prej rreth 3.67 miliardë lekësh, ose afro 30 milionë euro.

Investimet si nëntëmujor kanë arritur një realizim në masën rreth 43.8 miliardë lekë, vetëm 88 për qind në raport me fondet e planifikuara për këtë periudhë. Në këtë mes, projektet e investimeve me financim të brendshëm kanë shënuar një realizim në masën rreth 26.8 miliardë lekë ose 87 për qind të planit të periudhës, ndërkohë që ato me financim të huaj kanë shënuar një realizim në masën rreth 16.5 miliardë lekë ose 89.5 për qind të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, ky zë është 5.9 për qind më i lartë ose rreth 2.4 miliard lekë më shumë.

Sa u përket shpenzimeve të tjera buxhetore, shpenzimet për pagesën e papunësisë për 9-mujorin e vitit 2018 janë realizuar në masën 82 për qind e planit të periudhës; shpenzimet për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë në masën 49.6 për qind ose 228 milionë lekë më pak kundrejt planit, ndërsa shpenzimet në favor të pushtetit vendor ishin 351 milionë lekë më të larta ose 0.9 për qind më shumë.

 

Borxhi

Në fund të muajit shtator 2018, Borxhi i Qeverisjes Qendrore u vlerësua në nivelin 1 mijë e 87,3 miliardë lekë ose 66% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Duke iu referuar deficitit buxhetor të planifikuar, parashikimeve të rritjes ekonomike dhe kursit të këmbimit, në fund të vitit 2018 borxhi i Qeverisjes Qendore në raport me PBB pritet të ulet me rreth 1 pikë përqindje krahasuar me vitin e kaluar. Niveli i borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm në raport me totalin e borxhit të qeverisjes qendrore janë përkatësisht rreth 54% dhe 46%, duke ruajtur pothuajse të njëjtat raporte me fundin e vitit të kaluar.

Ky nivel, që raportohet nga ana e ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është krejtësisht i njejtë me atë, të raportuar tashmë për fundin e vitit 2017. Por duhet theksuar se në atë kohë, ministria vlerësonte se borxhi i përgjithshëm i qeverisjes qendrore ishte i barabartë me 65.19 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa tani rezulton më i lartë. Kjo anomali mbetet për t’u sqaruar nga ana e funksionarëve të këtij dikasteri. Ndërkohë, sipas relacionit të Projektbuxhetit të vitit të ardhshëm, që tashmë ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë, qeveria po synon të ulë më tej nivelin e borxhit publik deri në nivelet nën 65 për qind të PBB-së në fund të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, shpenzimet e buxhetit për interesa të borxheve sa po vjen e po rëndohen. Kështu, gjatë periudhës janar-shtator 2018 ato janë vlerësuar në 23.3 miliardë lekë apo 186 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, shpenzimet për interesa të borxhit shtetëror janë rritur me rreth 1.7 miliardë lekë.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë