POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Ceremoni përkujtimore në Kapitol për senatorin John McCain

Pamje nga ceremonia e homazheve të senatorit John McCain

Zëvendëspresidenti i SHBA, Mike Pence, u bashkua me personalitetet e tjera në homazhet e së premtes për Senatorin John McCain duke thënë se ligjvënësi dhe heroi i luftës “i shërbeu një çështjeje më të madhe se vetja.”

Presidenti më kërkoi të vija këtu për t’i kthyer një borxh nderi dhe respekti një njeriu që i shërbeu vendit tonë gjatë gjithë jetës së tij, si në uniformë ashtu edhe në poste publike.

Zëvendëspresidenti i SHBA, Mike Pence

Qindra anëtarë të Kongresit ndoqën ceremoninë, përpara arkivolit në Kapitol, një nder që u është rezervuar vetëm 30 amerikanëve në të gjithë historinë e vendit. Arkivoli mbështetej mbi një katafalk prej druri, që u përdor për herë të parë në vitin 1865, për të vendosur arkivolin e presidentit të vrarë Abraham Lincoln. Ish kolegu republikan i senatorit McCain, udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch McConnell, tha se ky nderim është plotësisht i merituar për një njeri që i shërbeu vendit si ushtarak në rrethanat më të vështira.

Është e merituar që sot, afër fundit të udhëtimit të tij të gjatë, John të qëndrojë këtu, në këtë sallë të madhe, nën këtë kupolë të fuqishme, si heronjtë e tjerë amerikanë para tij. Tani që kjo valë e papërmbajtur i afrohet brigjeve të përjetësisë, ne falënderojmë Zotin që i dha këtij vendi senatorin John McCain.

Mitch McConnell

Presidenti Donald Trump nuk u ftua në ceremoninë e së premtes apo në funeralin që mbahet të shtunën, një vendim që është parë nga shumë njerëz si kritikë ndaj zotit Trump. Një grindje e hidhur midis zotit Trump dhe senatorit McCain, i cili ka qenë dy herë kandidat për president, nisi gjatë fushatës së kandidatit Trump në vitin 2016, kur ai e ironizoi senatorin për faktin që u kap rob gjatë luftës së Vietnamit dhe tha se për këtë arsye McCain nuk ishte hero lufte.

Në ceremoni foli megjithatë nënpresidenti Pence, ndërsa zyrtarë të tjerë të administratës ishin të pranishëm. Të pranishëm ishin edhe e veja e zotit McCain, Cindy, shtatë fëmijët e tij dhe nëna e tij 106-vjeçare, Roberta McCain.

Gjithmonë do të kujtojmë se John McCain i shërbeu vendit dhe se i shërbeu me nder vendit të tij.

Zëvendëspresidenti i SHBA, Mike Pence

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan e përshkroi senatorin McCain si “një nga shpirtrat më të guximshëm që ka prodhuar ndonjëherë Amerika”.Pas ceremonisë të së premtes, trupi i senatorit McCain qëndroi në Kapitol për homazhe nga publiku. Pranë arkivolit të mbuluar me flamurin amerikan qëndronte një roje nderi e Kapitolit.

Dy ish presidentë, republikani George W. Bush dhe demokrati Barack Obama, do të flasin në shërbimin përkujtimor të së shtunës në Katedralen Kombëtare në Uashington. Tre ish-sekretarë të përgjithshëm të NATO-s kanë bërë thirrje që selisë së re prej 1.4 miliardë dollarësh të aleancës me qendër në Bruksel t’i vihet emri John McCain. Pavarësisht se ishte senator i Shteteve të Bashkuara, ne kudo në Evropë mendojmë se John McCain III ishte një nga tanët, shkruanin ata në një letër për gazetën britanike The Times.

Në letrën e tyre, Anders Fogh Rasmusen, i cili shërbeu në postin më të lartë të NATO-s në vitet 2009-2014, George Robertson (1999-2003) dhe Javier Solana (1995-1999) e mbështesin propozimin me arsyen e forcimit të “unitetit transatlantik”. Në letër thuhet:

Si tre ish-sekretarë të përgjithshëm të NATO-s, ne besojmë se aleanca transatlantike është themeli i një bote të qëndrueshme, paqësore dhe të lirë. Pak gjëra e simbolizojnë këtë aleancë dhe përfitimet afatgjata nga lidershipi global amerikan, më mirë se jeta dhe puna e John McCain. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg konfirmoi se ai e kishte marrë kërkesën për t’i vënë emrin John McCain selisë së re të NATO-s.

Ky propozim do të studiohet me kujdes, tha zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescuin në një deklaratë. Zoti McCain humbi emërimin presidencial republikan ndaj kandidatit Bush në vitin 2000 si dhe zgjedhjet presidenciale ndaj Barack Obamës në 2008. Ish aviatori, i cili u burgos në Vietnam për më shumë se pesë vjet, do të varroset të dielën në kolegjin ku studioi, Akademinë Detare të SHBA-së në Annapolis të Merilendit.

Mekejni vdiq të shtunën e kaluar në moshën 81 vjeçare pas një beteje të gjatë me kancerin e trurit. Ish-nënpresidenti i SHBA, Joe Biden, të enjten e përshkroi mikun e tij të vjetër si një njeri që jetonte me një kod nderi, guximi dhe detyre për vendin e tij. Karakteri është fat dhe John McCain kishte karakter, tha zoti Biden në një ceremoni për 81-vjeçarin McCain në kryeqytetin e Arizonës Phoenix./VOA

a.me.
Komento