Chiti: Italia do rrisë mbështetjen
për integrimin e Shqipërisë në BE

Chiti: Italia do rrisë mbështetjen<br />për integrimin e Shqipërisë në BE
Marrëdhënie të qëndrueshme mes parlamenteve të Senantit Italian dhe Kuvendit të Shqipërisë lidhur me politikat evropiane, për të shkëmbyer përvojat e rrugëtimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, ka qenë qëllimi i vizitës së Senatorit italian, i cili është kryetar i Komisionit për Politika Europiane, Vanino Kiti, në Shqipëri.

Në intervistën ekskluzive për Report Tv, përballë gazetarit Artur Nura, Kiti shpjegoi dhe cilësinë e marrëdhënieve Shqipëri-Itali. Marrëdhëniet Itali- Shqipëri, nga ana e senatorit Kiti, janë cilësuar si shumë të pasura njerëzore dhe kulturore, ku vetë italianët në Shqipëri dhe shqiptarët në Itali janë ura e forcimit të marrëdhënieve.
 
Intervista
Cili është qëllimi i vizitës së delegacionit tuaj në Tiranë?
Qëllimi është për të pasur një marrëdhënie të qëndrueshme mes parlamenteve, mes komisioneve të senatit italian dhe kuvendit shqiptar në lidhje me politikat evropiane për të shkëmbyer përvojat dhe për të ndihmuar rrugëtimin e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
 
Me sa jam i informuar prej disa vitesh ka shoqata të miqësisë Shqipëri-Itali, nuk kanë qenë funksionale? 
Di që ka shoqata, komisionet e miqësisë parlamentare që janë komisione të rëndësishme, kanë një rol shkëmbimi dhe janë multisektoariale. Ky është një bashkëpunim thelbësor, por nuk është i mjaftueshëm në veçanti për rrugën që duhet bërë për në BE. Duke parë edhe miqësitë historike mes Italisë dhe Shqipërisë, antike dhe historike duam që të jetë edhe e stome dhe e ardhshme, duam që ky shkëmbim përvojash të mos jetë episodik por të jetë një shkëmbim mes komisioneve të senatit dhe komisionit të Parlamentit Shqiptar. Kjo mund të jetë shumë e dobishme, ne kemi përvojë të tille me vende të Bashkimit Europian si me Francën dhe Spanjën dhe duam ta vendosim edhe me vende që janë duke hyrë në BE. Kemi ndërtuar diçka të tillë me Malin e Zi dhe duam ta bëjmë edhe me Shqipërinë.
 
Kjo qeveri sapo hyri në zyrë foli për një strategji të zhvillimit të marrëdhënieve me Italinë në mënyrë sa më dinamike, kryeministri ynë vjen shpesh në Itali, sipas jush a ka funksionuar kjo strategji kundrejt Italisë? 
Nuk dua të jap gjykime për politikën e brendshme të Shqipërisë, nuk do tregoja respekt në këtë mënyrë, por mendoj se ka një aspekt të rëndësishëm në Itali. Me një qeveri të majtë si ajo që kemi unë jam i majtë, apo me qeveri të djathta, me Shqipërinë mbahet një marrëdhënie miqësie edhe mbështetje për integrimin në Bashkimin Europian. Mendoj se rrugëtimi europian edhe në Shqipëri pavarësisht nga qeveritë besoj se është një synim i përbashkët i të gjithë qytetarëve shqiptarëve. Marrëdhëniet në këtë drejtim mes dy vendeve janë rritur dhe po rriten në nivelin ekonomik, në nivelin e sipërmarrjeve që janë këtu, në sektorin e energjisë, mund të zhvillohen edhe më tej. Ka edhe sipërmarrje të shqiptarëve në Itali, mbi të gjitha qytetarët shqiptarë janë komuniteti i tretë i huaj në Itali, flasim për rreth 500 mijë qytetarë shqiptarë. Unë jetoj në Pistoia, im bir ka miq që janë shqiptarë, unë e kam parë me sytë e mi që ka të rinj shqiptarë që kanë ardhur atje dhe kanë punuar shumë, kanë ngritur sipërmarrje në fushën mekanike, në ndërtim, në përpunimin e drurit dhe ky është rrugëtimi që duhet fuqizuar.
 
Ka edhe një prezencë të madhe të studentëve shqiptarë në Itali të cilët përfaqësojnë shqiptarët në nivel intelektual atje...

Pikërisht kjo është një shifër tjetër, diçka tjetër që dua të theksoj. Shqipëria bashkë me parlamentarët të të dyja vendeve duhet ta konsolidojë këtë shkëmbim të studentëve që vijën tek ne. Duhet të letë edhe element të formimit teknik në mënyrë që bizneset të mund të rriten. Duhet të fuqizojmë shkëmbimet kulturore, afërsinë historike.
 
Unë e përkufizoj shoqërinë shqiptare si shoqëri filo-italiane dhe sigurisht duhet shtuar edhe mbiemri cilësor evropian,pra filo-europiane... 
Kemi interesin dhe mundësinë për ta shfrytëzuar këtë njohje dhe këto marrëdhënie mbi vlerat e përbashkëta dhe këto përvoja që kanë të bëjnë edhe me fushën e artit dhe të kulturës.
 
Meqë vizita juaj në Tiranë korrespondon me vizitën e kryetarit të delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, mund të themi që edhe vizita juaj ka qëllim të ngjashëm, sepse në fakt ai vjen edhe për të negociuar me palët kundrejt asaj që mund të quhet edhe krizë politike në Tiranë? 
Italia mbështet rrugëtimin dhe hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian ashtu siç mbështet edhe hyrjen e vendeve te Ballkanit Perëndimor sepse janë qytetarë europianë. Mund t’i japin një hov të ri Europës dhe ndërtimit të demokracisë europiane, aftësisë së Europës për të parë me vëmendje edhe drejt jugut dhe mesdheut, për këtë arsye ne e mbështesim këtë udhëtim, por natyrisht çdo vend duhet të bëjë pjesën e vet. Është e qartë që Shqipëria ka bërë progres, ka pasur përparim në fushën institucionale, ka aprovuar reformën në drejtësi. Është  në interesin e Italisë dhe të BE për të çuar përpara reformën në drejtësi e cila duhet të fillojë zbatimin në ditët e ardhshme.
 
A mund të themi që meqë po realizoni takime me komponentë të fuqishëm të politikës shqiptare dhe meqë tashmë kemi një instrument krize të caktuar politike ju po  jepni kontributin tuaj ndaj zgjidhjes së saj?
Kam pasur takime me zëvendëskryetarin e Komisionit të Integrimit Europian, zotin Balla, pastaj me Kryetarin e Parlamentit dhe Ministren e Integrimit Europian. Kam pasur takim me deputetët e Komisionit të Miqësisë dhe natyrisht kemi disktutuar edhe për këtë temë. Nuk është një temë që i mbivendoset vullnetit të Shqipërisë. Shqipëria ka vendosur të hyjë në BE, tani Parlamenti duhet të jetë konsekuent dhe ta çojë para këtë vullnet. Kjo e përforcon rrugëtimin drejt BE dhe zërin që Italia mund të ketë dhe do të ketë në këtë rrugëtim.
 
Unë si gazetar mund të them që shoqëria shqiptare pret përgjithësisht shumë nga Italia, kundrejt zhvillimeve këtu e mendon Italinë me një rol shumë specifik dhe shumë dinamik në Shqipëri. Thashë shoqëria shqiptare sepse ka një diferencë mes saj dhe klasës politike, ju e keni vënë re këtë diferencë?
Është e vështirë për mua ta vlerësoj duke qëndruar vetëm një ditë në Shqipëri, por të gjithë më kanë thënë në takimet që kam pasur se opinioni publik, qytetarët e Shqipërisë, pjesa më e madhe kërkojnë hyrjen ne BE. Është një orientim që nuk mund t’i lërë të pandjeshme forcat politike mbi të gjitha kur këto forca me afrimin e zgjedhjeve do të kërkojnë mbështetjen dhe votat e njerëzve. Përsa i përket mbështetjes së Shqipërisë ka mundësi që mund të bëhet edhe më shumë  por është e domosdoshme që Shqipëria ta çojë përpara këtë rrugëtim që ka ndërmarrë. Bashkëpunimi parlamentar mes Senatit dhe Parlamentit mund të na japë stimulim të mëtejshëm për të caktuar edhe ato aspekte ku mund të punojmë më fort, sepse jemi dy vende fqinje dhe mike. Dhe e ndiejmë nevojën më shumë se vendet e tjera, jo sepse jemi më të zot por se mjafton të shohim hartën gjeografike dhe historinë. Ne e ndiejmë ndoshta më shumë se të tjerët se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit duhet të jenë në BE dhe duam ta mbështesim këtë rrugëtim me sa më shumë efikasitet.
 
Duke konsideruar edhe vizitën tuaj në Tiranë a mund të themi se në Romë tashmë ka një strategji më të vendosur kundrejt Shqipërisë për ta mbështetur më mirë dhe më shuam atë në rrugën e integrimit dhe cila është axhenda juaj nga sot e më vonë kundrejt shkëmbimeve parlamentare shqiptaro-italiane? 
Përpos shkëmbimeve që përmendëm më parë, kryeministri ynë në kohën kur ishte ministër i jashtëm ka pasur takime të ndryshme në Shqipëri, ish-presidenti Napoletano ka qenë në Shqipëri dhe presidenti shqiptar ka qenë në Itali.  Është roli i qeverisë dhe roli i Parlamentit ne kemi përmendur me zëvendëskryetarin e Komisionit të Integrimit Europian një mundësi për të pasur një përfaqësi të komisionit shqiptar në Romë pas zgjedhjeve. Duam t’i japim periodicitet, njëherë të vijë Komisioni i Senatit në Tiranë dhe më pas në Romë për t’i dhënë vazhdimësi kësaj pune në mënyrë që të ketë një njohje sa më të fortë që të dallohen përparësitë dhe të punojmë bashkë për këtë qëllim të përbashkët.
 
Mund ta përkufizojmë që në Romë ka një impenjim më të madh kundrejt rrugës së Shqipërisë ndaj integrimit europian? 

Do të ketë një mbështetje gjithnjë e më të fortë të Italisë por duhet të ketë edhe një angazhim gjithmonë e më të madh të Shqipërisë përsa i përket zgjedhjeve që duhen bërë.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kryemadhi: Jam fajtore për djegien e mandateve! Më kërkohet ‘vrasja politike’ e Bashës, por s’e konsideroj

Kryemadhi: Jam fajtore për djegien e mandateve! Më kërkohet ‘vrasja politike’ e Bashës, por s’e konsideroj