Deda i Kalasë së Lezhës/ 
Nga Kastriot MARKU

Deda i Kalasë së Lezhës/ <br />Nga Kastriot MARKU<br>
Ai është 61 vjeç sot, me rrudha të lehta në fytyrë, tejet i qetë, gati në kufijt e së pabesueshmes, aq sa miqtë e tij të arkeologjisë e etiketojnë si “gjyshi Ded”. Kjo për shkak të ngadalësisë së të folurit dhe pleqnimit të kuvendit që nuk lë rast e shkas pa e treguar deri në kufijtë e një modestie tejet ekzotike tek shihet se më shumë dëgjon se sa flet.

Ky është Deda, restauratori që syve të tij të kulluar e duarve të tij të ngadalta nuk i shpëton asgjë. Kushdo që kërkon ta gjejë Dedën, nuk e gjen askund tjetër përpos se në kalanë e qyetit të tij: Lezhës. Ajo është shtëpia e tij e dytë për të. Del atje herët në pikë të mëngjesit e në të shumtën e rasteve kthehet vonë në darkë. Dita e tij e punës nuk është si tek të tjerët 8 orë, por 10 e 12 orë. Duket absurde, por është e vërtetë.

Absurde se kolegë të tij që punojnë si mirëmbajtës apo restauratorë të monumenteve, në pjesën më të madhe shënojnë emrin në bordoro në fund të muajit, për t’u takuar në bankomatin më të afërt me shtëpinë dhe nuk i sheh kush ndonjëherë në punë. Në jo pak raste përgjatë muajve të verës edhe në darkë vonë, ai del atje tek tëbana e tij në krye të qytetit, teksa bashkëqytetarët e tij shëtisin bregut të Drinit. Miqtë e telefonojnë për kafe e ai u lë takim në muzg.

Zbret ngadalë mendueshëm me cigaren që nuk e heq prej gishtave të tij të verdhë, që kanë marrë zgjyrën e skorjeve ai ajo që ngjitet përgjatë gërmimeve. Pushimi i tij është me kafen dhe gotën e rakisë, me të cilat trazohet e bezdiset vetëm kur i cicëron telefoni. Ai është restaurator, ciceron, punëtor i thjeshtë që nuk rri dot pa punë sa kohë që është aty në kalanë “e tij”. Fundjavat, ndonjëherë i kalon maleve në kërkim të rrënojave prehistorike e mesjetare.

Në një prej këtyre udhëtimeve, pak kohë më parë, zuri keq njërin gju dhe me rekomandimin e mjekut duhej të merrte pushim absolut. Po ku i rrihej Dedës. Mori mjë mushkë me qira dhe për një javë rresht investigoi malet e Kurbinit, ashtu i fashuar, pa pyetur e pa dëgjuar askënd, sepse ai nuk rri dot pa profesionin e tij që më shumë se profesion është pasion, pa të cilin jeta e tij nuk ka kuptim. Ky është Deda, kurbinasi i rritur poshtë këmbëve të Malit të Skënderbeut, e që  frymon tek vendvarrimi i Kryeheroit; punëtor, heshtak dhe i thjeshtë deri në përkormërinë e murgut mesjetar.    

Ded Margjoni (1957-). Shkollën fillore (1963-1967) e kreu në Skuraj, ndërsa ciklin e lartë të shkollës 8-vjeçare e kreu në Milot (1967-1971). Arsimin e mesëm profesional e kreu në Shkollën e Mesme Industriale në Rubik (1971-1975). Pasi kreu shërbinin ushtarak (1976-1978, si dhe një kurs 4 mujor për kimist, në vitet 1978-1979 filloi punë në Uzinën e Superfosfatit në Laç dhe në vitet 1979-1983, transferohet e punon si teknik metalurg në Uzinën e Bakrit, sërish në të njëjtin qytet në Laç, deri sa në vitin 1983 zhvendoset në Lezhë.

Ndërsa ishte në kërkim të një pune në qytetin e Lezhës, rastësisht duke i ndihmuar Frano Prendit, i cili përgjatë një eskpedite arkeologjike, një ditë aty tek memoriali i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, gjatë gërmimit nxori në dritë një skorje. Arkeologu tha se ishte skorje hekuri, ndërkohë Deda aty i vëmendshëm i tregoi se gjetja ishte metal prej bakri. Frano Prendi qeshi dhe kaq iu desh atij që t’a ftonte Dedën të punonte me ta. Pas një hezitimi të shkurtër, më t’u hapur një sektor gërmimesh filloi puntor definitiv si punonjës i mirëmbajtjes së monumenteve.

Punoi në grupin e punës në ekspeditat e zhvilluara në Lezhë në zbullimin e rrënojave të Lisus-it, fillimisht tek muret antike dhe memoriali i Skënderbeut, nën drejtimin e arkeologëve Frano Prendi e Koço Zheku, më pas me Petrika Lerën e Ilir Gjipalin, në kërkimet prehistorike. Prej asaj kohe e më pas punoi pa ndërprerje si mirëmbajtës i monumenteve në qytetin e Lezhës. Për shkak të kategorizimit si metalurg, klasifikohet si punonjës specialist restaurator anastiloze, duke qenë ndër të vetmit, për të mos thënë i vetmi në shkallë vendi, mbasi profesorët e tij të dikurshëm kanë ikur të gjithë nga kjo botë.

Metoda e anastilozës konsiston në restaurimimin e materialit arkeologjik duke ripërdorur po ato lloj materialesh që kanë ngelur në vend tek monumenti, pa i modifikuar apo pa futur material tjetër shtesë. Ka punuar në ekspedita kërkimore survei me arkeologë të njohur si Frano Prendi, Koço Zheku, Gëzim Hoxha, Luan Përzhita, Etleva Nallbani, Bashkim Lahi, me Rovena e Rudenc Rukën si në Antigone, Zgërdhesh, Petrelë, Apoloni, Sardë, Koman (Dalamacie) etj., me evidentimin e varrezave tumulare të zonës së Lezhës, kërkime në banesat qytetare dhe objektet e kultit, në ekspedita të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare si ato të Universitetit të Gracit, Institutit të Berlinit apo të Shkollës Franceze të Romës.

Gjithmonë ka punuar përmes metodës anastiloze, por pa u ndarë asnjëherë nga gërmimet në qytetin antik të Lisusi-t të tij të dashur në Lezhë. Ka kryer një seri vëzhgimesh periodike, thuajse të përvitshme vetjake në Pukë, Shkodër, Mirditë, Lezhë dhe Kurbin. Aktualisht është përgjegjës i mirëmbajtjes/restaurator i Kalasë së Lezhës.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës