POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Dekomunistizimi, piktorja Adriana Puleshi: Çdo vepër arti duhet të jetojë në liri e të ruhet si relike e kohës dhe e historisë

Piktorja e njohur Adriana Puleshi

Piktorja e njohur Adriana Puleshi nuk është dakord me bërjen e një ligji për dekomunistizimin e veprave të artit. Sipas saj, po e fute artin në slogane kalohet sërish nën ndikim e një shteti që të detyron me rregullat e veta si në diktaturë. “Nuk mund të zhbëhet as koha as arti që u bë. Është një art që duhet lënë ashtu siç është, sikur edhe koha të rrëfehet siç ka qenë.”, shprehet Puleshi në intervistën e saj për “Shqiptarja.com”

Cili është mendimi juaj për ligjin e dekomunistizimit të veprave të artit. A duhet çuar në parlament një ligj i tillë?
-Nuk jam dakord, sepse i bie që në kohën e demokracisë ka një censurë për atë kohë, për krijimtarinë që u bë në kohën e diktaturës. Ajo kohë ishte ashtu si ishte. Me orientimin ideologjik, ose me censurat, ose pa to, ai lloj arti u bë, dhe duhet ta lëmë ashtu siç ishte në atë kohë. Dhe ta shohim si pjesë të historisë sonë dhe të historisë kombëtare dhe të historisë së artit shqiptar. Ai art u bë me emocionet që patën artistët e asaj kohe, iu përkushtua jetës dhe njerëzve të asaj kohe, dhe nuk mund të zhbëhet, as koha, as arti që u bë. Është një art që duhet lënë ashtu siç është, sikur edhe koha të rrëfehet siç ka qenë. Ai lloj arti, nuk pengon artistë e sotëm të krijojnë me lirinë e plotë të bëjnë artin e tyre artistë njerëzit. Dhe aq më mirë dhe mund të krahasohet. Nëse ti e heq, e censuron apo e cungon, ai lloj arti humbet dhe s’ka me çfarë krahasohet. Duke  e censuruar ti e cungon atë. Dhe asnjë njeri nuk e di se çfarë është bërë kur e cungon, nuk ka me çfarë ta krahasojë realitetin e atëhershëm me të tanishëm.

Duke qenë edhe vetë piktore, ka disa tema butaforike, si gra montatore me muskuj, burra me përmasa vigane. Si do ta shihje dhe interpretoje veprën sot, dhe si mendon se e sheh dhe përjeton brezi i ri?
-Mirë është ta shohim siç ka qenë dhe secili të nxjerrë ato konkluzionet e  veta. Sepse çdo gjë është subjektive, po e fute artin në slogane kalojmë prapë nën ndikim e një shteti që të detyron me rregullat e veta, e të thotë që t’i bëjë kështu apo ashtu. Ndoshta nuk duhen futur në listimin e veprave të artit të gjitha, se ka pasur edhe plot butafori dhe budallallëqe. Për mua studentët e nxënësit duhet ta shohin se për mendimin e tyre nga ai lloj arti krijohet vetvetiu një distancë. Nuk mund të bëhet më ai lloj arti, ajo lloj kohe nuk kthehet më edhe të duash. Dhe më vjen çudi se të gjithë e dinë që edhe në atë kohë artisi i vërtetë ka ditur ta nxjerrë artin e tij nga ideologjia, ka ditur ta thotë bukur artin e vet, pavarësisht nga imponimi. Kështu që mua më vjen çudi që kërkohet kjo gjë.

Në ç’moshë e keni përjetuar ju vetë censurën, keni krijuar në atë kohë?
-Unë isha studente dhe në ’87-n mbarova studimet dhe pak a shumë nisi rënia e komunizmit. Kështu nuk kam pasur probleme me censurimin e madh.

Mund të thuash se çfarë mesazhi kanë përcjellë profesorët tuaj të asaj periudhe?
-Ata ishin artistë të vërtetë edhe pse jetuan atë periudhë. Ata nuk na ndenjën mbi kokë me një lloj diktature. Ata na kuptonin dhe na linin një lloj lirie, ku sigurisht nënkuptoheshin rregullat, po ne si  artistë i jepnin liri një zhvillimi të brendshëm.

Nëse marrim një shembull konkret, vepra e Vojo Kushit e Sali Shijakut qëndron si vepër arti në çdo kohë?
-Ku është e keqja. Ajo është një pikturë artistikisht e bukur, ekspresive, sepse Sali Shijaku e ka ndjerë atë lëvizje, atë temë në momentin emocional të aktit të këtij heroi. Vojo Kushi është një hero. Dhe duhet lënë aty si relike. Një pjesë e artist të diktaturës ndoshta nuk vlen fare. Një pjesë mund të rimarrë vlerë artistike. Lërini aty. Kjo është një periudhë që nuk duhet të kthehet kurrë në Shqipëri kam përshtypjen, por duhet lënë aty edhe si relike. Po u pastruan nga ideologjizmat gjithmonë fillon të hapet një gropë e zezë dhe çdo gjë do të thuhet se nis nga neve, por historia  e artit ka ndikuar shumë më përpara. Artisti i vërtetë ka dalë gjithmonë nga skemat e ideologjisë. Arti është shumëdimensional.

d.ba.
Komento