Dëshira Ahmeti: Roli i Donikës
amaneti i sopranos Nina Mula

Dëshira Ahmeti: Roli i Donikës<br />amaneti i sopranos Nina Mula
Sopranos së parë të Operës së Maqedonisë, Dëshira Ahmetit, i është besuar roli i Donikës, gruas së Skënderbeut. Ajo do të këndojë në operën "Skënderbeu" që do të ngjitet së shpejti në Teatrin Kombëtar të Operës në Tiranë. Ndërsa roli i Heroit Kombëtar i është besuar tenorit të famshëm amerikan Roy Stevens, sopranoja Ahmeti pohon se ariet e saj janë një shprehje romantike e dashurisë së Donikës për Skënderbeun. Ajo aktualisht është duke bërë provat në TKOB me regjisorin italian Carlo Saletti, i cili po punon me përkushtim për realizimin skenik të operës "Skënderbeu". Duket se fama e Skënderbeut në këtë 100-vjetor të pavarësisë u përket nga pak të gjithëve, i përket regjisorit italian Saletti-t, që e konsideron Skënderbeun si një "hero të Italisë dhe të gjithë Europës", sopranos Dëshira Ahmeti që e konsideron pjesën e gjakut të Arbrit dhe ndihet që i përket emocionalisht gjithë trupës së TKOB-it, sepse do të rikthejë pas kaq vitesh në skenë libretin e Llazar Siliqit e muzikën e Prenk Jakovës. Donikën, gruan e Skënderbeut, Dëshira Ahmeti e ka pasur ëndërr për ta kënduar. Opera "Skënderbeu" pritet të ngjitet në skenë e TKOB-it më 18 qershor. Ahmeti e magjepsur nga ëndrra që iu bë realitet, nuk mund të harrojë mësuesen e saj të dashur kur studionte në Tiranë, sopranon Nina Mula. Përmes kujtimeve dhe nostalgjisë Dëshira Ahmeti rrëfen si është jeta e saj koncertore "në shtetin mëmë" Shqipëri dhe çfarë diskriminimi përjeton në Maqedoni, ku "synohet që të shpërbehet kultura shqiptare"

Dëshira, ju kanë dhënë për të kënduar Donikën, gruan e Skënderbeut. Si keni pritur rolin?
- Rolin e Donikës e mora me shumë kënaqësi, si edhe këtë bashkëpunim tonin me operën e Shkupit dhe të Tiranës. Në radhë të parë është një opera shqiptare që ne shqiptarëve që jemi përtej kufijve na krijon një ndjenjë të veçantë si të thuash patriotike. Së dyti është një projekt shumë serioz dhe është fat për mua të jem në pjesën e kastingut me rolin e Donikës. Donika është një figurë e cila njihet për të gjithë shqiptarët e Diasporës. Shpeshherë e kemi parë tek filmi "Skënderbeu". E prita me një kënaqësi të veçantë, edhe me një lloj sigurie sepse sa herë kam pasur arie të ndryshme nga kjo vepër, profesorët e mi kanë qenë shpesh herë të kënaqur.

Përderisa ju kanë zgjedhur, dikush jeni, por në Shqipëri ende nuk ju njohim sa duhet?
-Unë kam mbaruar degën e Kantos në Akademinë e Arteve këtu në Tiranë. Kam një arsye më shumë që më bën ta dua rolin. Jam përgatitur nga zysh Nina Mula. Pas shkollës unë u shkëputa nga Shqipëria dhe u ktheva në Maqedoni, ku u punësova në Teatrin e Operës së Shkupit. Si një shqiptare e vetme në këtë institucion, unë vijova punën në operën e Shkupit. Atje përpiqem të bëjë një punë të madhe, një punë mjaft të vështirë për gjithë këto vite. Jam e vetmja shqiptare dhe falë punës më janë besuar disa role të mëdhaja në Operën e Shkupit. Megjithatë i arrij me shumë vështirësi. Problemet politike që kanë sjellë probleme te shqiptarët unë i kam përballuar me guxim, nuk jam tërhequr. Aty përpiqem të ruajë nivelin që krijova në Tiranë si studente dhe ta reflektojë në operën e Shkupit.

Ju përmendët problemet politike, cilat nga ato ju kanë prekur juve si artiste?
-Janë të njohura problemet në përgjithësi të shqiptarëve në Maqedoni. Por kur vjen prekja tek artistët, kur vjen prekja tek kultura, vjen prekja gjithandej. Ju e dini se ç'rëndësi ka kultura për identitetin e një kombi. Me një fjalë ka hyrë shumë thellë prekja. Problemi që duhet theksuar është se institucionet tona udhëhiqen nga maqedonasit duke u nisur nga drejtoritë e artit, nga ministria e kulturës. Nga ata varen projekte tona. Kjo s'do të thotë që shqiptarët vetë të lënë mënjanë institucionet kulturore duke mos kërkuar që drejtorët, ose drejtoritë udhëheqëse të jenë me shqiptarë. Këtu ne ngelim të diskriminuar. Politikanët duhet të kërkojnë të mbështeten shqiptarët, jo vetëm si individë, por si shoqëri që të jenë me të drejta vendimmarrjeje dhe drejtimi. Duhet që Ministria e Kulturës, Filarmonia e Operës, e kështu me radhë të jenë më të përkrahur.

Në rastin konkret në operën e Shkupit si punohet?
-Nuk punohet në Operën e Shkupit si në Operën e Tiranës. Duhet një punë me shumë sakrifica atje që të ruash kondicionin si artiste që në kohën që të jepet roli ta përvetësosh në kontekstin e duhur të zhvillimit. Me zor na bie radha për ndonjë projekt skenik, sepse kjo varet nga drejtuesit e institucioneve që janë maqedonas.

Mësuesja juaj Nina Mula ka kohë që ajo nuk është më midis nesh. Ju paskeni studiuar me nënën e sopranos së madhe Inva Mula?!
-Takimi i parë me zysh Ninën ka qenë në Akademi kur unë u pranova si studente nga jashtë. Vija nga Maqedonia dhe Nina Mula ishte pedagogia e vetme që kishte besim të madh tek unë. Ajo tha që "Dëshira do të bëhet këngëtare shumë e mirë. Kam besim në të, kam besim në guximin që ka" Këto ishin fjalët të zyshës. "Unë besoj në talentin saj dhe unë do të bëjë punë me Dëshirën. E marr si studenten time, sepse jam e sigurt që do të nxjerrë shumë nga Dëshira", tha ajo. Në këtë rast unë po ndjehesha jo e lumtur, por si njeriu më me fat që vija nga Maqedonia. Atje shkollimi ynë nuk ishte i nivelit që ishte në Tiranë. Duhet të kapërceja mangësitë dhe më ra fati që më mori në dorë një pedagoge që me të vërtetë kishte vlera të mëdha. Nina Mula ishte artiste e kompletuar, por duke lënë mënjanë që ajo ishte artiste në çdo hap, dua të them se ishte njeri i madh. Ajo më ftonte në shtëpinë e saj për të punuar. Duke qenë sa më afër zyshës e ndjeja si një nënë. Dhe më përmbushej kjo nevojë, sepse unë vija nga Maqedonia në Tiranë.

Kur ka qenë takimi i fundit me Nina Mulën?
-Në koncertin Gala "Marije Kraja" ku interpretova arien e operës "Mrika". Nina Mula u ngjit në skenë dhe më uroi. Ishte bashkë me bashkëshortin Avniun dhe në atë çast i tha Maestro Cikos: "Ma përkrah Dëshirën sepse gjithmonë e kam dashur. Është një studente me një ngjyrë të zërit që e dua shumë dhe është shumë premtuese. Prandaj mos ma lini Dëshirën të vetme, ftojeni edhe në projektet tuaja." Ky ishte takimi i fundit dhe unë e perceptoj sot sikur Nina Mula ende më përkrah dhe më mbron dhe sigurisht ajo që tha i ngjan një amaneti që e kanë çuar në vend me rolin e Donikës. Por nuk harroj kurrë fjalët që m'i drejtoi mua. "Vazhdo Dëshira, se ke vërtetë akoma punë, por do t'ia dalësh". Fjala e saj më ndjek në çdo hap të ngjitjes sime në skenë. Gjatë provave kam në kokën time vetëm mësimin e zysh Ninës.

Çfarë përmbajnë ariet e Donikës në këtë operë?
-Donika fillon me në arie të bukur, ku ajo shpreh shqetësimin dhe dashurinë me Skënderbeun. Është një dashuri që e shqetëson. Kënga nis e gëzueshme dhe dashuria shprehet nëpërmjet aries. Pastaj vjen Mamica. Ndërkohë kur futen në duet gjatë një feste ku ka atmosferë, Mamica mes një bisede të hareshme thotë "Është duke ardhur Skënderbeu dhe ti tani shprehja dashurinë". Donika druhet. Kishte dëgjuar fjalë se Skënderbeu nuk ishte një patriot ashtu si ajo e priste. Luhatej mes dashurisë dhe zhgënjimit. Kur e takoi e ndjeu atë dhe i thotë "T lutem, lajthitjen me ma fal! I thotë Skënderbeu "Për çfarë gabimi flet ti?!". I thotë kjo, "S'të kam kujtue për çlirimtar. Kam pasur një mendim të gabueshëm". Ajo do që ai që dashuron, Skënderbeu, të jetë edhe heroi i madh, patrioti. Në fund ata do të jenë bashkë.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale