Detyrimet financiare/ Ecuria e borxhit publik, shifra gati u dyfishua brenda dhjetë vjetëve

Detyrimet financiare/ Ecuria e borxhit publik, shifra gati u dyfishua brenda dhjetë vjetëve

Foto ilustruese

Borxhi publik i Shqipërisë arriti në 1.088 miliardë lekë (1.08 trilion) në fund të vitit 2017, sa 69.92% e Produktit të Brendshëm Bruto. Borxhi publik thuajse është dyfishuar në vlerë gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2007 borxhi publik shënonte 517 miliardë lekë. Për të njëjtën periudhë, borxhi publik i Shqipërisë është rritur edhe si raport ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 53.5 për qind e PBB, që ishte në vitin 2007, në 69.92 për qind në fund të 2017-ës.  Open Data Albania ka përditësuar të dhënat për stokun e borxhit publik të Shqipërisë. Stoku i borxhit të një vendi është totali i borxhit publik të emetuar brenda dhe jashtë vendit dhe që ende nuk është shlyer. Borxhi publik mund të emetohet brenda vendit dhe mbahet nga rezidentë (borxhi i brendshëm), ose jashtë vendit dhe mbahet nga jorezidentë (borxh i jashtëm). Të dhënat janë marrë nga Ministria e Financave. 

Interesant është dhe ndryshimi i strukturës së borxhit të shtetit shqiptar gjatë viteve. Të dhënat janë kumulative, pra stoku i borxhit të një viti përfshin totalin e borxhit të emetuar deri në atë vit. Stoku i Borxhit Publik të Brendshëm për vitin 2017 është 577 miliardë lekë ose rreth 2.8% më shumë se në vitin 2016, ndërkohë Stoku i Borxhit Publik të Jashtëm është 510.2 miliardë lekë. Borxhi i jashtëm publik është rritur me 1.1 % krahasuar me një vit më parë. Por nëse raportohet për të gjithë periudhën, borxhi i brendshëm dhe i jashtëm kanë një ecuri të ndryshme. Në raport me Prodhimin Kombëtar, borxhi i brendshëm në fund të vitit 2017 ishte më 1.17 pikë përqindje më i ulët se në vitin 2007. Kjo do të thotë se e gjithë rritja e borxhit publik në 10 vitet e fundit ka ardhur nga huamarrja e jashtme.

Niveli i borxhit të jashtëm publik është rritur me ritme të shpejta. Krahasuar me vitin 2007, stoku i borxhit të jashtëm është rritur me 3.45 herë në vlerë, ndërsa në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto ai është dyfishuar, nga 15.28 për qind që ishte në 32.81 për qind. Megjithatë rekordi i borxhit të jashtëm në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është shënuar në vitin 2015, kur ky tregues arriti në 34.38 për qind si pasojë e emetimit të eurobondit, por edhe marrjes së 700 milionë eurove kredi nga FMN dhe Banka Botërore në formën e mbështetjes buxhetore. Por pas vitit 2015, ashtu si stoku total i borxhit publik, edhe borxhi i jashtëm ka filluar të ulet si pasojë e politikës konsoliduese dhe angazhimeve të qeverisë për stabilizuar financat publike.

Rajoni
Deri dy vite më parë, Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi kryesonin në rajon për nivelin e lartë të borxhit publik, që e kalonte nivelin e 70% të asaj që prodhon ekonomia në një vit. Ky nivel konsiderohet i paqëndrueshëm për vendet në zhvillim dhe me konkurrueshmëri të ulët, pasi aftësia paguese e borxhit mbetet e ulët. Për këtë arsye institucionet ndërkombëtare ndërkombëtare rekomandojnë që për vendet në zhvillim borxhi të mbahet në nivelet e 40-50% të PBB-së. Ndryshe nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia kanë arritur ta ulin ndjeshëm këtë tregues në të njëjtën periudhë, duke e zbritur atë në 59% të PBB-së në tremujorin e parë, pra 10 pikë përqindje më pak sesa tek ne. Nga fqinjët, Serbia, brenda vitit 2017 e uli borxhin publik në 61.5% nga 71.3% të PBB që ishte më 2016. Serbia ishte vendi me nivelin më të lartë të borxhit publik në Rajon, por tani këtë renditje e kryeson Shqipëria.

Ministria e Financave e Serbisë ka argumentuar se raporti i borxhit të qeverisë ndaj PBB ra me afërsisht 10 pikë përqindje të PBB-së në vitin 2017. Më shumë se gjysma e kësaj rënieje ishte për shkak të vlerësimit të dinarit kundrejt euros dhe dollarit amerikan. Ndërsa performanca e fortë fiskale, e cila e çoi suficitin primar në gati 4% e PBB-së, ishte faktori i dytë i rëndësishëm për reduktimin e fortë të borxhit vitin e kaluar. Gjithashtu qeveria e Serbisë ka argumentuar se efektet e reduktimit të borxhit erdhën nga rritja ekonomike (3.5% më 2017) e ndihmuar nga inflacioni i ulët. Interesat e ulëta të borxhit dhe gjithashtu balanca primare pritet ta ulë borxhin e Serbisë edhe në dy vitet në vijim duke e çuar atë në fund të vitit 2019 në 55% të PBB-së.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet