Dokumentet e panjohura, ja si u pasurua me objekte Muzeu Kombëtar në 1923

Dokumentet e panjohura, ja si u pasurua me objekte Muzeu Kombëtar në 1923

Armët në Muzeun Kombëtar

Muzeu Kombëtar u krijua në vitin 1922, në bazë të një vendimi të Kongresit të Lushnjës. Përurimi i tij u bë një vit më vonë, në 1923, në ditën e përvjetorit të Pavarësisë.

Ishte një muze që lindëte nga asgjëja. Vështirësitë qenë të mëdha në të gjitha drejtimet. Një nga këto vështirësi qe edhe mungesa e objekteve. Një muze nuk mund të funksionojë pa objekte. Dhe gjetja e tyre ishte pikërisht një nga përpjeket e para. U shfrytëzuan të gjitha mundësitë, që nga dhuratat, mbledhja shtetërore e relikeve, si dhe ruajtja e tyre, organizimi i veprimtarive shoqërore në dobi të kësaj çështjeje, etj. Mbas gjerësisë së veprimit ishte piksynimi i menduar mirë: Muzeu do të paraqiste të gjithë jetën shqiptare, jo vetëm të sotmen, por edhe në kohërat e kaluara; jo vetëm kombëtaren, por edhe të huajën që kishte depërtuar në jetën e paraardhësve.

Ruhen mjaft shkresa zyrtare nga koha e hapave të para të Muzeut, të cilat ndriçojnë rrugëtimin më të lartë administrativ të shtetit shqiptar për koleksionimin e objekteve të kulturës materiale. Po paraqesim disa.

E para lidhet me kërkesën drejtuar Ministrisë së Punëve të Mbrëndshme për të grumbulluar, e dorëzuar në Muzeun Kombëtar gurët e varreve të përiudhës së pushtimit otoman. Dhe duke lexuar shkresën e kupton menjëherë gjerësinë e konceptimit real dhe historik të çështjes nga nëpunësit e lartë të administratës shtëterore.

1.MINISTRI E ARSIMIT

Degë: A

Landë:

Mbledhja e gurve të vorreve muhamedane.

Drejtimi:

Ministris së P. të Mbrëndshme

Tiranë

Konceptoi:

K Gurakuqi, (Firma)

Nisë me 11. IV. 1923

M. Basha, (Firma)

Tiranë, me 10 Prill 1923

Nji detyrë e muzeut komtar âsht qi të paraqesi shije të kohës së kalueme të ç’do epoke qi të jen, në dashtë e mire, në dashtë e keqe të két qenë.

Ndër vjetersit qi do të ruhen janë edha ato të sundimit ottoman. Komi shqiptar ka jetuem nën ket sundim për 500 vjet , prandej në popullin t’onë kanë mbetë shȇje të kulturës otomane si në jetë të përgjithëshme e private, ashtu edhe në jetën shpirtnore e lândore. Me fitimin e liris, Shqipnija âsht tue hjedhë poshtë zakonet e marruna, e do të vijë koha qi do të harrohen fare, por të bijt e këtij dheu e kanë për detyrë t’u tregojnë atyne qi kanë me ardhë, se si kanë jetuem e sunduem.

Rregullimi i planit të qytetit ka shkaktuem rrënimin e shum vorrevet, ndër të cillat kanë qenë gurë të ç’do brezi e qi gjinden rrugash pa ndonji kujdesje. Prandaj ju lutemi të mirren masat e nevojshme sa mâ parë për mbledhjen e për vendosjen e tyne në Muzen Komtar.

Shef’ i seks. A

Karl Gurakuqi”, (Firma)

Duke shfrytëzuar veprimet e Qeverisë shqiptare lidhur me çrmatimin e popullsisë dhe pasojat e këtij veprimi, Ministria e Arsimit iu drejtua me një shkresë Ministrisë së Punëve të Mbrëndshme, duke i sugjeruar që armët e grumbulluara të shqyrtoheshin nga një komision specialistësh lidhur me vlerën e tyre dhe ato të cilat do të paraqitnin interes historik t’i kalonin Muzeut Kombëtar. Dhe kjo më kujtoi një ngjarje interesante të vitit 2012, por, që për të mos prishur ecurinë e mendimit, do ta tregoj pas shkresës së mëposhtme. 

Armët në Muzeun Kombëtar

2.MINISTRI E ARSIMIT

Degë A

Landë:

Mbledhja e armvet të vjetra për Muzén

Drejtimi:

Ministris së P. të Mbrëndshme

Tiranë

Konceptoi:

K Gurakuqi, (Firma)

Nisë me: 11. IV. 1923

M. Basha, (Firma)

Tiranë, me 10 Prill 1923

Muzeu Komtar, në pjesën e tij ethnografike, do të paraqesi nji fytyrë të popullit shqiptar.

Populli i ynë luftar pat deri në këtë kohën e fundit armë gjithfarë lloji e gjithfarë sistemi, si pushkë të gjata (ltina, gjyverdare, karafile, shȇshane, kapaklije), pushkë të shkurta (calina, pistole), ashtu edhe pushkë të reja gjthfarësh të punueme e të stolisunna me ar e me argjant.

Çarmatimi i përgjithëshëm i popullit na ep rasën mâ të mirën për mbledhjen e tyne. Prandej jemi të mȇndimit qi të formohet komisjon muzeuer prej organizatorit të muzeut, prej njij nëpunsi të kësaj Ministrije, prej nji të Min. së P. të Mbrendshme e prej nji oficjeri, qi të caktojnë depon e armëvet të mbledhuna ato qi kanë nji vleftë muzeore.

Shefi i Seks. A.

Karl Gurakuqi, (Firma)

Kam patur mundësinë që të njihem me të gjitha armët e vjetra të muzeumeve të Shqipërisë, madje kam punuar edhe për restaurimin e një pjese të tyre, por nuk jam në gjendje të veçoj ato, që mund të jenë dorëzuar në vitin e largët 1923. Dhe kjo është thjeshtë një çështje dokumentacioni të munguar dhe asgjë tjetër.

E tani le t’i kthehemi ngjarjes së vitit 2012, të cilën premtova se do ta tregoj.

Po punonim për përgatitjen e Ekspozitës së Forcave të Armatosura, që do të përurohej më 4 dhjetor 2012, me rasin e 100 vjetorit të krijimit të ushtrisë shqiptare. Pasi morëm shumë armë zjarri dhe të ftohta nga muzeumet e Shqipërisë, pamë se duheshin edhe të tjera për të plotësuar sfondin historik të ekspozitës. Atëhere u dha mendimi që të kontrolloheshin depot e ushtrisë, ku mblidheshin armët përpara se të shkonin në Elbasan, e të bëheshin shufra çeliku. E filluam me depon në Mengel të Elbasanit. Shkuam si ekip. Në ekip bënte pjesë edhe Koço Gjipali, që i a thonte nga kjo punë. Atje kontrolluam në stivat e armëve, për të parë në se kishte nga ato që paraqitnin interes për ekspozitën. Qëndruam ndonja gjysëm ore dhe për gjysëm ore ndamë dymbëdhjetë armë shumë të rralla, që nuk i kishte asnjë muzeum i Shqipërisë, madje as ai i Gjirokastrës, si muzeumi më i rëndësishëm i armëve në Shqipëri.

Armët që zgjodhëm nuk ishin të rralla vetëm për nga pamja, por edhe nga historia e tyre. Përshembull gjetëm një pushkë të shkruar në anglisht dhe në turqisht. Ndoshta ishte njëra nga ato armë të tipit “Uinçester”, që aty nga fundi i shekullit XIX i porositi Turqia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të paisur ushtrinë e saj me armatim të ri dhe që patjetër e ka patur ndonjë ushtar turk që ka luftuar në Shqipëri, apo ndonjë mercenar, a zabit shqiptar. Riza Drishti shkruan në “Armët e kryengritësve shqiptarë”, se këto lloj pushkësh janë përdorur nga shqiptarët gjatë kohës së lidhjes së Prizrenit dhe të kryengritjeve në vitet 1909 , e deri më 1912. A mos është kjo pushkë një nga armët e mbledhura gjatë çarmatosjes së popullsisë, e për të cilat bën fjalë shkresa e 10 prillit 1923? Por kurrësesi nga një muzeum.

Të entuziazmuar nga zbulimi dhe nga dëshira për të pasuruar edhe më tepër ekspozitën dhe edhe muzeumet e Shqipërisë me koleksione që nuk i kishin, e biseduam çështjen me ministrin e atëhershëm të ushtrisë, z. Arben Imami. E mirëpriti, u dha edhe urdhëri, por erdhi koha e ndrrimeve qeveritare dhe kjo punë në atë kohë nuk u bë. Dhe vetëm këto ditët e fundit mësova se specialistët e muzeut të ushtrisë janë interesuar, kanë kërkuar nëpër depo dhe kanë marrë armatime të tjera, me të cilat kanë pasuruar linjën interesante të ekspozimit. Por kjo punë do vazhduar edhe më tej, për të pasuruar edhe muzeumet e tjerë me linjë historike, inventari i të cilëve është vetëm me disa rreshta.

E tani, le t’i kthehemi rrjedhës së shkrimit.

Duke shfrytëzuar të gjitha rrugët e mundëshme për pasurimin e muzeut me objekte, u mendua që të angazhoheshin edhe gratë, e për këtë u kërkua themelimi i një “Komiteti nderi zojash”. Shkresa e mëposhtme e tregon shkurt dhe qartë qëllimin dhe detyrën.

3.MINISTRI E ARSIMIT

Degë A

Landë:

Thirrje për nji Komitet zojash

Drejtimi:

Drejtoris së Zyrës se Shtypit

Tiranë

Koncep: Kgurakuqi, (Firma)

Tiranë, me 14 Prill 1923

Këtu bashkangjitun Ju dëgojmë nji thirrje për themelimin e njij Komiteti nderi zojash për t’i ndihmuem Muzeut Komtar, me lutje qi t’i a dërgoni shtypit shqiptar të mbrëndshëm e të jashtëm për botim.

Shef’i Seks. A

Karl Gurakuqi, (Firma)

…..e Zojusha qi banoni ndër kolonit shqiptare t’Amerikës, të Rumanis, t’Italis e kudo gjetiu, ndihmoni Muzeut Komtar! Dhuroni sende të motshme Muzeut të Juej, falni gjana të punueme prej dorës së kujdesëshme e puntore shqiptare. Muzeu do të bahet nji Muze Komtar! Aty ku të Ju mungojnë mjetet, silluni nga babat e juej, nga burrat e nga vllazënit qi keni e kërkoni ndihmë për nji vepër komtare, pse edhe Qeverija e Juej do të mundohet e do të ju përkrahet me të gjit ha mënyrët.

Merrni shënim e shkrueni shka të ndigjoni prej nanave e gjysheve të Jueja: mos pritni të mblidhni lojnat qi losin fëmijt e juej. Kurrgja mos të ju duket send i vogël, por shnonie në ndonji kartë e dërgoiani Ministris s’Arsimit, e cilla do të kujdesohet qi t’i përmbledhi të gjitha tok e t’i botojë n’emnin e Juej!

Tiranë, 12-IV-1923

Shef’i Seks. A.

Karl Gurakuqi”, (Firma)

 

Mirëpo “shqiptarizma” nuk ruhej vetëm në trojet e shtetit shqiptar, por edhe në troje të tjera të lëna jashtë teritorit shqiptar, apo në vende të tjera ku kishin emigruar shqiptarët. Me anë të një thirrjeje, që iu drejtua atyre, iu kërkua të ndihmonin në çështjen e mbarëvajtjes së Muzeut Kombëtar. Ja edhe dokumentacioni zyrtar:

4. “MINISTRI E ARSIMIT

Degë A

Landë:

Thirrje

Drejtimi:

Drejtoris së Zyrës së Shtypitnë

Tiranë

Konceptoi: Karl Gurauqi, (Firma)

Nisë me: 19. VIII. 1923

M. Basha, (Firma)

Tiranë, me 18 Gusht 1923

Këtu bashkangjitun kemi nderin të ju paraqesim nji Thirrje qi u kemi dërguem Bashkive Shqiptare n’Itali për mbledhje dokumentash e sende të vjetra për Muzen komtar, me lutje qi t’a botoni në numrin e afërm të Fletores Zyrtare.

SHEFI I SEKSIONIT A

Karl Gurakuqi, (Firma)

Degë A

Nr 17/34

Landë :

Thirrje për mbledhje dokumentash e sendesh të vjetra

Bashkivet: 1.Firmo, 2.Giorgio Albanese, 3.Vararizzo Albanese, 4.Cormo Albanese, 5.Abaschia, 6.Farneta, 7.Civita Albanese, 8.Ururi, 9.Centroreggio, 10.Faleonara, 11.Frassineto, 12.Contessa Entellina, 13.Mezzornzo, 14.Palazzo Adriano, 15. Barile.

Tiranë, me 11 korrik 1923

I nderti Kryetar i Bashkis në   ……….

Mbassi jemi tue organizuem Muzén Komtar, i cilli për popullin e ynë do të jet nji qortim e nji mësim dhe të hujvet do të i u paraqesi madhnin e fisnikin e gjakut t’onë, e pamë t’arsyeshme me i u sjellë vallzënve t’onë përtej Adriatikut, të cillët për me i shpëtuem zgiedhjes e për me ruejtë komin, kërkuene strehë në tokën mirëpritse italjane.

Ju lutemi nzehtësisht, qi të keni mirsin të mblidhni dokumenta e sȇnde të vjetra (n’orgjinal ose në kopje) qi të kujtojnë lumni e fatkeqsi, gëzime e dhimbje të races s’onë, e t’i a dërgoni Ministris s’Arsimit në Tiranë.

Dokumentat e sȇndet e vjetra –ftyra, libra, dorshkrime, mveshje, përdorse, armë, gurë, etj.-qi do t’i falen Muzeut (në qoftë se eksportacioni nuk asht i ndaluem nga Ligjët Italjane), kanë për t’u ruejtë në seksjonin e Muzeut “Koloni” e ç’do sȇnd ka me pasë emnin e dhuruesit në kujtim të përjetshëm të dashunis së tij për Atdhén e rrjedhjes së vet.

I sigurtë, i nderti Z. Kryetar, se zotnija e Juej keni me pasë mirsin me e interesuem bujarin e asaj Kolonije, Ju lutemi të pranoni ndiesit e mâ të madhit nderim.

SHEFI I SEKSIONIT A

Karl Gurakuqi, (Firma)

Kopistit:

Kopjoni 15 copë të kësaj qarkoreje, por sa të jet e mundun, mos i bani me kartë kopiative”.   

Ndërsa muzeu po rrugëtonte në përparimin e tij, kishte lidur problemi i objekteve të zbuluara nga gërmimet arkeologjike dhe mundësisë së trafikimit të tyre. Kjo shprehet qartë në një shkresë që Ahmet Zogu i a drejtonte kryeministrit të asaj kohe dhe që është botuar edhe në gazetën VATRA:

5.VATRA, e ejte 27 shtator 1934

 Një letër e mbretit drejtuar Kryeministrit

….Ministri i Arsimit të pregatisi pa vonesë projekt-ligjet e veçanta:

2.Mbi dokumentat e monumentat historike e kombëtare, që ruhen prej humbjes e shkatërrimit e të mblidhen kudo ku gjinden, mbrenda e jashtë Atdheut t’Onë: kështu fuqive të reja shkencore, të daluna prej popullit t’Onë, do t’u gatohet landa e studimit të historis s’Onë të vjetër e të re; nji kujdes i veçantë duhet t’i kushtohet kërkimeve arkeologjike dhe gjana të vjetra, prodhime të stërgjyshave t’Onë, që të ndalohet në mënyr ma kategorike qitja e tyne jashtë kufijve të Shtetit”.

Me sa duket, po nga kjo situatë, Ahmet Zogu udhëzonte zgjidhjen e çështjes së objekteve arkeologjike të zbuluara rastësisht në tokat private të fshatarëve. Ai udhëzon, se të gjitha objektet arkeologjike që gjinden nën tokë janë pasuri shtetërore dhe se zbuluesi duhet t’i dorëzojë ato në organet përkatëse shtetërore. Ato pastaj do të ngrenë një komision specialistësh të fushës, që do të bëjnë vlerësimin historik dhe monetar, por që “shpërblimi do të jetë modest”.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Petraqi: 18/11/2018 09:29

    Sot Muzeu Historik Kombetar e ka humbur ate qe ai perfaqeson. Ku eshte Salla e Socializmit? I mire apo i keq ai sistem brezi i ri duhet te dije se si ka ndertuar populli vepra qe mdonese shumica jane shkaterruar disa prej tyre si hidrocentralet apo hekurudhat jane akoma ne funksionim.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Masakra në Moskë me 143 të vdekur, Ankaraja: Sulmi i ISIS i pamundur pa ndihmën e shërbimeve të huaja

Masakra në Moskë me 143 të vdekur, Ankaraja: Sulmi i ISIS i pamundur pa ndihmën e shërbimeve të huaja