Edison Ypi në emision në Report TV:
Telefonuesit partiakë duhen ndihmuar

Edison Ypi në emision në Report TV:<br />Telefonuesit partiakë duhen ndihmuar<br>
Një nga publicistët më origjinalë të medias shqiptare sot për sot, Edison Ypi, ka nisur një bashkëpunim me Report TV si i ftuari i nderit për të komentuar në disa ditë të javës shtypin e ditës dhe bisedat me qytetarët në krah të gazetarit Andi Kapxhiu (nga ora 07:00 deri ne 8:30).

Ypi, i cili njihet për provokimet e tij ndaj shoqërisë shqiptare, për përpjekjet e vazhdueshme për të zgjuar e për të drejtuar qytetarët ndaj njohjes së vlerave më të rëndësishme të një shoqërie të civilizuar, përballet në emisionin e mëngjesit jo vetëm me komentet, pyetjet e telefonuesve, por shpeshherë me sharjet e papritura e sulmet e tyre.

Po si i përballon Edison Ypi këto? Me këtë intervistë të shkurtër po përpiqemi të kuptojmë diçka më shumë. Edison Ypi e ka nisur marrëdhënien e tij me Report Tv të Carlo Bollinos me emisionin e mëngjesit për të menduar një tjetër bashkëpunim edhe më të gjërë në të ardhmen.

Edison, pse zgjodhe Report TV?
Nuk e zgjodha. Unë vajta tek ai televizion dhe ai televizion erdhi tek unë vetvetiu, duke ecur secili në rrugën e vet. Insistimi i Carlo Bollinos dhe nazet e mia, u kombinuan në atë mënyrë që ky afrim ndodhi sa natyrshëm edhe domosdoshmërisht, si vjen dita pas natës, drita pas errësirës, pranvera pas dimrit.

Ndër faktorët kryesorë që ndikuan në afrimin me katedralen mediatike të cilën Bollino e ka ndërtuar tullë pas tulle me dorën e vet, ishte edhe ngjajshmëria mes ngrehinës në fjalë dhe ëndërrës time të kahershme për të ndërtuar vetë një gjë të tillë, por në rrethanat diktatoriale nuk qe mundur.

Tjetër faktor i këtij afrimi është dhe afascinimi apo magjepsja ime ndaj rolit pionieristik të Bollinos në Mediat shqiptare. Protagonistët e sotëm mediatikë e thonë hapur se; si bëhet lajmi, si faqoset gazeta, si merret intervista, e të tjera e të tjera, nuk i mësuan nga përvojat që në Shqipëri i solli Zëri i Amerikës, por Carlo Bollino.

A bezdisesh nga telefonues që nuk respektojnë etikën e komunikimit ?
Aspak. Përkundrazi, më zbavisin. Në një vend ku asnjë etikë nuk respektohet, dhe të katandisur aq keq sa kushdo që nis një punë, para se ta nisi i sillet rrotull si ta vjedhi, të japësh një kontribut sado modest që gjendja katastrofike të ndreqet sadopak, është kënaqësi. Telefonuesit, sidomos militantët partiakë, që bëjnë njëherësh dhjetë pyetje dhe po vetë japin tridhjetë përgjigje, nuk janë fajtorë, nuk janë shkak, janë pasojë. Brenda rrëmujës së përgjithëshme, viktimat e kakofonisë komunikative, kurrsesi nuk duhen injoruar apo braktisur. Duhen ndihmuar të dalin nga keqkuptimet e thella, sidomos lidhur me rolin dhe rëndësinë e ndarjes së pushteteve, të cilat gjatë pyetjeve të tyre i bëjnë lesh arapi.

Si arrihen këto ?
Dalëngadalë. Pse jo edhe duke duruar ofendimet dhe të sharat, që janë kostoja e sipërmarrjes së përmirësimit. Televizioni nuk është shkollë, por ka sigurisht edhe rol edukativ. Diçka duhet bërë. Nuk mund të vazhdohet me hipokrizinë e papërballueshme të falenderimeve reciproke pas rrahjes së ujit në havan gjatë bisedave sterile për ndere imagjinare që nuk dihet dhe as nuk kuptohet kush dhe pse i bëri, kush dhe pse falenderoi. Nuk ka në këtë mes asgjë të çuditshme, aq më pak të pamundur. Bota dhe Shqipëria janë përplot me njerëz të keqkuptuar, të çorientuar, të papërgjegjshëm. Mund të thuash për secilin veç e veç, e pakta që nuk është serioz. Por të gjithë të papërgjegjshmit bashkë përbëjnë gjënë më serioze që ekziston, bashkësinë njerëzore, të cilën nëse nuk e konsideron, nuk e përfill, nuk i bashkohesh, nuk e ndihmon, por i rri larg, bën gabimin më të madh, së pari ndaj vetes, pastaj gjithë të tjerëve.

A mund të ndodhi të tundohesh nga ndonjë zgjedhje tjetër ?
Kurrën e kurrës. As për arin e gjithë botës. As për llotarinë e Kinës. Edhe me ma fal TEG-un bashkë me rrethrrotullimin, Rrugën e Kombit me gjithë tunelet, krejt kafen e Brazilit dhe naftën e Mallakastrës.

(Intervistoi, Agida Koçi)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Trajneri Bledar Devolli 'kërcënon' Tiranën: Kukësi në Kupë nxjerr luanin

Trajneri Bledar Devolli 'kërcënon' Tiranën: Kukësi në Kupë nxjerr luanin