Ekskluzive/ Agolli: Dorëshkrimet
të m’i  botojnë kur të mos jem

Ekskluzive/ Agolli: Dorëshkrimet<br />të m’i  botojnë kur të mos jem
TIRANE- Shkrimtari i madh Dritëro Agolli rrëfen ekskluzivisht për tv "A1Report!", emocionet që ka pas marrjes së çmimit "Carlo Levi" në Itali.

Në këtë intervistë ai kalon edhe njëherë si nëpër skaner jetën e tij, sepse çmimi përkon edhe 82-vjetorit e lindjes së tij. Agolli rrëfen jetën që kur iku nga fshati Menkulas deri në çastin më mbresëlënës të karrierës së tij. Në një gjendje jo të mirë shëndetësore, shkrimtari thotë se vijon të shkruaj dhe ka në sirtar dhjetëra dorëshkrime, përfshi dhe rrëfimet nga jeta e tij...
 
I ngjizur bashkë me humorin, shkrimtari i madh Dritëro Agolli jo pak herë kërkon të fsheh emocionet duke bërë shaka të tilla si: “kam kënaqësi që e mora këta çmim, se ndoshta ky çmim ma shton frymëmarrjen, që kur të zbres e të ngjitem nga shkallët të mos thyej ndonjë këmbë...”.

E intervistuam pasi në shtëpinë e tij kishte mbërritur nga Italia trofeja e edicionit të 26-të të Çmimit Kombëtar për Letërsinë Carlo Levi” , ku u shpallën fitues në Itali autori shqiptar Dritëro Agolli dhe autorët italianë, Guido Conti dhe Enzo Vinicio Alliegro, si dhe francezi Andre Vauchez. Vetë Dritëro Agolli nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, ndaj çmimin e solli e bija Elona Agolli nga Italia në Shtëpinë e tij.

Dritëroi duket se arrin t’i mposht disa nga dhimbjet e moshës, por thotë se është ajo dridhja e dorës e ka mërzitur shumë, ngaqë ai shkruan ende. Shkruan ashtu me bojë dhe dorë të dridhur. Nuk heq dorë nga dorëshkrimet, pavarësisht se shkronjat krijojnë nga ato kaçurrelat mikroskopike. Ka shumë vepra të pabotuara dhe sipas parashikimit të tij do të ketë ende dorëshkrime edhe kur të mos jetë, që t’i botojnë të tjerët.

Shkrimtari Dritëro Agolli, në një intervistë për A1 Report rrëfen gjithfarë gjërash nga jeta, edhe që adoleshentë ka ngarë qetë, por vetëm për politikën aktuale nuk do të flasë, sepse sipas tij kjo i prish humorin dhe nuk ka lidhje me çmimin për të cilin ai ndihet i nderuar, sepse Karlo Levi është një personalitet për imazhin e të cilit Dritëro Agolli ndihet krenar. Në këtë 82-vjetor Dritëro Agolli, ish partizan dhe komunist, shprehet se ka reflektuar edhe për disa nga gjërat e kohës në të cilën jetoi, dhe i vjen keq që nuk është lexuar mirë Marksi...
 
"A1REPORT!": Ditëlindja juaj përkoi me çmimin kombëtar Karlo Levi, një çmim që ju jepet autorëve më të mirë  dhe ka motivacion “autorin e lidhur ngushtësisht me traditën dhe rrënjët e tij, vendlindjen, krenarinë, origjinën. Si e pritët këtë çmim? 

AGOLLI: Unë e kam të vështirë të flas për vetveten. Unë si një i moshuar 82-vjeçar kam kënaqësi që e mora këta çmim, se ndoshta ky çmim ma shton frymëmarrjen që kur të zbres e të ngjitem nga shkallët të mos thyej ndonjë këmbë. Ky çmim, ndoshta më ndihmon për këtë, gjë, çmimi Karlo Levi jepet nga shoqëria Dante Aligieri dhe propozohet në çdo edicion dhe unë e mara në edicionin e 16-të. Karlo Levi është një personalitet i madh i njohur edhe në vendin tonë me librin e tij të famshëm “Krishti ndaloi në Eboli”,ku përshkruan gjendjen e mjeruar të krahinës së tij në kohën e fashizmit dhe me këtë libër mori famë. 

Por ai ka famë ta madhe nga ana tjetër, se ka qenë shkrimtar, piktor, publicist dhe aktivist i madh shoqëror që ëndërronte një botë pa mjerim e pa luftëra një antifashist dhe i dënuar me burg, pastaj i internuar në krahinat më të varfra të Italisë, dhe i njohur edhe si disident i papajtueshëm me regjimin. Kjo figurë mua më bënë që të emocionohem, se është vërtetë figurë e madhe dhe çmimi i tyre kombëtar është i madh, por ju jepet edhe shkrimtarëve apo publicistëve të vendeve të tjera.
 
I dashur Ditëro, juria duhet të ketë një pikë të fortë ku mbështetet për një çmim, cila mendon se ka qenë pika e fortë që u mbështet juria dhe iu referua për trofeun që ju dha?

Më vjen rëndë të flas për vetveten, por nga ana tjetër më vjen mirë që e njohën krijimtarinë time, sepse disa nga krijimet e mia janë të njohura në Itali si “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe një libër me poezi, një vëllim me tregime, etj. Dhe ata e vënë re që unë kam shkruar për jetën e njerëzve  të thjeshtë, por kam thumbuar edhe njerëzit mendjemëdhenj që e kuptojnë së prapthi përparimin e një vendi, që nuk beson në forcat e njeriut të thjeshtë të vendit. Unë jam vetë një fshatar dhe e dua shumë popullin dhe çmimin më të madh që e pres është ai çmim që do më jap toka. Ky është çmimi i padiktueshëm dhe pa juri; dy metro gjatësi dhe një metro gjerësi në tokë...
 
Dua t’ju komentoj diçka ju lutem. Ju e bëtë Devollin ta donte e gjithë Shqipëria. Ndoshta do të ishte harruar, ndoshta do të konsideroj si një fshat i zakonshëm i Shqipërisë. Duke marrë çmimin Karlo Levi, a bëtë për Shqipërinë atë që keni  bërë për Devollin?

Unë lindur në fshatin që quhet Menkulas. Në ata fshat kur isha adoleshent kam lëruar tokën. Isha mjeshtër i hedhjes së farës dhe i doja të gjitha kafshët dhe shpeshherë i përqafoja veçanërisht kuajt, lopët dhentë, bile edhe gomarët i kisha qejf, megjithëse thonë se gomari është veshgjatë, por ai është i mençëm se është paqësor.
 
Ju i doni kaq shumë natyrën, kafshët, jetën dhe megjithatë shkuat partizan. Nuk kishin frikë se mund të vriteshit?

Po atëherë ne të gjithë të moshës kemi shkuar. Ka edhe heronj në moshën time, ka qenë një hero i popullit nga Labëria më duket, Sinani e ka mbiemrin dhe ishte në moshën ime (e ka fjalën për Çelo Sinanin). Ne atëherë nuk shërbenim vetëm me armë, por shërbenim edhe për të çuar ndonjë letër, për t’u dhënë ushqime partizanëve, u tregonin udhën, bënin dhe propagandë...
 
Ju vetë çfarë u bindi që e morët këtë iniciativë?

Unë dy xhaxhallarët e mi i kisha partizan. Im atë, edhe ai, ishte kryetar i këshillit të fshatit dhe ishte i lidhur me lëvizjen. Kështu që unë s’kisha nga të vija tjetër, kështu që do të bashkohesha me ta. Megjithëse një kushëriri i parë i xhaxhait, kishte merak dhe thoshte “ik ti, mos rri këtu se do të vritesh, dhe ai është dëshmor dhe ra po në moshën time, dhe nëna kishte këtë frikë që të mos ndodh si atij djalit të mikut tonë. Mirëpo kur je në atë moshë nuk ke frikë, plumbi s’të duket gjë....
 
E pastaj le t’i kalojmë disa nga hapat e jetës suaj me shpejt.. Kur shkuat studentë në BS, si e fituat të drejtën e studimit?

Shiko si është puna. Kur isha në gjimnazin e Gjirokastrës unë isha në një rreth letrar. Ishin profesorë të shquar siç ishte Vehbi Bala, Fejzi Dika. Kishim Luigj Franjën që ishte nga Shkodra dhe ishte i ditur, por kishim edhe të famshmin Shaban Demiraj që ishte për gjuhë dhe ishte më i rrepti. Unë atëherë botoja në gazetat qendrore vjersha,  ose ndonjë artikull e tregim siç ishte “Zëri i Rinisë” dhe ishte edhe një “Letrari i Ri”, bëheshin konkurse kombëtare të letrarëve të rinj dhe unë mora një çmim të tretë. Sekretar i Komitetit Qendror të Rinisë më duket ishte Ramiz Alia dhe më dhanë një çmim të tretë. Në atë kohë u njoha edhe me Nasho Jorgaqin, se edhe ai mori një çmim të tretë për një tregim dhe ai studionte në Shkodër, e unë në Gjirokastër e kështu u kompletuam.

Dikush aty tha që ata të kryeqytetit i marrin me hatër këto çmimet e para, kurse neve na japin të tretat,  por në atë kohë unë kisha lexuar që më përpara Don Kishotin. Dhe, Don Kishoti si personazh i thoshte një poeti të ri: më mirë mos merr çmimin e parë se çmimi i parë është me hatër dhe duhet të marrësh çmimin e tretë. Dhe unë ngushëllohesha me çmimin e tretë sipas Servantesit. Në të vit që më doli  e drejta e studimit, erdhi Kareman Ylli ministër i Arsimit dhe dëgjoi për mua. Kishte lexuar plot shkrime dhe më tha: Çfarë do të studiosh? I thashë:-Veterinari. –Jo, -më tha ai, -do të vazhdosh për letërsi.
 
E kishe seriozisht që doje të bëheshe veteriner?

E kisha seriozisht, sepse isha nga fshati dhe atë shkollë pëlqeja, sepse krijimtaria letrare bëhet edhe pa shkollë. Dostojevski ishte inxhinier, Çehovi ishte mjek. Uitmani ishte tipograf.
 
I ndjeri Marash Hajati ka shkruar një libër. Shquheshit si djem të bukur të shkathët. A ka lënë ndonjë një gjë pa e treguar? 

Ka pasur edhe shumë gjëra të tjera që njeriu nuk mund t’i tregoj dot në një libër, por Marashi ka zgjedhur ato më pikantet dhe ka bërë një punë shumë të mirë. Mua nuk më kujtohet të jetë në atë libër, por ka plot humor atje edhe nga jeta jonë si studentë, por kujtoj një histori të vogël. Kishin një shok një kinez, më trazonte veshin dhe po ta përzije, ai prapë do të më ngacmonte dhe unë rrija indiferent. Një javë të tërë e bëri, u lodh dhe nuk e bëri më.
 
Po dashurinë e kujtoni në mënyrë më të shpeshtuar sot. Si u njohët me Sadijen. Besoj se sot kujtoni më shumë detaje?

Po kujtojmë më shumë hollësira. Atëherë të rinjtë kishin mundësi të njiheshin e të bënin dashuri, jo siç thonë sot që ishtë një vend që s’dinin të bënin dashuri. Populli ynë ka bërë dashuri që kur ka lindur. Folklori ynë pjesën më të madhe e ka me këngë dashurie: “O kjo anë e lumit ka bilbila shumë/Dale bandill dale, sa të rritem unë, etj. Kjo këngë ka dalë para 200 vjetësh; ose “Çfarë kërkon bejkë belaja, etj. kështu që rinia nuk ka qenë ashtu si e mendojnë sot..
 
Keni mbetur i njëjti Dritëro si karakter, por çfarë ka ndryshuar te Dritëro Agolli pas viteve ‘90?

Njeriu transformohet si çdo gjë në botë, por nuk zhduket. Edhe njeriu transformohet, është i ri bëhet plak, vdes, bëhet krimb...
 
Jo, jo, në pikëpamjen filozofike, por çfarë ka ndryshuar te Dritëroi si qytetar?

Kam ndryshuar, sepse unë tani mendoj më ndryshe. Shikoj më qartë gabimet e asaj kohe, si mund të mos ndodhte ashtu, si mund të behej një shoqëri me e përparuar dhe dua ta theksojë një gjë që nuk e citonin nga Marksi dikur dhe ju s’e dini, sepse ai ka thënë se “vetëm po të fitoj revolucioni, komunizmi në Amerikë dhe në Francë dhe në vende të tjera të përparuara, vetëm atëherë mund të fitojë, ndërsa kur bëhet në vendet e varfra nuk mund të fitojë. Kështu që edhe vetë Marksi e bën shumë të vështirë fitim e asaj ëndrre utopike në vendet e varfra. Unë e shikoj me syrin e kësja kohe atë që ndodhi në Shqipëri si një gjë utopiste që nuk dihej sesi do të zhvillohej më mbrapa. Gjithë këto gjëra që ndodhën kërkojnë një ndryshim. Sesi do bëhet nuk e di...
 
Është vënë re kohët e fundit një gjë që është jashtë natyrës tënde, një tërheqje nga opinionet për politikën. Sinqerisht, a mund të na thoni se çfarë po mendoni, së paku, për politikën aktuale?

Unë mendoj shumë, por tani nuk kam qejf të flas për këtë.
 
Nuk dëshironi të thoni as si po ecën qeveria e re në këto hapat e para?

Nuk kam qejf se s’kam fuqi dhe kam një temë tjetër atë të çmimit. Nuk e kam as humorin të kthehem tek politika.
 
Mirë, le të kthehemi sërish tek çmimi Karlo Levi. Na tregoni mbresat 

Unë nuk vajta se “këputa mish”, siç thuhet në gjuhën popullore në shtyllën kurrizore dhe akoma më dhemb dhe dërgova vajzën time. Ajo bëri përshëndetjen dhe erdhi në shtëpi.
 
Po a jeni duke shkruar ndonjë gjë të re?

Unë kam plot, plot  shkrime, por nuk i kam botuar. Kam një libër me poezi e kam të pabotuar. Ndoshta më vonë, ose kur të mos jem, t’i lexojnë të tjerët. Sot është çudi e madhe, shkrimtarëve nuk u gjen ndonjë dorëshkrim, të gjithë i kanë botuar, Unë kam edhe të pabotuara, që të thonë ja paska lënë edhe një dorëshkrim....
 
Pra, paskemi të bëjmë dorëshkrime interesante?

Ka. Po, kam një për jetën time. E kam e filluar, e kam lënë, shkaku sëmundja e gjëra të tjera. Por më pengon edhe dridhja e dorës. Më dridhet dora dhe në ka mërzitur shumë, dhe ajo më pengon.  Më thonë pse nuk shkruan duke folur që unë ta diktojë te një shkrues. Por unë kur shkruaj dua të ndjej erën e bojës, vetë dua t’i shkruaj. Madje ndonjëherë unë pajtohem me Cvajgun që shkruan për shpikjen se “që kur doli Gutenbergu humbi një pjesë të origjinalitetit”, që janë korrektorët, redaktorët...Kështu që unë kur shkruaj me dorë, nuk kam redaktor.
 
Shkrimi u publikua sot (13.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

I dënuar me 12 vjet burg për prodhim dhe shitje droge, arrestohet 40-vjeçari në Durrës

I dënuar me 12 vjet burg për prodhim dhe shitje droge, arrestohet 40-vjeçari në Durrës