Ekskluzive/ Akuzat e PD për Roshin dhe Doshin, Prokuroria e Përgjithshme për Report Tv: Kërkuam burg

Pas vendimit të gjykatës së Tiranës e cila dënoi me 60 orë punë ish kryebashkiakun e Kavajës Elvis Roshi për të cilin prokuroria kërkoi 7 muaj e 15 ditë burg, Partia Demokratike më 13 korrik nëpërmjet një deklarate për mediat akuzonte kryeprokuroren Marku se po falte personat e inkriminuar. “Partia Demokratike që në fillim ka bërë të qartë se emërimi antikushtetues i Prokurores Private Politike Arta Marku nga Edi Rama u bë për të shpëtuar nga burgu atë, ministrat e tij të korruptuar dhe kryebashkiakët e tij të lidhur me krimin e organizuar” shprehej PD.

Pas kësaj akuze, ReportTv iu drejtua zyrës së prokurorit të përgjithshëm nëse ka apo jo një reagim apo përgjigje. Në përgjigje të interesimit të ReportTv, Prokuroria e Përgjithshme nëpërmjet këshilltarit për media Denion Ndrenika sqaroi se “Ato që Ju, i emërtoni akuza, kurrsesi nuk i shohim si të tilla, por janë forma të nxitjes së debatit publik për çështje, të cilat për shkak të rëndësisë së subjekteve dhe mjedisit ku zhvillohen ato, janë bërë prej kohësh, pjesë e debateve politiko-mediatike dhe interesit publik’. 

Ndër to prokuroria e përgjithshme rendit si: çështja “Roshi”, ish - K/Bashkiaku i Kavajës, çështja “Doshi”, ish - deputet i PS, sot deputet i PSD-së, Tomë Doshi, çështja “Xhafaj”, vëllai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, çështja “Tahiri”, ish - Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri etj. Besojmë se këto forma debati absolutisht nuk cënojnë prokurorinë, por përkundrazi shërbejnë si katalizatorë të përmirësimit të vazhdueshëm të institucionit, si përsa i takon zhvillimit të aktivitetit profesional, ashtu dhe rritjes së besimit të publikut. 

Në shtjellim të përgjigjeve nëpërmjet këshilltarit për media kryeprokurorja ka sqarua se me “Paketën e re kushtetuese dhe ligjore ka kufizim maksimal të kompetencave të Prokurorit të Përgjithshëm, si në aspektin administrativ, ashtu dhe ne aspektin procedural. Tashmë, prokurori i çështjes është titullari dhe përgjegjësi i padiskutueshëm i hetimit të procedimit penal. Prokurori i Përgjithshëm, qoftë i përkohshëm, qoftë me mandat, nuk ka asnjë tagër të ndërhyjë në një hetim konkret apo të japë urdhra, udhëzime për cështje konkrete, përveçse udhëzime të karakterit të përgjithshëm të parashikuara në ligj’. Ndalur tek rasti “Roshi” prokuroria sqaron se atë dosje e ka hetuar prokurori Enklid Gjini i cili ka kërkuar shpallje fajtor dhe dënim me 7 muaj e 15 dit burg, por gjykata ka vendosur vetëm 60 orë pune në interes publik.

Po ashtu edhe në rastin “Doshi” prokuroria shprehet se hetimet janë kryer nga prokurore Elsa Miha e cila ka kërkuar dënim me 1 vit burg por gjykata ka dhënë pafajësi, pafajësi të cilën prokuroria Miha e ka apeluar dhe dosja ndodhet në gjykatën e apelit. Adresimin e cdo rasti në emër dhe pranë zyrës së prokurorit të përgjithshëm, znj. Marku e cilëson si një traditë 26 vjecare të centralizimit të këtij institucioni i cili sot ka ndryshuar rrënjësit duke theksuar se pa dashur ta cilësoj si adresime të qëllimshme. “Me kalimin e kohës, opinioni publik do kuptojë përgjegjësitë e secilit prokuror në ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjykim. Por, pavarësisht kësaj, ky adresim ndihmon që, me mekanizmat që Prokurori i Përgjithshëm ka aktualisht në dispozicion, të hulumtojë mbi rastet dhe të identifikojë përgjegjësitë disiplinore, nëse ka”.

E pyetur në lidhje me lirinë ku ndodhen ende të konsideruarit “peshqit e mëdhenj” përgjigja e prokurorisë së përgjithshme është “duam të theksojmë gatishmërinë e trupës së prokurorëve për të përballuar sfidat që janë përpara dhe në kuadër të proceseve integruese të vendit. Përfundimi i një procesi penal është kompleks, për vetë fazat që kalon, nga hetimi, gjykimi dhe ekzekutimi i vendimit. Në një proces penal ndër veprojnë shumë autoritete, pra kërkohen shumë vullnete për të patur një proces penal të suksesshëm. Këto vullnete fillojnë që në embrion të çështjes, me policinë gjyqësore, prokurorinë, gjykatën dhe agjenci të tjera ligjzbatuese-mbyll reagimin prokuroria e përgjithshme.

Përgjigja e plotë e këshilltarit për median Denion Ndrenika për Report TV
Përfitojmë nga rasti të shprehim konsideratën më të lartë për Ju dhe Median që Ju përfaqësoni dhe njëkohësisht ju sqarojmë për çfarë ju kërkoni në kërkesën e datës 16. 07. 2018.

Nisur nga akuzat më të fundit ndaj institucionit të Prokurorisë dhe Prokurores znj. Arta Marku nga subjekti politik Partia Demokratike. Ka institucioni juaj qëndrim apo reagim?
-         Lidhur me sa kërkoni, nuk e konsiderojmë reagim apo qëndrim i Institucionit të Prokurorisë apo Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, por çmojmë se është e rëndësishme të sqarohet opinionin publik në lidhje me disa çështje.

-         Ato që Ju, i emërtoni akuza, kurrsesi nuk i shohim si të tilla, por janë forma të nxitjes së debatit publik për çështje, të cilat për shkak të rëndësisë së subjekteve dhe mjedisit ku zhvillohen ato, janë bërë prej kohësh, pjesë e debateve politikomediatike dhe interesit publik. Të tilla janë cështjet që tashmë identifikohen me subjektet, si: çështja “Roshi”, ish -  K/ Bashkiaku i Kavajës, çështja “Doshi”, ish - deputet i PS, sot deputet i PSD-së, Tomë Doshi, çështja “Xhafaj”, vëllai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, çështja “Tahiri”, ish - Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri etj.

-         Besojmë se këto forma debati absolutisht nuk cënojnë prokurorinë, por përkundrazi shërbejnë si katalizatorë të përmirësimit të vazhdueshëm të institucionit, si përsa i takon zhvillimit të aktivitetit profesional, ashtu dhe rritjes së besimit të pubikut.

- Cila është pergjigja juaj se keni favorizuar dhe lehtësuar dënimin për ish kryebashkiakun e Kavajës Elvis Roshi. Cila është përgjigja se keni favorizuar me pafajësi deputetin Tom Doshi?
- Përgjigja e këtyre dy pyetjeve kërkon domosdoshmërisht një përgjigje për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në kuadrin e ndryshimeve të reja kushtetuese dhe ligjore.

Siç jeni në dijeni, ndryshimet kushtetuese të 21 - 22 korrikut 2016, reformuan tërësisht sistemin e drejtësisë penale. Kështu, prokuroria pësoi ndryshime substanciale përsa i takon organizimit administrativ dhe procedural. Nga një institucion i centralizuar është shndërruar në një institucion të decentralizuar plotësisht. Kjo mishërohet në nenin 148/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, shprehimisht:  Prokuroria është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale, sipas ligjit.

Neni 148/b i Kushtetutës parashikon kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm dhe disa prej tyre janë: përfaqëson akuzën në Gjykatën e Lartë dhe cështjet në Gjykatën Kushtetuese; nxjerr udhëzime të përgjithshme me shkrim për prokurorët, me përjashtim të prokurorëve të Prokurorisë së Posacme. 

Pas ndryshimeve kushtetuese janë miratuar një sërë ligjesh, si ligji nr 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, ligji nr 96/2016 “Për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve në RSH”, ligji nr 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë”, ligji nr 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligji nr 35.2017 “Për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”. Në nenin 25/ 2 të K. Pr. Penale parashikohet se “Në ushtrimin e funksioneve të tij, prokurori është i pavarur.”

Paketa e re kushtetuese dhe ligjore ka kufizuar maksimalisht kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm, si në aspektin administrativ, ashtu dhe ne aspektin procedural. Tashmë, prokurori i çështjes është titullari dhe përgjegjësi i padiskutueshëm i hetimit të procedimit penal.

Prokurori i Përgjithshëm, qoftë i përkohshëm, qoftë me mandat, nuk ka asnjë tagër të ndërhyjë në një hetim konkret apo të japë urdhra, udhëzime për çështje konkrete, përveçse udhëzime të karakterit të përgjithshëm të parashikuara në ligj.

Kështu, është në përgjegjësinë e secilit prokuror në RSH, në mënyrë krejtësisht autonome nga çdo autoritet tjetër, të zhvillojë hetimet, të përfaqësojë akuzën në gjyq, të ankimojë vendimet gjyqësore, të mbikëqyrë ekzekutimet e vendimeve penale etj. Autoriteti i vetëm që kontrollon dhe vlerëson veprimet e prokurorit në çështjet hetimore konkrete është gjykata.

Për t’u rikthyer te çështjet konkrete:
Prokuroria e Tiranës na ka informuar se në rastin “Roshi”, prokurori i çështjes Enklid Gjini, prokuror pranë Prokurorisë Tiranë, ka zhvilluar hetimin e rastit, ka ngritur akuzën “Falsifikimi i formularëve e stampave”, parashikuar nga neni 190/ 1 i K. Penal ndaj Elvis Roshit dhe ka përfaqësuar akuzën në gjykim. Në konkluzionet përfundimtare, ky prokuror ka kërkuar deklarimin fajtor të të pandehurit dhe dënimin me 7 muaj e 15 ditë burgim. Për pjesën e dënimit të mbetur pa vuajtur, prej 1 muaji burgim, prokurori ka kërkuar pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim në aplikim të nenit 59 të K. Penal. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka deklaruar fajtor të pandehurin Roshi për akuzën e ngritur si dhe e ka dënuar atë me 7 muaj e 15 ditë burgim. Në ndryshim nga kërkesa e prokurorit, pjesën e pavuajtur prej 1 muaj burgim ia ka konvertuar me punë në interes publik, sipas parashikimeve të nenit 63 të K. Penal.

Gjithashtu, prokuroria e Tiranës na ka informuar se në rastin “Doshi”, kjo cështje për shkak të kompetencës është endur nga gjykata e lartë në gjykatën e krimeve të rënda dhe anasjelltas dhe në fund është dërguar për kompetencë gjykimi në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Akuza është përfaqësuar nga prokurore Elsa Miha, prokurore pranë Prokurorisë Tiranë. Në përfundim të gjykimit prokurorja ka kërkuar deklarimin fajtor të Tom Doshit dhe dënimin e tij me 1 vit burgim. Gjykata, në përfundim të gjykimit, ka deklaruar të pafajshëm deputetin Doshi. Prokurorja Elsa Miha ka ushtruar ankim ndaj vendimit të gjykatës dhe çështja do shqyrtohet në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Sa më sipër, është qartësisht e dukshme se në asnjërin rast nuk ka ndikim të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm për lehtësim të dënimit të Roshit apo favorizim në pafajësinë e Doshit. Prokurori i Përgjithshëm, qoftë i përkohshëm, qoftë me mandat, nuk ka të drejtë të ndërhyjë në çështjet konkrete hetimore dhe aq më pak, në vendimmarrjet e gjykatave.

Adresimi tek Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm,  i këtyre çështjeve apo i çdo çështje tjetër konkrete hetimore, për të mos menduar së është i qëllimshëm, mendojmë se vjen për shkak të traditës prej 26 vitesh të një organi prokurorie tepër të centralizuar dhe me kalimin e kohës, opinioni publik do kuptojë përgjegjësitë e secilit prokuror në ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjykim. Por, pavarësisht kësaj, ky adresim ndihmon që, me mekanizmat që Prokurori i Përgjithshëm ka aktualisht në dispozicion, të hulumtojë mbi rastet dhe të identifikojë përgjegjësitë disiplinore, nëse ka.

-Cila është përgjigja juaj se të ashtuquajturit “peshqit e mëdhenj” mbeten të lirë?
Kjo është një pyetje shumë e hapur, por duam të theksojmë gatishmërinë e trupës së prokurorëve për të përballuar sfidat që janë përpara dhe në kuadër të proceseve integruese të vendit.

Përfundimi i një procesi penal është kompleks, për vetë fazat që kalon, nga hetimi, gjykimi dhe ekzekutimi i vendimit. Në një proces penal ndër veprojnë shumë autoritete, pra kërkohen shumë vullnete për të patur një proces penal të suksesshëm. Këto vullnete fillojnë që në embrion të çështjes, me policinë gjyqësore, prokurorinë, gjykatën dhe agjenci të tjera ligj zbatuese.

Nëse këto vullnete konvergojnë në interes të zbatimit të ligjit dhe të mirës publike, padyshim që do ketë hetime cilësore, gjykime cilësore dhe atëherë terreni i shkelësve të ligjit në liri do kufizohet.  

Faleminderit.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Loran shehu: 18/07/2018 22:39

    z Denion esht nje intelektual i vertet dhe njeri teper korrekt

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Basha akuzon se ka aleancë PS-Rithemelimi kundër SPAK, e besoni?



×

Lajmi i fundit

Spanjë, zbulohet një 'shtëpi bari' në Almeria, arrestohen 2 shqiptarë, sekuestrohen 180 kg lëndë narkotike

Spanjë, zbulohet një 'shtëpi bari' në Almeria, arrestohen 2 shqiptarë, sekuestrohen 180 kg lëndë narkotike