Ekspertja: Ish-pronarët, si ka ndryshuar kompesimi financiar e fizik

Ekspertja: Ish-pronarët, si ka ndryshuar kompesimi financiar e fizik

Ekspertja Jurida Mihali te 'Këndi i Ekspertit'

“Këndi i Ekspertit” në Report TV, si gjithmonë nën drejtimin e gazetares Valbona Mhilli, në emisionin e ditës së martë mbi problematikat e pronave, hipotekimeve dhe legalizimeve, është fokusuar më shumë mbi kompesimin e ish-pronarëve.

Këtë javë në emision ishte e ftuar Jurida Mihali, juriste në Sektorin e kompensimit financiar në Agjencinë e Pronave. Ekspertja e Agjencisë së Pronave ka sqaruar me detaje disa nga problematikat me të cilat hasen ish-pronarët për kompesimin financiar por edhe atë fizik. Jurida Mihali ka sqaruar ndryshimet e bëra në ligj si dhe sasinë dhe mënyrën se si kompesohen ish-pronarët.

Cila është shuma që është parashikuar për vitin 2018 për kompensimin e ish-pronarëve?
Qeveria ka akorduar për procesin e kompensimit për vitin 2018, për ish-pronarët të cilët kanë aplikuar pranë Agjencisë së Pronave, për ekzekutimin e vendimeve që u njohin të drejtën për kompensim, shumën prej 2,5 miliardë lekësh, e cila do të shërbejë për realizimin dhe përmbushjen me sukses të objektivave të ligjit, për realizimin e kompensimit financiar dhe fizik, sepse duhet thënë që nuk është vetëm procesi i kompensimit financiar, projektligji parashikon edhe procesin e kompensimit fizik nga fondi i tokës që ka në dispozicion Agjencia.

Në cilën fazë ndodhemi?
Aktualisht Agjencia po operon me dy procese paralelisht, po realizohet vlerësimi financiar i vendimeve, të cilat kanë njohur të drejtën e pronës për kompensim, ku janë 26.000 vendime. Nga këto është realizuar vlerësimi për rreth 74% të tyre, gati 19.200 vendime, dhe në të njëjtën kohë po realizohet edhe procesi i ekzekutimit për ato kërkesa, të cilat kanë aplikuar pranë Agjencisë për kompensimin financiar dhe fizik.

Ka pasur ndryshime nga viti 2017 në vitin 2018, për shumën e llogaritur? Është një shumë më e madhe apo më e vogël se sa ajo e vitit të kaluar?
Shuma prej 2,5 miliardë lekësh është për vitin 2018, nga 1,8 miliardë lekë që ka qenë për vitin 2017 dhe 2 miliardë lekë që ka qenë për vitin 2016. Pra, është një shumë më e madhe e vendosur në dispozicion të ish-pronarëve për realizimin me sukses të procesit të kompensimit.

A ka mundësi qeveria që të bëjë kthim fizik të pronave? Sa toka të lira janë identifikuar?
Po. Aktualisht ne po verifikojmë dhe po evidentojmë fondin fizik që kemi në dispozicion të Agjencisë për të realizuar këtë proces. Duhet të theksojmë që fondi fizik përbëhet nga fondi fizik i vendosur në dispozicion të Agjencisë, që është gati 23.000 hektarë; nga objektet që janë aktualisht në administrim të Agjencisë janë gati 171 objekte, të cilat edhe këto i shtohen fondit fizik dhe shërbejnë për realizimin me sukses të procesit të kompensimit të fizik; si edhe fondi pyjor dhe kullosor, me një sipërfaqe prej 50.900 hektarësh. Pra, të tre këto përbëjnë fondin fizik dhe ezaurohet qëllimi i ligjit për realizimin me sukses të kompensimit fizik.

Flas nga Tirana. Para një viti, kemi marrë nga zonja Qato, çmimin rreth 250.000.000 lekë të vjetra. Kjo ishte pa dalë ligji që doli më pas, me 20%. Pse veprohet në këtë mënyrë? Ligji ka veprimtari prapavepruese dhe jo paravepruese. Ne na u caktua çmimi 249.000.000 lekë dhe na thanë që do ta merrni me 20%. Ne s’jemi dakord fare. Ligji ka dalë më pas. Pse është kjo zvarritje?
Zotëria, për sa i përket vlerësimit financiar prej 250.000.000 lekësh të vjetra, që ai i përmendi në ankesën e tij, dua të theksoj që kjo vlerë nuk ndryshon nga ndryshimet ligjore që kanë ndodhur në datën 20 dhjetor të vitit 2017, vetëm se ka ndryshuar mënyra e ekzekutimit të kësaj vlere. Pra, nuk ka ndryshuar mënyra e përllogaritjes së vlerësimit financiar. Vlerësimi financiar i zotërisë është 250.000.000 lekë të vjetra, ndërsa mënyra e ekzekutimit tashmë, me ndryshimet e reja ligjore, është 20% e kësaj vlere zotëria do të kompensohet financiarisht. Do të shikohen prioritetet që do të vendosë vendimi i Këshillit të Ministrave, do të shikohet nëse ka pronë të lirë brenda pronës së njohur të tij.

Në rastin tjetër pastaj do të jetë vlera 20% kompensim financiar dhe pjesa tjetër, 80% do të konvertohet në kompensim fizik në ato qarqe ku Agjencia ka fondin e saj fizik. Këto janë ndryshimet e reja ligjore që kanë ndodhur për shkak sepse ashtu si zotëria tani i është vlerësuar vendimi me 250.000.000 lekë të vjetra, ka pasur edhe vendime të tjera të cilat penalizoheshin, për shkak të zërit kadastral të origjinës së pronës, tokë bujqësore apo tokë truall. Tashmë të gjitha subjektet do të përfitojnë në mënyrë të barabartë, për sa i përket mënyrës së ekzekutimit, 20% kompensim financiar dhe pjesa tjetër, 80%, kompensim fizik. Zotëria është i lutur që të paraqitet pranë Agjencisë, nëse ai nuk është dakord për momentin, me këtë mënyrë ekzekutimi. Mund të paraqesë ankesën e tij, të kërkojë pezullimin për momentin, të trajtimit të kërkesës.

Flas nga Durrësi. Kam një pyetje. Si mund të anulohet një vendim i Komisionit të Kthimit të Pronave për një kompensim të paligjshëm? Vendimi është marrë në gusht të vitit 2002, në kohën kur kryetari i atëhershëm i Komisionit të Kthimit të Pronave ka bërë shumë veprime dhe është kaluar në ndjekje penale për disa vendime. Për të anuluar një vendim kompensimi të tillë, ku mund të drejtohemi dhe si mund të veprojmë?
Vendimet e komisioneve, të dhëna nëpër vite, aktualisht Agjencia nuk ka tagër për t’i hyrë verifikimit të vlefshmërisë juridike të tyre, pasi Gjykata Kushtetuese, me dy vendime të vitit 2010, nuk ia lejon më Agjencisë, pra, për t’i dhënë vlefshmëri një vendimi duke anuluar një tjetër, që ishte edhe objekti i ankesës së zonjës. Megjithatë, zonja nëse pretendon që një vendim, konkretisht vendimi i vitit 2002, është dhënë në shkelje të hapur të dispozitave ligjore, ose i është dhënë një pronari, i cili nuk ka pasur dokumentacionin për ta mbështetur pretendimin e tij, mund t’i drejtohet gjykatës, organeve gjyqësore ku mund të kërkojë anulimin e vendimeve të komisionit, pasi Agjencia nuk ka më tagër për t’i anuluar këto vendime.

Flas nga Tirana. Unë posedoj një shtëpi në Tiranë dhe kam çuar dokumentacionin për legalizim. Tani më del që në vitin 2016 jam pajisur me certifikatë pronësie. Ndërkohë, Komisioni i Kthimit të Pronave ka bërë këtë ndryshim dhe e ka fshirë banesën time. Dhe tani tek Agjencia e Legalizimit më del që toka është me pronar dhe shtëpia është në zonë të studimit të lartë. Pse Komisioni i Kthimit të Pronave ka bërë mbivendosje? Si mund të zgjidhet procesi i legalizimit?
Për sa i përket mbivendosjeve me vendimet e Komisionit, njohja e dy ose më shumë pronarëve për të njëjtën pasuri, tashmë kjo mund të zgjidhet në rrugë gjyqësore, sepse Agjencia nuk e ka më tagrin që të verifikojë vlefshmërinë juridike të njërit apo tjetrit vendim. Lidhur me pajisjen e zotërisë me leje legalizimi, dua të theksoj që nuk është objekt i veprimtarisë së Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Agjencia e Trajtimit të Pronave mund të konfirmojë vendimin që zotëria thotë se e ka në arkivin e saj, së bashku me plan-vendosjen, për t’i dhënë një zgjidhje sa më të drejtë çështjes nga organet e tjera kompetente.

Flas nga Tirana. Interesohem për pronat e gjyshit, për kompensimin e tyre. Kam tapitë e vjetra për këto prona. Çfarë rruge duhet të ndjek?
Për sa u përket dokumenteve të vjetra që ju administroni, tashmë nuk mund t’i depozitoni më pranë Agjencisë, pasi afati ligjor me ligjin e ri, ka përfunduar. Pra, nuk mund të rihapni dosjen. Nuk mund të rivendoseni në afat as në gjykatë, në këtë rast, pasi Agjencia ekzekuton vetëm atë çfarë ka vendosur vendimi i Komisionit, konkretisht kompensimin, në rast se ju do kishit. Dokumentacionin e vjetër, të cilin ju e administroni, nuk mund ta bëni më pjesë të dosjeve pranë Agjencisë. Afati ka përfunduar. Por, ju lutem, rishikojini dokumentet që keni edhe një herë. Mund të jeni një vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave, përderisa ngrini pretendimin. Shikoni me kujdes se çfarë dokumentesh administroni dhe mund të paraqiteni për t’u konsultuar me specialistët pranë sporteleve të pritjes së subjekteve, çdo ditë, duke filluar nga ora 800, në Agjencinë së Trajtimit të Pronave, e cila ndodhet në rrugën “Muhamet Gjollesha”, nr. 54.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Kam lindur në Athinë, por jam patriot i atdheut tim': Mario Mitaj: Populli rus i thjeshtë dhe miqësor

'Kam lindur në Athinë, por jam patriot i atdheut tim': Mario Mitaj: Populli rus i thjeshtë dhe miqësor