Elbasan, dy sekretarët e gjykatës
falsifikonin pullat, i rikthejnë në punë

Elbasan, dy sekretarët e gjykatës<br />falsifikonin pullat, i rikthejnë në punë
ELBASAN - Prokuroria e Elbasanit ka mbetur e befasuar nga vendimi i gjykatës së Elbasanit për t’i rikthyer përsëri në punë kryesekretarin Shaban Dedja dhe sekretaren e tij, Emine Lami. Gjyqi i zhvilluar në datën 11.09.2013, me gjyqtarë Ramazan Avdia, ka rrëzuar pretendimin e prokurorisë për pezullimin nga të gjitha funksionet publike për kryesekretarin dhe sekretaren e tij, deri në përfundim të hetimeve.

Ditën e sotme rreth orës 12:45 minuta prokuroria e rrethit gjyqësor Elbasan e ka dërguar çështjen për gjykim në Gjykatën e Apelit në Durrës. Burime nga brenda prokurorisë pohojnë se kësaj çështjeje do t’i shkojnë deri në fund, sepse është e papranueshme, që brenda administratës, që prezumon të japë drejtësi, të ketë në krye njerëz të korruptuar.  

Sakaq, këtë shkelje ligjore e ka zbuluar vetë kryetari i gjykatës së rrethit Arben Vrioni, i cili më pas bërë edhe denoncimin në prokurorinë e rrethit Elbasan. Paradoksi në këtë çështje është fakti se, vetë kryetari i gjykatës zbulon aferën korruptive, ndërsa gjykatësi Ramazan Avdia jep vendim në kundërshtim të plotë me ligjin, duke i rikthyer përsëri në punë kryesekretarin Shaban Dedja dhe sekretaren Emine Lami.

Dëmi që i është shkaktuar shtetit nga falsifikimi i pullës gjyqësore arrin në 8 milionë lekë të vjetra. Vlera për çdo pullë shkonte nga 92 mijë lekë deri në 120 mijë lekë vjetra. Prokuroria e Elbasanit e ngriti akt-akuzën e saj, duke u mbështetur në nenin 135 të kodit të procedurës penale për veprën “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.

Prej kohësh Dedja dhe Lami falsifikoshin pullat gjyqësore, duke i hequr këto pulla nga kasaforta që ndodhet në krysekretariat dhe duke ua vendosur dosjeve të reja që priteshin për gjykim. Pullat kishin të njëjtin numër serial me dosjet e vjetra dhe, si rrjedhim, kjo ishte arsyeja që u bë e mundur të zbulohej ky skandal në gjykatën e rrethit të Elbasanit.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës