POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Emisioni 'Zonjat që bëjnë Shqipërinë'/ Alma Mile: Gazetaria ka shumë vështirësi, po nuk dole në terren e s’ka pasion, mbetesh në mes të rrugës

Nga Flora Nikolla
Dhurata Hamzai

Prej 18 vitesh Alma Mile punon si gazetare. Përditë përfshihet në shkrimin e një teme të re, publikon një intervistë apo shkruan një kritikë për shfaqjet, spektaklet apo eventet e tjera kulturore. Fituese e çmimit “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”, organizuar nga Albanian Excellence, me presidente Flora Nikollën, Alma Mile rrëfen historinë e saj profesionale. 

Gazetarit i duhet të qëndrojë në punën e tij si një ushtar në front. Dihet se një pjesë e lënë këtë profesion që në hapat e para, një pjesë në mes të karrierës, por më të mirët si Alma Mile nuk dorëzohen. Ajo e ka të vështirë të kujtojë se sa personazhe ka intervistuar gjatë karrierës së saj, sa shkrime ka bërë, kurrë nuk është lodhur nga e gjithë kjo. Përkundrazi, ajo do të vazhdoj të punoj siç premton me përgjegjshmëri të lartë.

Gjatë intervistës së saj në emisionin e 14-të “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”, që u dha në Report TV, Alma Mile ka folur për  problemet aktuale që lidhen me zhvillimet e gazetarisë së kulturës, të duhet të marrin patjetër zgjidhje. Stabilizimi i statusit të gazetarit është një shqetësim i madh për Alma Milen. Alma Mile e konsideron gazetarinë e kulturës si një punë të jashtëzakonshme për mundësitë që i jep të takojë njerëzit e artit e të kulturës. E quan veten me fat që ka takuar aktorë, artistë, këngëtarë, shqiptarë e të huaj. Disa prej tyre nuk jetojnë më, megjithatë intervistat e tyre janë në arkivin e gazetares së palodhur Alma Mile.

Intervista

Cila është historia profesionale e Almës? Cila ishte ajo shkëndija e parë që e shtyu të lidhej me gazetarinë? Si kanë qenë fillimet e saj të para në gazetari dhe si ka ecur në profesion?
-Është pak e çuditshme, sepse kjo është një pyetje që ma bëjnë shpesh dhe unë tashmë nuk di më t'i përgjigjem. Jam diplomuar për letërsi, dhe nuk mund të them se gazetaria ka qenë ëndrra ime e rinisë. Madje nuk duhen besuar ata njerëz që thonë se "kemi filluar gazetarinë se donim të thoshim të vërtetën apo të zbulonim intriga të mëdha". Arsyeja mund të jetë shumë e thjeshtë, madje mund të jetë fare banale. Asokohe, unë thjesht mendoja se mund ta bëja këtë gjë. Gjatë viteve të shkollës lexoja reportazhet e Fatos Baxhakut, shkrimet e bashkëmoshatarëve të mi, dhe pa e kuptuar u përfshiva në një vorbull që ishte gazetaria. E kam nisur fillimisht në Radio, që mbetet për mua një eksperiencë shumë e bukur, për të vazhduar në shtypin e shkruar, që nga “Zëri i Popullit”, ku kam mësuar për herë të parë të shkruaj në një tastierë kompjuteri, për të vazhduar te “Korrieri”, “Shekulli” e prej 10 vjetësh në gazetën “Panorama”. Ajo që më bëri ta doja këtë profesion ishte që unë u bëra një zë dhe e desha edhe më tepër kur fillova t’u jepja zë edhe njerëzve të tjerë, atyre njerëzve që nuk e kishin një të tillë, që nuk kishin pas vetes një gazetë, një televizion ku ata të mund të “qanin” problemet e tyre.

Janë bërë 18 vite tashmë që merrem me gazetari. Kam filluar si gazetare e problemeve sociale. Ajo më lidhte më shumë me njerëzit, me problemet e tyre. Ishte e bukur dhe e dhimbshme njëkohësisht, sepse takoja njerëz që kishin probleme të mëdha. Te rubrika e kulturës u gjenda ndoshta në mënyrë të rastësishme, por që njëkohësisht ishte dhe natyrale, duke pasur parasysh edhe diplomimin tim. U gjenda mirë, edhe pse edhe sot e mendoj që është më e vështirë se çdo sektor tjetër, ndonëse shumica mendojnë të kundërtën. Iu dhashë tërësisht profesionit tim, që me thënë të drejtën do shumë sakrifica. Ka raste kur mendon që a ia vlejnë vërtet kaq shumë orë pune, pa orar. Ka zhgënjime, ka uljet e ngritjet e veta. A ia vlen? Ia vlen për një falënderim që të vjen në mesazh të nesërmen, ia vlen për të gjithë ata që të lexojnë dhe të japin një kompliment, por edhe për ato raste kur të duhet që të përballesh me mendimin kundër.

Shpesh, kur më pyesin të rinjtë që, “a duhet të vazhdoj për gazetari?”, nuk e jap një përgjigje të shpejtë… mendohem, sepse të bësh gazetarin në Shqipëri është sakrificë shumë e madhe. E megjithatë nuk dua t’i shoh gjërat gjithmonë zi, edhe pavarësisht problematikave që po kalon gazetaria në këto momente, mendoj se do të vijë një moment që ajo do të gjejë rrugën e vetë natyrale.

Duhet pasion të bësh gazetarinë, punë apo talent? Cili është raporti?
-Unë iu futa gazetarisë, sepse mendoja se kjo ishte një gjë që unë mund ta bëja, duke qenë se vija nga letërsia dhe kisha të dhëna të mira për të shkruar. (Nuk kam shkruar poezi ) Por mund t’ju them që nuk është kjo. Gazetaria nuk ka lidhje thjesht me aftësinë për të shkruar. Sigurisht, talenti të jepet, është dhuratë, por gazetar bëhesh me kohë. Gazetar bëhesh duke dalë në terren, duke parë atë çfarë ndodh rreth teje, duke takuar njerëz dhe duke mësuar. Gazetar bëhesh duke qenë i hapur për të mësuar, për të dëgjuar kritikat e të tjerëve. Kush mendon se është i ditur, nuk e ka rrugën shumë të gjatë. Unë ende nuk e di, edhe pas 18 vitesh, nëse jam një gazetar i mirë, por di që përpiqem shumë për të qenë një gazetar i mirë, duke punuar përditë me përgjegjshmëri. Sigurisht që ka jashtëzakonisht shumë pasion. Çdo profesion ka nevojë për pasion. Ka shumë vështirësi dhe nëse nuk ka pasion, atëherë mbetesh në mes të rrugës. Është pasioni ai që e shtyn nga dita në ditë dhe thua që nesër do të jetë më mirë, do të bëhet më mirë.

Sa personazhe ka intervistuar Alma në këto vite?
-Është e vështirë të them se sa personazhe mund të kem intervistuar në gati dy dekada. Shpesh më ndodh të takoj njerëz që më kujtojnë se jemi takuar bashkë para kaq vitesh, kemi bërë një intervistë... Dhe t’ju them të vërtetën, më ndodh edhe që të mos i mbaj mend. Unë jam gazetare e një të përditshmeje, që do të thotë që punoj minimalisht pesë ditë në javë dhe të gjitha janë të mbushura me lajme, me personazhe dhe janë shumë. Realisht janë shumë.

Domethënë je sistematike në shkrimin e lajmeve, të portreteve, të shkrimeve, të analizave dhe nuk je sistematike në ruajtjen e dokumentit tënd të shkruar. Pse?
Mendoj se kam një arkiv të mirë. Nuk mund të them që nuk i kam ruajtur shkrimet e mia, por nuk I kam numëruar ndonjëherë. Shpesh njerëzit më thonë: “Pse nuk i mbledh ato që ke bërë, intervistat e tua apo profilet dhe të bësh një libër?”. Tashmë botimi i librave me përmbledhje intervistash e shkrimesh ka dalë edhe në modë, por mendoj se është ende herët. Mendoj se më e mira është për të ardhur sepse një gazetar është si vera, që me vitet bëhet më i mirë. Eksperienca profesionale dhe jetësore i shtohet çdo shkrimi ditë pas dite.

Si e sheh gazetarinë sot në përgjithësi dhe gazetarinë e kulturës, meqenëse merresh drejtpërdrejt me të?
Teknologjia ka ndryshuar shumë gjëra dhe gazetaria ka fituar të tjera ritme dhe po shkon në të tjera drejtime. Është tërësisht e ndryshme nga ajo e fillimeve të mia, kur nuk kishim as telefon celular, as email, e jo më lehtësirat e tjera, që ofrohen sot. Nuk mendoj as që është më e mirë, pavarësisht këtij komoditeti. Është bërë një gazetari më “agresive”, më e shpejtë, por fatkeqësisht edhe më sipërfaqësore. Gjithmonë e më pak shohim reportazhin. Gjithmonë e më pak shohim portretin. Mbizotëron lajmi i shpejtë. Nëse dikur nuk na pranonin një lajm në redaksi nëse nuk ishte i konfirmuar të paktën në dy burime, tani lajmi mund të kalojë edhe pa u konfirmuar fare vërtetësia e tij. Gazetarët e rinj mendojnë se gazetaria është ajo e portaleve, të ulesh para një kompjuteri dhe të gjesh se ku është “skupi” dhe ta hedhësh direkt online dhe të bësh garë me portalet simotra se kush e hedh më shpejt apo kush vë titullin më bombastik për të kapur klikimet. Por gazetaria e vërtetë është në terren. Unë mendoj që në qoftë se një gazetar nuk e njeh terrenin, atëherë ai nuk mund të quhet i tillë, është thjesht “kopist”. Fatkeqësisht, ashtu siç e shoh unë, gazetaria është larguar pak nga realiteti. Dhe për të ardhur te gazetaria kulturore, kjo e fundit fatkeqësisht po identifikohet me një gazetarinë rozë. Po krijohet ideja, edhe te lexuesi, se gazetari kulturore është të flasësh për jetën e X-it dhe të Y-it, sa herë e ndërroi të dashurin njëra apo tjetra, ku i kaloi pushimet njëri apo tjetri, çfarë veshi, etj.. Këto janë informacione që mendoj se publikut nuk i vlejnë shumë. Janë konsum pak sekondësh. Asgjë nuk të mbetet në mendje. Roli i gazetarit është të çojë informacion të nevojshëm te publiku dhe që ta ndihmojë atë në përmirësimin e jetës së vet. Fatkeqësisht gazetaria e kulturës po identifikohet me këtë linjë, që nuk ka lidhje absolutisht fare me kulturën.

Beson se ky trend rozë do të dominojë, d.m.th. do të institucionalizohet sepse normalisht i përket një epoke të re pragmatiste që po jetojmë? Apo mendon që kjo mund të ndryshojë nëpërmjet përpjekjeve që mund të bëjmë të gjithë bashkë për ta stabilizuar?
Gazetaria “rozë” është një fenomen që nuk e kemi shpikur ne shqiptarët. Tabloidet kanë lindur kudo në botë dhe ne që andej i kemi huazuar. Është një lajm që nuk kërkon shumë impenjim qoftë në lexim dhe nuk të ngarkon mendjen me informacionin që ofron. Lajme rozë kam përshtypjen se do të ketë gjithmonë derisa të ketë edhe personazhe. Normalisht që ka ekzistuar dhe do të vazhdojë të ekzistojë së bashku me njerëzimin. Ju thatë që kjo rrezikon lajmin e vërtetë të kulturës.

Mendoni që do të institucionalizohet kjo lloj gazetarie? Do të rëndohet?
-Nuk e mendoj që do të zërë vendin e gazetarisë kulturore, por që kjo të mos ndodhë duhet pak angazhim më shumë nga vetë gazetarët në përpjekjet që ata bëjnë për t’u rritur dhe për të sjellë diçka të mirë dhe të vlefshme, por edhe nga redaksitë. Një gazetë e mirë apo një televizion i mirë dallohet nga faqet e kulturës dhe nga kronikat kulturore që ai bën. Arsyeja pse vazhdoj të punoj në gazetën “Panorama”, është se ende vazhdon ta konsiderojë kulturën të rëndësishme, pavarësisht se fatkeqësisht kultura nuk “shet”. Do të ishte shumë mirë që faqja e kulturës të mos ishte e para që sakrifikohej sa herë që del një lajm i fundit. Të mos jetë lajmi i kulturës i fundit në radhë.

Çfarë ideje ke për vetë gazetarinë e kulturës se si duhet të jetë sepse po të vësh re kohët e fundit kë nuk sheh gazetar kulture, mund të jetë edhe një 20-vjeçar që s’ka lexuar të paktën një gjë në lidhje me artin e të tjera? Çfarë do të doje të ndryshoje në profesionin tënd?
-Të gjitha sa thashë më sipër mund të rregullohen me pak përpjekje që nga shkolla. Vetë pedagogët duhet t’i marrin studentët për dore dhe t’i çojnë atje ku është lajmi, t’i çojnë në një vend të humbur nga Zoti, për të parë se ku janë problemet e vërteta. T’i marrin e t’i çojnë në një opera, në një shfaqje baleti, në një shfaqje teatri sepse edhe tani që flasim ka gazetarë që nuk kanë parë kurrë një shfaqje dhe nuk e dinë nëse u pëlqen apo jo. Dhe jam e bindur që shumica e studentëve të gazetarisë, në momentin që flasim, mund të mos i dinë se ku janë këto institucione. Dhe një gazetar i mirë, sidomos kulture, nuk mund të jesh nëse nuk njeh fushën që mbulon, nëse nuk ke shkuar kurrë në opera, në balet, apo nuk ke parë një shfaqje teatri, aq më pak nëse nuk ke lexuar një libër. Është shumë e vështirë që të japësh një mendim mbi to nëse nuk ke nisur të ndërtosh kulturën individuale. Atëherë kthehesh thjesht në një ofrues komunikatash shtypi tërësisht sipërfaqësore, që nuk i thotë asnjë gjë lexuesit, duke e humbur atë. Gjithçka është një proces zinxhir. Duhet të fillojë nga kultura që marrin në shkollë, pastaj te kërkesat që kanë redaksitë kundrejt gazetarëve të tyre, te kërkesat që individi ka karshi vetes për t’u rritur, është te pagesat e gazetarëve të kulturës, që rëndom janë më të ulëta sesa ato të gazetarëve të sektorëve të tjerë dhe kjo nuk e josh askënd që t’i jepet kulturës. Dhe fakti që shumë gazetarë të mirë kulture janë larguar, kanë ndryshuar drejtim, vjen sepse janë lodhur, sepse trajtimi i gazetarisë së kulturës nuk është edhe aq për t’u lakmuar dhe se përballen me një konkurrencë të pandershme. Koleget e mia që vazhdojnë ende në këtë sektor, janë me të vërtetë idealiste dhe nga pak heroina.

Cila është nisma konkrete që do të ndërmarrë Alma në kuadër të projektit “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”, në lidhje me gazetarinë?
-Së pari, unë do të vazhdoj të bëj punën time ashtu siç e kam bërë deri më sot, me përgjegjshmëri sepse i qëndroj idesë që një shoqëri bëhet më e mirë nëse individët bëjnë mirë punën e tyre. Do të kisha dashur dhe do të isha shumë e gatshme të ndihmoja këdo gazetar të ri, që do të donte t’i futej gazetarisë së kulturës, për të kuptuar së bashku me të vërtetë se çfarë është ky profesion, të cilin unë ende vazhdoj ta zbuloj. Gazetaria e kulturës të hap horizonte të jashtëzakonshme. Ke mundësi të takosh njerëz të artit e të kulturës. Unë jam me fat që kam takuar shkrimtarë, artistë të të gjitha fushave, shqiptarë e të huaj. Disa prej tyre nuk jetojnë më, megjithatë unë intervistat e tyre i ruaj dhe kur më është dashur t’u kthehem, kam rizbuluar se çfarë personalitetesh kanë qenë dhe kam rikujtuar ndjesinë e mirë të bisedës që kemi zhvilluar bashkë. Të gjitha këto janë emocione që i shtohen jetës tënde dhe ta bëjnë jetën më të bukur. Nga ana tjetër, do të kisha dashur që bashkë me kolegët e mi të ndërmerrnim nisma konkrete për të stabilizuar statusin e gazetarit. Sot ngrihet pyetja: kush është gazetar? Është gazetare çdo femër e bukur që del në ekran? Është gazetar çdo student që del nga bankat e shkollës apo që merr një mikrofon në dorë? Ne kemi shoqata gazetarësh, të cilat thuhet se lobojnë për të drejtat e gazetarëve. Është koha që këto shoqata, dhe me nxitjen e vetë gazetarëve të fillojnë dhe të ndërmarrin hapa konkrete që gazetarët të ndihen më të sigurt në profesionin e tyre, të ndihen më të sigurt përballë pronarëve mediatikë dhe politikës.

Besoni se janë formale këto organizatat e gazetarëve?
-Fatkeqësisht, po. Nëse gazetaria po kalon përmes kësaj situate, nëse gazetarët janë të pasigurt dhe të kërcënuar nga ana financiare, nga ana ligjore, përballë shtetit, përballë privatit, kjo vjen sepse këto shoqata nuk e kanë bërë mirë punën e tyre.

Janë lodra të qeverive?
-Nuk mund ta them nëse janë apo jo lodra të qeverive. Shoqatat nuk duhet të jenë vetëm për të hartuar ca lista gazetarësh, apo për të hartuar ca raporte dhe për të marrë fonde, dhe pastaj t’ia tundin këto lista apo raporte po gazetarëve për t’i nxjerrë nëpër gazeta, por këto raporte t’ia tundin Parlamentit dhe të marrin nisma konkrete bashkë me Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Me sa di, ka pasur disa lëvizje sporadike për mbrojtjen e gazetarëve përmes ligjit. Do të doja të jepja kontributin tim sado modest në këtë pike, por sigurisht është një çështje që kërkon impenjim e të gjithëve.

A mendon se do të keni shumë vështirësi te kjo pjesë? Mendon se ka shumë zgjatje të procedurave për të arritur te statusi?
-Duke iu referuar eksperiencave të mëparshme, është vërtetë e vështirë. Sot e kësaj dite ne nuk kemi një status të artistit dhe të mendosh që beteja e tyre ka qenë e vazhdueshme. Ndaj nuk është aspak e thjeshtë. Por mekanizmat duhet të fillojnë të funksionojnë, duhen vënë në lëvizje, duke filluar që nga vetë gazetarët, te shoqatat e gazetarëve, të cilat duhet të bëhen nxitëse në organet vendimmarrëse dhe ligjbërëse. Duhet të fillojnë dhe të ushtrojnë presionin e tyre në komisionet parlamentare. Nëse do të na mbysë indiferenca, atëherë është e sigurt se nuk kemi për të bërë asgjëkund. Është e vështirë, por nuk e shikoj të pamundur.

l.q./r.k.
Komento