Erdogan-Thaçi-Rama bashkë
në Prishtinë: Popuj miq/ 

Erdogan-Thaçi-Rama bashkë<br />në Prishtinë: Popuj miq/ 
PRISHTINË - Me ftesë të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishin sot të parët udhëtarë që zbritën në aeroportin europian të Prishtinës "Adem Jashari", terminali i të cilit u inaugurua sot përmes një ceremonie zyrtare. Por gjithashtu së bashku me kryeministrin Thaçi prenë shiritin përurimit të këtij aeroporti.

Në të tre fjalimet e kryeministrave u nënvizua marrëdhënia vëllazërore dhe miqësore mes popullit shqiptar e turk.  Fillimisht e mbajti fjalën kryeministri Rama i cili iu drejtua kryeministrit Thaçi dhe kryeministrit Erdogan me "vëlla dhe mik të çmuar" . Ai vlerësoi kryeministrin turk  një mik i çmuar i i cili është gjendur pranë shqiptarëve në të mirë dhe në të keq.  Më pas fjalën e mori kryeministri turk i cili nënvizoi se lidhjet miqësore dhe vëllazërore në të ardhmen të jenë më të mira.

Kryeministri Thaçi shprehu falenderimet për kontributin në njohjen e pavarësisë dhe ndërtimin e Kosovës së re, "atë të ëndrrave tona dhe Kosovën europiane"

Pas ceremonisë Rama përcolli emocionet në rrjetin social Twitter, të të qënit udhëtar i parë i aeroportit të Prishtinës.
 

 Aeroporti i ështe dhënë me koncesion konsorcumit turko-francez “Limak Aeroport de Lyon”.

inagurimi i aeroportit kosove me logo
(Në foto: Momenti i prerjes nga tre kryeministrat së shiritit inagurues të aeroportit "Adem Jashari")

RAMA: ERDOGAN MIK I TE GJITHE SHQIPTAREVE, NE TE MIRE E NE TE KEQ
Në fjalën e tij, kryeministri Rama e quajti një vepër të shkëlqyer terminalin i cili mban emrin e heroit Adem Jashari.
“Nuk mund të kishte një emër më të goditur se emri i njeriut që i dha krahë me jeten e vdekjen e tij ëndrrës së Kosovës së lirë të pavarur dhe shtet europian në mes të Europës. Nga sot Kosova e re do të presë me krenari legjitime në këtë portë të qiellit të saj të lirë miqtë e vet që shtohen dita ditës. Urime për këtë vepër të shkëlqyer që afirmon ambicien e këtij shteti që është vetëm 5 vjeç por që në 5 vite ka rendur dhe kapur shumë nga koha e humbur duke qenë një shembull admirues për të gjithë rajonin.”

rama ne prishtine
(Në Foto: Kryeministri Edi Rama duke folur në ceremoninë inaguruese të aeroportit "Adem Jashari")

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se në një ditë të tillë mikpritet Erdogan një mik i çmuar i të gjithë shqiptarëve.
“Nuk mund të kishte një ditë më të bukur për të mikpritur një mik të çmuar dhe të përkushtuar të të gjithë shqiprarëve, siç është kryeministri Erdogan, miku dhe vëllai ynë i pandarë, në festa e vështirësi. Në ditë me diell arritjesh të bukura por dhe në kohë të vërejtura kur miqtë e vertëtë dallohen mbi të tjerët. Askush nuk do të harrojë mbështetjen e tij të paçmuar për pavarësinë e Kosovës. Ashtu si kundër askush nga ata që përjetuarn emocionin e ditës së pavarësisë nuk do të harroj se bashkë me shqiptarët kryeriministri Erdogan ishte mbledhur e ndiqte live të githë momentet e jashtëzakonshme të asaj dite të shënuar të popullit shqiptar” deklaroi kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Rama e vlerësoi dhe një moment të bukur për të dhe bashkëshorten e tij dhe shprehu mirënjohjen drejtuar kryeministrit Thaçi për ftesën që i bëri në këtë ceremoni.

“Ky është një tjetër rast shumë kuptimplotë për të qenë krenar e mirënjohës për Kosovën e shembullin e saj e për t’u krenuar për një mikun tim që sot është kryeministri i Kosovës dhe sot jam thellësisht mirënjohës për nderin e madh që më bëri duke më ftuar si kryeministër i shqiptarëve të Shqipërisë. Me kënaqësi e privilegj të të qenit në krah të dy miqve e të dy bashkëudhëtarëve në rrugën e përbashkët të partneritetit strategjik mes nesh për të mirën e popullit shqiptar e turk për të forcuar bashkëpunimin mes tre shteteve tona ju falenderoj për vëmendjen"- tha Rama duke mbyllur fjalimin me bekimin "Zoti bekoftë Kosovën.”

EDOGAN: KUR VIJMË NË KOSOVË NDIHEMI NË SHTËPINË TONË
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan, ka vlerësuar ndërtimin e terminalit, si një ndërtesë me standarde të larta dhe ka përgëzuar kryeministrin Thaçi dhe firmat që dhanë kontribut në ndërtimin e këtij terminali.

“Është shenjë e mirë për ardhmërinë dhe zhvillimin ekonomik.” – tha ai. “Kur vizitojmë Kosovën ndjemë veten si shtëpinë tonë dhe shohim të ardhmen dhe shpresojmë që të ketë një zhvillim më të madh”, theksoi Erdogan duke kujtuar si lidhje komunitetin turk që jeton në Kosovë dhe komunitetin kosovar që jeton në Turqi.

erdogan ne prishtine
(Në Foto: Kryeministri Rexhep Taip Erdogan duke folur në ceremoninë inaguruese të aeroportit "Adem Jashari")

“Turqia ka dhënë e do të japë kontribut për Kosovën - premtoi kryeministri turk - sepse për ne është një vend ku kemi një histori, është vend mik dhe vëlla. Populli i Kosovës është vëllai i kombit turk. Lidhjet miqësore dhe vëllazërore shpresojmë në të ardhmen të jenë më të mira”, deklaroi gjatë fjalës së tij, kryeministri turk.

Erdogan tha se investimet e Turqisë në Kosovë janë afër 800 mln euro dhe në të ardhmen investimet do të shtrihen në të gjitha fushat.

THAÇI: TURQIA, FALEMINDERIT PËR TË GJITHA
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kryeministri shqiptar ishte udhëtari i parë që zbriti në aeroport dhe vlerësoi Turqinë si ndër të parët vende që ka njohur pavarinë e Kosovës.

“Sot jemi së bashku me njeriun i cili është ndër të parët në botë që e njohu republikën e Kosovës dhe mund t’ju them hapur se kryeministri Erdogan një natë para se të shpallte pavarësinë, më mori në telefon dhe më tha që Turqia vendimin e ka gati dhe nesër do ta ndjekim live. Faleminderit për të gjitha”, tha gjatë fjalës së tij, Thaçi.

thaci ne prishtine
(Në Foto: Kryeministri Hashim Thaçi duke folur në ceremoninë inaguruese të aeroportit "Adem Jashari")

Thaçi ndau kujtimet të aeroportit dhe terminalit në 1998, atëherë kur terminali ishte vetëm një barake dhe ai udhëtonte drejt Rambujesë për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të Kosovës, apo zbarkimet e forcave të NATO-s në Kosovë.  

 “Është detyra jonë, dhe mua si kryeministër që ky investim publik privat, në vlerën e 100 mln eurove ta shndërrojmë në një mundësi të re për botën. Kosova është gati për botën por dhe Kosova ka hapur dyert për botën në mënyrë meritore. “

“Aeroporti i Prishtinës edhe sot ka numrin më të madh të pasagjerëve në rajon. Është detyra ime dhe e kolegëve, që qytetarët të udhëtojnë shpejt e pa viza, jo më për të emigruar si unë e familja ime dikur pior për të marrë eskperienca të reja dhe për të sjellë investime.

Ndërtimi i këtij aeroporti tregon se edhe pse Kosova me 104 njohje dhe 6 vite shtet është shtet i mundësive të reja dhe europiane. Ne bashkarisht po e shndërrojmë Kosovën në një kantier ndërtimi.”- tha Thaçi duke shtuar se “Sot një muaj do të mbyllim autoostradën me punimet më të mira në rajon. Të gjithë së bashku po ndërtojmë Kosovën e re, atë të ëndrrave tona dhe Kosovën europiane“

NIS CEREMONIA
Në orën 12:00 nisi ceremonia e inaugurimit dhe me këtë terminal të ri aeroporti ndërkombëtar për Prishtinën është gati për të pritur botën. Tre kryeministrat, Thaçi, Rama e Erdogan janë ulur pranë njëri tjetrit.


MBERRITJA E DY KRYEMINISTRAVE
Në orën 10:25 minuta në Prishtinë ka mbërritur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili është pritur nga homolgu i tij kosovar, Hashim Thaçi. Në nder të tij është kryer një ceremoni zyrtare pritjeje, me togën e nderit në aeroport.
Një orë më vonë, në orën 11: 25 minuta në aeroport ka nbërriur edhe kryeministri Erdogan, i shoqëruar me bashkëshorten e tij. Edhe Erdogan është pritur nga një ceremony zyrtare.

Më pas Erdogan do të vizitojë edhe Prizrenin ku do të shoqërohet nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama.

Gjatë qëndrimit në Kosovë Erdogan do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi.

Kryeministri turk udhëton së bashku me bashkëshorten e tij, e cila do të ketë një axhendë të veçantë që do të përqendrohet në vizita në institucione të ndryshme shoqërore dhe kulturore.

Për Shqipërinë Turqia është cilësuar si partner strategjik dhe shumë shpejt pritet të nisin dhe  mbledhjet e përbashkëta mes dy qeverive. Mbledhje të tilla të përbashkëta është vendosur të zhvillohen edhe mes qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare.

AEROPORTI I PRISHTINES
Terminali ka një sipërfaqe prej 42 mijë metrash katrorë dhe kostoja e investimeve është rreth 130 milionë euro. Aeroporti i ishte dhënë me koncesion konsorcumit turko-francez “Limak Aeroport de Lyon”, në vitin 2010, për periudhën 20 vjeçare.

Kapaciteti i Aeroportit është për 3 milionë e 200 mijë udhëtarë në vit. Në kontratën e koncesionimit ishte paraparë që të bëhen investime dhe të ndërtohej një terminal i ri, që fillimisht ishte përcaktuar të ketë një sipërfaqe prej 27 mijë metra katrorë. Por investitori e ka zgjeruar në 42 mijë metra katrorë. Në hyrje të terminalit është përmendorja e komandantit të UCK-së, Adem Jasharit, emrin e të cilit mban aeroporti. Terminali ka edhe parkingun, ku mund të akomodohen mbi 1 mijë e 700 automjete.

Sipas zyrtarëve menaxhues të aeroportit, vlera e investimeve në këtë terminal arrin shifrën rreth 130 milionë euro. Pas ndërtimit të terminalit, aeroporti do të përpiqet të ketë edhe transport publik, që do të ketë orar të caktuar për transportimin e pasagjerëve prej aeroportit në kryeqytet dhe anasjelltas.

Redaksia Online
(Suela Gera/Artan Cena/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë