Fadil Kepi: Pensioni i parakohshëm si përfitohet nga nënat me shumë fëmijë

Fadil Kepi: Pensioni i parakohshëm si përfitohet nga nënat me shumë fëmijë

Si çdo javë, në Report TV, në emisionin “Këndi i Ekspertit” nën drejtimin e gazetares Valbona Mhilli, eksperti për çështjet e pensioneve Fadil Kepi ka sqaruar qytetarët mbi problematikat e pensioneve. Duke marrë shtysë nga letra e një qytetareje profesor Kepi ka sqaruar çështjen e daljes në pension parakohe të nënave me shumë fëmijë.

Po kështu eksperti ka sqaruar qytetarët që kanë telefonuar në redaksi mbi problemet për mungesë dokumentacioni, për kushtet për përftimin e pensionit suplementar nga ish-ushtarakët si dhe për kushtet që duhet të plotësohen për të përfituar pension pleqërie si minator.

Na shkruan një zonjë nga Vlora: “Në maj mbush moshën 55 vjeçe. Kam lindur gjashtë fëmijë. Sipas librezës së punës kam 29 vite pune të siguruara. Asistenca mbaroi. A më takon pension i plotë, si nënë me shumë fëmijë? Po i reduktuar?”.
Të interesuarës nga Vlora, meqenëse ka lindur gjashtë fëmijë, dhe fatmirësisht i ka mirë me shëndet dhe mbi 8 vjeç, i lind e drejta që me dëshirë të dalë në pension të plotë në moshën 55 vjeçe. Por duhet të ketë 30 vite pune dhe të gjashtë fëmijët të jenë të moshës mbi 8 vjeç. Ajo, moshën 55 vjeçe e mbush këtë muaj, fëmijët i ka mbi 8 vjeç, por nuk ka 30 vjet punë. Atëherë duhet të bëjë sigurime vullnetare për një vit, pra për atë periudhë që nuk ka punuar. Asistenca i quhet vjetërsi pune. Unë i kam bërë llogaritë dhe bashkë me asistencën, zonjës i dalin 29 vite pune. Atëherë, duhet edhe një vit tjetër i siguruar që të përfitojë pension të plotë ditën që mbush 55 vjeçe. I leverdis që të sigurohet edhe një vit. Ajo pyet nëse mund të marrë pension të pjesshëm. Pensionin nënat me shumë fëmijë, nëse kanë 30 vjet punë e fitojnë në moshën 55 vjeçe.

Ndryshe pastaj do të dalë në pension në moshën 60 vjeçe e 8 muaj, si të gjitha gratë e tjera. Pra, i duhen edhe 5 vjet e 8 muaj. Dhe me 29 vite punë që ka ajo, kur të plotësojë moshën 60 vjeçe e 8 muaj, nuk merr pension si nënë me shumë fëmijë, por si nënat e tjera me pak fëmijë dhe do t’i duhen 36 vjet e 8 muaj punë. Me 29 vite punë ajo do të marrë rreth 77% të pensionit të plotë. Për nënat me shumë fëmijë, që dalin në pension në moshën 55 vjeçe, ky është avantazhi. Por nëse këto nëna kanë një vend pune të mirë, si p.sh. mësuese apo mjeke etj., qendra e punës nuk ka të drejtë ta heqë nga puna në moshën 55 vjeçe sepse nënave me shumë fëmijë u lind e drejta që të dalin në pension në këtë moshë, me dëshirë. Shpeshherë disa qendra pune, “për të hapur” vende pune i nxjerrin në pension. Jo, kjo bëhet me dëshirën e vetë gruas. Unë i sugjeroj zonjës që të shkojë që nesër te Sigurimet Shoqërore, të bëjë sigurime vullnetare edhe për një vit, se kjo është me leverdi për të.

Flas nga Tirana. Kam dalë në pension dhe jam 75 vjeç. Kam punuar 5 vjet si nënoficer. A më takon shtesë tani?
Ushtarakët që kanë punuar në Policinë e Shtetit, në Forcat e Armatosura, në Policinë e Burgjeve, në Forcat Zjarrfikëse, marrin, përveç pensionit të plotë të pleqërisë, edhe pension suplementar. Pensioni suplementar merret për aq vite sa ke punuar ushtarak efektiv shumëzuar me 1% të pagës mesatare referuese neto mujore. Ti ke punuar 5 vjet. Pra, 5 shumëzuar me 1% të pagës referuese. Në qoftë se nuk e ke dërguar dokumentin për vërtetimin e rrogës te Sigurimet Shoqërore, duhet të shkosh dhe ta marrësh, atje ku ke punuar.

Pensioni suplementar fillon që në datën që ke plotësuar moshën për pension pleqërie, pra ditën kur keni mbushur 65 vjeç. Nëse nuk e dërguar vërtetimin e rrogës shtesën për këto 5 vite nuk e merr më. Shtesën do ta marrësh që nga dita që dërgon vërtetimin e rrogës. Sqarime më të hollësishme do të marrësh duke u paraqitur me Librezën e Pensionit te Drejtori i Sigurimeve Shoqërore të Tiranës, i cili pret qytetarët çdo ditë të mërkurë. Uroj ta gëzoni pensionin gjatë dhe me shëndet të mirë.

Na shkruan zonja Rajmonda Sula nga Tirana, por që tani banon në Gjermani: “Më 1 shtator 2018 mbush moshën 58 vjeçe. Në Shqipëri kam punuar 10 vjet e 6 muaj, e siguruar. Kur do të dal në pension. A mund të bëj sigurime vullnetare?”.
Zonja ka punuar në Shqipëri 10 vjet e 6 muaj. Prej vitesh ajo banon në Gjermani. Edhe atje punon e siguruar. Në Shqipëri do të dalë në pension kur të plotësojë moshën 60 vjeçe e 10 muaj, pra më 1 korrik të vitit 2019. Afërsisht i duhen edhe 14 muaj. Për të marrë pension në Shqipëri asaj i duhen të paktën 15 vjet punë. Nuk i ka. Duhet të bëjë sigurime vullnetare për 4 vjet e 6 muaj. Në qoftë se nuk bën sigurime vullnetare ato 10 vjet e 6 muaj që ka punuar i shkojnë dëm. Sigurimet vullnetare mund t’ia paguajnë edhe të afërm këtu në Tiranë, ose kur të vijë vetë zakonisht gjatë verës. Pra ajo duhet patjetër të arrijë minimumin e domosdoshëm për pension sepse pensionin e plotë për të cilin duhen 36 vjet e 6 muaj nuk e arrin dot.

Por, ka një problem. Për të bërë sigurime vullnetare duhen plotësuar dy kushte: kushti i parë është që personi duhet të jetë mbi 18 vjeç dhe këtë kusht zonja e plotëson. Kushti i dytë është: personi duhet të ketë nënshtetësi shqiptare ose dy nënshtetësi. Mirëpo Gjermania nuk lejon me dy nënshtetësi. Fillimisht zonja ka pasur nënshtetësi shqiptare, kur ka shkuar në Gjermani. Më vonë ka marrë nënshtetësinë gjermane. Për periudhën që ka pasur nënshtetësi shqiptare, ajo ka të drejtë të bëjë sigurimet vullnetare, pavarësisht se sa vite kanë kaluar. Sigurimet vullnetare në vendin tonë bëhen për të gjitha periudhat e pasiguruara, nga 1 tetori i vitit 1993 e në vazhdim, derisa të plotësojë moshën për pension. Pra duhet të gjejë atë hapësirë për 4 vjet e 6 muaj, që ka pasur nënshtetësinë shqiptare, dhe të bëjë sigurimet vullnetare.

Tani ajo i plotëson kushtet për të marrë pension në Gjermani sepse ka nënshtetësi gjermane dhe plotëson edhe minimumin e domosdoshëm, madje e ka tejkaluar. Kështu që do të marrë dy pensione: pension sipas viteve të punës që ka punuar në Gjermani dhe pension në vendin tonë. Por nëse zonja i ka mundësitë financiare, të bëjë sigurime vullnetare për më shumë vite pune, aq më mirë për të sepse sa më shumë vite pune të siguruara, aq më i lartë del pensioni. Gjithmonë duke parë hapësirën deri kur ka marrë nënshtetësinë gjermane. Ka edhe një problem tjetër: nëse zonja nuk sigurohet për 4 vjet e 6 muaj, por e lë me 10 vjet e 6 muaj punë, aq sa ka punuar, nuk përfiton pension social as në moshën 70 vjeçe. Sepse në moshën 70 vjeçe, ajo duhet të plotësojë një kusht tjetër për të përfituar pensionin social: jo vetëm duhet të ketë nënshtetësinë shqiptare, por duhet që 5 vitet e fundit para plotësimit të moshës 70 vjeçe, të ketë banuar në Shqipëri.

Por ajo banon në Gjermani, kështu që i humb e drejta për të marrë pension në moshën 70 vjeçe. Shpresoj që zonja të jetë duke na ndjekur. Por unë shpresoj që nëpërmjet rastit të saj, të sqaroj edhe shumë emigrantë të tjerë. Pse? Sepse po i afrohemi verës. Në verë emigrantët vijnë me pushime, por në verë bëhen edhe shumë dasma. Kështu që unë u sugjeroj që të bëjnë një rrugë e tre punë, d.m.th. të bëjnë pushimet e tyre, të argëtohen nëpër dasma, por edhe të shkojnë tek Agjencitë e Sigurimeve Shoqërore dhe të interesohen për pensionet e tyre. Sigurimet vullnetare janë me leverdi, shuma është 5.184 lekë të rinj për një muaj.

Flas nga Kamza. Jam 64 vjeç. Kam punuar 19 vjet në minierën e Valiasit, në sipërfaqe. Këto vite nuk gjenden të shënuara. Gjendet vetëm viti i fundit i asistencës. Ç’duhet të bëj unë?
Të gjithë minatorët e nëntokës që plotësojnë moshën 55 vjeç dhe kanë gjithsej 30 vjet punë të siguruar, ku vjetërsi pune quhet edhe periudha e asistencës, periudha e ushtrisë, vetësigurimet në bujqësi, sigurimet vullnetare, dhe nga këto 30 vjet, 12 vjet e 6 muaj kanë punuar nëntokë, të dokumentuara, dalin në pension të plotë 55 vjeç. Siç duket ju nuk i keni gjetur 12 vjet e 6 muaj nën tokë të siguruara. Agjencia e Sigurimeve Shoqërohet duhet të japë një dokument zyrtar ku të deklarojë që në arkivin në Lundër nuk gjendet vërtetimi që ju keni punuar nën tokë, atëherë ju mbetet vetëm një rrugë, ajo gjyqësore. Duhet që me dy dëshmitarë të bësh një proces gjyqësor dhe të vërtetosh ato vite që ke punuar.

Në moshën 65 vjeç, pra në vitin 2019, ty të lind e drejta për të marrë pension edhe sikur të mos i kesh 12 vjet e 6 muaj nën tokë. Por mjafton të kesh 15 vjet e lart punë të siguruar në vendin tonë. Sqarime më të hollësishme, do të marrësh në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Kamëz, ku do shkosh bashkë me librezën e punës. Agjencia e Sigurimeve Shoqërore në Kamëz, kërkesën tuaj, ia dërgon Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë dhe kjo drejtori ia dërgon kërkesën Arkivit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Lundër. Ke kohë edhe një vit që ta ndjekësh këtë problem. Mendoj se problemi yt do të zgjidhet.

Flas nga Athina. Kam punuar në minierë në Pogradec. Kam punuar 13 vjet nën tokë, 7 vjet si brigadier teknik dhe vitet e tjera punë të ndryshme nën tokë. Jam 55 vjeç e 6 muaj. Te Sigurimet Shoqërore në Pogradec më thanë që si brigadier teknik më duhet koeficient më shumë.
Unë i sugjeroj të interesuarit që përgjigjen nga Agjencia e Sigurimeve Shoqërore në Pogradec ta marrë me shkrim, me firmë dhe me vulë. Asnjë Agjenci e Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri nuk ka të drejtën të lidhë pensione. Punonjësja e Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore normalisht duhej të vepronte kështu: të merrte librezën e punës së personit dhe një kërkesë dhe t’ia dërgonte Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Korçë. Sigurimet Shoqërore në Korçë kanë specialistë.

Në të vërtetë, jo çdo person që punon në minierë quhet minator i nëntokës. Minator apo person që ka punuar nën tokë quhet ai person që ka punuar 8 orë nën tokë. Këta nuk kanë qenë të gjithë minatorë, por edhe elektricistë, inxhinierë etj., të cilët kanë punuar nën tokë. Zotëria duhet të fillojë ta ndjekë çështjen nga e para. Fillimisht duhet t’i bëjë një ankesë me shkrim Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Korçë. Dhe përgjigjen duhet medoemos që ta marrësh me shkrim, me firmë e me vulë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Sot një nga stërvitjet më të mëdha të ushtrisë serbe, testohen dronë kamikazë! I pranishëm Vuçiç dhe komandanti i KFOR

Sot një nga stërvitjet më të mëdha të ushtrisë serbe, testohen dronë kamikazë! I pranishëm Vuçiç dhe komandanti i KFOR