Fake News, si bien në grackë
mediat e Tiranës/Investigimi

Fake News, si bien në grackë<br />mediat e Tiranës/Investigimi
TIRANE-Një vëzhgim i Shqiptarja.com tregon se Fake News po bëhet një gabim viral i mediave online. Askush nuk mban përgjegjësi për tekstet që shkruhen dhe shpërndahen pa burime dhe pa fakte.

Jeta e vrullshme në një redaksi lajmesh kërkon që herë pas here të shkëputemi për të diskutuar për lajme, tituj, gabime, tema dhe çështje që lidhen me gazetarinë, kryesisht për vërtetësinë e trafikut të informacionit.

Kështu ndodhi herën e fundit, “Rusia ka blerë një televizion dhe tre portale në Tiranë” ishte titulli që na bëri kureshtar të gjithve. Teksti i lajmit fliste për një deklaratë të bujshme të Mark Gjonaj,  Asembleist në Asamblesë e New Yorkut. Sipas medias në fjalë, Shqipëria është pjesë e një projekti të quajtur “NEW-Alb-Transfert Media Contract”, që synon të ndikojë opinione publike përmes blerjes dhe përdorimit të medias.

Teksti tingëlloi alarmant në redaksinë tonë! Një shkrim pa burime dhe një projekt pa fakte që përdor veç një emër e mbiemër për tu dukur i besueshëm tek audienca, që shpesh janë edhe vetë gazetarët.

Linku i lajmit kaloi menjëherë tek të gjithë. Nga kërkimi në Google rezultoi se ky lajm ishte në shumë portale të tjera.

Vallë Shqiptarja.com kishte humbur lajmin e ditës?
Në pesë portale të ndryshme lajmi kishte vetëm një burim, emrin Mark Gjonaj, personi që supozohej se ka bërë deklaratën.
Telefonatat mes miqsh gazetarë nuk m’i shuan pikëpyetjet që kisha në kokë.
Lehtësitë teknologjike nuk prodhojnë përmbajtje, por rrisin cilësinë e saj, gjithmonë kur përdoren zgjuar. Dërgova një email në adresën zyrtare të Këshilltarit Mark Gjonaj ([email protected]), ku si gazetare shtrova të gjitha pyetjet e mia rreth deklaratës që qarkullonte në media.

tabela fake news

Përgjigjia zyrtare erdhi shpejt. Asamblisti Mark Gjonaj mohoi deklaratën që është shpërndarë në portale dhe më kërkoi të fshija menjëherë një artikull të tillë.
“Po ju shkruaj në lidhje me një artikull të botuar ditëve të fundit në portale të ndryshme: "Rusia ka blerë një televizion në Shqipëri dhe tre portale, së shpejti edhe një gazetë” me 14 Qershor, 2017 ku identifikohem si Asambleist i Shtetit të New Yorkut. Dua të bej të ditur publikisht dhe kategorikisht se as unë dhe as dikush në emrin tim, nga zyra ime e Asamblesë apo e Fushatës, nuk ka shkruar një artikull të tillë, nuk ka dhënë intervistë dhe as ka komentuar në lidhje më këtë çështje.”

U lehtësova shumë. Mes falenderimësh për përgjigjen e shpejtë i tregova zotit Gjonaj, se në median ku punoj, ky artikull nuk është botuar. Shqiptarja.com nuk e humbi lajmin e trilluar, gazetaria bëri diferencën.

Mjafton kaq pak, një komunikim, një telefonatë apo një mesazh për të mos rënë në grackën e Fake News. Nëse diskutohet a na duhet më gazetari, vorbulla e fake News është prova që bota ka nevojë për frymëmarrjen e gazetarit të vërtetë.
 
Reagimi
Ambasada ruse: Gjonaj anti-rus, nuk kemi blerë asnjë media në Tiranë
 
Ambasada Ruse në Tiranë ka përgënjeshtruar pretendimet se Moska ka blerë disa media në Shqipëri. Në një reagim zyrtar, ambasada e cilëson autorine  shkrimit, Mark Gjonaj si një spekulant dhe antirus. 

“Ambasada nuk ka të dhëna për blerje të mediave shqiptare nga Rusia dhe nuk është në dijeni të ndonjë “marrëveshjeje të nënshkruar” lidhur me këtë, do t’i ishte shumë mirënjohëse z. Gjoni për informacione më të detajuara, përfshirë këtu emërtimet e gazetave, televizioneve dhe portaleve elektronike shqiptare të “blera” nga Rusia, titujt e artikujve të “përhapura” në Shqipëri nga Qendra Humanitare Ruso-Serbe dhe prova të tjera konkrete të “luftës mediatike” gjoja të drejtuar nga Rusia. Të dhëna të tilla do të përbënin interes të jashtëzakonshëm jo vetëm për Ambasadën, por edhe për të gjithë lexuesit shqiptarë. Ndërsa momentalisht artikulli i z. Gjoni është një shembull krejt i qartë i një histerie antiruse të pabazë, të pathemeltë dhe të motivuar politikisht. Ambasada shpreh keqardhjen për qytetarët e Nju Jorkut, interesat e të cilëve i mbron një njeri i aftë për të tilla spekulime mashtruese, pa logjikë dhe krejtësisht trashanike”,-thuhet në reagimin zyrtar të ambasadës.

reagimi rusise

 Kronologjia e publikimit të lajmit të rremë në mediat shqiptare.
 
Si u përhap lajmi i publikuar nga mediat maqedonase tek ato shqiptare.
 
“Rusia kërkon të ndikojë rajonin duke blerë media”, titulli që pushtoi mediat maqedonase dhe më pas ato shqiptare, është opinioni i supozuar i Mark Gjonajt ku thuhej se Rusia kishte blerë një gazetë shqiptare, një televizion dhe tre portale elektronike.
Këshilltari në Asamblenë e New York-ut Mark Gjonaj i kontaktuar nga “Shqiptarja.com” deklaroi se nuk ishte ai autor i shkrimit të shpërndarë gjatë ditëve të fundit nga mediat e shtetit fqinj dhe më pas ato vendase.

Një “Fake- News” që e arriti qëllim duke u publikuar në shumë media, disa prej të cilave serioze.

Publikimi i parë
Nga kërkimet e kryera nga “Shqiptarja.com” pas vërtetimit se ky lajm nuk është i vërtet rezulton se burimi i parë i shkrimit është një media maqedonase, shteti i cilësuar si magazina e lajmeve të rreme nga mediat e huaja, pasi nuk është hera e parë që gazeta të Maqedonisë publikojnë lajme të rreme që fatkeqësisht gjejnë përhapje të gjerë edhe në Shqipëri.

tabela fake news

Maqedonia
Nga kërkimet rezulton se Zhurnal.mk ka publikuar opinion në 13 Qershor 2017 në orën 10:43 dhe i lexuar mbi 1700 herë në portalin maqedonas, më pas shkrimi është publikuar nga dy media maqedonase, përkatësisht “Tetova Sot” në 13 Qershor 2017 në orën 12:03 dhe “Ina-Online” në 02:21 të mëngjesit të 14 Qershorit. Por në këto dy media shkrimi është fshirë nga portali një ditë më vonë.

fake news maqedoni
fake news maqedoni

Shqipëria
Opinioni i rremë gjeti shtrirje të gjerë në faqet shqiptare një ditë pas publikimit nga mediat maqedonase. Media e parë në vendin tonë që publikoi opinionin e supozuar të Mark Gjonajt ishte “Gazeta Dita” ku shkrimi ishte botuar në një nga faqet e gazetës së datës 14 Qershor dhe i publikuar edhe në portalin online të gazetës. Paraditen e 14 Qershorit dhe 15 qershorit opinioni pa u verifikuar është shpërndarë më pas në shumë media dhe portale të tjera shqiptare, mes tyre Gazeta Tema online dhe 27.al.

fake news shqiperidita
fake news shqiperifake news shqiperi

 
Timeline i përhapjes së lajmit të rremë mbi ndikimin rus në Shqipëri

Maqedoni
  • 13 Qershor 2017 në ora 10:43 – Botimi i parë i opinionit në portalin maqedonas Zhurnal.mk
  • 13 Qershor 2017 në ora 12:03 – botimi në “Tetova Sot”, opinioni fshihet disa orë pas publikimit.
  • 14 Qershor 2017 në ora 02:21 e mëngjesit botimi tek “Ina-Online”, opinioni u fshih edhe nga ky portal disa orë pas publikimit 

Shqipëri
  • Gazeta Dita (print dhe online) 14 Qershor 2017
  • Botimi në disa portale me media të tjera shqiptare gjatë paradites së 14 Qershorit
  • Reagimi i Ambasadës Ruse për opinionin rreth orës 18:00 në 14 Qershor.
  • Opinioni publikohet në 15 qershor nga Gazeta Tema, 27.al dhe portale të tjera. 


Reagimi i Ambasadës Ruse në Tiranë
Pasditen e 14 Qershorit Ambasada Ruse në Tiranë përmes një komunikate për mediat ka përgënjeshtruar shkrimin e përhapur nga mediat shqiptare, mes tyre Gazeta Dita. Ambasada ruse e cilësoi opinionin si trillim antirus dhe reagoi ndaj autorit të shkrimit, emri i të cilit fatkeqësisht u keqpërdor për ta bërë opinionin në dukje sa më real.

“Copy- Paste”
Epoka e një gazetarie dixhitale e ka bërë më të thjeshtë përhapjen e lajmeve të rreme me qëllim manipulimin e opinionit publik, shkrimet që shpesh herë nuk verifikohen nga mediat online dhe hidhen “Copy- Paste” pasi janë publikuar nga gazeta serioze janë ato që mund të jetë edhe totalisht të pavërteta.
 
Maqedonia, magazina e “Fake – News”
Në disa dokumentarë realizuar nga mediat e huaja mes tyre BBC, një qytet i vogël në maqedonas, Velesi është cilësuar si magazina e prodhimit të lajmeve të rreme “Fake- News” gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale në SHBA, nga ku më pas janë përhapur në mediat ndërkombëtare. Disa të rinjtë të këtij qyteti në Maqedoni me anë të aftësive të tyre kanë arritur të fusin në “kurth” mediat me shkrime të pavërteta, por në dukje reale.

Rasti i Ahmadinexhad
Vetëm 7 muaj më parë mediat shqiptare ranë pre e një tjetër “Fake- News” të prodhuar nga Maqedonia. Lajmi i ish-Presidentit të Iranit Mahmoud Ahmadinexhad si një çoban që ruante delet, shkrimi i shoqëruar me një foto ku ish-presidenti shfaqej duke mbajtur një shkop majë një kodre. Edhe atëherë “Shqiptarja.com” përgënjeshtroi lajmin e mediave maqedonase, mes tyre Zhurnal.mk që ishte ndër të parat që e kishin si lajm. Në të vërtet ish-presidenti iranian Ahmadinexhad kishte qenë në një fshat malor në një provincë të Iranit, por fotoja e vizitës së tij u keqpërdor nga mediat maqedonase për të krijuar një “Fake- News” që mori shtrirje të gjerë atëherë në portalet online shqiptare.
 
Redaksia Online
(Klaudia Karabolli, Antonio Çakshiri /Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Sezoni Turistik nis më herët në Green Coast

Sezoni Turistik nis më herët në Green Coast