POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Familja Toska, shpallen kulakë, shtëpitë u sekuestrohen dhe bëhen spital për lebrozët

Shyqyri Toska

Pjesa e dytë

Vrasja tjetër e një Toske, e treta

Ishte e mërkurë 4 prilli i motit 1945 dhe të nesërmen bëhej pazar në Roskovec. Arshini duhej të qe patjetër këtu, sepse priste të vinte një nip i tij, por e thirrën të zgjidhte një ngatërresë mes banorësh. Kur bashkë me anëtarët e Këshillit të Frontit shkuan afër arës, ku do të çmohej një dëm i kryer, “nga korija dualën papritur ca burra të armatosur dhe ju zunë rrugën. Ishin forcat e ndjekjes”.

Këta vunë në mes anëtarët e Këshillit dhe pasi bënë së bashku një copë udhë, u thanë të qendronin. Pastaj ndanë prej tyre Arshinin dhe e morën me vete. “Ju prisni këtu se erdhëm”, thanë të tjerëve. “Dhe u larguan në drejtim të Përroit të Ladovës”, shkruan në librin e vet “Toskët e Luarit”, Shyqyriu. “Pa bërë as 300-400 metra, vijon rrëfimin e vet autri, u dëgjuan 2 të shtëna revolveri”. Pas kësaj burrat e armatosur u kthyn përsëri në drejtim të grupit të anëtarëve të Këshillit dhe i morën secilit nga një deklaratë që s’kishin parë e s’kishin dëgjuar gjë, ndryshe i priste plumbi.

Shkruan më tej Shyqyri Toska: “Unë e kujtoj mirë këtë ngjarje se sapo kisha mbushur 7 vjeç dhe isha shumë i lidhur me tim atë. Atë vit do filloja shkollën fillore në Berat. Babai më kishte blerë rroba të reja. Do rrija në shtëpinë e hallës në lagjen Murat Çelebias...

Atë ditë, sapo dëgjova krismat vrapova në bedenat e murit të oborrit për të parë nga rruga mbase shihja babanë. Nga aty, fshati dukej i gjithi si në pëllëmbë të dorës. Babai nuk dukej. Sakaq gjyshja doli me vrap në oborr duke folur si me vete. “Qyqja, m’u duk sikur dëgjova ca bam-bame. Nuk u sosën këto të shkreta bam–bame!” Pastaj më qortoi mua të mos rrija në bedenat e murit se rrëzohesha.  

Unë nuk zbrita nga bedenat. Nuk e di pse më kapi një ndjenjë trishtimi dhe nuk më bëhej të luaja. Nuk zgjati shumë kohë pas krismave kur poshtë, në rrugë, pashë një grup burrash që po i ngjiteshin kodrës së shtëpive tona. Në duar mbanin një diçka të bardhë e të gjatë...”

(Në 10 korrik 1983 ish-komandanti partizan Ceno Velmishi do të lëshonte një deklaratë dore, ku mes të tjerash do të pohonte për Arshin Toskën se “Familja e çoi në Berat, nuk erdhi më tek unë dhe te ish-Komandanti i Shtabit të Qarkut Mestan Ujaniku, ku qëndroi në zona të lira deri në çlirim të plotë të vendit, ku më pas shkoi në Luar me orientim si njeri i Lëvizjes. Di që qysh para çlirimit Arshini ish zgjedhur kryetari Frontit Demokratik të Luarit...”)

Vrasja e katërt

Mersini, i vëllai i kryetar të Këshillit të Frontit Demokratik, tashmë të vrarë nga trupat e qeverisë së tij, pas djegies së shtëpive nga Isa Toska, qe bashkuar me çetën partizane të Bilbil Klosit. E shoqja, Safetia, ishte mbesë tek Klosët. Mersini ishte me një dorë të prerë.

Kur bashkë me brigadat partizane mbërriti në Shkodër, pa lënë të nënkuptohej gjë më parë, krejt papritur, tentoi të arratisej nga njësia, në mos edhe për të ikur jashtë. Arsyeja e vërtetë nuk u kuptua kurrë. Mos ndoshta i trëmbej rikthimit në vendlindje, atje ku tashmë qe bërë rregull se ishte kushëri i parë i kriminelit Isa dhe për këtë duhej të ndëshkohej.

U përpoq të ikte Mersin Toska me një dorë të prerë, por nuk ia doli dot dhe u rikthye në Mallakastër. Veç jo në shtëpinë e tij. Për dy vjet qëndroi i strehuar nëpër të afërm, por që nuk kishin mbiemrin e vet të nëmur nga pushteti. Më në fund, kur mendoi se e kishin hequr nga kujtesa, në 1946, u kthye në Luar. Kishte hyrë në “gojën e ujkut”. Mbase nuk i bënin fjalë....

Kur shkoi për mik i ftuar në fshatin Suk, gjatë darkës, teksa qenë duke darkuar, të zotët e shtëpisë njoftuan forcat e ndjekjes dhe Mersinin e arrestuan menjëherë. E dënuan me 5 vjet burg për tentativë arratisje. Mbas lirimit, në vitin 1951, u punësua roje në një fabrikë bloje në Urën Vajgurore, afër Beratit. Fabrika një ditë mori flakë dhe u dogj. Si fajtorë u arrestuan pesë vetë, midis të cilëve edhe Mersini. Në vitin 1953, pa paraqitur ndonjë provë se si qe e e mundur që vetë roja të digjte objektin, u dënua me pushkatim. Akuza: sabotim ekonomik.

Vazhdon absurdi: Vrasja e Pestë

Ndërkohë dy mote më parë, në 1951, në përpjekje me forcat e ndjekjes në një fshat të Librazhdit qe vrarë gjatë rezistencës njëri nip i Hysni Toskës, Selman Pobrati. Edhe ky, i vënë në shënjestër se qe kushëri i Isa Toskës, bënte jetë ilegale dhe po tentonte arratisjen. Ismail Toska, nipi tjetër i deputetit zogist të dënuar me vdekje nga partizanët në Berat, u strehua për disa kohë tek njerëzit e së ëmës, por edhe ai u kap dhe u pushkatua, Qenë sërish forcat e ndjekjes që i morën jetën.

Kështu, nga tërë fisi i Toskëve tashmë të shfarrosur sepse qenë gjak i Isait terrorist, por edhe i deputetit zogist Hysni, mbeti Taipi. Këtë e hoqën nga puna në postën e Roskovecit dhe u kthye në bujk që punonte me mëditje. Tashmë mbi përgjegjësinë e tij vareshin pesë familje me gratë e mbetura vejusha e fëmijë të mitur e jetim. Nga konfiskimi i pasurisë Taipit thuajse nuk u kishte mbetur asgjë. Një kal të vetëm që kishte, e bashkoi me kalin e një fqinji dhe shinin të lashtat e fshatit.

“Një ditë, shkruan Shyqyriu, teksa punoi tek një bashkëfshatar i tij deri në pikën e vapës së gushtit, u ul të hante drekën e përgatitur nga i zoti i shtëpisë. Mbas ngrënies ndjeu dhimbje therëse në stomak dhe filloi të ankohej e përpëlitej deri sa vdiq brenda pak orësh, pa arritur ta çonin as në spital”.

Me vdekjen e tij u mbyll edhe dera e burrave të këtij fisi. Në të kishin mbetur vetëm gra të veja në moshën 25-30 vjeçare, si edhe fëmijë, ku më i madhi qe autori i librit “Toskët e Luarit”, personazhit kryesor të këtij cikli me tre shkrime.

Sikur të mos mjaftonin këto fatkeqësi të rënda, në 8 gusht 1955, para shtëpisë së tyre erdhën papritur dy makina të tipit “Xhip.” Rrëfen Shyqyriu: “Sapo u hapën dyert zbritën me nxitim 7-8 nëpunësa me çanta e deftera nëpër duar. Njëri mbante një metër shirit. Unë ndodhesha në shtëpi. Isha kthyer nga Berati ku vazhdoja dy klasët e fundit të 7 - vjeçares, për të kaluar pushimet verore me nënën dhe gjyshen”.

Nga çfarë po ndodhte kaq papritur fqinjët dualën nëpër oborre e dritare të shihnin, po ardhësit pa folur me askënd u përhapën dhe filluan të masnin me metër çdo bahçe e cep të avllive. “U çua gjyshja me nënën, shkruan autori i librit të sagës tronditëse të Toskajve, dhe i pyetën se çfarë po bënin aty, por ata sikur nuk dëgjonin dhe vazhdonin matjet...Nëpunësit nuk pushuan gjithë ditën duke matur e bërë shënime për çdo cep të terenit. Mbas dite vonë, pasi mbaruan, hipën sërish nëpër makina dhe ikën.

Në fshat u hapën thashetheme për sekuestrimin e shtëpive. Ca thoshnin se qeveria do bënte zonë vrojtimi për ushtrinë, ca thoshin se do bëhej kamp veror për punëtorët... Pas një jave erdhën përsëri tri makina. Njëra që kishte targat e Fierit, ishte makina e Degës së Brendshme. Prej saj zbritën tre burra, midis të cilëve, ish - operativi i zonës, kapiten Astriti që tashmë ishte bërë Shef i Krimeve për rrethin e Fierit. Dy makinat e tjera vinin nga Berati dhe të ardhurit ishin dy ushtarakë e tre civilë. Njëri nga ushtarakët ishte Kryetari i Degës Brendshme të Beratit..., ndërsa tjetri ishte Shefi i Policisë... Sapo zbritën u takuan me përqafime me njëri-tjetrin. Dikush nga Berati ju drejtua Astritit:

-Kapiten Astriti, ku janë skodat me policë?

-Po vijnë,-tha Astriti, prapa i lashë, tek kthesa e Shushenjve.

...Ndërkohë erdhi “Skoda” me njëzetë e ca policë. Kapiten Astriti i zbriti të gjithë dhe i ndau në tre grupe me në krye nga një kapter dhe urdhëroi me zë të lartë: “Këto shtëpi janë shtetëzuar dhe do boshatisen me laçkë e plaçkë, me çfarë kanë brenda dhe të gjitha të grumbullohen tek bahçja e Grabovës. Çdo plaçkë të kontrollohet deri në imtësi. Se ju nuk e njihni mirë rracën e këtyre, çfarë nuk pret nga ky soji kulakësh, janë armiq të betuar të pushtetit popullor. Njerëzit që kundërshtojnë të nxiren me forcë, kushdo qoftë grua apo fëmijë. Kur të futem unë, t’i gjej bosh…bosh…bosh, ju thashë! Dakord!? Pasi të mbaroni të mbyllni portat me dryn dhe të vihet shërbim roje. Në çdo portë një polic”.

Ndërkaq rrëfimi në libër dëshmon lotët e gjyshes së shtëpisë, e cila i binte kokës me grushta: “Po ne ku do vemi?” Përgjigja e një kapteri ishte: “E di Partia,  por dorë për dorë do ju lëmë te bahçja e Grabovës”. “Sakaq policët, shkruan Shyqyriu, kapnin çarçafë e batanie, i hapnin në dysheme, i mbushnin me plaçka dhe i nxirnin jashtë. Bahçja e Grabovës ishte nja 200 e ca metra larg shtëpisë dhe policët e bënë udhën disa herë. Kur morën kadet me ullinj dhe i nxorën nga porta, bënë sikur ju shpëtuan nga duart dhe i derdhën. Ndërsa një pillë balte që kishte 20 okë vaj ulliri, e goditën qëllimisht tek guri i portës dhe ena u bë copë–copë”.

Në shtëpinë e Hysni Toskës, vazhdon tregimin e vet Shyqyriu, gjetën një valixhe të vjetër prej kartoni. Kur e hapën kishte brënda një copë rrobë akllazi ku ishte mbështjellë një uniformë ushtaraku me gradat e nënkolonelit të Mbretërisë së Zogut. Në mes të uniformës ishte një flamur shqiptar prej akllazi, thurur rreth e qark me shirita mëndafshi të verdhë që lidheshin e formonin një xhufkë të madhe me thekë. Shqiponja ishte pa yll në krye. Policët ndërprenë punën dhe njoftuan me të shpejtë kapiten Astritin.

Ky, me të mbërritur, i ulëriti të shoqes së dikur deputetit: “Ja çfarë ke ruajtur ti, rrobat e armikut të popullit, rrobat e reaksionarit Hysni Toska. Mban shpresa dhe thur ëndërra me sy hapur për të rrëzuar pushtetin popullor ti, po nuk ngjallet më as Hysniu yt as Zogu i Hysniut, moj plakaruqe e keqe!

Pastaj hapi flamurin dhe u bë si i xhindosur: “Shikoni, more shokë, iu drejtua policëve që e kishin rrethuar kapitenin, shikoni flamurin reaksionar, flamur pa yll!”

(Pas dy-tri ditësh nga kjo ngjarje, të pesë gratë e veshura kokë e këmbë me të zeza, u nisën në këmbë të ankoheshin te Sekretari i Parë i Komitetit Partisë të Qarkut Beratit, Xhevit Qesja. Në paradhomën e zyrës së pritjes i mbajtën me shpresë deri në drekë, pastaj ju thanë se Sekretari i Parë, ishte tepër i ngarkuar me punë dhe nuk mund t’i priste. Kur panë se pesë gratë vejusha nuk donin të largoheshin, Qesja dërgoi një grua leshverdhë që i priti në këmbë në koridor. Ajo shqiptoi: “Ju jeni gratë e Toskëve? E dimë problemin tuaj. Partia ka punë të rëndësishme e nuk merret me juve”).

Ndërkaq pa kaluar as tre javë, në fshat erdhën tre skoda me rimorkio. Dy prej tyre ishin të mbushura me tela me gjëmba, shtylla betoni e druri, dërrasa e çimento, ndërsa tjetra kishte 20 e ca burra të paisur me tesha fjetjeje, batanie, gaveta, pagure alumini e rrangulla të tjera. “Përnjëherë filluan nga puna, tregon Shyqyriu, ngulnin shtylla e shtrinin telin me gjëmba....Burrat e ardhur punonin të qetë e pa zhurmë, të rrethuar nga policë që shërbenin me armë në dorë”.

Ishin të burgosur politikë. Ata nuk e dinin se shtëpitë e sekuestruara do të përshtateshin për Qendrën Shendetësore të Sëmurëve Lebrozë. Për këtë, me propozim të qeverisë, në 8 gusht 1955 kishte një dekret të Kuvendit Popullor. Në shkresën zbatuese thuhej se “Mako Toskës, kulake (e shoqja e Hysni Toskës) propozohet t’i shpronësohen...Qerim Toskës, kulak, propozohen t’i shpronësohen...Shyqyri Toskës, kulak, propozohet t’i shpronësohen...Sabri Toskës, kulak, propozohet t’i shpronësohen...Mersin Toskës (ekzekutuar si armik në 1953) propozohet t’i shpronësohen....” Shkresa mbyllej me gjykimin se ndryshe nga të tjerë, Toskët e sekuestruar të mos shpërbleheshin “me që janë kulakë dhe në gjendje të mirë”.

Ushtar vetëm me lopatë

Kur doli “Letra e hapur” e Enver Hoxhës dhe u shfaq direktiva për të pastruar qytetet dhe qendrat industriale nga persona të deklasuar prej regjimit, për Shyqyri Toskën ende pa mbushur të tetëmbëdhjetat, nuk dukej se kishte rrugë tjetër përveç ndërrimit të identitetit, tjetërsimit të gjendjes civile. Kështu me anë të të njohurve dhe ndonjë dashamirësi, të riut që sapo kish mbaruar shkollën 7-vjeçare, emrin Shyqyri Arshin Toska ja bënë Shyqyri Arshin Arshini. Po këtë vit e thirrën për të kryer detyrën ushtarake. “Për shërbimin ushtarak e dija se do më çonin në reparte pune si të gjithë të deklasuarit. Në atë kohë po ndërtohej Hidrocentrali i Bistricës në Sarandë dhe mua më ra radha të shkoja atje. Punova 1 vit në hidrocentral dhe vitin e dytë më çuan në hapjen e kanaleve vaditës në Krane, Vagalat e deri në Çukë afër Butrintit”. Shpjegon më tej Shyqyriu: “Ne, Toskët, ishim 13 djem e të gjithë e kemi bërë shërbimin ushtarak në reparte pune”.

“Mbas lirimit nga ushtria, rrëfen Shyqyriu, fillova të mendoj sërish për rrugën e jetës. Shtigjet ishin zënë nga të gjitha drejtimet...Në fillim vajta në Berat. Me shumë ndërhyrje të hallës dhe miqve të babait fillova punë si punëtor krahu në Ndërmarjen Shtetërore të Ndërtimit, në kantierin Nr. 4. Aty fillova të punoj me dy burra të nderuar që ishin murator të zotë.  Ishte Stefan Papalilo, i biri i një z/Ministri të kohës së Zogut dhe i dyti, Mamo Selimi...Pas një viti, hyra në prova për murator dhe mora kategorinë IV...”

Vijon Shyqyri Toska: “Por krahas vështirësive të punës, kisha problem pashaportizimin. Për çdo familje në Këshillat e lagjeve ishte libri i pashaportizimit ku regjistrohej çdo mysafir që bujtte në ta, por jo më tepër se 2-3 muaj. Unë isha regjistruar te kushëriri im, te Sabri Taip Toska në lagjen “Partizani”. Aty qendrova një vit e gjysmë dhe për ato kushte të vështira që kaloja kjo qe një ndihmë shumë e madhe. E kisha kaluar afatin dhe kisha bërë kërkesë për pashaportizim, por më kishin refuzuar... Ndërkohë në lagje kisha rënë në sy. Këshilli më raportoi te shefi i pashaportizimit në Degën e Brendshme. Kapiten Josifi më gjobiti 1000 lekë. Kjo shumë ishte sa një e treta e rrogës sime mujore. Ndërsa herën tjetër, dega urdhëroi të plotfuqishmin e lagjes, kapter Novruzin nga Skrapari, të më arrestonte. E dija se mbas kësaj më priste makina e policisë për të më degdisur natën...”

Ku të ikte, ku mund të fshihej?

“Dola mbi lagjen Goricë, mes pishash, tregon, u ula, ndeza një cigare dhe hodha sytë poshtë në qytet. Prej aty dukej gjithë lagjia “Murat Çelepias” që ndriçohej nga dritat. Vrisja mendjen se ku mund ta kaloja lumin, pasi vetëm natën mund të hidhesha përtej. Por ishte muaji dhjetor dhe uji qe shumë i ftohtë…” Më tej rrëfimi i Shyqyri Toskës ka fjalët: “Vendosa të kaloja lumin dhe të shkoja te familja e vajzës së dajës tim, e që aty të kaloja në fshatin Kamçisht të Lushnjës, atje ku ishte nëna...

Zbrita në xhade, kalova Urën e Velabishtit dhe eca në drejtim të rrugës së fshatit Starovë e Veterrikut. Në një gardh shkula një hu të madh që do më duhej të gjeja vaun e lumit. Qentë e fshatit më ulërinin nga pas. Pasi u largova 2 km. nga diga dhe lumi filloi të zgjerohet, vendosa ta kaloj. Sapo u futa ndjeva të rrëngjethura në trup. Më tej, kur uji i lumit po më ngjitej mbi gjunjë, trupi filloi të më dridhej nga të ftohtit. Dhëmbët po më kërcisnin dhe, herë – herë, kafshoja gjuhën pa dashje. Hëna ndriçonte nga lart me një dritë edhe më të ftohtë se uji dhe hija e trupit tim zgjatej mbi sipërfaqen e tij duke u valëzuar. Pastaj hija sikur filloi të krijonte disa figura të çuditshme..., ireale.  Më hyri frikë dhe vendosa të mos shikoj më në ujë, por në bregun përtej. Vetëm ashtu mund ta masja distancën dhe të merrja guxim për të ecur përpara.

Uji po i afrohej belit. Kisha arritur në mesin e tij dhe rryma po bëhej edhe më e fortë. Vende vende krijonte ca pështjellime, apo shtjella të fshehta që gati po më rrëmbenin. Të ftohtit po më bllokonte frymëmarrjen. Këmbët s’po i ndjeja. Të vetmet fjalë që formuloja me vete ishte lutja që i drejtoja Zotit dhe Baba Aliut të Beratit. “Më shpëto, o zot sonte nga ky lum, për hatër të nënës dhe jetës sime të re…më shpëto, o Zot të qofsha falë!…”   

Rezistenca po më humbiste dhe trupi po më lëkundej mbi ujra, por, fal hurit që shtrëngoja në duar, shtyhesha në drejtim të bregut. Edhe pak më ngeli…edhe një rryp i ngushtë uji… edhe pak… por këmba më shkau në një thellimë dhe u zhyta i tëri në ujë. Me mundim mblodha veten dhe brofa në këmbë.

Hëna sikur më veshi me një dritë të praruar që më përtëriti shpirtin e më dha qetësi. Dola në breg u ula në gjunjë dhe me duar të hapura falënderova Zotin që më shpëtoi nga lumi. Falenderova edhe Baba Aliun e Beratit edhe Abas Aliun e Tomorit. Pastaj u çova, hoqa çizmet, i kullova nga uji, hoqa xhupin, e shtrydha sa munda dhe vrapova që të nxehesha. Po kalonte mezi i natës. Ecja përmes lagjes “Murat Çelepias” dhe kur arrita te dyqanet e Mapo-s tregtare pashë dy policë që bënin patrullë duke përplasur këmbët herë pas herë të nxeheshin. U fsheha pas një muri... Pasi kaluan, hodha xhaden dhe hyra në rrugicën që të çonte te shtëpia e Ruzhdi Shemes, të shoqit të kushërirës sime. Shemet ishin fis i madh me origjinë të hershme beratas dhe me reputacion të mirë në qytet. Ruxhdiu punonte ispektor në qendrën sanitare të Beratit.

Trokita te porta e tij duke i rënë edhe ziles si me gjysmë urgjence. Porta ishte e madhe nga ato të hershmet dhe brenda ishte një oborr i përbashkët për dy shtëpi dykatëshe ku banonin tre vëllezër. Nuk po më dëgjonin. Dhe kishin të drejtë se ishin orët e pasmesnatës. I humba disi shpresat se nuk mund të bëja më shumë zhurmë se do çohej gjithë lagja. U ula te pragu i portës dhe u mbështolla pas derës. Gjithë trupi më dridhej e nofullat më kërkëllinin pa qenë në gjendje t’i komandoja. Pas disa minutash u ndez drita e oborrit dhe nga ballkoni u dëgjua një zë që pyeti: “Kush është?” Unë nuk fola por i rashë portës me grushta. “Kush është?”, - thirri sërish zëri. “Ruzhdi… Ruzhdi… di… di…” belbëzova unë me zë të mekur.

Porta u hap dhe para meje doli vëllai Ruzhdiut, Kasëmi. Unë e njihja, por ai nuk më njohu, aq më tepër në gjendjen që isha katandisur. I fola ngadalë, “Ruzh…di…di…!” Isha krejt i mekur. Ai hyri brenda dhe zgjoi të vëllanë...Ruzhdiu erdhi menjëherë dhe sa më pa më njohu. “Ç’farë të ka ngjarë”? – më tha. Unë nuk kisha fuqi të përgjigjesha. I foli të shoqes, Sherjasë dhe të tre më ngritën peshë e më çuan në katin e dytë. U çuan të gjithë nga gjumi të alarmuar e u mblodhën rreth meje. Më ndërruan, ndezën zjarr në oxhak...”

Por njëzetë vjeçari që përndiqej se e kishte mbiemrin Toska, nga ai kalim lumi mori bronko polmoni dhe e mbyti kolla dhe temperatura. U përmirësua vetëm pas tre javësh dhe telegramit dërguar te nëna iu kthye përgjigja e saj: “Eja...”

(Vijon)

ke.mu./b.ha.
Komento