Fatos Klosi: Pakti Rama-Visho
Lika pse u tërbua Berisha

Fatos Klosi: Pakti Rama-Visho<br />Lika pse u tërbua Berisha<br /><br>
Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, gjatë një interviste për Shqiptarja.com shprehet se ka pasur një marrëveshje me Visho Ajazi Likës dhe kryeministrit, por shton se është befasuar nga propozimi i ish-kreut të SHISH si ambasador në NATO.

Klosi nuk mohon një ndikim të mundshëm të përfaqësive të huaja diplomatike në Tiranës në propozimin e Visho Ajazi Likës për ambasador të Shqipërisë në NATO. Duke u ndalur tek reagimi i Berishës, Klosi thotë se ky rast tregoi se për herë të parë Sali Berisha nuk është brenda lojës ku merren vendimet. Sipas Klosit, ish-kryeministri Sali Berisha doli blof me reagimin e tij, çka tregon se ai nuk ka qenë i informuar dhe se nuk informohet më për zhvillimet e rëndësishme.

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror ka folur edhe për peshqit e mëdhenj të krimit dhe korrupsionit, për të cilët amerikanët kanë kërkuar që të arrestohen në fillim të vitit 2018. Klosi u ndal edhe tek kërkesa e opozitës për zgjatjen e mandatit të kryeprokurorit Adriatik Llalla deri në vitin 2019 si dhe tek çështja Tahiri.

-Z. Klosi, tre vjet më parë, përfaqësues të kësaj shumice në Komisionin e Sigurisë, hapën dyert e Shërbimit Informativ Shtetëror, për të verifikuar ligjshmërinë e veprimtarisë së kreu të shërbimit, Visho Ajazi Lika, pas dyshimeve për përgjime të paligjshme dhe për llogari të Sali Berishës. Pati gjithashtu një plan për ta shkarkuar. Tre vjet më vonë, kryeministri Edi Rama e propozon Visho Ajazi Likën ambasador në NATO. A jeni të befasuar nga kjo lëvizje?
Unë e ndjeja se kishte një marrëveshje mes kreu të SHISH dhe kryeministrit. Nuk ishte një dorëheqje e rastësishme. Unë dëgjova se para gjashtë muajsh ai e kishte dorëzuar dorëheqjen me idenë se po konkurronte për një detyrë të rëndësishme në NATO. Por, nuk mendoja se do të bëhej ambasador. Kjo ishte e papritur. Kjo pjesë e ishte e papritur.

-Deputetët e PS, anëtarë të Komisionit të Sigurisë, nuk kanë qenë në dijeni të propozimit, deri sa u bë publik. A duhet të kishte një konsultim paraprak?
Askush nuk ishte informuar. Nuk ishte informuar as presidenti. Natyrisht, për ambasadorët, është normale të merret një miratim më përpara, në mënyrë që të mos prodhohen konflikte më vonë.

-Propozimi reflekton vullnetin e kryeministrit apo mendoni se është imponuar nga disa përfaqësi të huaja diplomatike në Tiranë?
Nëse kanë pasur ndikim përfaqësitë diplomatike, nuk do të ishte e drejtë.

-Kohë më parë, Visho Ajazi Lika u dekoruar në fshehtësi, ku në ceremoni, përpos ish-ambasadorit amerikan, ishte edhe kryeministri....
Atë e dekoruan amerikanët, jo nga tanët. Ishte në fshehtësi nga amerikanët. Ata kërkuan që të jenë zyrat e Kryeministrisë vendi ku do të jepej dekorata. E dekoruan amerikanët për bashkëpunim të mirë me ta.

-Si e lexoni reagimin e Sali Berishës? Kishte nervozizëm dhe për herë të parë duket se nuk ishte në dijeni të zhvillimeve. A e ka ‘tradhtuar’ Visho Ajazi Lika Berishën?
Partia Demokratike doli blof në këtë histori. Nuk është punë tradhtie, sepse ky raport është shumë personal dhe nuk varet nga ndonjë politikë e madhe. Por, Berisha doli blof. Ai luajti me skemën e zakonshme, duke thënë se i bërë presion, e larguan etj., dhe papritur doli blof, pasi jo vetëm që nuk kishte qenë presion, por kishte qenë edhe një marrëveshje, për të cilën Berisha nuk ishte në dijeni. Kjo tregon se Sali Berisha nuk është më brenda lojërave siç ka qenë gjithmonë dhe siç është mësuar që të jetë. Më parë, ai gjithmonë i dinte gjërat, ishte në dijeni të zhvillimeve. Ky rast tregon se Sali Berisha po largohet gradualisht nga vendet ku merren vendimet. Është hera e parë që ai e ndien se nuk ka më informacion. Nuk është më në lojë.

-Ditët e fundit po përshkallëzohet një debat politik rreth mandatit të kryeprokurorit Adriatik Llalla. Mazhoranca mendon se mandati i kryeprokurorit mbaron në muaj dhjetor të këtij viti, ndërsa opozita këmbëngul se mandati mbaron pas dy vitesh. Cili është komenti juaj?
Është shumë e qartë. Opozita kërkon zgjatjen e mandatit sepse kryeprokurori është njeriu i saj. Është një njeri që e kanë vënë ata, një njeri që i ka ndihmuar ata në të gjitha situatat e vështira dhe duan që ta kenë akoma.

-Po të kishte pasur një performancë ndryshe....
Po kush po pyet për performancë, por pyetja konsiston vetëm për kë punon. Opozita kërkon që ta ketë aty për siguri. Kryeprokurori ka qenë një njeri politik. Në të gjitha qëndrimet që ka mbajtur në të gjitha çështjet më delikate gjatë pesë viteve të mandatit të tij, ai ka mbajtur qëndrime politike. Të gjitha vendimet që janë marrë për Gërdecin, rrugën Durrës-Kukës, shitjen e detit, 21 Janarin, CEZ etj., janë qesharake. Kryeprokurori ka kryer një rol politik. U ka shërbyer atyre që e kanë vënë në atë funksion. Ndaj, duan që ai të rrijë edhe ca kohë.

-Amerikanët kanë kërkuan arrestimin e peshqve të mëdhenj në fillim të vitit që vjen. Sipas jush kush janë peshqit e mëdhenj?
E vërteta është se amerikanët po bëjnë Vetingun. Vetingu është punë dhe meritë e tyre. Nëse pasojat e Vetingut do të jenë ato që paralajmëron ambasadori amerikan, do të ishte pozitive. Sa për afatin, problemi qëndron se duhet të jenë edhe njerëzit e duhur që do të bëjnë arrestimin, atë që do të bëjnë hetimet etj. Nuk është kaq e thjeshtë. Pas dy muajsh do të jenë organet e reja. Ambasadori besoj se di diçka. Tani peshqit e mëdhenj janë të gjitha ata që janë të rëndësishëm nëpër detyra. Një roje ministri nuk mund të quhet peshk i madh. Peshqit e mëdhenj janë atë që marrin vendimet. Janë ata, vendimet e të cilëve peshojnë. Të gjitha ata që kanë përfituar me anë të marrjes së vendimeve.

-Vendimi i parlamentit për të mos lejuar prokurorinë për të arrestuar Saimir Tahirin a e komprometoi angazhimin e shumicës për realizimin e Reformës në Drejtësi?
Absolutisht, jo. Arrestimi është shumë i rëndë. Pse? Sepse asgjë nuk shton në hetime. As nuk shton dhe as nuk pakëson. Ata kanë të drejtën e plotë që t’i bëjnë të gjitha hetimet si të duan. Por, të mbash një ish-ministër brenda vetëm se përmendet nga dy drogmenë, kjo mua më duket e rëndë. Nëse do të kishte prova, dakord. Ishte më shumë për ta diskretituar para se ta dënosh. Tahiri nuk ka asgjë në dorë. As prokurorinë nuk e pengon dot sepse ai gjithmonë ka shkuar keq me prokurorinë. Arrestimi do të ishte politik. Në Shqipëri arrestimi është gjysmë dënim.

Er.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kosovë, nesër votohet për shkarkimin e kryekomunarëve në veri, policia gati për çdo skenar

Kosovë, nesër votohet për shkarkimin e kryekomunarëve në veri, policia gati për çdo skenar