Sot zyrtarizohet rekomandimi për negociatat, Mogherini nesër takime në Tiranë me krerët e shtetit

Sot zyrtarizohet rekomandimi për negociatat, Mogherini nesër takime në Tiranë me krerët e shtetit

Federica Mogherini, shefe e politikës së jashtme të BE-së

Komisioni Europian do ti rekomandojë Bashkimit Europian sot zyrtarisht hapjen e negociatave për Shqipërinë. Prezantimi i raportit do të bëhet nga Shefja e Politikës së Jashtme në BE, Federica Mogherini dhe Johannes Hahn, Komisioner për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit në orën 14:00 në Bruksel. Report Tv dhe Shqiptarja.com zbardhën ekskluzivisht ditën e djeshme raportin e plotë të Komisionit Evropian për Shqipërinë. 

Në orën 15:00 ambasadorja e BE në Tiranë, Vlahutin do te zhvilloje nje deklarate per mediat, ndërsa rreth orës 16:30 minuta do te takoje kryeministrin Edi Rama. Raporti do t'i dërgohet edhe Presidencës dhe Kuvendit nga përfaqësuesja e BE në Shqipëri.

Ndërkohë, pasditen e sotme në Tiranë mbërrin zonja Mogherini, e cila do të darkojë me kryeministrin Rama. Takimet zyrtare të Shefes së Politikës së Jashtme të BE do të zhvillohen gjatë ditës së mërkurë, ku në orën 11:00, ajo do të ketë një konferencë shtypi me kreun e qeverisë, Rama.

Ndërkohë, kryediplomatja e BE-së do të ketë takime edhe me Presidentin e Republikës, Ilir Meta si dhe me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Në këtë takim, do të jetë e pranishme edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Komisioni Evropian arrin në konkluzionin se hapja e negociatave është e domosdoshme që thellimi i reformave të vijojë me ritmin e kënaqshëm në të cilin ndodhet Shqipëria. Në kuadër të progresit të arritur, Komisioni rekomandon që negociatat e anëtarësimit të hapen me Shqipërinë.

Duke ruajtur dhe thelluar momentin aktual të reformave në fushën kyçe të zbatimit të ligjit, në mënyrë të veçantë në të gjitha pesë prioritetet kyçe dhe të rezultateve të vazhdueshme dhe të prekshme në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (Vetingu), do të jetë vendimtar për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë. Për të mbështetur këtë, Komisioni do të aplikojë qasjen e përforcuar për kapitujt e negociatave lidhur me drejtësinë, të drejtat themelorë dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë e vendit

 Pjesë nga Raporti i KE për Shqipërinë për hapjen e negociatave

 

Marrja e këtij rekomandimi pozitiv nga Komisioni Evropian për Shqipërinë është gjysma e rrugës drejt ëndrrës për nisjen e bisedimeve për anëtarësim. Vendimi përfundimtar jepet në qershor, kur Këshilli i Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare do të mblidhen dhe do të votojnë nëse pranojnë apo jo hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Përpara se të mbërrijnë në këtë datë, rekomandimi i kësaj të marte nga komisioni ju përcillet në parlamentet e vendeve anëtare të cilat marrin vendim nëse do ta mbështesin apo jo Shqipërinë. Më pas do të shprehen në Këshillin e Ministrave, ku mjafton qoftë edhe vota e një prej vendeve anëtare kundër dhe vendi ynë mund ta humbasë trenin për më shumë se një vit, sepse vetë Bashkimi Evropian do të hyjë në zgjedhje të brendshme.

Po kush janë vendet që mund të rrezikojnë Shqipërisë. Deri më tani, 4 vende janë të lëkundur: Franca, e cila ka shqetësim kryesor nivelin e azilkërkuesve, Gjermania që është e shqetësuar për kriminalitetin në tërësi, Holanda që konsideron problem trafikun e narkotikëve, dhe Britania e Madhe që në tërësi është mosbesuese ndaj projektit evropian, teksa vetë është një këmbë jashtë saj.

Të gjitha këto vende i bashkon shqetësimi i sundimit të shtetit të së drejtës në vendin tonë, por provat e para të procesit të Vettingut, si dhe vetë dëshira e vendeve kryesore të BE-së për ta mbajtur gjallë projektin e unionin, mund ta favorizojnë Shqipërinë. Vendet kryesore të Bashkimit Evropian mund të mbyllin sytë ndaj gjendjes së Shqipërisë, për të mbajtur në këmbë frymën e BE-së dhe për të frenuar ambiciet Ruse në Ballkanin Perëndimor.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Wall Street Journal: SHBA po vlerëson mundësinë për të furnizuar sërish me armë për Izraelin

Wall Street Journal: SHBA po vlerëson mundësinë për të furnizuar sërish me armë për Izraelin