Pako e Vitit të Ri/ Qeveria vendos: 5 mijë lekë shpërblim për pensionistët, miratohet edhe çeku për bebet (Detajet)

TIRANE-Qeveria ka miratuar këtë të mërkurë vendimin për dhënien e shpërblimit për pensionistët me rastin e festave të fundvitit dhe çekun e bebeve. Lajmin e ka konfirmuar vetë kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ndërsa më pas është zbardhur edhe vendimi i plotë i qeverisë.

Shpërblimi për çdo pensionist do të jetë 5 mijë lekë. Ky shpërblim do të tërhiqet nga të moshuarit duke filluar nga data 17 dhjetor. Ndërkohë, sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ashtu si një vit më parë, do të ketë një kalendar të posaçëm për tërheqjen e shpërblimit.

Kalendari do të miratohet nga ISSH dhe nuk do të ketë vonesa, në mënyrë që pensionistët ta marrin shpërblimin disa ditë para ndërrimit të viteve. Ndërkohë që një tjetër lajm i mirë është edhe miratimi me vendim të qeverisë i çekut për bebet e lindura pas 2019-ës. Për fëmijën e parë qeveria do japë 40 mijë lekë, 80 i dyti dhe 120 mijë lekë nëse është fëmija i tretë i lindur.

VENDIMET PER PENSIONISTËT DHE BEBET
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpërblimin, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë, të personave, sipas kategorive të mëposhtme:

a) Personat që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social, sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

b) Personat që marrin pension, sipas ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

c) Personat që marrin pension, sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, personat qe marrin trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.8685, datë 22.6.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, dhe personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar;

ç) Personat që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

d) Personat që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar si veteranë të LANÇ-it, sipas vendimit nr.190, datë 3.5.1995, të Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e ligjit nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar””, si dhe personat, të cilët marrin vetëm pension të posaçëm për merita të veçanta, sipas dispozitave të ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”.

2. Të drejtën për të përfituar shpërblimin në masën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, e kanë edhe ata persona që kanë datë të fillimit të pensionit deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 3 278 000 000 (tre miliard e dyqind e shtatëdhjetë e tetë milionë) lekë dhe përballohen nga buxheti i sigurimeve shoqërore, i miratuar për vitin 2018.

4. Shpërblimet të kalohen në llogaritë e pensionistëve në muajin dhjetor 2018 dhe të paguhen gjatë këtij muaji. Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit dhjetor 2018, ato të paguhen gjatë vitit të ardhshëm.

5. Administrimi i fondeve buxhetore të shpërblimit të pensionistëve, caktimi i shpërblimit për çdo përfitues dhe pagesa realizohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Posta Shqiptare, sh.a., dhe bankat e nivelit të dytë, sipas të njëjtave procedura që zbatohen për administrimin e fondit të sigurimeve shoqërore.

6. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të pikës 2, të nenit 38, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përcaktimin e masës së ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi) për nënat me foshnja të porsalindura dhe procedurën e dhënies së tij, si më poshtë vijon:

a) Në masën 40 000 (dyzet mijë) lekë për lindjen e fëmijës së parë;

b) Në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë për lindjen e fëmijës së dytë;

c) Në masën 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë për lindjen e fëmijës së tretë dhe fëmijëve të tjerë në vijim;

ç) Për nënat që lindin binjakë, masa e përfitimit do të jetë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë për secilin fëmijë;

d) Për nënat që lindin trinjakë dhe më shumë, masa e përfitimit do të jetë në masën 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë për secilin fëmijë.

2. Ndihmën e menjëhershme financiare (bonusi) sipas pikës 1, të këtij vendimi, e përfitojnë edhe nënat shtetase shqiptare për fëmijë të lindur jashtë vendit dhe të regjistruar sipas afateve ligjore të përcaktuara në ligjin për gjendjen civile.

3. Nëpunësi i gjendjes civile, i atashuar pranë institucioneve të shërbimit spitalor ku kryhet lindja, kryen veprimet e verifikimit on-line të statusit të nënës dhe regjistron fëmijën e lindur në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGjC) të vitit 2010.

Pas regjistrimit kryen verifikimet e nevojshme për përcaktimin e masës së ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi) sipas pikës 1, të këtij vendimi. Procedura e verifikimit on-line për identifikimin e nënës së fëmijës së lindur dhe statusit të saj, si dhe mënyra e përfitimit të ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi) përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Brendshëm.

4. Ndihma e menjëhershme financiare (bonusi) sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, i jepet nënës, menjëherë, pas lëshimit të dokumentit “certifikatë asistence në lindje”, në përfundim të procedurave të regjistrimit të fëmijës në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

5. Masa e ndihmës së menjëhershme financiare jepet në formën e një çeku, të emetuar në emër të nënës, dhe ose sipas rasteve të përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, dhe të pagueshëm:

a) 35 (tridhjetë e pesë mijë) lekë menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “certifikatë asistence në lindje”;

b) 75 (shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “certifikatë asistence në lindje”;

c) 115 (njëqind e pesëmbëdhjetë mijë) lekë menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “certifikatë asistence në lindje”;

ç) diferenca e mbetur prej 5 (pesë mijë) lekësh, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përfitohet pas përfundimit të procedurave të regjistrimit të fëmijës në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

6. Vlera e përcaktuar në çek tërhiqet në bankat e nivelit të dytë me të cilat Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi.

7. Në rast se strukturat përgjegjëse konstatojnë përfitimin pa të drejtë të ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi), Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale merr masa, sipas legjislacionit në fuqi, për kthimin e shumës së përfituar pa të drejtë.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet në 1 janar 2019.

 

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ori: 17/12/2018 14:44

    Bravo qeveria vertet keto kategori e meritojne.Po kisha nje sugjerim po mesuesit i eshte hequr transporti dhe paguan 40000 te vjetra bilet,shikoheni edhe njeher ligjin e transportit.

    Përgjigju
  • Konjak: 13/12/2018 10:03

    Nese qeveria krenohet se ne pensionisteve na jep 5000 lek per festa;ne pensionistet ,qe marim 15000 lek ne muaj ,doti thonim;Qeveria Nano ,per 8 vjet ,na e ngriti 4000 lek,qeveria Berisha 6000 lek ,ne muaj.Kurse qeveria juaj vetem 600 lek ne 6 vjet. Zoterinj qeveritar,jo vetem qe na mashtruat,por dhe na helmuat,me keto kapardisie pa vend.(Stafit,ju lutem botoheni per pensjonistet).

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët