POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Fiera del Levante okazion për lidhje mes Mesdheut, Ballkanit dhe Lindjes

Fiera del Levante

Edhe pas më shumë se 80 vjetësh, Fiera del Levante, panairi më i madh enonomik ndërkombëtar në zonën e Mesdheut, vijon të mbetet një qendër e rëndësishme e dialogut Lindje-Perëndim.

Rëndësia e këtij eventi merr ngjyra të theksuara gjeopolitike, sidomos në një kohë kur konfliktet në zona të ndryshme të botës po acarohen, por edhe kur globalizimi i ekonomisë dhe teknologjitë e reja kërkojnë një qasje të re nga biznesi, por edhe shtete të caktuara. Ditën e shtunë ka ngritur siparin në Bari, kryeqendra e rajonit italian më pranë Shqipërisë, me një ceremoni, në të cilën nuk ka munguar kryeministri i vendit fqinj, Giuseppe Conte, edicioni i 82-të i Fiera-s, nën moton “Të ecim me kohën”.

Këtë vit, madje, është shtuar edhe një lojë e vogël fjalësh: “Fiera di essere nel futuro”, që përkthehet “Krenarë që jemi në të ardhmen”. Fjala Fiera në italisht ka kuptimin edhe “panair”, por edhe “krenar”. Një gjetje e goditur.

Fiera

Fiera del Levante është organizuar për herë të parë në vitin 1926, nën emërtimin “Fiera Internazionale”, për të marrë që nga 1929-a emrin që mban sot e kësaj dite.

Organizimi sigurohet nga Dhoma e Tregtisë e Barit, e cila përfaqëson mëse 150 mijë subjekte të regjistruara, ndërkohë që tanimë pronësinë mbi ndërmarrjen organizuese e ndan edhe me Panairin e Bolonjës, një ndër më të rëndësishmit në Itali, në paketa aksionare 85%-15%.

Që nga logo e Fiera-s – një anije e vjetër e tipit karavelë, si ato që pëdoreshin në Mesjetë për të eksploruar tokat e reja – duket qartë që eventi përdoret për të zbuluar mundësi të reja për bashkëpunim më vende deri në Lindjen e Largme. Synimi i organizatorëve, që mbështetet si gjithnjë nga vetë shteti italian, është spostimi i objektivit drejt rajonit të Detit Mesdhe, Ballkanit, Lindjes së Mesme dhe asaj të Largët, ku ka zhvillime të rëndësishme ekonomike dhe politike, qëmundësojnë një nivel të ri bashkëpunimi. Natyrisht që një event i tillë ka interes të dorës së parë për Shqipërinë, nisur nga fakti që është pika më e afërt me Barin dhe Puljen dhe detyrimisht që vështrimi i parë përtej detit do të bjerë mbi të.

Fiera del Levante edhe këtë vit paraqitet me mozaik pavjonesh, vendesh dhe pjesëmarrësish, ku paraqiten që nga punimet artizanale të ardhura nga India, Bangladeshi, Vietnami, Rusia, e deri tek produktet italiane, duke nisur nga automjetet, prodhimet e industrisë kimike e farmaceutike, sektorit të modës, teknologjisë dixhitale, e deri tek produktet bujqësore, të përpunuara apo jo, për të cilat italianët janë mjaft krenarë dhe eksporti i të cilave po rritet nga viti në vit: vera, vaji, prodhimet e mishit dhe peshkut, frutat, etj.

Në të njejtën kohë, Fiera ofron edhe mundësinë për zhvillimin e një numri pa fund spektaklesh artistike.

Sfida

Përpjekjet aktuale të bizneseve dhe të institucioneve që merren me zhvillimin ekonomik po drejtohen aktualisht në sfera, të cilat janë të ndryshme nga më parë.

Në fakt, është vetë mënyra e të bërit tregti që sot është mjaft e ndryshme nga ajo e 20 apo 50 viteve më parë. Sot blerjet online kanë revolucionarizuar qasjen e bizneseve në shitje-blerje dhe në import-eksport. Jo vetëm kaq.

Duket se tregtia elektronike, rrjetet sociale të komunikimit në internet, teknologjia gjithnjë e më e re dixhitale kanë ndryshuar rrënjësisht dhe po ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme kompetencat dhe marrëdhëniet e shkëmbimit mes njerëzve, popujve dhe bizneseve, duke shkurtuar realisht distancat në hapësirë dhe kohë dhe duke ofruar mundësi shumë më të mëdha lidhjesh e bashkëpunimi krahasuar me të kaluarën.

Kjo është një qasje, të cilën nuk mund të mos e mbajë parasysh edhe panairi “me fytyrë nga Lindja”, kur është fjala për lidhje ekonomike me vende si Kina, India, Rusia, por edhe Indonezia, Vietnami, etj, të cilat, jo vetëm që përfaqësojnë një pjesë shumë të madhe të popullsisë së globit, pra një treg të fuqishëm, por edhe po rriten me shpejtësi, si nga pikëpamja e fuqisë blerëse, ashtu edhe nga ajo e kërkesës për import-eksport me shifra marramendëse. 

Ndërkohë, edhe vende si Kazakistani, Azerbajxhani po ofrojnë kohët e fundit mundësi të mëdha bashkëpunimi, kurse Egjipti, me dyfishimin e kapacitetit të Kanali të Suezit, apo Iraku e Siria me nevojën e rindërtimit të pa-konfliktit të imponuar nga integralistët, edukimi e armatosur të ISIS-it, hapin gjithnjë e më shumë tregje të reja, ose forcojnë ato aktuale.

Salvatore Cognetti, një nga etërit e politikës ekonomike italiane, ka shkruar dikur se dija, edukimi dhe kultura ekonomike japin mundësinë që të kryhen ndërhyrje në favor të zhvillimit të ndërmarrjeve, por edhe të vendeve.

Nga ky kuptim, Fiera del Levante është një burim i pazëvendësueshëm njohjesh, ku prezantohen mundësi të reja lidhjesh ekonomike, me leverdi të ndërsjelltë, që mund t’u shërbejnë miliona e miliarda njerëzve, për të siguruar mirëqenie ekonomike, si dhe stabilitet politik, duke larguar spektrin e luftës nga rajone të tëra të botës, ku ende luftohet për mbijetesë.

ke.mu.
Komento