Flet në Report Tv Maria Ermioni
Popa, e internuara e mjerimit

Flet në Report Tv Maria Ermioni<br />Popa, e internuara e mjerimit
Kjo është historia e veçantë e një gruaje të veçantë. Quhet Maria Ermioni Popa, sot është 75 vjeçe dhe saktësisht 32 vite më parë, bashkë me dy vëllezër dhe tri motra, mundën të kapërcejnë kangjellat e Ambasadës italiane në Tiranë dhe të kërkojnë azil politik.

Familja Popa, që arratisej nga internimi prej 17 vitesh në fshatin Sukth, mbeti e internuar përsëri në selinë diplomatike për 5 vite deri në maj 1990 kur më në fund regjimi diktatorial, i cili kishte tentuar edhe t’i vriste duke futur brenda ushqim të helmuar, u dorëzua nën presionet ndërkombëtare dhe pranoi të dërgoheshin në Romë. 

Dy muaj më vonë, mijëra shqiptarë të tjerë ndoqën shembullin e tyre dhe sulmuan ambasadat në Tiranë, duke shënuar në këtë mënyrë fillimin e fundit të regjimit të Enver Hoxhës. 


Nga gjashtë anëtarët e familjes Popa, Maria Ermioni është e fundmja e mbetur akoma gjallë, por edhe pse guximi i saj ndikoi për të ndryshuar rrjedhën e historisë së Shqipërisë, sot gruaja jeton në kushte të mjerueshme, e harruar nga institucionet dhe e obsesionuar nga kujtimet dhe indiferenca e të tjerëve.
Ne e takuam në shtëpinë e saj në Durrës.
 
LEXONI INTËRVISTËN E PLOTË NË REPORT TV

Kur ka filluar persekutimi juaj nga regjimi komunist?
Në vitin 1952, kur kanë arrestuar babanë tim. Vëllai im i madh, Rolando, ka ikur në fund të vitit 1951 në Jugosllavi dhe prej andej në Trieste.
 
U arratis.
Po, u arratis. Dy vëllezërit kanë ndenjur në Napoli të Italisë.
 
Vëllai juaj u arratis në vitin 1951 dhe më 1952 u arrestua babai juaj.
Po.
 
Me ç’akuza?
Si spiun të CIA-s. Unë do të të tregoj edhe telegramin që kam marrë dhe atje thotë: “Dënuar më 1952 dhe ka vdekur më 1957”. Nuk thotë që i prenë kokën. Thotë: “Dënuar për spiunazh në favor të CIA-s”. Do të ta sjell telegramin që ta lexosh vetë me sytë e tu. Kur e kanë arrestuar, shefi i Sigurimit të Kavajës, Sotir Xhara, i ra me revolver. Unë pashë gjakun që i doli babait dhe nuk e pashë më babanë tim. Nuk e di se ku e kanë hedhur që t’i ndez një qiri apo t’i vë një lule.
 
Ku ishte burgosur babai?
Në Tërbuf të Lushnjës.
 
Si ka ndodhur vdekja?
I prenë kokën. Babanë tim e kanë dënuar me gjyq ushtarak. Në fillim e dënuan me vdekje.
 
Dhe familja juaj u deportua menjëherë?
Jo, jo.
 
Ku e kanë deportuar?
Në Kullë, pasi e kalon Sukthin.
 
Të gjithë familjen?
Të gjithën. Atje kemi ndjenjur 18 vjet të internuar. Çfarë bëra? Unë kam qenë elementare. A mund t’i bëjë gjë një fëmijë elementar qeverisë? Më thuaj ti, zoti Karlo.
 
Çfarë kujton nga koha e internimit?
Fshatarët që ishin atje na thanë: “Me ne s’keni gjë, ju e keni me qeverinë”. Me ne janë sjellë mirë. Unë më keq po vuaj këtu. Unë jam durrsake dhe këtu në vendin tim po vuaj më keq se në internim.
 
Pse ke vendosur të arratiseshe nga internimi duke u futur në Ambasadën italiane? Si e ke menduar dhe organizuar? Për sa kohë e ke menduar këtë arratisje?
Ne kishim xhaxhanë tonë dhe ai na i tregonte të gjitha. Bëhej një lojë sporti. Luante Partizani. Dy vëllezërit e mi do të shkonin për të parë ndeshjen. Ne do të shkonim për të çuar motrën, Zhanetën, në Sanatorium sepse villte gjak. E çuam në Sanatorium ku ndenji tri ditë. Tani besoj se ti e kupton gjendjen tonë shpirtërore. Pamë derën hapur, vëllezërit e mi ishin afër. Në shtëpi atje në internim unë s’kisha gjë sepse m’i morën. Dy bufetë e mëdha i mori Skënder Xhunglini, sobën ma morën, çdo gjë ma morën nga shtëpia. Ne mbetëm pa gjë dhe u futëm në ambasadë.
 
Pra nuk ishte menduar dhe planifikuar përpara?
Jo, jo. Por xhaxhai na i kishte treguar të gjitha neve. Ai që ka qenë ambasador. Na pati thënë që “para se të hyni në ambasadë duhet të kërkoni azil politik”. Ne kemi hyrë dhe menjëherë kemi kërkuar “protezione italiana”.
 
Po xhaxhai juaj banonte në Tiranë?
Në Tiranë.
 
Dhe ishte në “domicilio” e detyrueshme.
Po.
 
Rrinte në shtëpi atje.
Edhe xhaxhai tjetër banonte në Tiranë.
 
Po për të shkuar në Sanatorium në Tiranë nga internimi dhe për të ndjekur ndeshjen, ju keni marrë leje?
Jo.
 
Keni lëvizur lirshëm nga internimi?
Po, ikëm. Morëm trenin. Na pyetën: “Ku po ikni?”. “Do të çojmë motrën në Sanatorium”, - i tha vëllai.
 
Dhe policia të ka ndaluar?
Jo, nuk më ndaloi. Xhaxhai im që ishte ambasador na ka shpjeguar: “Duhet të kërkoni azil politik”. Kishte edhe plot të tjerë që donin të futeshin në ambasada. Unë jam shumë besimtare. Unë i respektoj të gjitha fetë e botës, por dua fenë time. Unë jam amante e Shën Spiridhonit të Korfuzit. Ai na ka ndihmuar shumë. Atë ditë ishte ambasadori Xhentili, i cili na pyeti: “Cilët jeni dhe çfarë doni?”. I foli motra ime italisht dhe ai tha: “E lëmë këtë se unë e kuptova çfarë doni ju”. Motra ime fliste një italishte të mrekullueshme, të pastër dhe ai u habit. Ajo fliste edhe frëngjisht e gjermanisht. Por atje në ambasadë na përdorën shumë keq. Tri ditët e para na trajtuan mirë. Pastaj u përpoqën të na helmonin (Sigurimi i Shtetit), na ndërprenë zjarrin (ngrohjen), ujin.
 
Ti ke jetuar praktikisht një tjetër internim brenda në ambasadë sepse ke jetuar për pesë vjet e rrethuar nga Sigurimi.
Po. Na mbyllën zjarrin. Nuk kishim me se të ngroheshim. Në të ftohtët e dimrit vëllai im vinte kusinë me ujë, na mbushte shishe që i vinim te këmbët. Motra ime i tha Ambasadorit Xhentile dhe ai u përgjigj: “Kështu i kemi bërë paktet”. “Ky është “protezione” që na bëni ju?”. Kur kishte festa iknin të gjithë. Shefi i ambasadës na tha që po të donim mund të dilnim pak. Çfarë të shihnim? Nëpër pemë kishte persona të Sigurimit, me drita. Dhe vëllai im që ishte shumë i zoti në qitje, i tha: “Në qoftë se ti më sjell tre kallashnikovë, një për mua, një për vëllanë që ka luftuar dhe një për Marien”. “Çfarë do bëni ju, luftë?”, - tha ai.
 
Kur u fute brenda në ambasadë e ke parashikuar që mund të zgjaste kaq shumë qëndrimi atje? Cili ishte plani juaj?
Unë falënderoj edhe një herë ambasadorin e Francës, Mishel Bulmer. Një natë, kur binte një shi i madh, nuk e di se çfarë kishte në Itali dhe u dha një pritje në ambasadë. Ndërmjet të ftuarve ishte edhe ambasadori i Francës. Ne përfituam nga shiu dhe motra ime del dhe i jep një letër. Ai e mori dhe në orën 12 të natës pamë që Ambasada franceze i kishte të gjitha dritat ndezur. Ka ardhur Perez De Kuelari i Kombeve të Bashkuara, ka ardhur te ne Pikó dhe Zhyljeni, pastaj kanë sjellë psikiatrin që të vërtetonin se ne ishim të çmendur. Ne nuk ishim të çmendur. Vërtet unë jam operuar me tumor në kokë në Itali dhe falënderoj kirurgun Fiume njëmijë herë. Vetëm kur prishet koha nuk ndjehem mirë, kam pak dhimbje.
 
Pas 5 viteve të përpjekjeve të pasuksesshme mes Romës dhe Tiranës, në fund, vetëm ndërhyrja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Perez De Cuellar i mbërritur posaçërisht në Tiranë për të takuar Ramiz Alinë, arriti të zhbllokojë situatën duke lejuar familjen Popa të largohet drejt Romës.
Por jeta e tyre në Itali nuk qe më e lumtur nga ajo që kishin lënë në Shqipëri, duke jetuar deri në vitin 2001 të braktisur, ishte shumë e ngjashme me internimin e jetuar më parë në Sukth e më pas në ambasadën në Tiranë.
 
Tani më thuaj kur ke ardhur në Itali, si ka qenë dita e parë dhe pastaj çfarë ka ndodhur më vonë?
Në vitin 1990. Na çuan te “Gemelli”. Atje kam kaluar shumë mirë. Kuzhinieri ishte i mrekullueshëm. Mua më sillte një pjatë me makarona me mish të grirë, gjysmë pule, verë dhe një mollë të madhe të pjekur. Ishin të mrekullueshme. Më kanë trajtuar shumë mirë. Pastaj na hoqën prej andej dhe na çuan te “Casa di Riposo Nr. 1”.
 
Dhe atje filloi dhimbja përsëri.
Për tri ditë ishte një kuzhiniere që quhej Ana. E mrekullueshme. Pastaj e di se çfarë bënin? Ishin në fillim shkallët, pastaj ishte një ballkon. Dhe unë shikoja se çfarë bëhej brenda. Tek ushqimi që ishte për ne pështynin brenda.
 
Përse ke ardhur prapë në Shqipëri? Të kanë dëbuar prapë italianët?
Po. Ai.
 
Pra, në mënyrë të papritur të ka ardhur lajmërimi që duhet të kthehesh në Shqipëri.
Nuk tha, por erdhi me forcë. Po vinin festat dhe unë kisha blerë shumë gjëra. M’i shkelën të gjitha. Ishte një burrë i shëndoshë, i trashë. E futi këmbën te gjalpi. Çfarë i bëra? Më mbylli në makinë dhe nuk më linte. Ishte mëngjes herët. Ora 6 e mëngjesit. Nuk më linte që unë të shkoja në banjë për nevojat e mia personale. E kuptove?
 
Të ka futur në makinë?
Po, dhe e mbylli me çelës.
 
Dhe ke shkuar në aeroport dhe ke ardhur këtu në Rinas.
Të lumtë. Në Rinas na lanë si thasë me patate. Na tha ai: “Do ta shihni tani ju se ç’do t’ju bëjë Sigurimi”.
 
Po në vitin 2001 nuk kishte më Sigurim.
Po Sigurim i thonë edhe tani, prapë. Ti thua s’ishte. Çfarë flet more Karlo?
 
Çfarë ka ndodhur kur ke ardhur prapë në Shqipëri, më 2001?
Çfarë të ndodhë më shumë. Unë këtu po vuaj më tepër. Këtu që jam në vendin tim. Unë jam durrsake e vjetër.
 
Sot Maria Ermioni Popa mbijeton me 7.000 lekë pension në muaj e duke shitur kanaçe të mbledhura në kazanët e plehrave të Durrësit, në një shtëpi që duket edhe ajo e transformuar në një kazan gjigand, në të cilin gruaja e mjerë ruan të mbyllur nëpër qese rroba të vjetra dhe copëza kujtimesh.
 
Po tani, nga viti 2001 e deri më sot, shteti të ka ndihmuar ndonjëherë?
Çfarë po shikon ti këtu?
 
Ti ke banuar që nga dita e parë këtu, në këtë shtëpi?
Po, këtu. Çfarë shikon?
 
Kjo është shtëpi e Bashkisë?
Këtë shtëpi e ka marrë vëllai im që ka bërë 10 vjet burg, një vit në Burrel, një vit izolim të rëndë ku e lidhnin me litarë dhe e tërhiqnin si qen. E di se çfarë i bënin në birucat e Durrësit?
 
Dhe si shpërblim ka marrë këtë shtëpi?
Shpërblimin nuk e ka marrë, por këtë ia dhanë atij. Tri motrat dhe një vëlla më kanë vdekur këtu. Unë i kam varrosur me ato shpenzime që kisha, me ato lekë që kisha. Mua s’më kanë dhënë asnjë lek, as të babait as të nënës as të vëllait. Motra ime, Zhaneta, ka lënë pensionin para se të vdiste, prej muajit maj deri në gusht se në gusht vdiq. Pra, katër muaj. Edhe motra tjetër, Liljana, në gusht ka vdekur. Ajo kishte gjashtë muaj pension që nga janari deri në gusht. Nuk më kanë dhënë pensionin e tyre megjithëse unë i kam bërë të gjitha dokumentet që duhen, përveç dy certifikatave të trungut të familjes për vëllanë dhe motrën që kanë vdekur në Kanada, Roland dhe Polikseni Popa. I shkrova Ambasadës kanadeze një letër në anglisht. E sollin përgjigjen dhe Posta e grisi. Më thuaj, çfarë të bëj unë?
 
Pra, s’ke dokumente me të cilat të tregosh se ata ishin vëllai dhe motra jote që të marrësh pensionin e tyre. Tani sa pension ke?
70.000 lekë (të vjetra). Më thuaj ti se çfarë të bëj me këto. Tani pagova dritat. Sa lekë thua ti se kam paguar? Unë këtu nuk kam drita, jetoj në errësirë. Vetëm kjo këtu është ku rri unë e shikoj pak televizor aty.
 
Vetëm kjo dhomë ka dritë?
Vetëm kjo. Një llambë. Dhe kam paguar 11.000 lekë (të vjetra). Kapa drejtorin dhe i thashë që s’kam furrë. Kam paguar edhe 20.000 lekë (të vjetra). Këtu bëhen punët me miq, ia heqin të tjerëve dhe ma vënë mua. Kështu u bë kjo punë. Çfarë kam bërë për të jetuar kështu?
 
Pra, përveç pensionit 7.000 lekë nuk ke asnjë burim tjetër?
Po të kisha, kështu do të rrija unë? Si thua ti? Budallaqe jam unë? Unë me politikë nuk merrem, nuk jam as socialiste, nuk po shkoj në asnjë vend. Unë bëj atë pazar dhe rri këtu ku më sheh ti dhe shihja televizor. Ma dogjën. Më kanë prerë ujin. Duhet të shkoj në banjë dhe të bëj gjellën me ujin e banjës. Kështu bëhet?
 
Më thuaj diçka. Cila është ëndrra juaj sot për sot? Dëshira më e madhe që ke sot për sot?
Dua të iki prej këtej. Nuk dua më. Nuk rri dot më. Më është neveritur çdo gjë. E kam lënë fare pastrimin e shtëpisë se më këputen duart.
 
 
Maria Ermioni Popa është tashmë e mbijetuara e fundit e një kapitulli që ndryshoi historinë e Shqipërisë dhe pas Sukthit, pesë viteve në Ambasadën Italiane, dhe 11 viteve të kaluara në Romë, prej 16 vitesh jeton në këto kushte, e burgosur e mjerimit, e indiferencës dhe e fantazmave të së kaluarës së saj. Është e habitshme dhe tragjike në të njëjtën kohë që edhe pse është gruaja e parë që çau regjimin komunist, Maria Ermioni Popa ka mbetur si shqiptarja e fundit që jeton në internim. Këtë herë e internuar në mjerim...
Ky mund të jetë internimi i saj i katërt, dhe me të ngjarë, i fundit.
 
[gallery]23796[/gallery]

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet