POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Frutat dhe perimet më të mira të Gushtit – Si t’i zgjidhni

Rrush

Gushti i këtij viti në Shqipëri është bërë gjithnjë e më i paparashikueshëm përsa i përket motit. Mënyra më e mirë për ta përballuar luhatjen ekstreme të temperaturave është padyshim të ushqyerit shëndetshëm, duke shijuar frutat dhe perimet e bollshme që ky muaj na ofron. Duke qenë se jemi pak javë larg përfundimit zyrtar të verës, le t’i ngulim dhëmbët tek ca kumbulla të ëmbla, domate apo dhe te ndonjë mollë e sapo vjelur.

Rrushi

Rrush i zi apo i bardhë. Zgjedhja ju takon ju, sipas shijes dhe preferencave tuaja, të dy këto lloje i gjeni me bollëk në treg.

Si t’i zgjidhni

Zgjidhni rrush të formuar mirë dhe me lëkurë të fortë.

Si t’i ruani

Vendoseni rrushin të mbyllur në mënyrë hermetike në qese plastike në frigorifer. Mos i lani, derisa të jetë momenti për t’i ngrënë. Nëse ato kanë lagështi në momentin që i blini, vendosini një kartëpecetë brenda në qese për të thithur lagështirën e tepërt.

Pjeshkat, nektarinat

Pjeshkat dhe nektarinat janë mbretëreshat e sezonit të verës. Ndryshimi i vetëm është se pjeshkat janë më të forta dhe me push dhe nektarinat janë me lëkurë më të lëmuar. Më të apasionuarit e këtyre frutave mund të argumentojnë se shija e pjeshkës është shumë më e fortë, ndërsa ajo e nektarinave, kajsive ka nuanca të shijes së limonit. Vendin e parë në vend për prodhimin e pjeshkave dhe kajsive e mban qyteti i Elbasanit.

Si t’i zgjidhni

Mënyra më e mirë për të zgjedhur pjeshkat dhe kajsitë më të mirë qëndron tek ngjyra e tyre. Sa më portokalli të jenë, aq më të ëmbla dhe të mira janë. Por mbi të gjitha asaj që duhet t’i besosh më shumë është nuhatja. Pjeshkat dhe nektarinat më të mira kanë një aromë të parezistueshme.

Si t’i ruani

Pjeshkat dhe kajsitë ideale vazhdojnë të piqen edhe pasi janë vjelur, kështu që mos u shqetësoni shumë nëse fruit në fillim është pak i fortë. Por mos i fusni në frigorifer para se të jenë zbutur dhe të kenë marrë më shumë aromë.

Kungull i njomë

Ka më shumë se 100 varietete kungujsh të njomë, të cilët variojnë në ngjyra që nga jeshile në gri në pothuajse të zezë dhe në forma nga të gjata dhe të holla si hot dog tek ato të mëdhenj të rrumbullakët, që janë dhe kungujt klasikë.

Si t’i zgjidhni

Shihni për kunguj që janë në përmasa të vogla . Duhet të jenë të fortë dhe pa të çara apo njolla. Kungujt e vërtetë të freskët kanë dhe disa qime të vogla. Sa më gri të jetë kungulli aq më I freskët dhe i bollshëm është, veçanërishtë për tu gatuar në supë.

Si t’i ruani

Mbajini të izoluar mirë në frigorifer.

Kumbulla

Ka aq shume varietete kumbullash sa që nuk ua merr mendja. Dhe si të mos mjaftonte kjo, kanë nisur që kumbullat t’i shartojnë dhe me pjeshkë duke krijuar akoma më shumë varietete.

Si t’i zgjidhni

Zgjidhni kumbulla që janë në ngjyrë të ndezur, por jo shumë të forta. Nëse kumbulla duket sikur është e mbuluar nga një pluhur i lehtë, atëherë kjo është një tregues se është një pjekje natyrale dhe se fruti është në gjendje të mirë.

Si t’i ruani

Kumbullat do të vazhdojnë pjekjen edhe pasi të jenë vjelur. Nëse fruti është pak i fortë, lëreni në temperaturën e ambjentit për një ose dy ditë që të zbutet. Vetëm atëherë duhet t’i vendosni në frigorifer./AgroWeb.

a.me.
Komento