Fterra fshati i harruar, dikur 250 
familje, sot vetëm me të moshuar

Fterra fshati i harruar, dikur 250 <br />familje, sot vetëm me të moshuar<br>
Banorët e fshatit Fterrë në rrethin e Sarandës, megjithëse ndodhën vetëm 10 km larg bregdetit, ndihen të harruar. Kjo për faktin se rruga që të çon për në fshatin e tyre është totalisht e amortizuar. Që prej ndërtimit të saj, kjo rrugë nuk ka pasur asnjë ndërhyrje ndërsa gjendja e saj është shumë e keqe. Dikur në Fterrë jetonin më shumë se 250 familje, ndërsa sot aty jetojnë vetëm disa familje te moshuarish.

“Fterra është një fshat i bukur, kushdo që ka ardhur ka folur mirë për fshatin, por nuk ka të rinj që ta mbajnë fshatin, ne jemi të gjithë pleq. Rrugë nuk ka, kur sëmuremi nuk shkojmë dot të marrim ilaçet”, thotë banorja.

Të rinjtë janë larguar nga fshati pasi infrastruktura rrugore i ka detyruar të marrin një vendim të tillë. Një e moshuar shprehet se i ka marrë malli të shikojnë fëmijë në fshat.

“Ky fshat është shumë i prapambetur, xhade nuk ka, ,makina s’ka, zotër nuk kemi që të kujdesen për ne. Kanë ikur të gjithë, nuk ka më fëmijë, na vjen sevda të shohim një fëmijë të vogël ose të rritur”, shprehet njëra nga banoret e Fterrës.

Dikur rruga e Fterrës përshkohej edhe nga autobusi që vinte nga Vlorë dhe kalonte për në fshtrat e tjerë, ndërsa sot gjithçka është lënë në mëshirë të fatit.

“Këtu vinte autobusi përditë nga Vlora, e ndryshoi qeveria e sotme, vetë ia dhamë votat. Rruga nacionale që ka qenë kjo e bllokoi, nuk bën asnjë punë vetëm reklama”, shprehet banori.

Në fshatin Fterrë kishte mbi 100 nxënës, ndërsa sot nuk ka asnjë, ata pak fëmijë të mbetur e bëjnë rrugën me këmbë dhe shkojnë në Borsh, ndërsa shkolla ka 5 vite që është mbyllur.

“Kur kam qenë unë në shkollë para 20 vitesh kanë qënë rreth 120 nxënës, sot s’ka asnjë, ka 5 vite që është mbyllur, fëmijët e mi e kanë bërë shkollën në Borsh, të mesmen në Sarandë”, thotë banorja.

Një prej banorëve të fshatit i cili njihet nga të gjithë, Profit Zani, shprehet se Fterra eshte nje fshat shume i bukur,por ai thotë se rruga po e penalizon fshatin. Ne librin e përshtypjeve te hapur nga Profiti ka lënë premtimet e veta për Fterrën edhe kryeyari i Bashkise Himare Jorgo Goro, por gjithçka ka mbetur vetëm në letër dhe asgjë në realitet.

“Ne do ta fillojmë me rrugën sepse rruga jonë ka një histori të gjatë, për pak vite mbush 100 vjet. Deri në 1968 rruga është mbajtur me forcat tona, nga 1968 deri në vitin 2000 është mbajtur nga Rruga-Ura, pastaj kaloi në rrugë rurale, tani kemi kërkuar ndihmë nga bashkia dhe ndihmë nuk ka patur, këtu vijnë vetëm kur ka fushatë. Nuk na kanë mbaruar punë asnjëherë. Kryetari i Bashkisë na premtoi edhe asfaltim. Për koicidencë kush vjen në bibloktekën time lë një shënim në librin e përshtypjeve, ku ai shkroi se do të na asfaltojë rrugën, ne kërkojmë të mbajë premtimet asgjë tjetër”, shprehet Profit Zani, banor i fshatit Fterrë.

Në rastet kur ka të sëmurë shpesh banorët detyrohen ata t’i trasportojnë me krah deri në Borsh e më pas për në spitalin e Sarandës.

“Me furgonin që kam jam bërë edhe ambulancë dhe transport edhe autobus, na ka qëlluar disa herë që ishte bllokuar rruga dhe një gruaje ju thye brinja dhe e çuam në krah në Borsh”, përfundon Profit Zani.

Sot në Fterrë mund të shkohet vetëm me makina të larta ose me gomerë, ndërsa sa i përket mundësisë për të vizituar fshatin piktoresk duhet të marrësh me qira kuaj ose gomerë. Megjithatë nuk kanë munguar turistët të cilët ngjitën në fshat për të parë pamjet e bregut që ofrohen shumë bukur nga Fterra.

Er.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet