Gjermanët vazhdojnë financimet për ujin në Shqipëri, grant 1,95 mln euro

Gjermanët vazhdojnë financimet për ujin në Shqipëri, grant 1,95 mln euro

Björn Thies dhe Ahmetaj duke firmosur marreveshjen

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe Drejtori i Zyrës së KfW-së (Banka Gjermane për Zhvillim), Z. Björn Thies nënshkruan dje një marrëveshje e cila bën të mundur një financim prej 1.95 milionë euro për të kryer studime paraprake për investime në lidhje me furnizimin me ujë dhe kanalizime në rreth 11 bashki në të gjithë vendin. Me këtë rast, Ministri Ahmetaj deklaroi:

Ne vlerësojmë shumë rolin dhe mbështetjen e KfW-së në financimin e projekteve, të cilat përmirësojnë direkt dhënien e shërbimeve ndaj komuniteteve. Kjo marrëveshje hap rrugën për investime thelbësore për furnizimin me ujë dhe kanalizime në 11 qytete shqiptare.

Ministri Ahmetaj

Në të njëjtën kohë, Drejtori i Zyrës së KfW-së për Shqipërinë, Björn Thies theksoi:

Në emër të Qeverisë Gjermane, KfW ka një bashkëpunim të gjatë dhe të sukseshëm në sektorin e ujit dhe ka përmirësuar tashmë situatën e furnizimit me ujë për më shumë se 1 milion qytetarë shqiptarë. Ky program i ri do ta ngjisë këtë bashkëpunim në një nivel tjetër duke mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt arritjes së standardeve evropiane në këtë sektor.

Björn Thies

Këto fonde grant janë dhënë nga Qeveria Gjermane përmes KfW-së - Bankës Gjermane për Zhvillim – si pjesë e fazës përgatitore të një projekti të ri, të quajtur “Programi mbi Performancën dhe Investimet në Sektorin e Ujit”. Studimet e fizibilitetit do të hedhin themelet për vlerësimin e programit të mësipërm. Bashkimi Evropian do të mbështesë studime të mëtejshme përmes Kuadrit të Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF) përmes një granti prej 1.4 milionë euro të aprovuar tashmë.

“Programi mbi Performancën dhe Investimet në Sektorin e Ujit” është një iniciativë e përbashkët e Qeverisë Shqiptare, Qeverisë Gjermane, Bashkimit Evropian dhe Sekretariatit Zviceran të Shtetit për Marrëdheniet Ekonomike (SECO) përmes KfW-së. Me fonde të parashikuara deri në 130 milionë euro, ky program ka për qëllim që mekanizmin e investimeve të bazuar mbi performancën, tashmë të sukseshëm, ta ngrejë në nivel sektorial.

Ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve në 11 bashkitë e përzgjedhura do të mbështeten në mënyrë që të ulin humbjet si edhe të ofrojnë një shërbim më të mirë për klientët e tyre. Në të njejtën kohë ndërmarrjet do të duhet të përmirësojnë performancën e tyre dhe të mbulojnë kostot për të bërë të mundur që këto investime të jenë të qëndrueshme dhe të mund të shfrytëzohen dhe mirëmbahen në vitet në vazhdim.

Me eksperiencën e saj shumëvjeçare KfW është e angazhuar që në emër të Republikës Federale Gjermane të përmirësojë kushtet ekonomike, sociale, ekologjike si edhe kushtet e jetesës në mbarë botën. Në Shqipëri, KfW zbaton bashkëpunimin financiar dhe siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence që lidhen me projekte të ndryshme.

Bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar filloi në vitin 1988. Që nga ai vit Qeveria Gjermane ka angazhuar një shumë totale mbi një miliard euro. Sektori i ujësjellës-kanalizimeve është një nga sektoret kyç të Bashkëpunimit Financiar Gjermani-Shqipëri, për të cilin Qeveria Gjermane ka angazhuar më shumë se 335 milionë euro që nga viti 1998.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sulmet e Metës ndaj Dumanit, Wisner: Shqetësuese, s'kanë vend këtu! Shqiptarët duan drejtësi dhe kjo është e qartë! Nuk angazhohemi me non-grata

Sulmet e Metës ndaj Dumanit, Wisner: Shqetësuese, s'kanë vend këtu! Shqiptarët duan drejtësi dhe kjo është e qartë! Nuk angazhohemi me non-grata