Gruaja: Ikonat, kurth ndaj Gjergji 
Thimos duan të na i marrin

Gruaja: Ikonat, kurth ndaj Gjergji <br />Thimos duan të na i marrin
TIRANE- Bashkëshortja e Gjergji Thimos, i arrestuar për trafik veprash arti, rrëfen pretendimet e familjes së saj në lidhje me superoperacionin e policisë, duke pretenduar se gjithçka është një skenar për të sekuestruar pasuritë e tyre, pasi i shoqi ka qenë një koleksionist i licencuar.

Gjergji Thimo është bërë kurban për një ikonë të Onufrit, të cilën ia kanë kërkuar, por ai ka refuzuar ta japë. Ai donte të hapte një muze privat, por policia e arrestoi dhe e cilësoi trafikant veprash arti, pavarësisht se ai ishte i licencuar si koleksionist. Këto janë fjalët e Esmeralda Thimos, e cila ka mbetur e shtangur nga arrestimi i burrit të saj dhe që hedh akuza se gjithçka është një skenar i mirëpërgatitur.

Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com”, ajo tregon se veprat e artit ruheshin prej kohësh nga i shoqi, ndërkohë që vite më parë kishte kërkuar ndihmë për hapjen e një muzeu privat.
 
Dimë që Gjergji ka bërë përpjekje që në vitet ’90. Si është historia e ngritjes së këtij muzeu?
Gjergji është licencuar në 1996 nga ministria dhe me vendim gjykate, madje një pjesë e ministrave dhe qeveritarëve kanë marrë pjesë edhe nëpër ekspozitat që ka hapur burri im. Të gjithë veprat që ai dispononte kanë qenë të grumbulluara, por edhe të trashëguara nga ana e babait të tij, i cili ka mbaruar të njëjtën shkollë me Janullatosin. Gjergji i ka ruajtur vetë të gjitha dhe i ka mirëmbajtur me shpenzimet e veta. Madje, ai herë pas herë ka bërë kërkesë për hapjen e një muzeu Qendrës së Inventarizimit, por nuk ka pasur përgjigje pozitive, pasi i thoshin që nuk kishin fonde të mjaftueshme. Në vitin 1996, Gjergji ka marrë licencën për Muze Privat të Kulturës shqiptare, ndërsa sot është në pranga.

Por e akuzojnë si trafikant....?
Nëse burri im do të ishte trafikant, grabitës dhe këto akuza do të ishin të vërteta, atëherë unë nuk do të rrija të punoja tërë ditën dhe tërë natën në këtë lokal, ku ju më shikoni. Gjergji i ka pasion ikonat dhe është koleksionues. Ai është një figurë mjaft e njohur për botën e artit dhe ka hapur shumë herë ekspozita me gjithë afresket dhe veprat e mbledhura. Ai i ruan ato me shumë fanatizëm dhe kishte një përkujdesje maksimale, duke iu angazhuar totalisht. Por mundësia financiare për t’i mbajtur dhe për t’i restauruar ka qenë e vogël. Disa prej veprave kanë qenë në një prej dhomave të lokalit, pasi në shtëpi, nuk kishte vend për të gjitha.

Si ndodhi arrestimi?
Natën e ngjarjes, unë isha me një shoqe duke pirë kafe, ndërsa Gjergji pasi bëri pazaret vajti me vrap në shtëpi, pasi kishte gjithmonë merak për veprat e artit se mos i grabisnin. Një fugon policie ndaloi para lokalit dhe 20 veta erdhën brenda. U tremba dhe i thashë se çfarë po kërkonin. Ata më thanë se kishin ardhur për problem droge dhe më pyetën se ku ndodhej Gjergji. E trembur i thashë qe ne nuk merremi me drogë dhe burri im kishte dalë. Më pas, ata u drejtuan tek ajo dhoma, ku iu thashë se ndodheshin disa nga veprat e artit dhe më kërkuan që ta hapja.

I thashë se aty janë disa materiale të punës së Gjergjit dhe se çelësin e kishte im shoq me vete. Vajtën lart në banesë ku ndodhej Gjergji me djalin dhe morën çdo gjë që gjetën. I pyeta nëse kishin mandat kontrolli ose vendim gjykate dhe të ma tregonin, por njëri prej tyre mu përgjigj: Ik shporru se do të të nxjerr jashtë. Policia mori çdo gjë që gjetën, madje më morën një vazo me lule pa pikë vlere kulturore dhe një qëndismë në mur, që kishte bërë ime gjyshe. Kishte mbetur vetëm që të merrnin edhe mua me vete.

Ju ngulmoni se ishte i jashtëligjshëm arrestimi i tij. Pse?
Sepse ata nuk kishin as mandat kontrolli asgjë dhe për mua kjo situatë është e kurdisur, por nuk mund të shprehem pa u këshilluar me avokatin tim. Mund t’iu them se është e lidhur me njërën nga ikonat e Gjergjit. Bëhet fjalë për ikonën e Onufrit, të cilën ai ka refuzuar që ta japë. Gjergjit vinin ia sillnin veprat dhe ai i blinte, një pjesë ia dhuronin. Madje dhe ato vepra që janë shitur jashtë vendit është vënë në dijeni edhe Qendra e Inventarizimit, duke u zbatuar rregullat. Ka qenë vetë Teodor Laço, i cili në 1996 i dha Gjergjit Licencë për muze.

Në total Gjergji ka hapur 6 ekspozita dhe e para ka qenë në vitin 1999. Gjergji hapi Muzeun e parë të Etnografisë dhe u bë kurban, pasi i deshën veprën e Onufrit dhe nuk pranoi ta jepte. Ndërkohë, burri im ka kërkuar ndihmën e Qendrës së Inventarizimit dhe i ka kërkuar disa herë që ta ndihmonin, pasi nuk i përballonte dot t’i mbante të gjithë veprat. Ai drejtues ka qenë në dijeni dhe s’ka reaguar fare. Burri im ndodhet në qeli për diçka që s’e ka bërë dhe personin për të cilën e akuzojnë si bashkëpunëtor, ne nuk e njihnim fare dhe as kemi lidhje me të.

REGON DHE VAJZA E GJERGJI THIMOS
Gjithashtu në lidhje me arrestimin e Gjergji Thimo ka reaguar edhe vajza e tij. Evangjelia Thimo ka hedhur poshtë akuzat ndaj të atit, duke theksuar se qëllimi i tij ka qenë mbrojtja dhe jo trafikimi i ikonave. “Qëllimi i babait tim Gjergji Thimo nuk ka qene trafikimi i ikonave, përkundrazi ai është munduar ti mbrojë këto vepra për shumë vite me radhë. Duhet theksuar që ai ka qenë transparent hap pas hapi dhe asgjë s’ka qenë e fshehur nga ana e tij!

Ekzistojnë shumë intervista dhe emisione ku ka qenë pjesëmarrës dhe e vetmja gjë që ka kërkuar ka qenë ngritja e një muzeu, pikërisht për mbrojtjen e këtyre objekteve. Si mund te akuzohet dhe të përdhoset emri i babit tim duke e quajtur trafikant kur më përpara është quajtur nga mediat Gjergji Thimo, engjëlli mbrojtës i ikonave!!”- shprehet vajza e tij.
 
 Shkrimi u publikua sot (11.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Intervista ekskluzive/ Rrëfimi i kryeministrit Edi Rama, nga emisioni i RAI, akuzat ndaj të vëllait te mandati i Xhaçkës! Sot në 17:00 në Report TV

Intervista ekskluzive/ Rrëfimi i kryeministrit Edi Rama, nga emisioni i RAI, akuzat ndaj të vëllait te mandati i Xhaçkës! Sot në 17:00 në Report TV