Hapësira dhe koha ndër shqiptarë

Hapësira dhe koha ndër shqiptarë

Sheshi 'Skënderbej', Tiranë

Për hir të së vërtetës, këto dy përmasa janë thelbi madhor i ekzistencës së njeriut. Nëse do të bësh një hierarki të zhvillimit dhe të jetës së njeriut mbi tokë, duke vështruar raportin e tij me hapësirën dhe kohën, ti ke mundësi që të gjykosh se në çfarë niveli gjendet ai sot. Hapësira nuk është vetëm territori ku gjëllijnë njerëzit dhe që ndahet me kufij tokësorë. Natyrisht, kjo është njëra përmasë e saj, përmasa tjetër, ndoshta më e rëndësishmja, është raporti që vendosim me veten tonë dhe me të tjerët, mënyra se si e ndajmë hapësirën me të tjerët, por, hapësirën jo thjesht në kuptimin fizik, por edhe hapësirën në kuptimin virtual apo, thënë ndryshe, çfarë vendi i rezervojmë tjetrit që është i ndryshëm nga ne sa i takon ngjyrës, orientimit seksual dhe racës.

Në anën tjetër, koha është një përmasë që peshon jo vetëm në veprimet që kryejmë, por, ajo na qëndron si saç në vetëdije e nënvetëdije, sidomos, duke na përcaktuar vendimmarrjen e vullnetshme dhe të pavullnetshme.

Problemi se kush është përcaktues në hapësirë, njeriu apo ambienti ku ai jeton, është një argument i vjetër që edhe bashkë me problemin e pazgjidhur të thelbit të njeriut, janë sot e gjithë ditën argumenti i cilitdo filozof. Mirëpo, një vështrim empirik të bind se hapësirën apo ambientin e bën njeriu dhe jo anasjelltas. Natyrisht, në këtë vijë arsyetimi mund të vazhdonim gjatë, por nuk është ky argumenti ynë në këtë rast.

E thashë që në fillim se shqiptarët kanë një problem të madh me hapësirën dhe kohën sepse, në të dyja rastet, nuk i respektojnë ato dhe nuk dinë të sillen me to ashtu siç do të duhej të sillej një komb normal.

Shqipëria historike është ndërtuar kryesisht mbi narrativën e atdheut të copëtuar. Pas shpalljes së Pavarësisë, territore të tëra mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë natyrale, sepse, në këtë rast, për përcaktimin e hapësirës shqiptare, u zgjodh përmasa kulturore dhe religjioze. Territore të banuara nga shqiptarë iu dhanë fqinjve të Shqipërisë duke shkaktuar traumën e parë në përcaktimin e hapësirës dhe duke prodhuar kështu edhe një qëndrim tjetër ndaj kohës. Deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, koha historike ndër shqiptarë ishte ndalur dhe narrativa për hapësirën i referohej gjithmonë fatalitetit që ishte kryer atëhere kur trojet shqiptare ishin copëtuar.

Shqipëria e nisi jetën e pavarur në hapësirën e ngushtë territoriale të vitit 1912 në një territor të rrënuar nga mjerimi ekonomik, nga padija dhe në një gjendje të përgjithshme zhvillimore që ngjante me Mesjetën. Në përcaktimin e marrëdhënieve të hapësirës dhe të kohës, shqiptarët, më së shumti, i referoheshin Kanunit, Sheriatit dhe kodeve të një kuture të trashëguar gojore që ishte e mbushur me misticizëm dhe injorancë. Zhvillimi i ngadaltë, por i qëndrueshëm në periudhën e Pavarësisë, përcaktoi, deridiku, orientimin perëndimor si tendencë, ndërsa sistemi i diktaturës së proletariatit që u instalua në Shqipëri la gjurmë të pashlyeshme në hapësirën dhe në kohën shqiptare.

Komunizmi zhduku raportin e njeriut me pronën dhe krijoi utopinë e pronës së përbashkët që jo vetëm nuk u sendërtua kurrë, por, në vend të shenjtërimit, në shumë raste, shihej si një hapësirë tjetër, e ndryshme nga ajo që duhej të shërbente për të ndërtuar jetën shqiptare. Koha, gjithashtu, u ndal dhe komunistët ndërtuan një sistem të tillë të menduar që numërimin e ngjarjeve dhe rrjedhën e tyre e niste nga koha e komunistëve, nga datat që kishin përcaktuar ata si fillimet e një epoke të re.

Pas rënies së komunizmit, Shqipëria humbi të gjitha orientimet në hapësrië dhe në kohë. Territori i vendit, ose hapësira e përbashkët u vështrua si një mundësi për të ndërtuar një utopi të re, utopinë e suksesit dhe të pasurimit të shpejtë. Utopia e pronës së përbashkët që deri në atë kohë nuk ishte përfillur si e huaj ose ishte shpërfillur nga të gjithë, tani u pa si një areal tjetër, dhe pjesa më e madhe e shqiptarëve, por, sidomos ata që kishin qenë të detyruar të jetonin në zonat rurale, i zaptuan ato, duke ndërtuar një raport tjetër me hapësirën. Sipas këtij kuptimi, autoriteti që vendos raportin e njeriut me hapësirën dhe me territorin nuk është ligji apo kodet e shkruara. Këtë raport e përcakton tani forca dhe parimi i shpërfilljes. Shifrat që janë botuar këto ditë e vertetojnë këtë që sapo thashë. Rreth 42% e ndërtimeve të familjeve shqiptare në këta 27 vjet kanë qenë abuzive(Tema). Në hapësirën e krijuar shqiptarët nuk ndajnë të njëjtat qëndrime dhe marrëdhënia e tyre me territorrin nuk përcaktohet nga institucionet ligjore të besimit. Ky qëndrim nuk është një kontratë e nënshkruar dhe e pranuar nga të gjithë. Më së shumti, ai është një akt individual apo grupi që e sheh territorin si një hapësirë të realizmit të sundimit të egos së tij duke shtyrë në skaj tjetrin e pambrojtur dhe duke sfiduar shtetin. Shteti shqiptar në këta 27 vjet ndoqi një politikë atipike dhe e sanksionoi me ligj abuzivizmin. U ngrit një Agjenci e tërë që i formalizoi dhe po i formalizon të gjitha ndërtimet pa leje dhe, në shumë raste, edhe në dëm të pronarëve të ligjshëm, duke krijuar kështu një marrëdhënie kontradiktore me hapësirën.

Në formë paradoksale, megjithëse qeveria e legalizoi dhunimin e hapësirës dhe ndërtimet pa leje, pikërisht atëhere kur ajo do të realizojë një investim publik, banorët e prekur nga shpërnguljet për interes publik, pra, heronjtë e marrëdhënies së re me hapësirën, u revoltuan dhe nisën të protestonin. Meqenëse shqiptarët kanë një marrëdhënie të vështirë me kohën, ata u gjendën përsëri përballë protestave të dhunshme të cilat nisën si kundërshtim i vendimit të qeverisë për unazën e madhe dhe përfunduan si përplasje politike. Shqiptarët janë ende në kohën heroike dhe revolucionare dhe modeli i ndryshimit që ka përqafuar opozita është retorika e luftës dhe e përmbysjes. Të dyja këto të shtyjnë të mendosh se shqiptarët ende nuk janë shkëputur nga sindroma e shkatërrimit të hapësirës me mjetet e dhunës dhe të zaptimit dhe se elita politike që e frymëzoi dhe e nxiti këtë shkatërrim në vitet ’90, është po ajo që ëndërron përsëri dhunë, përmbysje dhe katastrofa si ato që provokoi në fund të vitit 1996 dhe në vitin e mbrapshtë 1997.

Për ta përfunduar dua të sjell këtu një thënie mbi dallimin mes Perëndimorrit dhe Lindorit, që kolegu im Prof. dr. Dhimitër Doko e ka sjellë si ilustrim në një veprimtari zhvilluar para disa kohësh :

“Në perëndim njeriu jeton nën sundimin e ligjit, i cili, mbrojtës dhe kërcënues, e shoqëron në rrugën e tij të jetesës, nga djepi deri në varr dhe e mban fort prej dore. Si të ishte një lule kopshti, i ruajtur dhe i selitur nga institucionet, ai mund të ecë i qetë rrugës së vet dhe të jetojë vetëm për vete dhe profesionin e tij.

Përkundrazi lindori mund të krahasohet me një dru pylli, ekzistenca e të cilit rrethohet nga rreziqe të panumërta. Atij i duhet të hapë sytë gjithnjë rreth e rrotull që të mos sulmohet në befasi dhe, duke qenë se frika dhe shpresa e tij varen në një masë të madhe nga arbitrariteti i individëve të tjerë, ai, si rregull, është më i zoti se perëndimori në njohjen dhe trajtimin e njerëzve.

Perëndimori qëndron mbi tokë të fortë, lindori mbi tokë të lëkundshme; i pari ka mundësi që t’i përkushtojë të gjitha forcat ndërtimit të jetës së vet, ndaj nuk i njeh rrengjet dhe marifetet, të cilat i dyti i ka të zakonshme për të ruajtur baraspeshimin në veprimtarinë e vet…”/Javanews/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Boomerangu: 23/11/2018 18:17

    Interesante,e vertrte!..d.m.th.,zona rurale ose shqip=katundare(bari'tore qe eshte 80% e Popullsise jane Majmune me bisht..,por njekohesisht Grabitqare cinike"..Keta erdhen u ulen kembkryq..,si Grami ne Grure..,ndertuan 1 kasolle si gjoja gjynafqare pastaj,u perhapen dhe e shtyne gardhin dhe zaptuan edhe Trotuaret e Rrugen...Madje edhe e shiten Token e xanun te tjere,fare"e"fis...Prandaj,duhet 1 Pastrim Kombetar.,me Google map..,i te gjitha hapsirave Publike..,dhe Ed Rama do mbeshtetjen e Pjeses tjeter te Popullit qe te ngrihet Pro ..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Biznesmenit Ago Gjolaj i sekuestrohet biznesi në Koplik, Report Tv sjell pamjet

Biznesmenit Ago Gjolaj i sekuestrohet biznesi në Koplik, Report Tv sjell pamjet