POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Hapet gara për projektimin e pjesës së mbetur të Unazës së Madhe në Tiranë

Foto ilustruese

Segmenti i fundit i Unazës së Tiranës, i cili nis në Babrru dhe përfundon te “Kryqëzimi i Doganës”, ka hyrë tashmë në planet e investimeve publike për t’u ndërtuar, por kjo do të kërkojë disa vite. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur garën për prokurimin e realizimit të studimit për segmentin nga “Bulevardi i Ri” deri në Laprakë, te sheshi “Shqiponja”.

Projektimi ka si kosto limit shumën prej rreth 250 mijë eurosh. Firma fituese do të ketë 30 muaj afat për ta realizuar. Kjo do të thotë se, së paku për dy vite e gjysmë, punimet nuk do të nisin, pasi më parë duhet të dorëzohet projekti.

Aktualisht po punohet për ndërtimin e segmentit që lidh kryqëzimin e TEG-ut me “Bregun e lumit”. Pjesa e parë e këtij segmenti “lindor” në Farkë ka përfunduar, por ajo ende duhet të lidhet me një nyje në Shkozë dhe një tjetër në Kinostudio. Në plan është edhe ndërtimi i një mbikalimi te TEG-u dhe një tjetër te sheshi “Shqiponja”, duke mundësuar kështu një lëvizje të pandërprerë në formë rrethore.

Ndërkohë, parashikohet që edhe në aksin e parë, nga Dogana te “Pallati me Shigjeta”, të ndërtuar vite më parë, por jo me standardet e duhura, do të ndërhyhet për të ndarë korsitë me shpejtësi, nga ato që lidhin rrugën me zonat e banuara.

Projekti i “Unazës së Madhe” është planifikuar që para viteve ‘90, por edhe 30 vite nga ndërrimi i sistemeve, qeveritë e ndryshme nuk kanë arritur dot të përfundojnë një rrugë, që e kanë pasur gati me letra. E gjithë kjo kohë, përveç problemeve të mëdha me trafikun, e rritur me shpejtësi të lartë, ka bërë që të rriten edhe kostot e shpronësimeve, pasi, aty ku dikur kishte toka bujqësore dhe në pronësi të shtetit, tani ka shtëpi të banuara nga privatë, si dhe objekte tregtare.

d.ba.
Komento