Negociatat, Meta: Të thellojmë reformat, të evitojmë çdo lloj polemike

Presidenti Ilir Meta ka folur sot për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Meta deklaroi se vendi duhet të përqendrohet në thellimin e reformave për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe.

Duke shprehur bindjen se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për çeljen e negociatave, Kreu i Shtetit theksoi se duhen evituar të gjitha polemikat për t’u përqendruar në objektivin e integrimit evropian.

“Të përqendrohemi në thellimin e reformave për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe. I bindur që i kemi të gjitha mundësitë për çeljen e negociatave. Të evitojmë çdo lloj polemike e të përqendrohemi në objektivin e integrimit evropian”

Ilir Meta, President i Republikës


Presidenti Ilir Meta sot gjatë vizitës në Përrenjas me kryetaren e Bashkisë Miranda Rira

Meta e bëri këtë deklaratë nga qyteti i Përrenjasit, ku ndodhet për një vizitë. Ai është pritur në sheshin kryesor të qytetit nga kryetarja e bashkisë, Miranda Rira, dhe është takuar me dhjetëra banorë. Presidenti mori pjesë në inaugurimin e çerdhes së qytetit të rikonstruktuar me fondet e shtetit të Turqisë, ku i pranishëm ishte dhe ambasadori turk, Ahmet Yoruk. Ky i fundit vlerësoi marrëdhëniet vëllazërore mes dy vendeve.

“Tejet i kënaqur të jem sot në krah të Presidentit Meta, personalitet e mik i madh i Turqisë. Marrëdhëniet midis dy vendeve tona, shume te ngushta e vëllazërore”

Ahmet Yoruk, ambasadori i Turqisë në Tiranë

Pyetje-pergjigjet e Presidentit Meta në Përrenjas
Pyetje: Zoti Meta jemi në prag të negociatave të Bashkimit Evropian, dhe shohim një skepticizëm të vendeve të rëndësishme si Franca dhe Gjermania. Cili është komenti juaj për këtë: sa shanse ka Shqipëria?

Presidenti Meta: Së pari duhet t’i gëzohemi rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian, sepse ky është një hap mjaft i rëndësishëm. Dhe së dyti duhet të përqendrohemi në thellimin e reformave të 5 prioriteteve kyçe, sidomos për të treguar më shumë vullnet dhe rezultate përsa i takon sundimit të ligjit. Jam i bindur se i kemi të gjitha mundësitë që Këshilli të mbështesë plotësisht këtë rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave për Shqipërinë.

Pyetje: Duket se ka një konflikt mes Bashës, Ramës dhe përfaqësuesit të Gjermanisë në lidhje me këtë çështje?
Presidenti Meta: Mendoj se në këto momente është shumë e rëndësishme që të evitojmë çdo lloj polemike dhe të përqendrohemi te demonstrimi i rezultateve në ditët, në javët që vijnë, sepse besoj se kjo do të ishte rruga më e mirë që ky rekomandim i Komisionit të kthehet në mënyrë të sigurt në një vendim pozitiv të vendeve anëtare.

Pyetje: Zoti President, si e vlerësoni ju këtë investim nga qeveria turke për institucionet arsimore, por edhe bashkëpunimin midis dy vendeve?
Presidenti Meta:
Si President dua të shpreh mirënjohjen ndaj gjithë këtij angazhimi të jashtëzakonshëm të “TIKA-s” në të gjithë vendin dhe të falenderojmë qeverinë e Turqisë për këtë mbështetje. Dhe së dyti, dua të falënderoj Kryetaren e Bashkisë dhe Ambasadorin turk që pata fatin ta nis ditën kaq bukur sot me këta fëmijë këtu në Bashkinë e Prrenjasit, të cilët janë kaq të lumtur në këtë mjedis të ri tërësisht të transformuar, që u jep krahë ëndrrave të tyre, dhe që njëkohësisht ka krijuar mundësi të reja jo vetëm për fëmijët, por ajo që është shumë e rëndësishme, edhe për nënat e tyre, që edhe ato të jenë më të qeta e më të sigurta.

Kështu që edhe njëherë do të falënderoja Ambasadorin dhe “TIKA-n” për çdo punë të shkëlqyer që kanë bërë!

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Basha akuzon se ka aleancë PS-Rithemelimi kundër SPAK, e besoni?



×

Lajmi i fundit

Donald Trump në gjyqin e parë penal ndaj një ish Presidenti

Donald Trump në gjyqin e parë penal ndaj një ish Presidenti