Historia e Ingritit, fizikani karpentier që bën shtëpi të bukura druri

Historia e Ingritit, fizikani karpentier që bën shtëpi të bukura druri

Ingrit Xhomaqi gjate punes

Ingrit Xhomaqi është vetëm 28 vjeç, ka studiuar për fizikë, por sot është në krah të babait të tij, Ilirit, si karpentier apo mjeshtër i drurit. Ingriti dhe babai i tij, në fabrikën e tyre në Vorë bëjnë shtëpi druri, shtëpi për njerëz që pëlqejnë natyrën, ekologjinë, thjeshtësinë dhe çdo gjë që ka të bëjë me të bukurën.

Dalëngadalë, nëpër Shqipëri, shtëpitë e EcoAlsion po fitojnë terren, sheh një të bukur në Ibë, në Dajt, një tjetër në Elbasan, në Vlorë, në Theth etj. E megjithatë kjo punë e bukur nuk është aq e lehtë. Ingriti dhe babai i tij janë gjithnjë në kërkim të të rinjve për t'i punësuar, për t'i mësuar e për të zhvilluar biznesin e tyre në Shqipëri.

Ingrit Xhomaqi

Shqiptarja.com, përmes rubrikës së saj tashmë të mirënjohur "Drejt Punës", takoi Ingritin për të kuptuar se si një i ri, me studime për fizikan, punon me kaq pasion e dashuri në biznesin e familjes për ndërtimin e shtëpive të bukura të drurit.

"Kam kryer studimet në degën e Fizikës, në Universitetin e Vlorës, në periudhën 2008-2012. Gjatë këtyre viteve kam kryer disa specializime. Më interesanti ka qenë "Evidentimi dhe trajtimi i mikro-plasaritjeve" të cilin e kam kryer në Universitetin e Prishtinës në vitin 2011, bashkë me 10 studentë të tjerë, të përzgjedhur nga institucione të ndryshme nëpër Shqipëri", tregon Ingriti.

Po si nisi pasioni për shtëpitë e drurit, të cilat janë shumë të përhapura në Europë,  vendet nordike, në SHBA apo në Kanada, ndërsa në Shqipëri nuk shquhemi për ndërtimin e tyre, edhe pse klima dhe natyra do të ishin shumë të përshtatshme.

"Kur nisa studimet në Vlorë, prindërit e mi vendosën të ndërtojnë një shtëpi prej druri, në periferi të Tiranës! - thotë Ingriti, - Ideja na pëlqeu shumë e u nisëm për në Austri për t'u informuar më gjerë rreth këtyre shtëpive. Ishte diçka e re për ne, nuk e njihnim, e kur ishim në një fabrikë dukej shumë e thjeshtë. Në fakt na u duk aq e thjeshtë, saqë kur u kthyem në Shqipëri, të gjithë informacionin që na duhej, e morëm në "Google".

Ne, shtëpinë tonë të drurit, nuk e bëmë, por ndërtuam një fabrikë për prodhimin e tyre! Babai im kishte nevojë për mua, më shumë sesa kishte shkenca, e kështu që, unë sot jam i angazhuar në profesionin e karpentierit!". E megjithatë shpejt profesionalizmi i EcoAlsion i kalon kufijtë. edhe eksperiencat dhe porositë nga jashtë nuk mungojnë.

"Një prej punëve më interesante që kemi bërë është një Agriturizëm në Itali-Savona! Ishte tepër e veçantë sepse zotëria që e ndërtoi na kishte gjetur nëpërmjet internetit dhe nuk kishte qenë kurrë në Shqipëri! Erdhi i frikësuar në një farë mënyre, sepse nuk e dinte ku po ikte, e as tek kush. E pritëm. E informuam. I "shtuam ca kile" me ushqimet tona tradicionale dhe klienti iku me një kontrate të firmosur dhe me një mendim totalisht të ndryshuar për Shqipërinë tonë!"

Por, ai i pëlqejnë shqiptarët shtëpitë e drurit, edhe pse janë ekologjike, të sigurta, ekonomike, nuk shihen shumë të tilla në vend. "Klientët tanë janë të shumtë. Kërkesat janë të mëdha, por për disa mbetet ëndërr! Shtëpitë prej druri nuk kanë pse të konsiderohen si diçka luksoze, por si një shtëpi në të cilën jetohet shëndetshëm.

Druri është material termo-izolues natyral, gjë e cila e bën shtëpinë të jetë e freskët në verë dhe e ngrohtë në dimër! Nga ana tjetër, në shtëpitë prej druri nuk ka vend për t'u përmendur termi "lagështi" kjo sepse shtëpia "jeton bashkë me ne". Bymimi dhe tkurrja e drurit, ndodh pikërisht kur nivelet e lagështisë janë të larta ose të ulëta.

Çmimet e këtyre objekteve ne i mbajmë të ulëta sepse i tillë është tregu, e këto janë të përballueshme!

Na mbetet  vetëm që të mundohemi t'i japim Shqipërisë tone informacion në lidhje me objektet ekologjike, të mundohemi të senzibilizojmë ato që quhen "shtresa" të shoqërisë tonë, duke i bërë të kuptojnë se druri është i shëndetshëm për të gjithë!"

Me gjithë vështirësitë e punës dhe të tregut a ka menduar ndonjëherë fizikanti karpentier të largohet nga Shqipëria? "Unë nuk e kam parë kurrë veten jashtë Shqipërisë time! - thotë 28 vjeçari. Por sidoqoftë, çdo gjë është e lidhur me mundësitë që vendi i jep gjithsecilit, sidomos, të rinjve!

Më vjen inat dhe keq, për të gjithë ata që detyrohen, të largohen nga këtu. Do iki unë, do ikësh ti, do ikin miqtë tanë...po këtu kush do mbetet?...Çfarë do të ndodhë me Shqiperinë tonë? Ne momentalisht kemi nevojë për të punësuar disa marangoze(karpentierë), kemi bërë lajmërime nëpër portale të ndryshme, gazeta e kudo....dhe ka kohë që i kemi bërë këto lajmërime.

Ingrit Xhomaqi gjatë punës

Nuk ka asnjë të interesuar!
Asnjë nuk dëshiron ta marrë si profesion dhe më e keqja është se nuk ka asnjë që t'i udhëzojë të rinjtë drejt këtyre profesioneve! E ardhmja e biznesit këtu tek ne, nuk është aq e thjeshtë në fakt, sidomos për ne të rinjtë! Na duhet punë dhe përkushtim për të arritur, si fillim, objektivat, e më pas të realizojmë ëndrrat tona! E rëndësishme është se kemi çdo gjë që na duhet për të ecur përpara..mjafton pak këmbëngulje dhe fokusim!

Por....shkollat profesionale, nuk jam i sigurt nëse funksionojnë...sidoqoftë jam i sigurt se dega e "Administrim Biznesit"(përshembull), nxjerr çdo vit diploma, madje, me rezultate të mira... Nuk e di nëse kemi nevojë më shumë për "Administratore" apo "Profesioniste e  Zanatçinj"

Edhe te biznesi i shtëpive të drurit problemi është ai që haset në shumicën e bizneseve në Shqipëri, kërkesa e madhe për të gjetur të rinj të apasionuar dhe me zanate që sot nuk janë edhe aq të preferuara, por që ndoshta të rinjtë nuk e dinë që ruajnë një bukuri të rrallë. Kështu siç Ingriti, fizikan, e ka kuptuar.

/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Sulmet e Metës ndaj SPAK, Lapardhaja: Diçka ka ndjerë! Nëse është çmendur aq më keq për të

Sulmet e Metës ndaj SPAK, Lapardhaja: Diçka ka ndjerë! Nëse është çmendur aq më keq për të