Historia/Duka i Montpensies dhe flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali

Historia/Duka i Montpensies dhe flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali

Flamuri pas ndërhyrjes konservuese

Lidhur me flamurin me të cilin u varros Ismail Qemali është shkruar disa herë.

Në deklarimet e Et’hem bej Vlorës bërë me datën 28 Vjeshtë e Tretë 1932, rezulton se ai flamur ka qenë ngritur nga Ismail Qemali me 28 nëntor 1912 për shpalljen e Pavarësisë, por në bazë  të hetimeve të bëra nga Prefektura e Vlorës ka rezultuar se ai flamur ka qenë ngritur vetëm në ndërtesën e doganës së Vlorës. Atëhere Et’hem bej Vlora dha disa shpjegime për historinë e flamurit, duke thënë se atë “ i a fali Duku i Monpansierit…nga Marsi i vitit 1913”.Se si është historia mund ta lexojmë në Raporin e konsullit austro-hungarez në Vlorë, Lajhnec, bërë për ministrin e Punëve të Jashtme, kontin Berchold me 31 mars 1913.

“Vlorë, më 31 mars 1913

...Lartësia e tij mbretërore Ferdinand Franc Duka i Montpensies erdhi këtu më 28 të k. m. natën vonë prej Korfuzit me jotin e vet (“Mekong”). Në shoqërimin e tij ndodheshin ish pretendenti i fronit shqiptar princ Gjika dhe dy shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut: Mark Kakariqi një katolik i ri prej Shkodre dhe Petër Goxhamani një kucovllah ortodoks prej Berati. Në tre personat e fundit kishin marrë pjesë në kongresin e shqiptarëvet që u mbajtë në Triest në fillim të këtij muaj.

Me ndërmjetësinë e të dy shqiptarve të sipërpërmendur duka hyri në kontakt qysh në atë mbrëmje me Ismail Qemal beun, dhe pastaj midis tyre u vazhdua një komunikim i shpeshtë. Në të nesërmen të shtunën më 29 të k.m. Ismail Qemal beu së bashku me të dy të bijtë e tij Edhem dhe Qazim beun ishte ftuar për mëngjes në bordin e jotit.

Gjatë pasdrekës Duka i veshur me uniformë oficeri të marinës engleze i shoqëruar prej princit Gjika, kapitenit të vaporit, dhe mjekut të vaporit i bëri atij një vizitë. Mbasi u tha se duka kishte ndërmend që të qëndronte afërsisht një javë në Vlorë, çfaqën dëshirën edhe kolegu i im italian dhe unë që ti bënim një vizitë, e cila na u akordua. Konsulli i nderit i Rusisë zoti Çika nuk mori pjesë në këtë vizitë duke vënë si pretekt se nuk kishte instrukcione dhe se ishte njoftuar me vonesë.


(Flamuri pas ndërhyrjes konservuese)

Gjatë qëndrimit të tij këtu Duka u tregua i afrueshëm jo vetëm përkundrejt autoritetevet zyrtare, por edhe përkundrejt, popullit, dhe në jot u ftuan për të bërë vizitë, jo vetëm bejlerë të ndryshëm dhe ministra, por edhe njerës të popullit, të cilët u pritën miqësisht në bord. Interesimin e tij të veçantë për Shqipërinë duka e çfaqi duke varur në mastin e përparshëm të jotit flamurin e Shqipërisë, duke i falur qeverisë dy fiamurë të barabartë, prej të cilëvet njëri u ngrit menjëherë në zyrën e doganës dhe tjetri në zyrën sanitare të skelës.

Pastaj u shpërnda  dhe një sasi e madhe me fotografi të ndryshme dhe atë të tijnë, prej të cilave këto të fundit kishin një nënshkrim në gjuhën shqipe. Për të vobegtët e Vlorës ai dhuroi një shumë prej 1000 franga, pastaj ai lejoi të çpallesh se për  shqipëtarët që vuanin nga urija ai ka ndërmend që të dërgojë një vapor me sende ushqimore, porse për shkak të bllokadës qi ishte i detyruar që të hiqte dorë.

Të gjitha këto veprime të Dukës së Montpensies të lejojnë të kuptosh se ai do që të kërkojë fronin shqiptar. Hapi i tij gjykohet në mënyrë të ndryshme, herë si i guximshëm dhe i urtë, herë si aventuresk dhe jo t’urtë. Bëhet pyetja se kush do të jetë prapa kësaj kandidature, dhe duke marrë parasysh disa rrethana shoqëruese këtu janë të dispozuar të besojnë, se këta mund të jenë Tripëlantanta dhe Lidhja ballkanike.”

Cituar nga: “Haus-Hof und Staatsarchiv, Ëien, Politisches Archiv (më tej HHSPA), në Arkivin e Institutit të Historisë, ( më tej AIH), Vj 23-17-1701, Raporti konsullit austro-hungarez në Vlorë, Lajhnec për ministrin e Punëve të Jashtme, kontin Berchold, Vlorë, 31 mars 1913”.

Së fundmi dëshiroj të falenderoj historianen Ledia Dushku, që më vuri në dispozicion këtë dokument.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kryemadhi: Kam raport të ngrirë bashkëshortor me Ilir Metën

Kryemadhi: Kam raport të ngrirë bashkëshortor me Ilir Metën