POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Histori-Etnografi/ Pal Shoshi, objektet e rralla që i dhuroi Muzeut Kombëtar më 1923

Ndërtesa e Muzeut Kombëtar në Tiranë viti 1923

Emri i Pal Shoshit, origjina e hershme e të cilit kuptohet nga mbiemri krahinor, na del në një dokument zyrtar të vitit 1923, dokument i Ministrisë së Arsimit, ku thuhet se ai është nga Durrësi dhe se ka dhuruar disa objekte për Muzeun Kombëtar të asaj kohe. Mirëpo qëllimi ynë kryesor në këtë shkrim nuk është që të gjejmë origjinën e tij, por të paraqesim gjestin , për të cilin pati meritën të rregjistrohet në kujtimet e përhershme dhe mbreslënëse të linjës muzeore. Pastaj, në fund, si plotësim i figurës së tij, do të thomi disa fjalë për të kuptuar karakterin, që e çoi në gjestin filantropik, me të cilin mund të kuptojmë një bujari intelektuale.

Shkresa, si kopje e origjinalit në Arkivin Qendror Shtetëror, është kjo e mëposhtmja: AQSH. Fondi 195. Viti 1923. Dosja 87. Fl 64. Në të, ndër të tjera, shkruhet:

“MINISTRIA ARSIMIT

No 16

Idhuron Muzeut Komtar

Zot. Pal Shoshi nga Durrëci:

 ---------------

1)  Nji palë pushkë të brezit, me këllëfat për në shalë të kalit.

2)   “ kandël të vjetër prej tunçit, me 4 fitila.

3)   “ fytyrë të vogël tunçit të shekullit III mbas Krishtit.

4)   “ dekoratë me fytyrën e Princ Ëied-it, 1914

5)  Nji para të vjetër të Konstantit të II të vj. 337”.

 Pastaj shkresa vazhdon, duke përmendur emrat e disa dhuruesve të tjerë dhe sendet e dhuruara prej tyre. Në fund është data:14- V- 923.

Poshtë ka një shënim shumë të dëmtuar, por me vështirësi në të mund të lexohen disa fjalë, si: “Të gjitha objektet shihen në gjendje…pushkët dhe fytyra janë mjaftueshëm…” Pastaj është data 4.V.1931 dhe poshtë datës, firma e Hasan Cekës.

Ky shënim vërteton se deri në maj të vitit 1931 objektet e dhuruara nga Pal Shoshi ruheshin mirë në arkivin e Muzet Kombëtar.

Mirëpo ne duam të gjejmë se ku janë sot ato objekte. E sotmja ka ardhur nga një rrugë me degëzime. Në se Muzeu Kombëtar ishte trungu, e sotmja muzore e Shqipërisë janë në një farë mase degët e zhvilluara më tej dhe fidanet. Që të shkosh në bazë duhet të ecësh mbrapa në kohë. Dhe kjo është tepër e vështirë, e nganjëhrë e pamundur. Dhe ja se pse. Sot, kur një objekt, për historinë që përmban, apo për veçantitë e theksuara që ka meriton të bëhet pronë e një muzeu, veprimi i parë që kryhet është që ai të rregjistrohet me një numër inventari në atë që quhet “Rregjistri themeltar”. Në këtë rregjistër, përbri numurit te inventarit jepet përshkrimi i hollësishëm i objektit, në mënyrë të tillë, që të mundet ta identifikosh atë objekt në çfarëdolloj rrëmuje dhe edhe kur mungojnë fotografitë, apo kur mund t’i demtohet “matrikulli”. Shënohet gjithashtu se kush e ka patur objektin, rrugëtimi i tij i mundshëm në histori, e që përbën garniturën muzeale, çmimi i blerjes, në se objekti është blerë, dhuruesi, në se është transferuar në ndonjë muze, etj. Legjislacioni i ri kërkon edhe paisjen e kartelës me fotografi. Mirë se kjo është e sotmja. Po në atë kohë të largët?

Nga kërkimet e bëra rezulton që duhet të ketë patur një rregjistër inventari të objekteve të Muzeut Kombëtar, sepse herë-herë shikojmë të ngjitur në objekte një etiketë të vogël me numërin përkatës, e cila ka qenë shumë më “e fisme” krahasuar me ato që janë vënë më vonë, e që i kemi ende. Mirëpo, deri më sot nuk kemi arritur të gjejmë rregjistrat e vjetër. Të paktën unë nuk i kam gjetur dot. Ndoshta diku janë në ndonjë dosje arkivi. I është sugjeruar edhe Ministrisë së Kulturës që të ndërhyjë pranë Arkivit Qendror Shtetëror, e të bëhen kërkimet e duhura.

Lidhur me problemet e inventarit është shprehur edhe Zef Mala, drejtor i Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar në vitin 1946.

Dikur, në fillimet e punës muzeore, baza e vetme e ruajtjes së objekteve ka qenë Muzeu Kombëtar. Më vonë, më 1947, me krijimin e Institutit të shkencave u krijua edhe sektori i arkeologjisë dhe ai i etrnografisë. Midis këtyre sektorëve u bë edhe ndarja e “pasurisë” së Muzeut Kombëtar. U bë edhe inventarizimi i objekteve, duke vendosur numëra te reja dhe plotësimi i kartelës shoqëruese të objektit. Siç më ka treguar zonja Ikbale Bihiku, punonjëse e herëshme në atë institucion, kartelizimin e drejtonte zonja Çomora, kroate për nga origjina.

Në fondin etnografik “u strehuan” edhe objektet e tjerë, të natyrave të ndryshme nga ajo etnografike. Pastaj, nga këto dy baza, por sidomos nga ajo etnografike, u morën armë dhe objekte të tjera për Muzeun e armëve në Gjirokastër, për Muzeun Historik Kombëtar, për Muzeun e Artit Mesjetar Shqiptar në Korçë, etj.

Këto lëvizje janë pasqyruar në dokumentacionin përkatës me numërat e rij të inventarit. Në kollonën “Vërejtje” shënohen edhe transferimet. Por shënimet nuk i gjejmë për të gjithë objektet, kështu që ne na duhet detyrimisht inventari dhe përshkrimi i vjetër, i bërë në kohën e hyrjes së objektit në Muzeun Kombëtar, që të mund të bëjmë krahasimin dhe të ndjekim “ecurinë kohore” të objekteve. Kjo është edhe arsyeja se përse u çfaq që në fillim dyshimi për gjetjen e saktë të objekteve që dhuroi dikur Pal Shoshi. Nuk mjafton vetëm dokumenti i cituar i Ministrisë së Arsimit, të gjitha armët janë thuajse njëlloj, medaljet po ashtu, edhe monedhat, ndërsa objektet e tjerë të dhuruar janë të përshkruar pa hollësira dalluese. Në të tilla rrethana nuk ka arkivist në botë, apo historian që të mund të identifikojë objektet pa patur të dhëna për ta.

Gjithsesi mundet të paraqesim diçka, që shkon pranë së vërtetës.

 Më kujtohet se në fillimet e punës time në fushën e historisë, e kjo ka qenë mbas vitit 1970, gjatë një vëzhgimi që së bashku me Rrok Zojzin, themeluesin e etnografisë shqiptare dhe drejtuesi i sektorit përkatës, po i bënim Fondit etnografik, më ranë në sy dy këllëfe lëkure kafe, në të cilat ishte futur nga një kobure e madhe. I bërë kurioz e pyeta Rrokun dhe ai më tha se janë për t’u mbajtur në shalë të kalit. Atëherë nuk e dinim qenien e shkresës së Ministrisë së Arsimit dhe dhuratën e Pal Shoshit, ndryshe do ta kishim analizuar në veçanëti, e mundësitë ishin shumë më të mëdha për të kërkuar për autorin e dhuratës. Po sot, a nuk kemi të drejtë të mendojmë, e t’u japim një shans që të qenë pikërisht ato që dhuroi Pal Shoshi?

 Për llojin e medaljes së Princ Vidit dhe që është “Medalja e Mbërritjes së Princit” dhe sa për ta paraqitur, do të kopjoj fjalë për fjalë atë se çfarë shkruan z. Artan Lame te “Princi i shqipëtarëve”. Tiranë 2012. Faqe 101.

“Medalja e Mbërritjes së Princit. Kjo medalje ju shpërnda të gjithë atyre që përgatitën dhe morën pjesë në ceremoninë e mbërritjes së princit në Durrës më 7 mars 1914. Medalja është vepër e Gustav Gurschner (1873-1970), skulptor, dizenjator dhe piktor i njohur austriak. Kjo medalje, nisur nga datat që mbart, mund të konsiderohet si medalja e parë e shtetit shqiptar.”

Ndërsa për monedhën e Konstandinit II-të u interesova në kabinetin numizmatik të Institutit të Arkeologjisë. Dhe çfarë ndjenje kënaqësie pata, kur gjetëm në rregjistrat e inventarit emrin e Pal Shoshit dhe monedhën e dhuruar dhe vitin 1923! Po atje pamë se monedha ishte gjetur në Pojan, por pa ndonjë shpjegim më të hollësishëm.

Dy objektet e tjerë, kandilin dhe kokën prej tunxhi, nuk kam arritur t’i identifikoj.

Në të sotmen e larguar një shekull nga ngjarja, është tëpër e vështirë të kërkojmë e të gjejmë të dhëna për autorin e dhuratës, Pal Shoshin. Gjithsesi, një miku im, prof. dr. Afrim Hoti, u interesua në Durrës dhe arriti të gjejë diçka.

Me origjinë, e aq sa mbahet mend, Pal Shoshi ka qenë shkodran. Ai merrej me hoteleri. Në Shkodër e ka patur edhe aktivitetin e vet modest. Ndoshta mund të ketë punuar si “agjent” hotelerie. Në Durrës duhet të ketë qenë në moshën dyzetë- dyzetë e pesë vjeçare. Atje u martua me Gjyzepina Perçinin, katolike, me të cilën pati edhe një vajzë, Pjerinën. Nuk gjindet ndonjë dokument që të tregojë se me çfarë pune është marrë në Durrës.

Përsa i përket origjinës së objekteve që dhuroi në Muzeun Kombëtar në vitin 1923, mbetet e gjitha në hamendësi. Por prejardhja e tij nga Shkodra na shtyn të mendojmë për një kulturë të mbrujtur nga një qytet me kulturë, gjë që duhet të ketë qenë edhe shtysa e koleksionimit historik dhe e filantropisë, kur u kërkua nga shteti shqiptar. Po nga gjeografia e vendeve ku ka banuar, mund të mendojmë se koburet i ka koleksionuar në Shkodër, ndërsa medaljen e Princ Vidit dhe dy objektet arkeologjike, në Durrës, këto të fundit, ndoshta të zbuluara gjatë punimeve ndërtimore të qytetarëve durrsakë.

f.g.
Komento