Homazh për Gëzim Qendron/ Nën
borën e bardhë, e të butë, si shpirti yt

Homazh për Gëzim Qendron/ Nën<br />borën e bardhë, e të butë, si shpirti yt<br /><br>
Unë dhe sa miq të tu të tjerë, si dëgjuam, se nga shkurtësia e jetës, nuk je më në mesin tonë.

Si të përhumbur, nga Prishtina u nisëm për në Tiranë.

Edhe pse nuk besonim, e dinim se ku po shkonim e pse po shkonim.

Atë ditë, siç shkruante një gazetë shqiptare, në Tiranë “Binte borë e butë dhe e bardhë si shpirti yt”.

Ceremonia e përcjelljes tende ishte e nivelit të përcjelljes së një princi, siç ishe ti në Tiranën tonë, në Prishtinën tonë, për kulturën, artet, vlerat tona kombëtare.

Familjarët, miqtë, piktorët, artistët, shkrimtarët, studentët dhe qytetarët e nderonin kulturën atë ditë kur në Tiranë “Binte borë e butë dhe e bardhë si shpirti yt”.

Të gjithë ishin pranë teje.

Në krye, te koka jote ishte Arta, gruaja jote dhe Gea, vajza jote e cila ende është duke u rritur.

Ato, për të qarë nuk kishin më lot.

Të gjitha burimet e lotëve u ishin shterrur.

Atë ditë, ndarjen e shoqëronte vaji i burrave, miqve dhe studentëve  që i ke lënë pa fjalën tënde.

Pa mendjen tënde!

Pa dashurinë e profesorit të madh!

Ne, miqtë e tu, ende nuk e di sa jemi të vetëdijshëm se çfarë miku kemi humbur. Dhe ende nuk e di sa jemi të vetëdijshëm se ti ishe dora e djathtë që nga dita në ditë shkonte duke qitur gurë mbi gurë mbi murin e madh  të ngritur për kalanë e vlerave tona kombëtare.

Gjatë viteve të fundit të jetës tënde, fjala jote kaloi nga Tirana në Amsterdam, nga Amsterdami në Paris, nga Parisi në Tiranë e nga Tirana, mbi valët e Drinit të Bardhë, në Prishtinë.

Siç e kuptova edhe ti e kishe lexuar poezinë e Lasgush Poradecit, ku poeti ynë i madh shkruante: “Drini Plak që kalon mes përmes Shqipërisë”.

Ato valë mbi valë, të sollën edhe në Rrafshin e Kosovës. Por shpejt, shumë shpejt të mori shkurtësia e jetës dhe stundentët e Fakultetit të Arteve në Prishtinë e studentët e tu në Tiranë tani i ke lënë pa sharmin e buzëqeshjes tënde si profesor.

[gallery]25777[/gallery]

...miqtë e kolegët i ke lënë pa fjalën e mendimeve të ngritura mbi horizontalen e jetës së përditshme.

Ajo që e kemi pritur gjatë dhe që na ka munguar gjatë, ishte  personaliteti i një krijuesi të një niveli të lartë siç ishe ti.

Humbjen tënde, më vonë, ndoshta do ta kuptojmë edhe më mirë.

Kjo ndarje paska qenë e shkruar nga Ai që e krijoi idenë për Jetën.

Sipas idesë dhe meritave që kishe, nga koha kur ti ishe drejtor i Galerisë Kombëtare në Tiranë e deri tani kanë kaluar vite e vite. Por, nga ajo kohë me diell e shi unë ende nuk kam njohur as nuk kam takuar edhe një mik si ty.

I dashuri Gëzim, pas esesë, veprës tënde “Arkeologjia e mëngjesit” që ke shkruar për krijimtarinë time, jam më me vetëbesim si krijues.

Prandaj më vjen të mendoj se kam relizuar diçka që kam ditur ta bëj.

Për këtë vetëbesim të jam shumë mirënjohës dhe miqësisht të falënderoj.

Me keqardhje edhe pse je larg dua të të pyes: si ndodhi që ky vit të jetë viti i fundit i jetës tënde? A do ta shikosh fotografinë e Geas se si po rritet,  të gruas, Artës se si po plaket nga kujtimet që u ke lënë?

Ndjenja e humbjes brenda vetes e ka edhe ndjenjën e keqardhjes.

Edhe studentëve tu tani u mungon fjala jote.

Ajo për ta ishte risi dhe sfidë.

Për ëndrrat e tyre që shkojnë e vijnë si nata me hënë.

Si ti, studentëve, të rrallë kanë qenë ata që kanë ditur në mënyrë më profesionale e njerëzore t’u afrohen e të flasin për shpirtëroren e njeriut. Sidomos për artet pamore.

Ishe profesor i nivelit të lartë shkencor e studiues.

Tani e tutje, nuk e di si do të zhvillohet mendimi i arteve tona pa ty.

Deri në ditën e fundit ishe dhe mbete krijues dhe pedagog që i ke ushqyer horizontet e reja të brezave të rinj.

Me veprat që ke shkruar, me ligjëratat që ke ligjëruar dhe me veprat e arteve pamore që ke përkthyer në gjuhën shqipe ti ishe ai që shkove edhe përtej imagjinatës.

Për brezat e ardhshëm që do të të kujtojnë.

I dashuri Gëzim, gjatë ceremonisë së përcjelljes tënde në Tiranë “Binte borë e butë dhe e bardhë si shpirti yt”.

 

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet