POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Hysen Haxhiaj: Si u ekzekutua me varje Tarti, qeni i të burgosurve në Revoltën e Spaçit

Hysen Haxhiaj

Nga e gjithë letërsia e burgut, me gjithë ato vlera dokumentare që kanë ardhur nga shkrimtarët që nxorën xeherorin e historikut tragjik të burgjeve shqiptare për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, një libër i shkruar nga Hysen Haxhiaj kohët e fundit është nga më prekësit, i ngarkuar me një simbolikë emocionuese dhe domethënëse që të ngulitet fort në mëndje dhe të ngjall  trishtim.

Ata që abuzuan me forcën e pushtetit dhe që gjatë gjithë periudhës komuniste të qeverimit krijuan vetë një letërsi realisht të fuqishme me përshkrimin e torturave në kampet fashiste, arritën që me bashkatdhetarët e vet të sillen më keq se ata. Po ish-i burgosuri Haxhiaj na sjell një detaj të veçantë, atë të ekzekutimit të një kafshe, që s’mund të quhet e tillë, pasi ishte me ndjenja me njerëzore se xhelatët që e qëlluan me pushkë dhe më pas kur u shua revolta e Spaçit, e varën me ceremoni para të burgosurve që qanin për të.

Ky ishte Tarti, që të burgosurit e kishin vëlla, fëmijë, pasi hynte e dilte nëpër kapanonë, i përcillte në galeri, u lëpinte duart e vrara në galeri nga shtyrja e vagonëve. Dhe kur  e vunë në trekëmbësh një prej të burgosurve u thotë xhelatëve të Tartit: “Doni një shpirt, merrni shpirtin tim në vend të tij”! Po Tartin e ekzekutuan se ai u kujtonte xhelatëve të Spaçit se kjo kafshë fisnike ishte më humane se ato. Këto kujtime të dhembshme ka sjellë autori në librin “Baladë për Tartin e Spaçit”. Ekzekutim, për të cilin poeti i burgosur Ylber Merdani, prezent në këtë ngjarje të rrallë e të dhembshme, shkruan: “Bashkë me të edhe shpirtin na e vranë”!

Ideja për ta përjetuar Tartin, qenin me tipare  njerëzore

Ngjarjen e dëgjova së pari në një takim që po bënte autori me nxënësit e gjimnazit “Leonik Tomeo” të Durrësit. Nxënësit po dëgjonin me vëmendje historinë e betejës së të burgosurve në Spaç. Ai filloi të tregojë për finalen e përgjakshme të Spaçit: “Kur hynë forcat e ndërhyrjes së shpejtë, duke qëlluar me bishta kazmash dhe lopatash, gjakosën nja 11 djem. Njëri nga policët qëlloi një të burgosur sa i hapi kokën dhe i doli gjak. Tarti e pa ngjarjen dhe për të shpëtuar mikun e vet të burgut, i u hodh policit dhe e kafshoi në dorë. Nuk e la ta godiste më, ndërsa policët që e panë skenën e qëlluan qenin më armë për ta vrarë. Pasi u godit, qeni u zvarrit dhe u fsheh diku... ky qen i mrekullueshëm, tregoi më tej Hyseni para nxënësve, ishte familjarizuar me të burgosurit. I përcillte në galeri kur niseshin për në punë, u lëpinte duart nga dashuria për ta kur ktheheshin dhe i kishin të vrara nga vagonat që shtynin. Ishte rritur mes tyre dhe ata e kishin si fëmijën e  tyre... rrinte në baraka, hynte e dilte në kapanonë. Ishte i pranishëm kudo në jetën e tyre prej ferri”.

Ekzekutimet

Rrallë herë kam parë nxënës që të jenë kaq të vëmendshëm në një mësim, sa në rastin e bisedës së zhvilluar nga Hyseni për ngjarjet e përjetuara të Spaçit dhe historinë tragjike të qenit të burgut, Tartit. Hyseni tregoi se, pas 3-4 ditëve, pasi u qetësua gjendja, u pushkatuan 4 djem të rinj të moshës nga 24 deri në 27 vjeç. U dënuan 80 të burgosur me nga 25 vite burg. Pas këtyre ndëshkimeve të rënda, ata kërkuan qenin Tartin, që kishte kafshuar policin te dora dhe e kishte plagosur keq më dhëmbë.

Pushkatimi i Tartit. Zefi nga Shkodra: Merrmëni mua në vend të tij!

Pasi kërkuan gjithandej, policët e gjetën Tartin dhe ashtu të plagosur e sollën para 1 200 të burgosurve. Atje, në tarracën, ku bëhej apeli i të burgosurve. “U montua një trekëmbësh dhe u mblodhën tre ushtarakë, - tregonte Hyseni, - që i bënë gjyqin dhe që e dënuan qenin me varje. E morën dhe i vendosen litarin në qafë... Të burgosurit filluan të qajnë me ulërima. Ishte skenë e rëndë për ta. Njëri prej tyre, Zefi nga Shkodra, ish-kolonel i Zogut, që kishte bërë 23 vite burgu, u thirri xhelatëve të qenit: “Më merrni e më varni mua, vetëm atë mos e varni. Doni një shpirt, më merrmëni mua”! “Ulu, - i thirri një ushtarak madhor, - se do të të vijë radha edhe ty!”... Dhe e ekzekutuan qenin e gjorë... Kjo histori është më se e vërtetë”, - thekson në përfundim të bisedës Hysen Haxhiaj plot emocion.

Telefonata e Engjëll Fidanit nga SHBA për Tartin

Kur Hyseni filloi të hedhë në letër kujtimet e dhimbshme për Tartin, një telefonatë nga SHBA e shkëputi nga puna e nisur. Miku i tij, ish-i burgosur politik në Spaç me origjinë nga Korça, kur merr vesh se po shkruante kujtimet e burgut, i drejtohet: “Të lutem bëj diçka për Tartin. Barazoje me heronjtë tanë, se edhe Tarti ishte një hero!”

Duke shkruar për këtë qen fisnik, si një homazh për rënien e këtij qeni realisht për kauzën e tij të besnikërisë, Hyseni ka shkruar se në botë gjatë rrjedhave të historisë janë varur qindra dhe mijëra njerëz, por nuk ka dëgjuar që të varin një qen, siç ka ndodhur me Tartin e paharruar e të guximshëm të Spaçit. Atë të burgosurit e shihnin dhe e trajtonin në mënyre të veçantë, si djalin e tyre të vetëm dhe secili i jepte nga një kafshatë nga 600-gramëshi i tyre i bukës së hidhur të izolimit dhe dhunimit total. Kështu Tarti ishte rritur me kujdesin dhe përkëdheljet e njerëzve që nuk e ngopnin barkun me bukë...

Ashtu si e donin, edhe Tarti i ndihmonte këta njerëz, sipas mënyrës së tij. Për të këta njerëz flisnin si për një njeri të dashur dhe të shtrenjtë dhe Tarti megjithëse nuk merrte pjesë në rreshtim apo në apele, ishte atje i pranishëm mes tyre si një dhuratë e mëshirës qiellore... Dhe më pas, një ditë, ai u kthye në një hero të vërtetë, një yll jete e frymëzimi në revoltën e Spaçit. Kur forcat e policisë dhe të ndërhyrjes së shpejtë filluan të rrihnin dhe të godisnin të burgosurin me leva, me bishta kazmash dhe lopatash, Tarti qante dhe ofshante si njeri. Dhe në mes të lotëve që derdhte si një njeri i gjetur në fatkeqësi, ai u sul kundër dhunuesve të të burgosurve të revoltuar, duke i gjakosur policët me dhëmbët e fuqishëm... Dhe kjo përcaktoi fatin e tij tragjik e heroik. Në prezencën e të burgosurve ata e dënuan me vdekje Tartin, të vetmin mik të të burgosurve. Të cilët e vajtuan me lot atë qenie hyjnore, që u kishte puthur duart të burgosurve dhe, madje, kërkuan që ta zëvendësonin ata në litar...

Nostalgjia për Tartin

Në faqet e librit “Baladë për Tartin e Spaçit” Hysen Haxhiaj tregon se Tarti flinte me të burgosurit, në të njëjtin kapanon, gjithmonë poshtë krevatit të ndonjë të burgosuri dhe çdo natë ai ndërronte vendin e fjetjes si për t’u bërë qejfin të gjithëve nga pak dhe si për ta ndarë dashurinë dhe mirënjohjen e tij me të gjithë. Autori kujton me emocione vetitë e këtij qeni, madje edhe rastet e kumteve të këqija të të burgosurve që ai i parandiente: “Ne i  parandienim se dikujt nga ne do t’i kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi familjare, pasi telegramet që na i nisnin ata të shtëpisë, mbaheshin në komandë me ditë të tëra. Mbaj mend kur Hakiut i kishte vdekur nëna dhe ata të komandës nuk na kishin treguar akoma. Tarti kishte qarë me zë dhe lehte tërë natën e natës poshtë krevatit të tij…”

Letra poetike e Ylber Merdanit

Poeti i persekutuar Ylber Merdani, që ka qenë i pranishëm në ekzekutimin skandaloz të qenit të burgut, i shkruan autorit një letër në poezi, në pjesën e parë të së cilës poeti shkruan:

“Mora vesh se po shkruani për Tartin tonë

 Ndaj po ta dërgoj këtë letër

 Një temë që na frymëzon gjithmonë

 Në brengën tonë të vjetë

 

 Të vjetër thashë... Po dhe të re

 Gjithmonë rrugën, gjithmonë e gjen

 Vrrulltas dhe fshehtas vjen te ne

 Dhe zemra si çengel na rrëmben

 Kështu ndodh edhe për Tartin

 Që e varën para syve tanë

 Po si nuk na plasën sytë e ballit

 Bashkë me të edhe shpirtin na e vranë...”

ke.mu./b.ha.
Komento