Identitete të lëvizshme/ Rasti i Elena Gjikës në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare

Identitete të lëvizshme/ Rasti i Elena Gjikës në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare

Dora D'Istria

Identitetet janë të lëvizshme. Në rrethana dhe situata ku një kulturë predonimon në formimin e një popullate, atëherë dhe përqafimi i identitetit etnik të kulturës që është përfaqësuese, është më i lehtë për njerzit dhe përfaqësues të shquar të komunitetit.

Përqasjet moderne përsa  i përket identiteve etnike dhe kulturore e quajnë si diçka të natyrshme braktisjen dhe përqafimin e një identiteti tjetër, gjë që ka ndodhur rëndom sidomos në popullatat emigrante që kanë populluar Europën pas Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht që kjo përqasje identitare ka hasur në kritika të shumta dhe nuk është një realitet lehtësisht i pranueshëm sidomos në vendet ku etnocentrizmi dhe nacionalizmi kanë predominuar kulturën dhe jetën publike të vendit.

E gjithë kjo përzgjedhje identitetesh në fakt nuk është diçka e re. Në Europën e mesit të shekullit të XIX pa triumfuar ende nacionalizmi si ideologji shtetformuese në Perandoritë e Mëdha  të Juglindjes së Euopës si ajo e Shenjtë Austriake dhe më 1867 Austro-Hungareze, Osmane dhe Ruse popullatat që jetonin pranë njëra-tjetrash e identifikonin veten shumë shpesh me identitetin e kultures qe perqafonin duke mos reflektuar gjithmone origjinën etnike. Raste të tilla mund të përmenden shumë në Ballkan , si p.sh rasti i mësuesit të gjuhës greke Grigor Stavrev Parlichev, bullgar për nga kombësia që shkruajti një poemë për Skënderbeun në gjuhën greke duke banuar në Tiranë në mes të shekullit të XIX[1].

Është e kuptueshme sesi kanë përmendur dhe studiues të tjerë se nuk egzistonin kufij shumë të qartë të identitetit sidomos nëse marrim për të mirëqenë përkufizimin e Gellsherit për hierarkinë midis kulturave. Në Ballkan janë shumë të radhë rastet kur një anëtar i elitës kozmopolit përqafon kulturën ende të pazhvilluar të një etnie tjetër. Një shembull tipik dhe interesant në këtë drejtim është figura e Elena Gjikes apo e Dora D'istries, e lindur në Bukuresht më 22 janar 1828[2], kozmopolite ne formimin e saj kulturor duke njohur shumë mirë kulturën francese, italiane dhe greke.Mësimet e para i mori në Konstancë e më pas në Bukuresht, kurse studimet e larta i filloi në Vjenë e pastaj i vazhdoi në Dresden e në Berlin. Në shkurt të vitit 1849, Elena u kthye në Bukuresht. Ajo ishte pajisur me një kulturë të gjerë; njihte mirë frëngjishten, italishten , gjermanishten anglishten, rusishten, greqishten shqipen(për këtë të fundit ka një debat të hapur) e  sidomos rumanishten , gjuhën e saj të nënës nëpërmjet të cilave zgjeroi horizontin e diturisë dhe dha mendime me vlerë në shumë studime e vepra letrare.[3] E pajisur me këtë kulturë të gjerë , ajo debuton për herë  të parë në 1855 në frëngjisht La vie monastique dans l'Église orientale.


Dora D'Istria

Nga veprat e saj mund të përmendim: “La nationalite Albanaise d’apres les Chants populaires-Les Albanais des deux Cotes de l’Adriatique” (1866) “Kombësia shqiptare, sipas këngëve popullore, Shqiptarët e dy brigjeve të Adriatikut”, “Les ecrivains Albanais de d’Italia meridionalë” (1867) “Shkrimtarët shqiptarë të Italisë së Jugut”, “Excuisses albanaises” (1869) “Vizatime shqiptare”, “Gli Albanesi in Romania” (1873) “Shqiptarët në Rumani” etj. Ajo ka bashkëpunuar me organe të rëndësishme të kohës si: “Revue de Deux-Mondes”, “Independence hellenique”, “Nuova Antologia” etj. 11 vjet pas debutimit të saj të parë me botimin e një vere që pati një jehonë në mendimin intelektual të kohës, në 1865, Dora D’Istria fillon të përfshihet në korrospodencë me eksponantë të rëndësishëm të zgjimit kulturor të shqiptarëve. Ky implikim dhe përfshirje e saj në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare është parë gjithnjë me dyshim nga studiues të ndryshëm duke ia faturuar më tepër një egzoltimi romantik të saj sesa një angazhimi e mobilizimi të vërtetë identitar.

Po kështu për të përforcuar këtë argument nënvizohet fakti se Dora D'istria se me të njëjtën simpati që shkruajti për shqiptarët, shkruajti dhe për kombësitë e tjera në Ballkan, si grekë, serbë e bullgarë. Nuk ka dyshim se vepra e Dora D'Istries është një dokument i mirë për t'iu referuar dhe sigurisht përmes saj mund të nxirren dhe përfundime për identitetin e demonstruar kombëtar dhe kulturor, por një pjesë shumë e rëndësishme besoj është dhe letërkëmbimi i saj privat me patriotë dhe figura të shquara të shqiptarizmit si Dhimitër Kamarda, Jeronim De Rada, Zef Jubani, Thimi Mitko etj.që ruhet në Arkivin e Qendror dhe nga ku mund të hidhet shumë më tepër dritë. Në mars të vitit 1865, kur gjendej në Livorno, Elena Gjika u njoh me Dhimitër Kamardën, folkloristin dhe gjuhëtarin arbëresh nga Hora e Siçilisë[4]. Nga Livorno Elena Gjika ka shkëmbyer letra të shumta me Thimi Mitkon, Zef Jubanin, Dhimitër Kamardën, Jeronim de Radën etj.

Në këto letra për herë të parë në mendimin shqiptar hidhet dritë mbi origjinën etnike të Princërve Gjika, si dhe përfshirja e tyre në krenarinë kombëtare që duhet të kenë shqiptarët duke përfshirë edhe figura të tjera të shquara si Mehmet Ali Pasha i Egjiptit dhe vezirët Qyprillinj. Kjo simbiozë identitare fetare e këtyre personazheve në letrat e Dora D’istries drejtuar Jeronim De Radës, shkrihet në një simbiozë identitare kombëtare shqiptare dhe si e tillë , Dora D’istria  është pararendëse e një mendimi që u maturua gradualisht në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe që u bë një realitet i prekshëm përmes një shekulli pavarësi. Në letra të tjera ajo shprehet pas lajmeve që ka marrë nga Shqipëria se shpresoj se ne do të jetojmë deri në atë ditë kur mbi kullat e Rozafës do valëvitet përsëri flamuri i Skënderbeut.[5]apo në botimin e veprës së saj voluminoze “Shqiptarët në Rumani” do të deklarojë origjinën shqiptare të familjes së vet.

Dora D’istria në këtë letërkëmbim reflekton teorinë historisë parahistorike të kohës ku shqiptarët , grekët dhe italianët i shikon si një bllok popullsish që duhet të kundërshtojnë hegjemoninë sllave dhe gjermane në Europë. Në këtë mënyrë ajo reflekton shqetsimin gjeostrategjik të kohës, prej nga shpesh herë është keqkuptuar dhe përkatësia identitare e saj. Në letrën dërguar nga Firence më 14 dhjetor 1876 ajo shkruan se ajo që mbetet më e çuditshme ndër të tjerët për paraardhësit tanë, është fakti që në një kohë kur gjermanët dhe sllavët bashkohen midis tyre në lidhje të ngushta, bijtë e racës pellazge kanë mbetur krejt të huaj njëri me tjetrin.

[6]Teoria e historisë parahistorike ishte një përpjekje për të penguar pansllavizmin dhe pangjermanizmin dhe në mesin e shekullit të XIX, dhe sipas saj konsiderohej si një shkencë që porsa ka lindur në ditët tona dhe si të gjithë shkencat e tjera, ajo ka themele shumë të shëndosha në filologjinë dhe në mitologjinë e krahasuar, në shqyrtimin e karektereve morale dhe fizike, në arkeologjinë primitive, në traditat kombëtare etj.

[7] Në këtë drejtim duhet parë dhe angazhimi i saj sëbashku me Gjeneral Garibaldin për të dërguar 15- 20.000 pushkë  në 1866 në Shqipëri për të filluar një kryengritje kundër osmanëve por që do të shqetsonte dhe pozitat austriake në Ballkan. Viti 1866 është një vit shumë i rëndësishëm për bashkimin e Italisë dhe përfitimin e krahinës së Venecias, pas humbjes së Austrisë në luftën me Prusinë. Mesa duket një diversion i nisur nga Garibaldi në viset e Shqipërisë përveçse një pasion romatik për të siguruar lirinë do të dobësonte dhe pozitat austriake që kishin interesa madhore në këto vise.

Dora D’istria tek origjina e saj e largët kërkoi strehë në formën e një identiteti kulturor panpellazgjik, por në përfshirjen e saj në Lëvizjen Kombëtare shqiptare dashur pa dashur krijoi një stereotip të admirueshëm të përfshirjes së elitave kozmopolite europiane në çështjet kombëtare të popujve të vegjël. Më tepër sesa një aktiviste e mirëfilltë e nacionalizmit, Dora D’Istria me devizën e saj dedikuar shqiptarëve se "pa rilindje letrare nuk ka ringjallje politike", duhet konsideruar si një prototip i intelektuales europiane dhe aktivistes kulturore që mbështet kauzat e drejta të popujve të vegjël.  Si të tillë e pranoi dhe elita arbëreshe-shqiptare e kohës. Dhimitër Kamarda, hartuesi i një antologjie në vargje për Dora D’Istrian do të shkruante për të:   

“Një emër i tillë veçanërisht është i vyer për të zbukuruar këtë hyrje, sepse është mbushur me nderin e racës shqiptare si nga origjina e familjes së saj, si nga lavdia, që t’i përkasë sërës të shkrimtarëve më të gjallë të Evropës, si dhe të diturve dhe bukurisë, që ka mundur të bashkojë kultin plot fryte të shkencës dhe të letërsisë, ndërkaq nuk lë rast të ndihmojë me shkrime dhe vepra kombin shqiptar që nuk ia harron përjetë”.[8]   Dhimitër Kamarda në librin e tij “Fyletia arbërore”, që u botua në Livorno në vitin 1867, paraqet tiparet e kësaj gruaje të ditur, duke përshkruar portretin e saj, të punuar me mjeshtëri nga piktori italian Felice Schiavoni (1803 – 1881). Librat e saj, letërkëmbimet apo dhe rekomandimet kulturore letrare siç ishte ai drejtuar poetit amerikan Longfellow për të shkruajtur një poemë për Skënderbeun krijuan habitatin e vërtetë paneuropian ku u frymëzua dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare.

Bibliografi:
1-  Ahmet Kondo. Dora D’istria për çështjen kombëtare shqiptare. Tiranë: Flesh, 2002

2-  Grigor  Parlichev. Skënderbeu. Parathënie nga Spiro Çomora.

3-  Nasho Jorgaqi, Antologji e mendimit estetik shqiptar 1504-1944, Tiranë 1979

4-  -V. Bala, Jeta e Elena Gjikës “Dora d’Istrias”, Tiranë 1967

 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët