POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Iliada dhe Eneida-Pse Enea mburret se është pasardhës i drejtpërdrejtë i Dardanit

Foto ilustruese

Lexuesit e rinj shqiptarë, të shumtën e herës i kanë në bibliotekat e tyre iliadën e Homerit dhe eneidën e Virgjilit por sikur nuk i lexojnë, ose u hedhin një sy pa u thelluar në to. Me sa duket ata janë më të interesuar për letërsinë bashkëkohore. Të  mos ishte kështu, nuk do t’i rrihej them ndokujt pa e ngritur zërin për të parët e tyre të largët të nëpërkëmbur. Ka dhe nga ata intelektualë sigurisht, që e dinë fare mirë se të ç’rëndësie janë të dhënat e këtyre dy kryeveprave të letërsisë greko-romake mbi dardanët e Ilirisë e të Trojës, pellazgë për disa historianë, ilirë për autorë të tjerë, por nuk e bëjnë qejfin qeder për t’iu kundërvënë p. sh. Akademik Vllazhe ose Bllazhe Ristevskit që, në Enciklopedinë e Maqedonisë i bën shqiptarët e Maqedonisë si pasardhës të shqiptarëve, të cilët dy-tre shekuj më parë kanë vërshuar nga vise malore të Shqipërisë së sotme. Intelektualëve të sotëm shqiptarë s’u bëhet vonë e bëjnë sehir pse grekë e sllavo-maqedonas grinden për emrin ilir alias pellazg të shtetit maqedonas dhe për bustin e Lekës së Madh.

Këto janë shkaqet pse ka shumë shqiptarë që nuk dinë nëse Enea ka qenë ilir ose helen. Siç dihet nga mitologjia, pas Hektorit - kushëririt, Enea mbahet si më trimi ndër trojanë. Ky i fundit vërtet s’i përket shtëpisë mbretërore të Trojës, por parashikimet e hyjnive i premtojnë pushtetin në një të ardhme të afërt. Në fakt Posejdonit - perëndi i kujtohet fare mirë profecia e perëndeshë Afroditës, që parashikon se s’ishte e largët dita që Enea dhe pasardhësit e tij do të sundonin. Për më tepër, siç thotë P. Grimal, të gjitha këto elemente të Iliadës merren nga Virgjili e futen në eneidë për t’u interpretuar gjithashtu në kuadrin e legjendës romake. Por gjë për t’u çuditur, pas rënies së Trojës zë e ngrihet rëndësia e qytetit: Enea merr malet me të anë, Ankisin në kurriz, Askanjin e vogël për dore - djalin e vetëm dhe, me bashkëshorten Kreusë, me shpresën e madhe te perënditë më të shenjtat e Trojës, si dhe te Penetët me Paladionin. Në këtë mënyrë Enea zë vend në Ida ku, siç tregohet, mblidhen trojanët e shpërndarë, që i kishin shpëtuar masakrës. Aty themelohet një qytet i ri, ku Enea mbretëron, duke e justifikuar kështu parashikimin e Afroditës, që e kishte provokuar luftën e Trojës për t’i marrë Priamit pushtetin mbretëror që t’ia jepte Eneas, racës së vet[1](sic).

Në vargjet 215-241 të këngës XX të Homerit paraqitet nga Enea vetë pema e gjenealogjisë mbretërore mitike e Priamit dhe e Ankisit : « Eshtë Zeusi, mbledhësi i reve të mëdha, që së pari e përftoi Dardanin. Ky themeloi Dardaninë. Atëherë Ilioni i shenjtë nuk ngrihej në fushë si qytet: burrat banonin ende në shpatet e Idës me një mijë burime. Pastaj Dardani pati për djalë mbretin Erikton që, pa dyshim qe më i pasuri ndër njerëz… Eriktoni qe i ati i Trosit, (heroit eponim të Trojës), mbretit të trojanëve ; pastaj Trosit i lindin tre djem të përmendur, Ilin, Asarakun dhe Ganimedin e ngjashëm me zotat, më të pashmin ndër burrat vdekatarë, të cilin perënditë e ngritën nga toka, që t’i shtinte verë Zeusit të pinte dhe që vazhdoi të jetonte me të pavdekshmit. Kurse Ili pati për djalë Laomedonin, të paqortueshmin dhe Hiketaonin, djalin e Aresit. Asaraku vetë pati për djalë Kapisin dhe Kapisi Ankisin. Ankisi më solli në jetë mua, ndërsa Priami Hektorin Hyjnor. Ja raca, gjaku nga të cilët mburrem se jam lindur». Por kulmi, Enea pse mburret se është pasardhës i drejtpërdrejtë i Dardanit dhe i breznive të tjera pellazge, lexuesit që nuk thellohen në iliadë, i bien shkurt: Enea është grek! Këtë fakt të padëshiruar e kam mësuar në Paris dhe në Tiranë.

Legjenda më e njohur e Eneas, ajo me të cilën lidhet poema e Virgjilit, është rrëfenja e udhëtimit të gjatë të Eneas. Ky hero, më gjatë se kudo qëndron në Maqedoni. Në gadishullin maqedonas të Kalsidikës Enea themelon qytetin që mban emrin e tij[2]. Pastaj heroi trojan  vazhdon rrugën për në perëndim. Ai ndalet në Butrint, ku takohet me Helenin, kushëririn e vet - princin trojan dhe me Andromakën. Në Epir Enea, në çastin që niset nga brigjet e Epirit, thotë : « dua që këto qytete aleate e këta popuj kushërinj të Epirit dhe Hesperias, që kanë të njëjtin themelues, Dardanin, të kenë në zemër vetëm Trojën (Virgile, Enéide, III, v. 502 sq) ».  Pastaj, t’i biem shkurt, Enea me luftëtarët e vet trojanë shkojnë në Italinë e jugut. Ata zbresin në Drepanon, ku Ankisi vdes. Tekefundit, t‘i biem dhe më shkurt, Enea e vret në dyluftim armikun e vet, Turnusin. Me këtë fitore të Eneas dilet  në fund të poemës së Virgjilit.
Virgjili, autor i madh romak «nuk i përshkruan të gjitha ngjarjet e pastajme që historianët tregojnë: themelimin e Laviniumit, luftërat kundër popujve të ndryshëm; zhdukjen e përkohshme të Eneas gjatë një shtrëngate të fortë; pasardhësin e Eneas, Romulusin që do të themelonte Romën; djalin e vet, Askanjin ose Julen, i cili do të ngrente Albe-la-Longue-ën, metropolin e Romës; legjendën e para kohës së Virgjilit, etj. Disa tradita të vjetra romake e bëjnë Enean themeluesin e drejtpërdrejtë të Romës; të tjera ua atribuojnë të katër djemve të Eneas : Askanjit, Eurileonit, Romulusit dhe Remusit. Në këtë mënyrë versioni virgjilian u është imponuar të gjithë shkrimtarëve të pastajmë dhe mbetet i vetmi që përdoret pas shekullit I të e. sonë. Legjenda e Eneas kishte meritën t’i jepte Romës disa tituj fisnikërie, duke e kthyer mbrapsh në kohë racën e themeluesve me prejardhje dardane në kohët historike dhe, duke i atribuar Romës prejardhës hyjnorë : Zeusin dhe Apolonin. Në fakt, madhështia e Romës dukej e parashikuar dhe nga vetë Homeri »[3].
Më vonë, në sh. II para e. s., fisi i Julianëve me Jul Cezarin në krye, mëtonte se rridhte nga Jule, emërtim tjetër ky i Askanjit të Eneas dhe Afroditës (Venusit romak). Jul Cezari e shfrytëzonte prejardhjen nga Enea dhe Venusi për të gëzuar sa më shumë ndikim politik. Virgjili, duke kremtuar në eneidën e vet pararendësin trojan të Oktavit, birit të Jul Cesarit, dhe perandorin e ardhshëm – Augustin, e rivendoste Enean në rolin e vet të heroit kombëtar romak. Enea paraqitet nga Virgjili si pius, i përshpirtshmi, i devotshmi. I bindur para vullnetit të perëndive, ai është i vetëdijshëm dhe për fatin e Romës, si themelues i saj dhe për përgjegjësinë që kishte si shef i trojanëve të vet ; ai është po aq i devotshëm si baba sa si bir[4].

Dardanët, ky fis ilir kaq i përmendur na bën kushkurë (kuriozë) të dimë diçka mbi prejardhjen dhe historinë e tyre të lavdishme në Ballkanin Qendror e në Maqedoni, Trojë, Epir dhe Romë. Në ditët tona, në përgjithësi historianët modernë më të njohur pranojnë se, që në krye të herës, kur fiset ilire dynden nga Evropa Qendrore në Ballkan e më gjerë, fisi i madh i dardanëve zë vend në shpatet veriore e lindore të vargmalit të Sharrit[5]. Me kohë ata përhapen  sidomos drejt veri-lindjes dhe jugut. Ata dynden deri në brigjet e detit Egje dhe, prej aty dalin në Samotrakë e zënë vend në pjesën veri-perëndimore të Azisë së Vogël. Kjo është arsyeja pse dardanët e Rrafshit të Dukagjinit mbajnë të njëjtin emërtim etnik si dardanët e Trojës dhe Romës[6]. Kështu mendojnë dhe historianë të tjerë të njohur. J. Wilkes shpreh sigurinë se dardanët e Ilirisë Lindore, pra dardanët e Rrafshit të Dukagjinit lidhen etnikisht me atë popull që mban të njëjtin emër me ta, por është i vendosur në veri-perëndim të Azisë së Vogël, ku kanë përjetësuar emrin e tyre me Grykën e Dardaneleve. Ai shton se Dardani është themeluesi i familjes mbretërore të Trojës, fakt ky mjaft i rëndësishëm sepse « Epiri, Maqedonia dhe Roma reklamojnë me krenari një prejardhje trojane »[7]. Ndërsa W. Burkert parashtron se Dardani, pasi qëndron do kohë në ishullin e Samotrakës, ngrihet që aty dhe del në Anatolinë Veri-perëndimore për t’u bërë më vonë stërgjysh i mbretërve të trojanëve. Ai shton se nuk ka kurrfarë dyshimi mbi lokalizimin e mitit të Dardanit. Ai (W. Burkerti) e përfytyron botën homerike nëpërmjet mitit të Dardanit, të cilin e merr si sistem reference, si një botë që grekët e vërejnë nëpërmjet poezisë epike, «ku banorët jo grekë luajnë rol të rëndësishëm, madje rol fisnik. I këtillë është statusi i trojanëve »[8].     
 

[1] P. Grimal, 1994, p. 137-139.

[2] Livy, 40, 4 ; 44,

[3] P. Grimal, 1994, p. 138-139.

[4] M. C. Howatson, 1989, 357-358.

[5] N. G. L. Hammond, 1981, p. 381.

[6] P. Cabanes, 2001, p. 33.

[7] J. Wilkes, 1992, p. 181.

[8] W. Burkert, 1993, p. 179-481.


f.g./b.ha.
Komento