Infrastuktura rrugore/ Rizgjohen projektet, gati puna për Tiranë-Elbasan dhe Kardhiq-Delvinë

Infrastuktura rrugore/ Rizgjohen projektet, gati puna për Tiranë-Elbasan dhe Kardhiq-Delvinë

Shembja ne rrugen Tirane-Elbasan

Ka nisur dje puna për riparimin e rrëshqitjes masive të dhenut që e ka ngushtuar autostradën Tiranë-Elbasan në afërsi të fshatit Mamël. Sipas kontratës së lidhur me kompaninë 2 T, e cila do të kryejë punimet, ndërhyrja do të zgjasë për një periudhë prej katër muajsh. “Ka kaluar kohë derisa buxheti u bë efektiv dhe sa u kryen të gjitha procedurat, nga përgatitja e projektit deri në lidhjen e kontratës. Kemi një kontratë të lidhur me kompaninë dhe ka filluar puna. Është një rrëshqitje, e cila sjell goxha problematikë në trafik. Në bashkëpunim me Policinë Rrugore do të bëhet menaxhimi i trafikut, për një periudhë prej 4 muajsh, e mjaftueshme për të kryer gjithë këtë stabilizim të rrëshqitjes”, u shpreh drejtori i Autoritet Rrugor Qendro.

“Është një projekt me gjysëm tunel, siç e kemi deklaruar dhe më përpara. Një projekt që i jep zgjidhje kësaj rrëshqitjeje, duke stabilizuar dhe siguruar gjithë skarpatën, e cila ka hapur problem për një kohë shumë të gjatë”, nënvizoi Qendro.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka lidhur një kontratë prej gati 3 milionë eurosh me firmën fituese të tenderit 2T. Që prej dhjetorit të vitit 2017, në pjesën ku ka ndodhur rrëshqitja e dherave pranë fshatit Mamël, kalohet vetëm në një korsi. Kjo është shembja e tretë e regjistruar në këtë aks, që ka çuar në bllokimin e qarkullimit, pas shembjes së madhe të faqes kodrës në Ibë dhe një shembjeje të dytë pak më tej. Në planet e qeverisë është që rruga Tiranë-Elbasan të mbarojë krejtësisht gjatë vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, me një vlerë totale prej 4.18 miliardë lekësh, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur dje publiokisht kompanitë fituese që do të kryejnë punimet e mbetura edhe në aksin Kardhiq-Delvinë. Punimet në lotin 4, me një gjatësi prej 6.1 km, kapin vlerën e 2.38 miliardë lekëve, ndërkohë që financimi i tij do të bëhet gjatë tre viteve. Për vitin 2018 buxheti i vënë në dispozicion është me vlerë 576 milionë lekë, ndërkohë që fitues për këtë segment është shpallur bashkimi i kompanive Cobial SHPK dhe Gjoka Konstruksion. Kurse kostoja për ndërtimin e lotit 5 të këtij segmenti është rreth 1.8 miliard lekë. Fituese është shpallur kompania “ALB STAR”, me një afat të zbatimit të kontratës prej 24 muajsh.

Kardhiq-Delvinë është cilësuar si një prej akseve prioritare nacionale, duke qenë se shkurton në 3-3.5 orë kohën e udhëtimit nga Tirana në Sarandë, çka pritet të zhvillojë edhe më tej turizmin. Ndërtimi i këtij aksi ka nisur që në kohën kur qeveria drejtohej nga të djathtët, por punimet u ndërprenë. I gjithë aksi ka një gjatësi prej 34 km, ndërkohë që deri më tani kanë përfunduar 7.6 km nga Ura e Kardhiqit drejt Fushë-Bardhës, si dhe 9.7 km nga Delvina në drejtim të Vergos. Fillimisht ky aks u rendit nga qeveria shqiptare si pjesë e projektit ‘1 miliard’, por në vijim u vendos që të financohet nga buxheti i shtetit.

Në planet afatmesme të qeverisë tashmë knë hyrë edhe akset Thumanë – Vorë – Kashar, Kashar – Rrogozhinë, Milot – Balldren, Orikum – Dukat, si dhe by pass-et e Fierit dhe Vlorës për shumën totale prej 75 miliardë lekësh për periudhën 2019-2021. Jo të gjitha këto do të financohen nga buxheti.

Përveç rrugëve, duket se në vëmendje janë rikthyer edhe urat në akset kryesore rrugore, çka është nxitur edhe nga katastrofa e ndodhur pak kohë më parë në Gjenovë të Italisë, me shembjen e urës autostradale. 

Një tjetër tender ka përfunduar dje me shpalljen e fituesit, që ka të bëjë me Studim Projektim të urave të Leklit, Dragotit, Ura e Vorës, Tapizës, Ura e Drojës, Zëmblakut, rikonstruksionin e urës së Kaludhit dhe nyjen në disnivel në Bushnesh, si dhe urën lidhëse të rrugëve Levan - Tepelenë me Dragot – Tepelenë. Vlera totale përfundimtare e kontratës (duke përfshirë lotet, opsionet dhe nënkontraktimin) është 15.402.000 lekë, përfshirë vlerën e TVSH-së. Fitues janë PNI 2001 shpk & G&K shpk.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Klodjan Allajbeu ortak me Shkëlzen Berishën', Haklaj: SPAK do t'i shkojë deri në fund

'Klodjan Allajbeu ortak me Shkëlzen Berishën', Haklaj: SPAK do t'i shkojë deri në fund