Intervista/ Evis Cerga, ja si lind një shkrimtare që dashuron Tiranën dhe njerëzit e saj

Intervista/ Evis Cerga, ja si lind një shkrimtare që dashuron Tiranën dhe njerëzit e saj

Evis Cerga dhe libri i saj Rruga 'Miqësia'

Evis Cerga, pas blogut në të përditshmen Shqiptarja.com "Grimca urbane", skicave dhe tregimeve që shpesh i kemi lexuar në rrjetet sociale, tashmë ju shohim me librin tuaj të parë Rruga "Miqësia", botuar këto ditë nga "Dudaj".

Një shkrimtare e re i shtohet kryeqytetit me një të veçantë dhe një origjinalitet: E ka shumë për zemër të tregojë copëza jete, personazhe të Tiranës së sotme dhe të Tiranës së kohës së diktaturës.

Cilat janë emocionet e para pas publikimit dhe shpërndarjes së librit në libraritë e kryeqytetit?

Në fakt nuk e kisha menduar që “grimcat e mia urbane” do ta shihnin një ditë dritën e botimit. Ndaj edhe tani që mendoj përgjigjien për pyetjen tuaj nuk e di me saktësi se çfarë përjetoj. Kuriozitet. Ai është emocioni i parë. Si do të pritet “Rruga Miqësia”. A do të pëlqehet? A do të argëtojë dhe emocionojë lexuesin siç ka bërë autoren. Unë vetë jam person me plot emocione, por shpesh më ngatërrohen. Kësaj here emocionet i kam lënë Rrugës dhe udhëtarëve të saj. Kaloj, si padashur përpara librarive dhe mbaj këmbët, pa hyrë brenda. Jam shumë e kënaqur që skicat dhe tregimet e mia tashmë kanë dalë në “rrugë”.

Deri më sot pak shkrimtarë i kanë kushtuar kaq shumë vëmendje detajeve njerëzore që fshihen rrugëve të kryeqytetit, pas perdeve prej tyli, copave turke, dyqaneve, dritareve, urbanëve, ndërmarrjeve... duket sikur ju keni vendosur një lupë të madhe për të vëzhguar mirë jetën që na kalonte e na kalon para syve. E bëni këtë nga dashuria apo thjeshtë nga kurioziteti për shtresat urbane e njerëzore të qytetit tonë?

Vetëm nga dashuria. Kurioziteti është njerëzor, por pa dashuri, askush nuk e do. Mbetet i padobishëm. Ngjan klishe, “dashuria”, por për mua është si oksigjeni. Dhe të gjithë ata që më njohin e dinë sa fort e dua qytetin tim dhe njerëzit që dikur e popullonin dhe e popullojnë atë. Kam dashur me forcë të nxjerr nga “skutat” personazhe tërësisht të imagjinuar për të thënë se qytetet nuk shpiken dhe nuk pasurohen brenda dekadave të caktuara dhe qytetet nuk janë vetëm ato që njohim gjatë jetës sonë, por edhe gjatë jetës qe jetojmë me gjyshërit, prindërit dhe fëmijët tanë. E dashuroj me gjithë forcën e shpirtit Tiranën, por kujtoj me shumë dashuri edhe qytete të tjera që më kanë dashuruar dhe ku kam dashuruar.

Libri i Evis Cerga, Rruga 'Miqësia'

Ju asnjëherë nuk i paragjykoni personazhet që përshkruani, qofshin drejtorë, diplomatë, ndërkombëtarë, prostituta; i tregoni ata ashtu siç janë me një sinqeritet dhe gjykimin e lini në dorën e lexuesit. Si e keni arritur të bëni ndarjen nga kurthi i shumë shkrimtarëve-moralizues që gëlojnë në kohët tona moderne, të cilët dukshëm marrin pozicionin superior pa ja dhënë shoqëria, me atë të një shkrimtareje të re e të natyrshme? Eshtë karakteristika juaj, apo ishte një qëllim në vetvete shtrimi i skicave dhe tregimeve në këtë formë?

Mendoj se është karakteristikë imja. Personazhet “flasin” vetë, ata “ma kapin dorën” dhe më thonë: “trego për ne”. Dhe unë tregoj, si në filma me magji për fëmijë të vegjël. Gjithçka më ngacmon dhe derisa të hedh në letër atë që kam në mendje nuk e ndal dot.

Mes skicave dhe tregimeve nga Tirana, papritur dalin dhe personazhë në Kajro apo në provincën shqiptare, si kanë arritur ata tek ju dhe si ju i përcillni tek lexuesi. Çfarë rëndësie kanë ata për Rrugën "Miqësia"? Dhe një sqarim, meqë në librin tuaj ose nuk keni dashur, ose e keni lënë qëllimisht mister e nuk e keni thënë: Përse titulli rruga "Miqësia"?

Kam jetuar në Kajro. Kam qenë studente atje. Në Fakultetin e Arteve të Bukura, dega letërsi. Patjetër që Kajroja do të ishte “qytet” për të cilin do të shkruaja. “Rruga Miqësia” ka qenë dikur emri i rrugës që sot quhet “Abdyl Frashëri”. Po e zbuloj për ju, dhe lexuesit. Rruga Miqësia jam unë vetë. Kam jetuar për shumë vite në atë rrugë dhe ajo më ka frymëzuar. Kam plot shkrime të tjera dhe skica, që ndoshta do të presin një rrugë tjetër.

Shpejt do të jeni dhe në stendën e Dujdat në panairin e Librit që nis këtë mesnëntor, si i prisni kontaktet me lexuesin? A mendoni ta vazhdoni krijimin tuaj me fokusin në jetën tonë të përditshme dhe personazhet që na rrethojnë?

Patjetër që do të vazhdoj. Nuk ndaloj dot. Siç ju thashë, “më kapin për dore” personazhet. Dhe janë plot. Plot që kërkojnë të gjejnë një vend në memorie. Kujtesa. A nuk kërkon njeriu këtë? Të kujtohet.

Shkrimtarja Evis Cerga

Origjinaliteti i shkrimeve tuaja ju bën të veçantë në spektrin e botimeve shqiptare bashkëkohore, por me siguri keni frymëzues në letrat shqiptare. A mund të na flisni diçka për letërsinë e shkrimtarët që ju frymëzojnë dhe a mund të jepni një mesazh nëse vlen inkurajimi edhe për shkrimtarë të tjerë të rinj që të publikojnë?

Shkrimtarët shqiptarë jana ata që kam kohë që po iu kthehem. Dritëroi, për shijen e hollë të humorit, Kadareja për mendimin e thellë, Fatos Kongoli për personazhet, Qamil Buxheli, sepse është unikal. Pa harruar, xhaxhain tim. Jam mbesë shkrimtari. Agim Cerga gjithashtu ka qenë frymëzim. Ju falenderoj për fjalët e veçanta dhe faktin që e keni lexuar librin. Që tani ndjehem e “detyruar” ndaj lexuesit dhe shpresoj me zemër që faqet e librit të sjellin “dritë” në qytet.

Redaksia e Shqiptarja.com ju uron suksese!

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kryemadhi: Jam fajtore për djegien e mandateve! Më kërkohet ‘vrasja politike’ e Bashës, por s’e konsideroj

Kryemadhi: Jam fajtore për djegien e mandateve! Më kërkohet ‘vrasja politike’ e Bashës, por s’e konsideroj