Intervista, Fatos Klosi: Pse aleanca PD-LSI do dështojë në 2019

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, vlerësoi si shumë të rëndësishëm Vetingun në politikën shqiptare, por shton se një Veting i tillë nuk do të kishte kuptim pa verifikimin e pasurisë së familjarëve të politikanëve. Klosi pohoi se propozimi i PD është pozitiv, ndërsa shtoi se Partia Socialiste mund ta plotësojë propozimin, duke përfshirë të gjithë elementët e domosdoshëm për një Veting të plotë të politikanëve. Ish-kreu i SHISH komentoi edhe Vetingun në drejtësi. Sipas tij, largimi i të paprekshmëve të drejtësisë është një hap i madh. Klosi komentoi edhe shpalljen e aleancës nga kreu i PD, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Sipas tij, kjo aleancë do të dështojë në zgjedhjet lokale të 2019, për shkak se të dy palët do të sabotojnë njëra-tjetrën në bazë. Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror pohoi se mes bazës së PD dhe asaj të LSI ka konflikte të vjetra, që sipas tij do të ndikojnë në zgjedhjet lokale.

-Z. Klosi, një nismë kushtetuese e Partisë Demokratike, për Vetingun e politikanëve, po prodhon një debat të ri politik në këtë fillim vjeshte. Si e vlerësoni ju këtë nismë, e cila fokusohet tek lidhjet me krimin, duke lënë në plan të dytë verifikimin e pasurisë dhe duke përjashtuar familjarët nga verifikimi?
Çdo luftë politike është edhe propagandë. Kjo edhe pjesë e luftës politike të Partisë Demokratike. Megjithatë, pavarësisht se kush është propozuesi, ky propozim është pozitiv. Përveç gjyqësorit, që ka qenë struktura më e korruptuar e vendit, janë edhe struktura të tjera, ku përfshihet edhe politika. Një Veting në politikë për mua është shumë i rëndësishëm. Më tej, debati se duhet të jetë, nëse do t’i ngjajë Vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, është tjetër problem. Për mua duhet njëlloj siç është bërë edhe për gjyqtarët dhe prokurorët. Le të shikohet edhe aspekti financuar, burimi i pasurive të politikanëve, por edhe aspekti profesional, pra çfarë janë këta njerëz, nga kanë ardhur etj.

-Debati konsiston tek anashkalimi i pasurisë dhe përjashtimi i familjarëve të politikanëve...
Familjarët përjashtohen në këtë propozim, por kur të shqyrtohet dhe miratohet, duhet të përfshihen të gjithë elementët. Nëse ligji nuk i përfshihen të gjithë komponentët nuk ka asnjë kuptim. Çdo nëpunës i lartë, përfshirë edhe politikanët, kur deklarojnë pasurinë, deklarojnë edhe pasurinë e atyre që kanë rrotull tyre. Verifikimi i pasurisë nuk mund të ndahet për familjarët e politikanëve. Por, ky është vetëm fillimi, është thjeshtë një propozim. Tani le të merren me korrigjimin e propozimit të Partisë Demokratike. Pala tjetër, në këtë rast, Partia Socialiste, le të bëjë amendamentet, të paraqesë një version më të avancuar dhe më të drejtë.

-Duke u ndalur tek mundësia e korrigjimit, a duhet të përfshiheshin edhe politikanët që mund të kenë bashkëpunuar me terrorizimin, kanë thyer embargo të OKB, kanë organizuar grushte shteti etj?
Tani e keni fjalën për Sali Berishën. Ku bëhet një projektligj nuk mund të hyhet në detaje kaq kontrate. Vendosen parime të përgjithshme. Edhe po shpëtoi Sali Berisha nga Vetingu i politikës, le të shpëtojë. Unë nuk dua që të shpëtojë, unë e njohe mirë atë, dhe Sali Berisha meriton të gjitha dënimet që mund të jepen nga një gjykatë në këtë vend. Por, nuk mund të bëhet Berisha shkaktar për ta penguar. Le të shpëtojë Berisha, pasi do të mbetet vetëm, nëse mbështetësit e tij në politikë nuk do ta kalojnë Vetingun. Çdo hap që do të bëhet është pozitiv. Nuk është e thënë që duhet të ezaurohen të gjitha që në fillim. Nuk është e thënë që të hiqen të gjithë që në fillim. Të hiqet gjysma e politikanëve aktualë, është një hap shumë i madh. Por, e rëndësishme është që asnjë të mos jetë i paprekshëm. Asnjë të mos jetë mbi disa parime themelore.

-Duke parë rezultatin e Vetingut në drejtësi, sa për qind të politikanëve mund t’i shpëtojnë një Vetingu serioz në politikë?
Është shumë pozitive fakti që shumë njerëz që quheshin të paprekshëm në drejtësi, u shkarkuan. Ata gjyqtarët dhe prokurorë, kanë gjykuar botën. Po të kishin mundësi, do ta mbronin veten. Por, mes sa duket përfundimi im është se nuk e mbronin dot veten. Deri sa u prekën të paprekshmit e drejtësisë, këtu është bërë një hap shumë i madh. Gjyqësori e kishte shumë të domosdoshme. Politika nuk e ka edhe aq të domosdoshme. Në kuptimin që, për politikën ja ku erdhën zgjedhjet. Mund të vihen disa kritere me qëllim që kryetarët e partive të mos kenë mundësi që të vendosin njerëz në lista që nuk i plotësojnë ato kritere. Nuk ka nevojë për ikje spektakolare siç po ndodhin në drejtësi. Ata ikin vetë pasi nuk zgjidhen më. Kjo është ikja e tyre. Të vihen disa kritere për pasurinë, profesionalizimin, e dinjitetit etj., dhe ata ikin vetë,

-U surprizuat nga shpallja e aleancës PD-LSI? Mendoni se do të funksionojë?
Nuk u surprizova, por për mua nuk do të jetë rezultateve, do të dështojë. Për mua është e gabuar. Nuk do të funksionojë në zgjedhjet lokale. Ka konflikte të vjetra midis bazës së PD dhe LSI. Mendoj se do të sabotojnë njëri-tjetrin në zgjedhjet lokale. Pak a shumë kjo gjë ndodhi edhe tek Partia Socialiste me LSI në zgjedhjet lokale të 2015. PD-LSI është akoma edhe më e vështirë.

-Pse po dorëhiqen gjyqtarët nga gjykimi i dosjes ‘Hajdari’?
Problemi është që të gjithë duan që të mos ngatërrohen me një çështje që e quajnë të mbyllur formalisht. Ndërkohë që unë mendoj se Izet Haxhia e ka të drejtën e tij duke qenë se nuk ka qenë i pranishëm në procesin gjyqësor ku është dënuar. Ai ka të drejtën e tij të rihapë çështjen e tij, të rishikojë pozicionin e tij lidhur me ngjarjen në mënyrë që ai dënim i rëndë që ka marrë mbase mund të zbutet. Por thash që duhet të ndiqen procedurat, por mesa duket kurrkush në këtë situatë qoftë kur ka një reformë në gjyqësor, kur gjërat nuk janë fort të qarta sepse reforma vetë ka nxjerrë shumë njerëz me probleme, kështu që në përgjithësi njerëzit në gjyqësor e kanë mendjen tek problemet dhe hallet e tyre dhe jo t’i futet prapë çështjes në fjalë. Mbase ata e mendojnë të zorshme dhe të bezdisur. Kështu që kjo është arsyeja. Nuk besoj se është presion politik sepse nuk ka kushte për një gjë të tillë. Ata që mund të bënin presion politik sepse nuk janë të interesuar që të hapet procesi janë në opozitë. Thjesht është një çështje që njerëzit e gjyqësorit nuk kanë qejf ta rihapin e të ngatërrohen. Në këto kushte mbetet vetëm të pritet. Haxhia duhet të vazhdojë të luftojë me të gjitha mjetet që ka në dorë për atë të drejtë që i takon dhe për hapjen e çështjes për pozicionin e tij. Izet Haxhia duhet të ngulë këmbë. Problemi për t’u hapur është një problem procedurash, por se çfarë do të vendoset pastaj është në varësi të argumenteve dhe provave që servir Haxhia me qëllim që ta nxjerrin të pafajshëm. Tani me shtatorin dhe me rikthimin e njerëzve në punë mbase do të ketë rast të kërkojë me ngulm dhe të rihapet. Pastaj se çfarë vendimi do të merret varet nga ato se çfarë do të thuhen, nga argumentet e provat.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Nuk është budalla, është shejtan!

Nuk është budalla, është shejtan!