POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Intervista /Kinematografia e pas viteve ’90-të në Shqipëri, regjisori: Filmi është në agoni

Regjisorin, i cili prej gjysmë shekulli i është dedikuar kinematografisë shqiptare, e takojmë në rrugën “Myslym Shyri”. Më mirë se për çdo gjë ai mund të na flasë për kinematografinë tonë në 30 vite demokraci, ku rrallëherë filmat që janë realizuar kanë lënë shenjë tek publiku. Për kamerën e “ReportTV” kineasti Saimir Kumbaro teksa tregon për ekzistencën e ish Kinostudios “Shqipëria e Re” deri në vitin 1996, kritikon punën pas kësaj periudhe është që bërë në Qendrën e Kinematografisë.

Që nga viti ’90-të deri në 1996 ka ekzistuar Kinostudio “Shqipëria e re”, që më vonë u quajt “Albafilm studio”. Në vitin 1996 krijohet Qendra e Kinematografisë, ku në krye të saj ishte Xhevdet Ferri. Një  nga filmat e parë, që u realizua në atë kohë ka qenë “Dasma e Sakos” e regjisorit Vladimir Prifit, para këtij ishte “Vdekja e kalit”, të cilin e realizova unë, ndërsa Besnik Bisha “Zemra e nënës”. Kështu nisi ndarja nga teknologjia e vjetër. Në vitin 1996, me krijimin e Qendrës së Filmit, krahas përdorimit të pelikulës, filmit 35 mm, nisi edhe teknologjia tjetër, elektronikë. Shumë regjisorë u sulën drejt saj. Sot edhe kësaj dite vazhdohet me këtë, me kamera që po i afrohen filmit, por ende nuk është arritur. Kinemaja për mua është shumë komplekse, është një bashkësi artesh, prandaj ata që duan që t’i hynë kësaj duhet ta dinë mirë. Unë në vitin 2007, që kam prodhuar filmin si producent dhe regjisor “Ne dhe Lenini”. Një film me skenar të tipit Iliada. Filmat që janë në lëvizje quhen Odisea. Për buxhetet tona është më mirë stili Iliada.

Saimir Kumbaro, regjisor

Intervista e plotë e regjisorit Saimir Kumbaro pë Report Tv 

Pakësimi i buxhetit për prodhimet kinematografike dhe numri i lartë i tyre ka sjellë edhe cilësi më të dobët shprehet regjisori

Deri në vitin 2007-‘09 buxheti ishte i plotë, por me ardhjen e drejtuesit të ri të Qendrës u rend shumë pas sasisë, duke u rendur pas sasisë u ul buxheti, ra cilësia, se një regjisor detyrohet të marrë aktorë të kategorisë së dytë. Këta aktorë cenojnë edhe vlerat e filmit. Në ekipin inxhinierik të filmit del se regjisori, skenaristi edhe aktori protagonist janë i njëjti person.

Saimir Kumbaro, regjisor

Për këtë kineasti shton se selektimet duhen bërë që në krye të punës

Duhet që të ketë disa selektime, që nis që nga Këshilli Miratues i Projekteve. Është vënë re që në këtë këshillë hynë njerëz joprofesionist, që vinin nga Fakulteti Ekonomik edhe s’kanë asnjë lidhje. Filmi është që të kesh nuhatje, të dish se çfarë marketingu duhet të bësh. Duhet të ndiqet një politikë tjetër në Këshillat Miratues. Duhet njerëz profesionistë që dinë që të lexojnë skenarin në letër. Le që mos të them se nuk e lexojnë fare, e lexojnë vertikalisht. Nuk bëhet kështu kinemaja.

Saimir Kumbaro, regjisor

Ndërsa, shtimi i shtëpive filmike ka ndikuar gjithashtu negativisht në këtë sektor

Ne kemi pasur një kinostudio edhe kemi prodhuar 260 filma, ndërsa tani janë 80 kinostudio të vogla, shtëpi filmike. Është një sulm asnjë nga këto producentë nuk e fusin dorën në xhep.  Por, çfarë marrin nga shteti edhe bëjnë filmin. Prandaj filmat kanë dal pa emocion, pa konflikt. Unë jam gëzuar shumë kur Alimani mori çmim në Poloni, sepse i rritet prestigji gjithë kineastëve, ashtu siç jam gëzuar edhe për Gjergj Xhuvanin, kur u vlerësua në Kanë.

Saimir Kumbaro, regjisor

Më tej Kumbaro shprehet se ne kemi dy shkolla për filmin, një tek Universiteti i Arteve edhe një “Marubi”. Por politika e Qendrës duhet të jetë që, një herë në dy vite të dërgojë një regjisor të asistojë në një trup xhirimi, producent apo skenarist në Nevada, në shkollën ku përgatiten skenaristët. “Nuk mund të bëhesh skenarist se do të bëhesh, se ke marrë dhjetë në hartim. Dublimi i imazhit me batutën është e ndaluar për një profesionist në kinema”. Sipas regjisorit, brezi i tij u bë kineast se pati fat më shumë se të rinjtë, bashkëpunuan me Dhimitër Anagnostin, Pirro Milkanin, Gëzim Erebarën, Viktor Gjikën, etj., që kishin bërë shkolla jashtë shtetit, edhe që nuk ishin njerëz të mbyllur, por profesionist me dije, kulturë edhe me zemër të madhe.

Buxheti i vogël

Buxheti i vogël të detyron të marrësh aktorë të kategorisë së dytë, edhe të përqendrohesh në një mjedis. Ka shumë kufizime s’merr dot një aktor që e njeh mirë interpretimin para kamerës, në film është shikuesi edhe pastaj dëgjues. Duhet të dominojë imazhi. E kam të vështirë që të them më shumë, se këta mërziten, ngatërrojnë individin me filmin. Unë një regjisor të ri e komplimentoj etj. Për shembull, kur shoh “Kromin” e Alimanit, nuk e pëlqej fare. Ndërsa, ndryshe është kur flas për filmin “Delegacioni”. Këtu mungon kritika. Pas kësaj interviste çereku i atyre që përmenda nuk do të më flasin më me gojë.

Saimir Kumbaro, regjisor

Aktorë të rinj të mirë

“Ka aktorë të rinj shumë të mirë, që dinë që të interpretojnë para kamerës, dinë të interpretojnë për ekranin. Regjisori nuk është aktor, që i shpjegon aktorit biografinë e rolit. Por ka edhe regjisorë që thonë aktorit: Më bëj këtë që bëj unë. S’mund t’ja kërkoj këtë Bert Ndrenikës. Ky lloj aktori që është inteligjent i kap sugjerimet e regjisorit edhe i zbaton”.-thotë Kumbaro.

Regjisori mendon se kjo gjendje përmirësohet, por:

 “Duhet filluar që nga formimi i anëtarëve të këshillit drejtues, që duhet të jenë njerëz profesionistë, që duhet të stimulohen. Shpërndahen 1 mld lekë edhe atij i jepen vetëm 10 mijë lekë (100 mijë të vjetra). E dyta është, se duhet të ndalohet në mënyrë kategorike licencimi i njerëzve profanë. Si mund që të licencohem unë si avokat apo si një ndërtues urash?! Si mund të prodhojë filma një njeri, që nuk e di se çfarë do të thotë fjala, kinematografi?!”.-shprehet regjisori.

Kudo Kumbaron e shohim me kamerë në dorë, por plot modesti na thotë se ky është zanati i tij, nuk di  që të bëjë gjë tjetër veç filmit:

“Unë këtë zanat kam, s’di të bëj gjë tjetër. Nuk preferohem shumë në këshillat drejtues të njerëzve amatorë. Këtu ka hyrë shumë keq babëzia. Babëzia është një element që po shkatërron çdo gjë në Shqipëri. Me jep, që të jap. Është një element që unë e di mirë. Jam edhe në këshillat drejtues të RTSH-ës. Edhe ja kam vënë detyrë vetes të ndihmojë kineastët. Nëse Qendra i jep 150 mln lekë të vjetra në filmi, RTSH-ja i jep 30 mln lekë edhe merr edhe të drejtën e prezantimit të filmit”.-thotë Kumbaro.

Megjithatë, sa i përket frekuentimit të kinemasë shqiptare nga spektatori, Kumbaro shton se:

“Filmi në Shqipëri është në agoni, kjo jo për fajin tonë, por për faj të edukimit të keqedukimit të publikut. Konkurrenca në botë është shumë e madhe. Filmi amerikan që është numër një në botë, nuk ka ndonjë frekuentim të madh në kinematë shqiptare. Mungon edukimi për filmin. Nëse në SHBA që fëmijë mësohen të marrë një biletë edhe të shikojnë një film, kjo këtu nuk ndodh. Duhet të ishte bërë një politikë më dashamirëse për kinemanë. Sot preferohen shumë filma serialë, këtu duhet të shkojnë televizionet tona. Ministria e Kulturës duhet që të më krijojë mua terren me buxhet”.

Anëtarët e këshillit drejtues të QKK-së janë: Petrit Beci, ish-drejtor i RTSH-së, ekonomist; Agim Poçari, ekonomist; Esat Ibro, kineast; Genc Përmeti, piktor; Eduard Mazi, gazetar.

Megjithatë, regjisori Saimir Kumbaro, shpreson se nëse Ministria e Kulturës do të krijojë më shumë terren dhe buxhet për kinematografinë tonë, situata do të ndryshojë pozitivisht.

f.g./al.sp.
Komento

Komente

  • redi: 06/01/2019 20:34

    Lexova me kenaqesi intervisten e Saimir Kumbaros per kinematigrafine dhe eshte per te ardhur keq gjendja e fimit shqiptar ne 28 vitet e demokratures shqiptare . Sit kur nuk mungojne artistet por fondet duhen gjetur rruge alternative . Une nuk jam specialist i artit por nje dashamires dhe nostalgjik i fimit shqiptar ne vite , do te sygjeroja si rruge filmin serial ne badhkepunim me RTSH , si televizion publik , qe pi ndryshon per te mire dita dites dhe ka mundesi financiare se paguhet nga tajsat e shqiptareve . Jam besim se do keni dhe cilesi pir dhe kometcinalizem , pra fimat te dalin dhe me fitim . Kryesorja hane skenaret qe mund te rrisin audiencen dhe fimi te ringrihet . Pjesen me te nadhe e ka dhe buxheti , por jane angazhuar ne pagimin e PPP te oligarkeve te pangopur

    Përgjigju