Në Itali u zhvillua dje raundi i dytë i konsultimeve të Presidentit të Republikës me përfaqësuesit e forcave politike për zgjidhjen e ngërçit të formimit të qeverisë që ka mbërthyer Italinë që prej zgjedhjeve të 4 marsit.
Pas përfundimit të takimeve me kreun e shtetit të gjitha grupet politike kanë shprehur preokupimin e tyre për situatën në Siri duke konfirmuar rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të qeverisë në mënyrë që Italia të prezantohet sa më denjësisht në vendimet me rëndësi ndërkombëtare.
Delegacioni i Partisë Demokratike drejtuar nga kryetari i përkohëshëm i saj Maurizio Martina ka rikonfirmuar qëndrimin e saj opozitar.
“Duhet dhënë fund taktikave politike e personalizmit ekstrem, ka deklaruar ai. Vendi ka nevojë për pakte të qarta.
“Koalicioni i qëndrës së djathtë është prezantuar në konsultimet me Presidentin Mattarella me një delegacion të vetëm të përbërë nga 3 liderat e partive të këtij formacioni; Silvio Berlusconi i Forza Italia, Matteo Salvini i Lidhjes e Giorgia Meloni e Fratelli D’Italia.
Pas këtij takimi para gazetarëve Matteo Salvini ka deklaruar se “koalicioni i djathtë është i bashkuar e i gatshëm për formuar një qeveri afat gjatë me një kryeminsitër të dalë nga partia Lidhja”.
“Presim nga të gjitha forcat politike, tha Salvini, si dhe nga Lëvizja 5 Yje të njëjtin sens përgjegjësie që koalicioni ynë fitues i zgjedhjeve ka ndaj vendit.”
Konsultimet e Presidentit janë mbyllur me takimin me delegacionit të Lëvizjes 5Yje.
Lideri i saj Luigi Di Maio është shprehur se “nuk duhet humbur më kohë për formimin e qeverisë. E vetmja rrugë për të zhbllokuar krizën qeverisëse është që Silvio Berlusconi të bëj një hap pas e të lejoj krijimin e një koalicioni qeverisës vetëm mes Partisë Lidhja e 5 Yjeve.”
“Me Partinë Lidhja kemi një sinergji institucionale e demostruar me fakte në komisionet e në grupet tona parlamentare, tha ai, por nuk kuptoj sesi kjo forcë politike pas bisedimeve mes nesh pretendon një qeveri me përfaqësues nga të forcat e koalicioni të djathtë.”